E marte, 16.04.2024, 09:15 PM (GMT+1)

Kulturë

Granit Zela: Në pritje të Kritikës së Re

E enjte, 28.08.2008, 07:30 PM


Në pritje të Kritikës së Re

Nga Granit ZELA

Kështu nuk mund të vazhdohet më. Janë tetëmbëdhjetë vjet kohe pasdiktatoriale dhe kritika letrare është në letargji. Gjatë këtyre viteve kritika pak ka ndërruar, vazhdon me temenanë e vjetër. Dyndja e masivizimit dhe mediatizimit të letërsisë është e plotë kurse kritika është fragmentare. Një kohë tjetër shkrimi ka ardhur në letrat shqipe por kritika nuk është në ballë të këtij procesi shndërrimi, as në mes të saj. Kritika është në fund!.

Sepse kemi shkrimtarë që merren me kritikë, filozofë, psikologë, mësues shkollash, dashamirës të letërsisë që merren me kritikë, e jo kritikë letrarë të specializuar në këtë lëmë. Ata që janë numërohen me gishtat e dorës dhe janë shumë pak përballë sulmit vandal të mediokres në letërsi. Duhet një Kritikë e Re letrare e cila nuk mund të vazhdojë të jetë më:

Kritikë e Hosanasë. Të gjitha shkrimet që shkruhen për veprat letrare vetëm thurin lavde për autorin. Ato nuk reshtin së nxjerri në pah vlerat e autorit i cili më së paku është një talent i vërtetë, madje në përmasat e gjeniut, por që bashkëkohësit nuk kanë largpamësinë e duhur për të parë përmasat e hatashme të gjeniut të ardhshëm. Nuk është kritikë ajo që vetëm lëvdon, vetëm ngre, vetëm zbulon nobelistë të provincës dhe kombit. Nuk është kritikë serioze ajo kritikë që shndërrohet në pamflet përlëvdues për autorin, të cilin kësisoj e fundos një herë e mirë se vetëm në çapat e parë i thuhet se ka arritur majat!

Kritikë e stërakademizuar. Kjo është kritikë e cil kur rreh të flaës për një vepër letrare nis e citon pafundësisht teoricienët e letërsisë, duke shkuar aq larg sa rrallë përmendet vepra në shqyrtim por merret me teoritë letrare të përkthyera shkel e shko nga mëtonjësi për me qenë kritik. Dhe fjalitë në këso rastesh janë aq të gjata sa nuk dihet se ku e kanë fillimin e ku mbarojnë, se nuk kanë hiç kuptim!.

Shihni si shkruan kritika stërakademike për veprën letrare: “Montazhi asociativ e sforcon dihitominë e relacioneve midis modeleve aktanciale: shpesh kategoritë e njërit model ndërrojnë funksionin e vet dhe relacionin në modelin tjetër aktancial, si ndërrim funksionesh aktanciale nga një transformim dinamik në suaza të strukturës. Në këtë kontekst zakonisht karakterizohet një model bazik aktancial, të cilit me nënrenditje ose koekzistencë mund t’i nënshtrohen të tjerët. Mirëpo koherenca e teksit, e strukturës së veprës është koherencë sinkretike, entitet sinkretik, pavarësia e tërësive është evidente, prandaj edhe modelet aktanciale që nënrenditen ose koekzistojnë në raport me modelin bazik aktancial kanë funksione të dyfishta: si aktansë dhe si akterë”. Këtu bëhet fjalë për shqyrtimin e një vepre letrare apo për fantashkencë?

A kanë kuptim fjalitë fjalia “Bën racionalizimin e ndjenjës dhe intuitizimin e racios, formalizimin e esencës dhe esencializimin e formës përmes reduksionizmit eidetic në dobi të onticitetit kategorial të artefaktit”(?!).

Mendojmë se traktati teorik nuk është përkthyer mirë pasi duhet dhënë në shqip “interaksioni relacional” sikurse “relacioni referencial”, “simultanizim dhe verbalizim i modelit szheik që zhvillohet suksesivisht”, dhe faqe të tëra përkthimi banal, fantashkence fjalish të pakuptim që shpien në një shkrim surrealist. Kësisoj lexuesi tëhuajësohet e velet e nuk nxitet ta kap fare veprën me dorë.

Kritika biografike. Kjo lloj kritike parapëlqen të flaës për autorin, të numëroj bëmat e tij dhe gjëmat e kohës në të cilën jetoi, pra, në një farë mënyre bën biografinë patetike të autorit i cili nuk është mposhtur e nuk ka ndërmend të mposhtet nga asnjë lloj sistemi. Po japim pak fragmente nga kjo soj “kritike”.

“Historia e popullit shqiptar është shkruar në forma të ndryshme gjatë shekujve, nëpër kohëra që gjithmonë ishin të trazuara, të tronditura, madje tragjike e rrallë të qeta, të ëmbla e të ngrohta”.  Paskëtaj në këtë lloj kritike citohen vargje të tëra poezie apo pjesë të shkruara në prozë për të mbështetur tezën historike të shpirtit luftarak jo vetëm të autorit/es. “Kontributi poetik i autores shihet në këto vargje dhe nuk stepet para furtunave zhbërëse, por qëndron i patrandur dhe krenar, sepse deti tash bëhet mal e mallet kreshta, ndërsa poetesha bëhet “tel lahute”….”Në baret buzë detit/me Kamber Loshin kam qëndruar.deti valët i bëri kreshta malesh/unë tel lahute u bëra dyfish e forcuar”.

Në raste të tjera shtjellohet profesioni i autorit-es duke shprehur konsiderat e rastit” (Filan Fistëku) është personalitet i njohur për shqiptarët ne ekranet televizive shqiptare duke filluar nga TVSH-ja e më tutje. Ajo njihet për modelimin e saj paksa të veçantë në disa emisione po ashtu paksa të veçanta që figurën e saj e mbështjellin me një dozë të matur respekti, lakmie, e, madje, pse jo edhe xhelozie nga koleget e saja gazetare dhe moderatore.” Dhe mu për këtë F. F. kishte dhe ka pasur një veçanti në qëndrimin, moderimin e bisedës, udhëheqjen dhe përzgjedhjen  e temave për emisionet e veta/ Prandaj ajo u bë një emër i njohur i ekranit, madje i dashur dhe i adhuruar nga shukë shikues”

Kritikë mediokre. Është ajo kritikë që nuk flet fare as për librin as për autorin e librit po për autorin e shkirmit dhe gjendjen e tij fizike e shpirtërore. Pra,është kritikë që nuk thotë asgjë. Rëndom tregohet se si ka rënë libri në dorën e shkruesit, si nisi ai ta lexoj, me çfarë shpejtësie u lexua libri etj etj duke përfunduar me ankthin që paskësh ngjallur faqe pas faqeje si në rastin “Sapo mbarova së lexuari librin isha aq i tronditursa ai më ra nga dora”.  “Isha në ankth për zgjidhjen e kontradiktës në fund të librit. U lumturova që ajo u zgjidh natyrshëm e me mençuri”. Pra jepen përjetimet personale në leximin e librit dhe kaq.

Kritikë e shitur. Është kritikë e shitur te organizuesi i kokteilit që ndodh të jetë pasanik. Është shënim kritik që paguhet me rreshta ku çdo lëvdatë dhe “zbulim” vlerash merr sasinë e caktuar të eurove. Kjo është forma më e zvetnuar e shkrimit në përgjithësi dhe kritika më e mjerë që mund t’i bëhet një vepre po aq të tillë. Kjo lloj kritike angazhon industrinë e reklamës duke paguar me përpikmëri çdo ingranazh të këtij mekanizmi me një përlogaritje të saktë të fitimit nga libri. Kritika e shitur është forma më kërcënuese sot e tjetërsimit dhe kaosit në fushën e letrave. Një kritikë e lapërdhosur (korruptuar) e zhverëson kritikën si të tillë. Nuk mund të vazhdohet më me kritikë të hosanasë, kritikë të stërakademizuar, kritikë mediokre dhe aq më pak të shitur.

Ndaj dhe duhet një Kritikë e Re, përballë një letërsisë së kohës së lirisë, me instrumentarë e frymëzim të ri,  për një lexues që çdo ditë e më shumë tundohet mirëfilli ta braktis letërsinë.  



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora