E enjte, 25.04.2024, 06:04 AM (GMT+1)

Kulturë

Agron Shele: Rezart Palluqi - Shtëpia me dy çati

E shtune, 04.03.2017, 09:19 AM


Shtëpia me dy çati, si shtëpi e kulmve të reja në kufijtë e vlerave universale të njeriut.

Nga Agron Shele

Romani “Shtëpia me dy çati” është vepra letrare më e fundit e autorit Rezart Palluqi, i cili vjen nën redaktimin e  Pëllumb Zekthit  dhe Shtëpisë  Botuese “ 2 lindje & 2 perëndime” .

Qysh në fillim  ky roman të tërheq me vete dhe të shëtit në atë farfarë botëkuptimesh, që kap rrafsh dhe gamë shumë më të gjerë kulturash ( nga ato të orientit – deri tek perëndimi), të cilat kapërcejnë nëpër qerthulle dhe mistizmin kohë, gjithmonë në paralelizëm me zanafillat shtrirje, duke filluar nga antika dhe mitologjia, bizanti dhe më pas ajo bashkohore. Narrativiteti përshkrus dhe struktura e ngritur përqasin atë frymë, e cila në vijëmësi paraqet kontraditat shoqërore përbrenda një mentaliteti të krijuar (mentaliteti grek) gjithmonë në përballje me mentalitet dhe traditën e Ballkanit ( hapësirë më e gjerë kjo) dhe gjithmonë në krahasim me vlerat etike dhe shoqërore të krijuara në perëndim. Në thelb, rradikalizimi i mbrujtur nga fanatizmi fetar ka prodhuar karaktere bizante, që e shikojnë me frikë liberalizimin e jetës dhe ndikimin e jashtëm, të cilët me format e ulëta dhe mënyrat e tyre agravojnë në ngjarje dramatike. Narrativiteti i këtij romani është vendosur jo pa qëllim në qytezën e Pargës, qytezë me një bukuri mahnitëse, rrethuar nga kodrat dhe  shtrirë në bregun e detit Jon, i cili daton që në kohët më të lashta, në kohën e zotave dhe legjendave antike, për të ardhur më pas nën ndikimin e venecianëve, anglezëve, francezëve, Ali Pashë Tepelenës, osmanëve dhe së fundmi grekëve, të cilët shpërngulën forcërisht popullsinë shqiptare çame, tragjizëm ky që zë një vend të gjerë dhe përmbyll bashkë me romanin dhe fatin e kryepersonazhit të gjithë librit: “ Kur mërdhin e ardhmja, ajo vesh rrobat e gjakosura të kufomave të së kaluarës”. Manifestimi i një shpirti të lirë e human, pa komplekse dhe tabu,  referimi i vlerarave universale dhe indeksimi një me frymën më moderne, përbëjnë dhe qëllimin kryesor të gjithë veprës. Paralelizamat midis tragjedive të ndryshme të ndodhura, ato të masakrave dhe shpërnguljes së çamëve nga shtëpitë e tyre me forcë me ato të grekëve në Izmir dhe ndërlidhja midis kulmeve çati, të banuara nga bujtës të rinj shpreh më së miri tematikën historike, të pranuar dhe reflektuar nga logjikat e shëndosha, por kurrësesi nga mentalitetet dhe kultet e ngritura të vendeve ballkanike. Bisturia e hollë dhe sarkazma fshikullojnë urrejtjen, godet muret e ngritura të botkuptimeve shoqërore dhe realitetet e grishta të tyre që kanë depërtuar në çdo qelizë, patriakalizmin që është shndërruar në ideologji dhe frymë e sëmurë, e cila për rrjedhojë nuk njeh as kufij e as limite, por riciklon të shkuarën duke përsëritur pa reshtur dhimbje njerëzore dhe trauma.

Pse ky titull i përzgjedhur nga autori?

Shtëpia me dy çati nuk është një godinë e thjeshtë, por në kuptimin metafizik është një shtjellë që ndan kohët dhe vlerat, ndan krenarinë e antikës dhe filozofëve të medhenj grekë me traditën dhe tabunë bizante të realitetit, ndan ilumizmin dhe mendjet e ndritura bashkohore greke (historianë, nobelistët) me mefshtësinë dhe paragjykimin e thjeshtëzuar të turmës së endur gjithmonë pas lakmive dhe qëllimeve dritëshkurtra që afron momenti. Shtëtpia  me dy çati është dhe një kufi i madh që ndan kulturat, atë të realitetit mental me frymën e lirë të perëndimit, dy fryma këto që janë larg njëra – tjetrës dhe që ndajnë pikëpamje të thella botëkuptimesh. Shtëpia me dy çati nuk ka themelet e sotmes, por rrënjët e gjenezave të shkuara, të cilat rrjedhin damarëve gjakun e jetëve të pafajshme, gjak që asnjë e stome apo dhe e nesërme nuk do arrijë dot as ta fshehë dhe as ta mbulojë. Shtëpia me dy çati është dhe një ëndërr e autorit, i cili si referim i individualitetit pa kufij, pa nocione vendos në të përfaqësues të gjithë etnive, të cilët çdo mëngjes rinisin jetën e lirë përbrenda lirisë dhe respektit të pakufi për diversitetin kulturor të tjetrit.

Për të dhënë një konfiguracion më të plotë për këtë prurje sa intrigus për lexuesin po kaq dhe interesant e deshifrus të mesazhit të madh që kërkon të përcjellë autori  le të ndalemi pak tek aspekti karakterial i gjithë kësaj fabule, kryesisht tek dy protaganonistër e veprës letrare:

Panajoti është kryepersonazhi i gjithë librit dhe rreth tij vërtitet e gjithë ngjarja. Profesioni i tij si historian nuk është i paqëllimtë, por një gjetje që autori të shprehë idetë dhe vizionin e tij për modalitetet dhe koherencat e reja që duhet të krijohen. Me fleksibilitetin që e karakterizon autori e përshkruan personazhin e vet gjer ne detaj, duke filluar nga ideja e ndërtimit të çatisë së dytë ( ndarjes përfundimtare nga botëkuptimet e kohës së atdheut të tij) deri në peripecitë që kalon përgjatë gjithë jetës, prapaskena të ngritura nga arkitetkti dhe restauruesi i kishave e gjer tek vëllai i tij ( duke e klasifikuar si heretik e të pa fe). Mendësia e Panajotit shkon një me studimet dhe gjurmët e pamohushme të shqiptarëve, të cilat kush më shume se Aristidh Kola i nxorri në pah, me argumente të sakta dhe vërtetësi të pamohushme, natyrshmëri kjo që thyen konceptet dhe alarmon jo vetëm mjedisin përreth, por deri qendrën më të lartë intelektuale e instuticionale të Athinës. Dhe kështu i endur mes tabuve dhe të vërtetës lakuriq, historiani jeton si dishepujt e tij, kolosët e filozofisë së lashtë dhe pragmatizmit të botës rrethuese ( bizantë, si i qunte dhe vetë) dhe një jete që do e lidhte figurativisht me fatin e tre grave ( Kristinës, gruas së tij që përfaqësonte dhe vetë moralin e kohës, joshjen pas jetës së luksit dhe amoralitetit shoqëror, Maries, të shoqes së kundërshtarit më të egër të tij, e cila vinte si përfaqësuese e bashkëshortes së virtytshme dhe besimtares denjë, si dhe Roos, gruas perëndimore, pa paragjykime dhe të lirë në shpirt). Marrëdhënia me të birin është më shumë se një kuptim dhe mendësi brezash, ku ky i fundit është thjeshtë një marionetë e kohës, i cili e kupton dhe vlerëson drtitëthënien e vërtetë, por që kërkon të lëvizë sipas integralit të ingranazhit kohë.

Zhvillimet që pasojnë i ndërlidhin dhe ndajnë karakteret në mijëra fije të dukshme e të padukshme, aq sa vetë kryepersonazhi vendoset në qendër të kompleksitetit trekëndësh ( Greqi, Turqi dhe Shqipëri), trekëndësh që identifikohet me vetë truallin ku banon, e cila plekset e shplekset nëpër gjëmat dhe barbarizmat mes Turqisë e  Greqisë. Së fundi kemi një ritual të përsëritur, me zanafillë po nga gjeneza, nga Sokrati, të cilin personazhi nuk e përsërit deri në vetmohimin e tij ( pirjen e kupës së helmit), por stoicizmit për të qëndruar pas hekurave,  krejt i qetë në qelinë e errët.

... dhe çatitë tashmë të braktisura, por që ringrejnë kulme të reja drejt  qiellit më të lartë duke rrezatuar edhe më shumë të vërtetën lakuriqe, trembin dhe makthojnë hijet e endura rreth saj, një mjedis të tërë kaotik, i cili e shikonte dhe shikon si kështjellën e vetme që duhet të bastiset, asimilohet, mundësisht të digjet dhe flakët e saj  të përpijnë çdo frymë, çdo formë, çdo imazh, çdo ngjyrë, por harrojnë që rrënjët shkojnë shumë më poshtë, atje ku e shkuara kish filluar jetë dhe do të vazdonte gjer në përjetësi.

Andoni është personazhi dytësor, përfaqësuesi i konservatorizmit të një shoqërie dhe tipizuesi i ndërgjegjies dhe shpirtit të kohës. Pavarësisht amoralitetit të tij, natyrës kriminale apo aferave korruptive ai mbetet në atë mjedis të vakët, si modeli por dhe mbrojtësi më i mirë i traditës së krijuar. Si kundërshtari më i egër i pranimit të së vërtetës historike, ai do përballej dhe do bëhej promotorri kryesor i gjithë kalvarit përvuajtës të kryepersonazhit, gjer dhe në burgosjen përfundimtare të tij. Gjithë rrugëtimi i tij në këtë vepër letrare dhe pse kalon përmes skandalesh dhe dhunës, rracizmi të shfrenuar dhe urrejtjes gjen mishërim dhe njehësohet një me mentatlitetin e popullit të tij, madje gjer në sferat më të larta, qoftë laike, qoftë dhe ato fetare.

“Shtëpia me dy çati” është vepër letrare që kalon përmes hapësirës dhe një mendësie të hapur, i cili vjen natyrshëm dhe me narrativitet magjepës përshkrimi, qoftë në planin ideo-artistik, qoftë tematikës që ka kapur, qoftë mesazhit të përcjellur, strukturës së ngritur, apo dhe shtjellimit psikologjik e filozofik.

E gjithë kjo prurje letrare e sjellur nga autori Rezart Palluqi do mbetet gjatë në kujtesën e lexuesit, si ideim universal por dhe laburim idesh e vlerash, të cilat do vazhdojnë të thyejë tabutë dhe muret e ngritura në kokë tek vetë njerëzit, për të përafruar modele dhe koncepte të reja, pa kufij, jashtë prognozave të shkaura dhe një të nesërme të denjë e të lirë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora