E merkure, 24.04.2024, 08:05 PM (GMT+1)

Mendime

Idriz Zeqiraj: Shqiptarët nuk falin tokat

E marte, 28.02.2017, 08:02 PM


SHIPTARËT NUK JANË "ME BYTHË NË PRUSH", PËR TË FALUR TOKAT

SHKRUAN IDRIZ ZEQIRAJ

Shtetarë e pushtetarë, presidenti, kryetari i Parlamentit, kryeministri, përkatësisht, Hashim Thaçi, Kadri Veseli. Isa Mustafa, me lukuninë e tyre uluritëse tufëzuese, i bënë dy krime të rënda shtesë, për të mbuluar nënshkrimet konspirative, të fshehta të Hashimit, të cilat rezultojnë në tradhti ndaj vendit:

1) Malit të Zi ia besuan bërjen e Draftit, për përcaktimin e vijës kufitare, Demarkacionit;

2) E lutën dhe e bindën Komisionin për Liberalizim, pranë Bashkimit Evropian, që, për liberalizimin e vizave, për shqiptarët e Kosovës, ta vënë kushtin shtesë, aprovimin e Demarkacinit, në              vijëzimin e kufirit , pikërisht, sipas Draftit të bërë nga Mali i Zi!

Me komisioneren e Brukselit, Tanja Fajon, krerët pushtetarë mafiozë të Kosovës, konspiruan pa përkthyes fare. Pretendimi i zonjës Fajon se BE-ja nuk pranon shtetet me probleme kufitare, nuk qëndron. Sepse, nëse kjo do të ishte një normë, parim i BE-së, ky kusht do të ishte për dy shtetet në kontest të kufijëve. Pra, si ndaj Kosovës, ashtu edhe ndaj Malit të Zi. Kroacia dhe Sllovenia vazhdojnë ta kenë kontestimin kufitar madhor - ishullin. Megjithatë, popujt e tyre nuk janë penguar për t`i gëzuar favorët e Bashkimit Evropian. Madje, i gjithë Ballkani është me kontestime kufijësh, si rrjedhojë e pazareve të pista të Fuqive të Mëdha në shekullin e 19-të dhe 20-të.

Është harruar i tëri premtimi dhe betimi publik i Isa Mustafës, para zgedhjes së tij në krye të LDK-së, se "do ta luftoj krimin e organizuar, me theks të veçantë, krimet politike makabre e serike të SHIK-ut terrorist". Ai, njësh me Hashimin, ngulmojnë se janë përmbushur të gjitha kushtet e kërkuara nga Bashkimi Evropian, përveç Demarkacionit! Një rrenë e kulluar kjo. Vrasësit numerikë bredhin të lirë, ditën për diell, madje janë kalaveshur me grada e poste, deri në kupolë të shtetit dhe të pushtetit. Hashimi edhe ka të drejtë të bishtnojë, sepse përgjakja e Kosovës, nga SHIK-u vrastar, e ka vulën e tij dhe të Kadri Veselit me shokë. Por, Isës tonë çfarë i duhet kjo fshehje e krimeve masive, karshi ushtarakëve dhe veprimtarëve të Ibrahim Rugovës?!?

Përcjellësit e vëmendshëm kanë kuptuar marrëveshjet konspirative të zyrtarëve të lartë, njëherit - të dhunshëm, të Kosovës, me Komisionin për Liberalizimin e vizave, edhe në krahasimin e deklaratave të krerëve të lartë evropianë në Bruksel, të cilët i referohen krimit të organizuar dhe korrupsionit, si kushtëzimin bazë për Kosovën, duke mos përmendur fare demarkimin e kufirit me Malin e Zi. Për ndryshim nga kuadri i ulët, si Fajon me kolegët e tjerë. Kjo shpjegohet edhe me faktin se në asnjë dokument fillestar e bazë, të BE-së, nuk figuron kushti i Demarkacionit.

Shtetarët dhe pushtetarët tanë, pasi kanë arritur ta bëjnë krimin e kushtëzimit mafioz, për të cilin as që i kishte shkuar në mendje BE-së, siç është aprovimi i vijës kufitare, sipas oreksit të malzezëve, tani lëshojnë thirrjen patetike:

"Amerikës gjithmonë i kemi besuar, pse të mos i besojmë edhe për demarkacionin". Ngatërrimi me dashje i Amerikës nga shtetarët e pushtetarët mafiozë, është sa hileqar, aq edhe i turpshëm e kriminal.

Amerika, me aleatë ushtarakë, bëri kulmoren për shqiptarët e Kosovës. Fluturakët e saj "Apaç", përtokën dhe përzunë Serbinë pushtuese, çliruan Kosovën, më 12 qershor 1999, dhe jo më 9, 10, 11, 13, 14, 15, 16... qershor, siç duan ta datojnë çlirimin e Kosovës "komanantët", "gjeneralët" dhe lakejt e tyre, krerët e "veteranëve" të çakërdisur, anarkistë e rrugaçë.

Amerika nuk mund t`ua mbajë biberonin në gojë përgjithmonë shqiptarëve të Kosovës. Ajo është mërzitur dhe lodhur me poshtërsitë e përsëritura, të shtetarëve dhe pushtetarëve tanë të dhunshëm. Ajo e ka thënë dhe përëritur porosinë për popullin e Kosovës: "Kosova nuk ka progres dhe të ardhme, me padronët e krimit të organizuar dhe korrupsionin galopant". Që duhet lexuar: "Shporrni nga sundimi shtetarët dhe pushtetarët kriminelë e hajna zyrtarë!" Pra, në pisllëqet e tyre duan ta bëjnë pjesë edhe Amerikën, që, në fakt, nuk  është. Por, ajo, Amerika, thjesht, nuk ka kohë të tepërt të humbasë, për dilinxhillëqet e shtetarëve dhe të pushtetarëve të Kosovës.

Hashim Thaçi don të hyjë në histori dhunshëm. Në median vendore thotë: "Unë bëra luftën, unë kam luftuar me armë kundër Serbisë". Në mediat e huaja deklaron: "Unë kam qenë larg vijave të frontit, unë nuk kam luftuar". E vërteta është kjo e dyta, duke shtuar se ai e ka sabotuar luftën, duke përçarë faktorin ushtarak dhe duke i zëndësuar komandantët profesionistë të karrierës, me profanë amatorë, që nuk kishin habër për artin luftarak. Dhe, të gjithë këtë sabotim e bëri në koordinim me këlyshërinë zyrtare të Enver Hoxhës dhe, nëpërmjet tyre, me Serbinë.

Ethet e Hashimit për të hyrë në histori, gufojnë më 17 shkurt 2OO8, kur, dhunshëm, i është imponuar Parlamentit dhe lexoi "Deklaratën e Pavarësisë të Kosovës". Realisht dhe ligjërisht, deklaratën duhej ta lexonte presidenti Fatmir Sejdiu, sepse Kosova po rishpallej shtet i pavarur dhe shef i shtetit ishte zotëri Sejdiu. Dhe, assesi kryeministri i qeverisë, Hashim Thaçi, sepse nuk kishim të bënim me shpalljen e qeverisë rë pavarur! Tani, Hashimi, si burracak dhe mburracak që është, provokon shqiptarët: "Unë e bëra Kosovën shtet, unë e shpalla pavarësinë". Dhe, është pikërisht kjo ndërhyrje e dhunshme e Hashimit dhe trajtimi kriminal e rrugaçëror i shtetit të Kosovës, nga banda e Hashimit me shokë, që kjo datë e shënuar, nuk e ka shkëlqimin e duhur në popull. Sepse, nga shtet i brishtë, u kthye në shtet hiç, në shtet të dështuar në shumë aspekte, nga krimi dhe hajnia zyrtare.

Fundja, Hashimi ka hyrë në histori, qysh në prag lufte, gjatë dhe pas luftës. Ai, me ndihmën e Tiranës zytare, social-komuniste dhe të Serbisë, plus ndonjë "miku" francez, i strukturoi bandat në Drenicë, Dukagjin, Llap dhe degëzimet e këtyre bandave anekënd Kosovës. Me vrasjen e 1.820 ushtarakëve luftë-bërës, veprimtarëve, kuadrove të Ibrahim Rugovës, Hashimi me shokë hyri në histori. Kombet i kanë heronjtë historikë të lufës dhe të progresit të vendeve të tyre. Por, nuk u mungojnë as eksponentët e tradhtisë e keqbërjes, të karterëve të drogës, mafisë, krimit. Andaj, pse duhej të ngulmonte Hashimi, për një hyrje të sërishme në histori, duke "ja futë si kau pelës", duke spostuar presidentin, për ta zëvendësuar me kryeministrin?! Të paktën që duhet të bënin deputett e LDK-së dhe të së djathtës, duhej ta lëshonin seancën parlamentare, për ta plotuar "lavdinë e Hashimit!!!"

Provokimet e herpashershme, nga shtetarët e pushtetarët, se do ta sjellim në Kuvend, për miratim demarkimin e kufirit Kosovë - Mali i Zi, ngjasojnë me turrje qenësh, ndaj njerëzve të pambrojtur. Prinë me pacipërinë e tij  Hashim presidenti, i kontestuar dhe i neveritshëm, nga shumica absolute e popullit, të përcjellë nga cinikët, kryeparlamentari e kryeministri, me çakallët e tyre reptilë, servilë e tugues, deri në vjellje.

Deputetët e LDK-së, për asnjë çast nuk duhet të harrojnë premtimin, tashmë, amanet, të Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova, në bisedën  me rugovasit e tij, lidhur me kufirin: "Vija kufitare me Malin e Zi dhe Serbinë, nuk do të zbresë poshtë Qafës të Çakorrit, Kullës të Zhlebit, Maleve të Moksnës, Qafës së Dasmorëve dhe më tutje për maje-maleve. Sepse ky është kufiri natyral, i njohur mirë dhe gjithmonë aty ka qenë. Përtej këtij kufiri, edhe pse janë toka shqiptare, tani nuk mund t´i marrim, por, mbetet çështje e hapur për të ardhmen".

Deputetët e LDK-së, duhet ta kenë "vath në vesh", premtimin e Presidentit Rugova, të dhënë banorëve rezidentë të Rugovës, në zonat kufitare, në gjallje të Tij, tashmë, pas amëshimit, i kthyer në amanet. Ata, për asnjë çmim nuk duhet ta votojnë Demarkacionin, në vijëzimin kufitar aktual. Shqiptarët e Kosovës nuk janë "me bythë në prush", për të falur tokat e tyre, në këmbim të liberalizimit të vizave, aq më pak, kur ky kushtëzim, i kërkuar nga shtetarët dhe pushtetarët, është bërë për qëllime të ulëta e krejt personale.

Liberalizimi i vizave një ditë do të vijë, madje, edhe pa këtë kushtëzim fiktiv, të sajuar artificialisht, por hapësira tokësore, përtej 10 mijë hektarësh, do të humbasë përgjithmonë. Mendoni për përgjegjësinë kombëtare që keni! Denonconi dhe ndëshkoni tradhtinë dhe rrugaçërinë shtetare dhe pushtetare, të cilët kërkojnë ligjësimin e tradhtisë nga ju!

Deputetët e LDK-së duhet ta mbështesin Isa Mustafën si kryeministër, por, assesi në përrallisjet e tij për Demarkacionin, i cili, po bënë çmos, për ta shpëtuar Hashim dallaverën, në pazarët e ndyra, të rrezikshme dhe kundra-kombëtare me Serbinë. Me qendrimet e tij alogjike, paushalle, në shërbim të Hashimit, të PDK-së të tij bandë dhe të SHIK-ut terrorist të Kadri Veselit, krijesë e LPK-së, sigurimsave të Enver Hoxhës dhe të Serbisë, Isa Mustafa, përveç postit të kryetarit të LDK-së, po rrezikon ta përmbyll, dështueshëm e turpshëm, edhe postin e kryeministrit.



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora