Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Frank Shkreli: Siguria e gazetarëve në agjendën e OKB-së

| E merkure, 01.03.2017, 10:30 PM |


SIGURIA E GAZETARËVE NË AGJENDËN E OKB-së

Nga Frank Shkreli

Përfaqsuesit më të lartë të dy organizatave më të njohura botërore për mbrojtjen e të drejtave dhe të punës së gazetarëve, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Organizatës “Korrespondentët pa Kufij”, Christophe Deloire dhe Drejtori Ekzekutiv i “Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve”, Joel Simon janë takuar javën që kaloi me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres për të biseduar mbi sigurinë e gazetarëve anë e mbanë botës.  Gjatë takimit, dy organizatat për mbrojtjen e gazetarëve i bën gjithashtu thirrje shefit të OKB-ës që të emërojë një Përfaqsues të Posaçëm të organizatës botërore për t’u marrë ekskluzivisht me sigurinë e gazetarëve, anë e mbanë botës.

Sipas një njoftimi të Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, përfaqsuesit e lartë të dy organizatave për mbrojtjen e gazetarëve, siguruan angazhimin dhe   mbështetjen e Sekretarit të Përgjithshëm për kauzën e sigurisë së gazetarëve.   Drejtori i Përgjithshëm i organizatës “Korrespondentët pa Kufij”, me qëndër në Paris, Christophe Deloire u shpreh në emër të organizatës së tij se, “Mirëpret angazhimin e fuqishëm personal të Sekretarit të Përgjithshëm ndaj sigurisë së gazetarëve.”  Christophe Deloire shtoi se shefi i OKB-ës beson se liria e shtypit dhe kauza e sigurisë së gazetarëve, “Janë themelore për funksionimin e demokracisë dhe për zbatimin e të drejtave të njeriut”, duke shtuar se si përfundim i takimit me ’të, ai është zotuar se do të ndërmarrë masat e nevojshme në këtë drejtim.  Deloire u citua, në njoftimin mbi takimin e tyre me Antonio Guterres, të ketë thënë se u larguan nga takimi me udhëheqsin botëror, të bindur për mbështetjen e tij dhe se llogarisin që ai të bëjë veprimtarinë OKB-ës më efikase, ashtuqë që gazetarët të jenë më të mbrojtur në punën e tyre të përditshme, në mbarë botën.

Ndërkaq, Drejtori i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, me qëndër në New York, Joel Simon, komentoi takimin me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-ës duke thënë se, “Ndër gazetarët po sulmohen fizikisht dhe verbalisht anë e mbanë botës, është inkurajues fakti që të kemi mbështetjen e Sekretarit të Përgjishëm të Kombeve të Bashkuara”, në lidhje me këtë çështje.

Fushata për mbrojtjen e gazetarëve, që ishte subjekt i takimit me Shefin e OKB-ës, ka për qëllim përcaktimin e një mekanizmi që mundëson zbatimin e ligjit ndërkombëtar me shpresën për të pakësuar më në fund, numrin e gazetarëve që vriten çdo vit në kryerjen e punës së tyre.  Statistikat e bazuara në hulumtimet e Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve në lidhje me sigurinë e gazetarëve, tregojnë se megjithë rezolutat e ndryshme të OKB-së për mbrojtjen e gazetarëve, në realitet ka patur shumë pak rezultate konkrete, ndërkohë që kanë mbetur të vrarë me qindar gazetarë dhe shumë të tjerë janë sulmuar, thjeshtë për kryerjen e detyrës së tyre, si gazetarë.  Ndërkohë që Organizata Korrespondentët pa Kufij njoftoi se vetëm gjatë vitit 2016 janë vrarë 78 gazetarë dhe se mos ndëshkueshmëria për këto akte kriminale për vrasësit e tyre, mbetet një problem i madh për vendet ku ndodhin këto vrasje.  Në njoftimin mbi takimin në fjalë, thuhet se “Vrasja e gazetarëve është forma përfundimtare e cenzurës dhe se kur vritet një gazetar, rrezikohte njëkohsisht edhe e drejta e publikut të gjërë për tu informuar.  Problemet e mëdha të botës, nga çështjet e mjedisit e deri tek dhuna ekstreme, nuk mund të zgjidhen pa punën e gazetarëave”, thuhet në njoftimin e përbashkët të dy organizatave mbështetse të lirisë së medias dhe të sigurisë së gazetarëve.

Ata thonë gjithashtu se përveç mbështetjes së Shefit të OKB-së ndaj fushatës së tyre për krijimin e postit të Përfaqsuesit të Posaçëm të organizatës botërore, për t’u marrë ekskluzivisht me sigurinë e gazetarëve anë e mbanë botës -- për këtë nismë të re, ata kanë siguruar edhe përkrahjen e një koalicioni të madh organizatash jo qeveritare, entesh të medias, gazetarë dhe figura të njohura publike botërore – gjithsejt mbi 120 ente dhe organizata që i janë bashkuar kësaj fushate deri më sot, sipas tyre.

Në një raport të lëshuar të martën që kaloi, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve paralajmëron se mbetet shumë për tu bërë që gazetarët të jenë të sigurt e të mbrojtur në kryerjen e detyrës së tyre të përditshme, për të informuar publikun.  Raporti nënvijon se gazetarët, përveç kërcënimeve nga autoritete të ndryshem shtetërore, gjëndën përball kërcënimesh të tjera të mëdha, përfshirë edhe aktorë të dhunshëm që detyrimisht nuk sponsorizohen nga ndonjë shtet, si edhe nga rritja e autoritarizmit në botë.   Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve thotë se 6-vjetët e fundit, kanë qenë veçanërisht të përgjakshme dhe ndër më të rrezikshmet ç’prej kohës që ky ent ka filluar të mbledh të dhënat mbi kërcënimet dhe rreziqet me të cilat përballen gazetarët – sidomos kërcënimet e reja nga grupe të dhunëshme politike dhe fetare, si dhe nga krimi i organizuar.

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve u ofron gazetarëve dhe industrisë së medias në përgjithsi që të ndjekin disa rekomandime të tija, të botuara në raport, për tu përballur me këto rreziqe në punën e përditshme dhe u bën thirrje veçanërisht qeverive që çajnë sado pak kokën për sigurinë e gazetarëve dhe të cilat janë të interesuara, sidomos në lirinë e shtypit, që ndër të tjera të dënojnë publikisht sulmet kundër gazetarëve menjëherë pasi të kenë ndodhur ato dhe të ndiqen penalisht ata që vrasin, sulmojnë ose kërcënojnë gazetarët.

Një vlerësim tjetër me statistika nga raporti i organizattës së të drejtave të njeriut, Freedom House, rithekson mungesën e lirisë së shtypit si dhe shqetsimet e paralajmëruara nga dy entet e mësipërme që merren me mbrojtjen e gazetarëve dhe të lirisë së shtypit.  Në raportin e fundit të saj mbi lirinë e medias në botë, Freedom House pohon se liria e shtypit në botë gjatë vitit 2015 ka rënë në nivelin e saj më të ultë në 12 vjetë, ndërkohë që forcat politike, terroriste dhe kriminale janë përpjekur të shuajnë zërin e medias, në përpjekjet e tyre ose për të ruajtur pushtetin ose për të marrë në dorë pushtetin.   Më tej thotë Freedom House, vetëm 12 për qind e popullatës botërore gëzon lirinë e shytpit, dmth, ku mbulimi i lajmeve politike është i gjithanshëm, ku garantohet siguria e gazetarëve, ku ndërhyrjet e shtetit në punët e medias janë minimale dhe ku shtypi nuk është subjekt i presioneve tatimore, ligjore dhe ekonomike.  Në raportin e Freedom House thuhet gjithashtu se 41 për qind e popullësisë botërore ka një shtyp pjesërisht të lirë ndërsa 46 për qind e popullësisë së botës jeton në një mjedis ku liria e shtyzpit nuk është e lirë.  Shqipëria dhe Kosova bëjnë pjesë ndër vendet me një media pjesërisht të lirë.

Mbrojtja e lirisë së shtypit nuk del kurrë nga moda, pasi vazhdimisht sulmohet nga qarqe të ndryshme, shtetërore e qeveritare, por edhe grupe të tjera jo qeveritare, përfshirë grupet mafioze, kriminale dhe terroriste anë e mbanë botës.  Por liria e shtypit gjithmonë ka edhe mbrojtësit e saj. Në një inteevistë sot me gazetën amerikane USA Today, ish-presdienti i Shteteve të Bashkuara Xhorxh W Bush, ndonëse nuk kritikoi drejtë për së drejti Presidentin Trump për disa komente të tija në lidhje me median, ish Presidenti Bush tha se roli i medias është kritik për të mbajtur përgjegjës, “personat që abuzojnë me pushtetin.”  Ai u prononcua për gazetën amerikane USA Today se ai e “Konsideron median si të pazevëndsueshme për demokracinë.  Ne na nevojitet media për të mbajtur njerëz si unë përgjegjës dhe që të na detyrojë të japim llogari për punën që bëjmë ose nuk bëjmë.  Pushteti mund të jetë shumë joshës dhe është tepër e rëndësishme që media t’u kërkojë llogari qeveritarëve që abuzojnë me pushtetin”, u shpreh ish-Presidenti Xhorxh W. Bush, për gazetën USA Today.