E enjte, 28.03.2024, 10:12 AM (GMT)

Kulturë

Peter Prifti: Parathënia e librit “Mjellmat po të vijnë” të shkrimtares Këze (Kozeta) Zylo

E enjte, 28.08.2008, 07:00 PM


Këze (Kozeta) Zylo
Këto ditë doli libri i ri  me poezi “Mjellmat po të vijne” i shkrimtares Këze (Kozeta) Zylo, që ka për parathënie kritikën nga profesor Peter R. Prifti dhe pasthënien nga profesor Sadik Bejko.

Nga prof. Peter R. Prifti 
   
PARATHËNIE

Titulli i librit me poezi “Mjellmat po të vijnë”, mund të tingëllojë disi enigmatik, disi befasues në takimin apo shikimin e parë. Por, në të vërtetë, titulli i përshtatet veprës, sepse shpreh një dëshirë të zjarrtë të autores që gërshetohet me temat e ndryshme që trajtohen në lëndën e librit, sikundër do të shohim më tutje në këtë shkrim.
 Mund të themi se poezitë e librit hyjnë në gjashtë kategori pak a shumë të qarta, pak a shumë të ndryshme nga njera tjetra. Ka këtu (1), poezi romantike-erotike, që bëjnë fjalë natyrisht për botën e dashurisë; (2), ka poezi personale ku autorja flet për njerëzit e familjes dhe figura të tjera të dashura; (3), një tjetër kategori përfshin poezi për çështje politike që i takojnë Shqipërisë; (4), ka mandej poema të ndryshme ku diskutohet  për moral e filozofi, për poetë dhe artin e poezisë; (5), një numër relativisht i vogël i pemave i kushtohen natyrës; (6), dhe më së fundi, ka poezi që shprehin nostalgji për vendlindjen e për miq të vyer.
 Para se të vazhdojmë, na pëlqen të themi se do të donim të flisnim me hollësi për poemat që përfshihen në secilën kategori të lart-përmendur, për t’i dhënë lexuesit një portret sa më të plotë të pasurisë së lëndës dhe nivelit të cilësisë së veprës. Por ky është një luks që nuk na lejohet brenda përmasave të një parathënie; prandaj, duam s’duam, do të kufizohemi me vërejtjet tona.
 Fillojmë me poezitë romantike-erotike. Në përgjithësi, në periudhat e shkuara të letërsisë shqipe, poezia lirike (e dashurisë) zinte një vend shumë të vogël, krahas poezisë epike,  nacionaliste dhe blegtorale. Por, jo në poezitë e këtij vëllimi të shkrimtares Kozeta Zylo. Këtu perëndesha e dashurisë Kjupid (Cupid), gjen fushë të hapur. Plot një të katërtat e poemave janë të zhanrës lirike, ku autorja shpreh dashurinë e femrës për të dashurin e saj në rrethana të ndryshme, kur ai është pranë ose larg diku, kur hanë e pijnë së bashku dhe kur dashurojnë në shtrat. Ja, disa rreshta nga poema “Le të pimë verën e dashurisë”:
  Në dehje pimë verën e dashurisë,
  Me ngjyrën e kuqe si zemrat zjarr,
  Nën tingujt e ëmbël, pa frymë mbetur,
  Dhe borën mund të shkrijmë, në thellim e acar.
 Kemi këtu një vizatim të bukur të botës së brendshme të femrës që dashuron, shprehur me një fjalor romantik të theksuar. Ja, një tjetër poemë, e titulluar “Me emrin tënd”, që flet për një dashuri hyjnore të cilën gjithkush mund ta kishte zili:
  Një shteg në qiell dhe unë do ta gjej,
  Ndoshta një kurorë princi do qëndis,
  Që t’u ngelet yjeve të zjarrta,
  Si prush i dashurisë sonë.
 Në një krijim tjetër erotik të quajtur “Të gugitem si bebe”, autorja e këtij vëllimi jep një pasqyrë mjaft intime për ç’ka ngjet në shtratin e një çifti të martuar. Është një poezi ku ajo shprehet “pa dorashka”, gati si në  faqet e ndezura të librave të romancave këtu në Amerikë. Shkruan për ylberët që sheh femra në sytë e burrit, për buzë që dridhen nga pasioni i shfrenuar, për shijën e ëmbël të puthjeve të nxehta, aq sa të dy ndihen sikur vallëzojnë valsin e dashurisë. Kozeta Zylo flet me guxim e sinqeritet për dhuratën e dashurisë, që iu është falur meshkujve dhe femrave për ta gëzuar së bashku, dhe duke u njohur me mrekullitë dhe magjinë e saj, të ngjiten në sfera të larta morale dhe shpirtërore. Prandaj, nuk është për t’u habitur që në një nga këto poema, femra e dashuruar, e pushtuar marrëzisht nga pasioni i pafre, shpreh dëshirën që ajo dhe i dashuri i saj të digjen e të bëhen shkrumb nga zjarri i dashurisë së tyre.
 Një nga poemat në këtë kategori, “Eja!”, me rreshtat: “Eja i dashuri im eja/ Pyjeve të dendura le të shkojmë/ Me melodi cicërimash të vallëzojmë”, na kujtoi këngën popullore “Vemi, o s’vemi/ Në mes të pyllit, o vemi”, që neve këndonim me gusto, kur ishim të rinj në fshatin e vendlindjes.  Veçse në variantin e Kozeta Zylos, fantazia për dashurinë në pyll shprehet me një gjuhë më të zjarrtë e më të rafinuar.
 Në kategorinë e poemave personale, ka shkrime që shprehin respekt, dashuri e nostalgji për profesorë jetë-ndërruar të autores, si prof. Bedri Deden, gjithashtu dhe intelektualin Lazër Radin. Në poemën “Requiem për profesorin tim të nderuar, Bedri Deden”, ajo ka hartuar një elegji me rreshta të thjeshtë që na kujtojnë poetin amerikan Robert Frost. Japim këtu një copë të poemës:
  Seç m’u zgjuan kujtimet sot,
  Në këtë stinë të ylbertë pranvere,
  Ndoshta nga një lot pëllumbi,
  Pikuar në parvazin e dritares sime,
  Që, çuditërisht, humbi
  Në çurgën e lotëve të mia,
  Duke lagur si vesë mëngjesi,
  Faqet e librave të tij, hapur sot…
 Po në këtë grup hyn dhe poema “Kanarina shqiptare e Las Vegasit”, kushtuar çupës Shpresa Fatmir Hamzaj, që u vra në moshën e njomë 26 vjeç. Kemi këtu një himn për kujtimin e një zonjushe të talentuar shqiptaro-amerikane, me ndjenja të pastra atdhetare, himn ky i kompozuar nga një shkrimtare që ndofta meriton të quhet “Ambassador of goodwill” (Ambasadore vullnetmirë) i popullit shqiptar në Amerikë,  sepse ka empati të rrallë për bashkatdhetarët e saj. Më poshtë japim disa radhë nga poema në fjalë:
  …..Vetëm fizikisht humbe,
  Se shpirti si kristale bore,
  Dhe ndihmat që mblidhje për Kosovën
  Si kësulkuqja në shportën e saj,
  Do të mbeten si një lule bjeshke,
  Në ëndrrat lirike tonat….
 

Ballore (liqeni i mjellmave, nga Cajkovski)
Por mbi të gjitha, shkrimet në këtë kategori dominohen nga poezitë për mëmën e autores, që fatkeqësisht u nda nga kjo botë pak kohë të shkuar, në një spital në Brooklyn, New York. Ajo e adhuron mëmën me fjalë të arta të zgjedhur me kujdes nga thesari i poezisë. Dashuria për të është e pakufishme, ashtu siç është dhe dhembja zhuritëse që ndjen nga mungesa e saj.
 Në poemat për mëmën, që gjenden në shumë faqe të kësaj vepre, Kozeta Zylo paraqitet para lexuesit si natyrë tepër delikate, me fantazi të pasur e me ndjenja të brishta.  Janë këto poema që rrëfejnë më së miri anën e saj emocionale, në çastet e hidhur të ndarjes nga mëma. Për orët e fundit të mëmës në spital, ajo shkruan: “Pikëzat e lotit si vesë mëngjezi/ Binin si lulet përreth tryezës tënde”; ndërsa kur ajo u largua nga kjo botë, poetesha thotë: “Tani që më ike pa pritur në qiell/ Gjysma ime mungon/ E për këtë vajtoj, vajtoj”. Diku gjetkë ajo shkruan: “Si ëngjëll më shfaqesh pa pritur sonte/ Duke qëndisur ajrin me ca fije dielli!” Kemi këtu figura apo mjete poetike që përshkojnë dhe hijeshojnë shumë faqe të këtij vëllimi. Në poemën “Nënëmira jonë”, ajo shkruan:
  Sa herë i mbështillje pranë vatrës,
  Fëmijët e tu si thëngjij ndezur,
  Ngroheshin në agimet e kuqerremta,
  Me të ëmblat ledhatime nëne,
  Si në hojëza mjalti derdhur!”
 Për mendimin tonë, nga poezitë për mëmën e saj, kjo zë vendin e nderit, sepse tregon më së miri natyrën e autores si bijë e dhembshur dhe mirënjohëse, dhe njëkohësisht lartëson – për të mos thënë shenjtëron – figurën e mëmës në jetën e një familje, cilado qoftë. Është poezi e shprehur me fjalë të thjeshta që prekin telat e zemrës, sikundër gishtrinjtë e një muzikanti prekin telat e harpës apo kitarës.
 Mbyllim shënimet tona për këtë kategori me një poezi (“Vetja ime”) që është sa e bukur, aq edhe aktuale, mbasi flet jo vetëm për përvojën e vetë autores, por dhe për imigrantët shqiptarë në Amerikë të kohëve të fundit. Është fjala për konfliktin e ashpër mendor dhe shpirtëror që njohin shumë nga të  posa-ardhurit në botën e re dhe të huaj të Amerikës. Ndryshe thënë, janë vuajtjet që përjeton imigranti i ri, si pasojë e asaj që quhet “cultural shock” (shok kulturor); dmth. përplasja midis vlerave të kulturës së tij shqiptare dhe vlerave të shoqërisë amerikane, që shkakton çorientim dhe turbullime. Për këtë fenomen, autorja Zylo shprehet kësisoj, duke patur parasysh vetveten:
  Duket sikur dhe vetja më ka ndryshuar,
  Që ditën që u arratisa, prej atij vendi,
  Shpesh nuk e njoh veten time,
  Në vendin që jetoj tani!
 Le të kalojmë tash te kategoria e poezive politike, që më së shumti i takojnë realitetit politik të Shqipërisë pas shembjes së monizmit. Autorja Zylo shkruan me duf për hendekun që është krijuar midis masave të popullsisë dhe klasave që qeverisin vendin. Asaj i vjen keq per bashkatdhetarët në atdhe që pranojnë si dhën vendimet e qeveritarëve të tyre. Gjithashtu, ajo kujton me indinjim  padrejtësitë që ngjanë në periudhën e diktaturës. Një nga poemat më të fuqishme në këtë kategori është “Requiem për Lazër Radin”, shkruar për kujtim të mikut të saj personal, intelektualit nga Prizreni që ishte internuar me dhjetra vite në Shqipërinë komuniste.
  Në udhëtimin e jetës, miku im të kujtoj,
  Për çfarë ti më rrëfeve në vuajtjet e tua,
  Edhe pse helm për ta s’lëshove kurrë,
  Por si në legjendat e moçme, u fale mëkatet.
 Poetesha e kujton Radin me dashuri dhe admirim. Dhe ndonëse ajo vetë revoltohet nga vuajtjet që ai pësoi në duart e torturuesve të tij, asaj i bëri përshtypje të thellë e të pa-harruar fakti që ai i fali xhelatët e tij. Katër herë rresht ajo e përmend këtë fakt në poemën e saj.
 Një tjetër poemë që tërheq vëmendjen është ajo që mban titullin “Askush nuk të thotë”, poemë kjo që vë në dukje përshtypjet e autores nga vizita e parë në Shqipëri, pas rënies së diktaturës. Ajo flet me emocion për disa përparime që i ranë në sy gjatë vizitës, por mbeti fort e zhgënjyer nga qëndrimi i ftohtë që mbajnë banorët ndaj shqiptarëve të emigruar. Citojmë këtu fjalët e saj:
  Askush nuk të thotë një fjalë, për besë,
  Kthehuni bijtë e shqipes kthehuni,
  Se atdheu është yni,
  Këtu e qysh ka lindur njerëzimi.
 Nënteksti i këtyre rreshtave është se populli shqiptar sot nuk është optimist për të ardhmen e vendit. Por pesimizmi që ngjallin këto radhë  kthehen në ngazëllim të madh në poezinë “Tungjatjeta Kosovë!”, ku autorja përshëndet Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008. Ajo e pret atë ngjarje historike me brohori e krenari, dhe ndan gëzimin e saj me kosovarët duke thënë:
  Princesha ime Kosovë,
  Më lejo të vë buzët, në bisqet e Lirisë,
  E me ju të bashkohem në simfoninë e këngëve,
  Të miliona shqiptarëve, që këndojnë shqip,
  Aty në tokën e lirë!
 Me fjalë poetike të skalitura, autorja e quan muajin e shkurtit, “Shkurt dimri, kthyer në stinë pranvere”, dhe në mendjen e saj kërcen Vallen e Rugovës, veshur me kostumin tradicional të grave kosovare.
 Të komentojmë pak tash për kategorinë e poezive që merren me çështje moralo-filozofike, si dhe me artin e poezisë.
 Autorja e këtij vëllimi mban qëndrim të prerë ndaj konfliktit të përhershëm midis së mirës dhe së keqes, midis punëve të Zotit  dhe punëve të djallit në këtë botë. Në poemën “E në vazhdoftë kështu”, ajo shkruan me keqardhje për konfliktin midis njerëzve dinakë si dhelpra dhe njerëzve të butë si delet, sepse këta të fundit zakonisht e pësojnë nga shpirtligësia dhe të këqiat e të parëve. Atëhere ajo kapet nga pesimizmi, sikundër shohim në poemën “E pavërteta”, ku ajo shkruan:
  Ka raste që nuk besoj kërrkend,
  Kur…..bota e mbrampshtë,
  Djallin na e shet për ëngjëll.
 Në disa poezi shkrimtarja Zylo diskuton për artin e poezisë, të cilin ajo e lavdëron dhe e vendos në sferën më të lartë të hapësirës. Ajo mendon – ndofta me një optimizëm të tepëruar – se poetët janë një racë më vete, ndryshe nga bota, të cilët me artin e tyre fisnik  kanë mundësinë ta pastrojnë botën nga ndyrësitë e saj (Shih “Poetët”). Sidomos në poemën “Do i falte!”, ajo e lëvdon zhanrën e poezisë si askund në këtë vëllim. Në mos gabohemi, ajo argumenton se jeta pa poezi është vdekje për shpirtin dhe trupin bashkë..
 Pikërisht sepse ajo ka një koncept kaq të ngritur për poezinë, autorja Kozeta Zylo indinjohet pa masë me poetë të tipit Iago, siç i quan ajo, që e përdorin artin e poezisë në dëm të shoqërisë. Për shembull, në poezinë “Me të hy vetja në qejf”, ajo përdor kamzhikun e fjalorit poetik për të fshikulluar poetë narcistikë që guxojnë të na servirin “krrokamat e sorrave si cicërima” të zogjve.
 Kulmin e revoltës së saj kundër poetëve të tillë ajo e shfaq në rreshtat e poezisë “Sa do heshtim, O njerëz”, poezi  kjo që shërben si sulm e demaskim, por edhe si alarm apo thirrje për aksion.
  ……o poetë…..,
  Që me shkrime, kronika e filma,
  ……helmuat mendjet me lavde të pista!
  Dhe ne prapë heshtim, heshtim,
  Heshtim se kështu jemi mësuar ne.
  --------------------------
  Dhe deri sa do heshtim,
  O, o, njerëz!
 Kemi këtu një shkrim që lidh poezinë me gjendjen politike në Shqipëri, të cilën autorja e konsideron jo-normale, të sëmurë dhe të dëmshme. Duket sikur ajo i jep shtytje lëvizjes për të drejtat e njeriut në atdhe, dhe kërkon hapjen e dosjeve për të ekspozuar krimet që u bënë në kohën e diktaturës. Madje, duket se ajo ka bindjen se duhet reformuar qeveria, për t’i hapur rrugën demokracisë së vërtetë, si dhe për të shëruar shoqërinë moralisht dhe shpirtërisht.
 Në grupin e shkrimeve që frymëzohen nga Natyra, Kozeta Zylo ka hartuar poezi që dëshmojnë për dashurinë e saj për krijesat e natyrës, qofshin kafshë ose shpendë. Një nga këto,  e titulluar “Më zgjove bilbil, me zgjove”, na kujton  vjershën e P.B. Shellit (Shelley) “To a Skylark”, për nga admirimi që shpreh K. Zylo për atë shpend, duke thënë:
  Oh bilbil, bilbil ç’më joshe
  Me ëmbëlsinë e zërit tënd,
  Në lëndinat e kadifenjta po ecja,
  Luleve të Majit me vesë argjend!
 Por mbi të gjithë krijimet në këtë kategori, neve na hyri në zemër “Një lot pëllumbi”. E preferojmë këtë sepse është origjinal si koncept, dhe për më tepër është hartuar me një gjuhë të thjeshtë, të qartë e krejt të natyrshëm.
  Një lot pëllumbi pikoi,
  Në qelqin e gotës sime,
  E unë me gjuhën time
  E lëpiva, ç’shijë kishte!
 Autorja thotë pasandaj se, ndryshe nga lotët e njerëzve, loti i pëllumbit për çudi s’ishte i kripur. Përkundrazi, kishte “shijë mjalti, dhe aromë paqeje!” Ja, një ide e bukur-shprehur që të bën të mendohesh, të reflektosh.
 Arrijmë tash në kategorinë e fundit të lëndës së librit, që në përgjithësi ka për temë nostalgjinë e autores për vendlindjen dhe miq të ngushtë. Në pooezinë “Dallgët e kaltra të vajzërisë”, ajo kujton ditët romantike që gëzoi si studente duke thënë: “Si zilka kujtimesh tingëllojnë/ Netët e arta studentore”, dhe pastaj shton “Vizatoj vallëzimin e netëve/ Që kërcejnë valsin e lumturisë”. Në dy poema të tjera ajo kujton me mallëngjim një shoqe të dashur nga e cila u nda kur u largua nga Shqipëria, si dhe fshatin e origjinës së të parëve të autores, Mezhgoranin. Për fshatin ajo vizaton, brenda pak rreshtave, bukuritë e jetës fshatare, midis shtëpive prej guri e me foshnja në djepe të moçme, me kroje që gurgullojnë, dhe peisazhe rreth e përqark që freskojnë sytë dhe zemrën.
 Por ka këtu edhe poema therëse, nga zhgënjimi që pati autorja kur vizitoi vende ku dikur mblidheshin e zbaviteshin të mëdhenj e të vegjël, ndërsa tash ata vende janë të braktisur e të heshtur. Kjo befasi e tronditi aq shumë sa e shtyn atë të shkruajë, “Nga dëshpërimi i madh/ Vura kujen me Oiiiiiiiii!” (Shih poemën “Strehëza”).
 Nga poemat në këtë grup, vlen t’i japim përparësi “Mjellmat po të vijnë!”, të cilën autorja ia dedikon bashkëshortit të saj. Dhe me plot të drejtë, sepse këtu ajo evokon bukur kujtimin e mbrëmjeve që kalonin së bashku në liqenin e Tiranës, duke shëtitur dorë për dore, duke u përqafuar, duke dëgjuar cicërimat e zogjve. Pikërisht në këtë poezi, ajo premton se një ditë ajo dhe i shoqi do të kthehen përsëri në buzët e liqenit, ashtu siç bëjnë mjellmat.

Peter R. Prifti
San Diego, Kalifornia
Qershor, 2008



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora