Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gjekë Gjonaj: Gjergj Gjokaj, figurë e pakontestueshme

| E diele, 26.02.2017, 01:44 PM |


Gjergj Gjokaj,  figurë e pakontestueshme e arsimit shqip

Nga Gjekë Gjonaj

Plejadës së  mësuesve  pishtarë e veteranë trieshianë  të gjysmës së shekullit të kaluar, të cilët mbi dyzet vite  punuan pa u lodhur dhe me entuziazëm e dashuri në arsimin e gjeneratave të tëra shkollarësh, i përket edhe   mësuesi Gjergj Gjokaj,  siç e thirrnim ne të gjithë pa përjashtim, ish-nxënësit, intelektualët dhe miqtë e tij.  Epitetin “Mësues”  e fitoi  në shtator të vitit 1957 , kur u diplomua në Shkollën Normale të Prishtinës dhe  e mbajti me nder deri më 22 prill   2006, kur mbylli sytë përgjithmonë, duke kultivuar te brezat tanë, ndjenjën arsimdashëse, kulturë dhe  vetëdije kombëtare. Kjo figurë e pakontestueshme e arsimit shqip,  cili pesë vite punoi në fshatin  Golesh ( Lipjanë) në Kosovë e më pastaj deri në pension  në vendlindjen e tij në  Triesh - Malësi do të mbetet udhërrëfyes  dhe frymëzues i brezave tanë për përparimin dhe zhvillim shoqëror për mes dijes, kulturës dhe arsimit.

Mësuesi  Gjergj, gjatë tërë jetës zhvilloi betejë të pa kompromis për shpërndarjen e rrezeve të dijes dhe të diturisë kombëtare shumë brezave shqiptarë. Pra, në historinë e lavdishme të arsimit shqiptar, të përpjekjeve për t’i dhënë dije dhe mësim kombëtar popullit tonë të shumëvuajtur.

Emri i tij  dhe i pishtarëve të tjerë veteranë të arsimit shqip nuk do të harrohet kurrë. Por gjithmonë do të mbeten në zemrat e gjirit të popullit që  lindi. Ata janë meteorët  që prijnë  si fanari, duke ndriçuar  rrugën  që e trasuan  me dekada. Andaj  ne  edhe pas njëmbëdhjetë vitesh  që nuk është më në mesin tonë, e përkujtojmë me respekt emrin dhe veprimtarinë e tij arsimore-edukative.

Jeta, veprat, virtytet, karakteri, sinqeriteti, humanizmi, mirëkuptimi, toleranca, shpirti i madh i tij, janë një grusht i vogël epitetesh që mund të thuhen për të.

Mësuesin tim të parë Gjergjin  e kujtoj gjithmnonë me shumë  respekt  e admirim për punën e tij dyzetvjeçare në fushën e arsimit. E adhuroj  me po aq dashuri e mirësjellje    na jepte ai  në procesin arsimor, duke u përpjekur që tek ne të zgjojë dashurinë për gjuhën shqipe dhe  për popullin shqiptar.

Më kujtohet si sot takimi  me mësuesin tim  tek dera e shkollës. Sa të bukur më dukeshin sytë e tij të bukur dhe buzëqeshja e tij e  ëmbël. Sa të bukura më dukeshin rrobet e tij të pastra dhe këpucët e tij të ilustruara. Edhe këmisha e tij e bardhë  e hekurosur ishte në qendër të vëmendjes sime. Atëherë më  e kisha të qartë. Ky  do të jetë  mësuesi im i parë, me të cilin do t’i kaloja ditët e vitit të parë të shkollimit tim. Dhe ashtu ishte. Na përqafoi të gjithëve me radhë. Kurrë nuk do t’i harroj ata gishtërinj, të cilët lehtë -lehtë e ledhatuan fytyrën time të njomë që ishte e përshkuar nga të dridhurat. E kisha të qartë se do ta kem një mësues të dashur, i cili do të na dojë dhe ne do ta donim edhe më shumë. Nga ai do të mësonim shkronjat e para.  Dhe me kënaqësi të madhe filluam me tingullin dhe shkronjën A.

“ A e madhe e dorës. A e vogël e dorës. A e madhe e shtypit, A e vogël e shtypit” , tingëllonin fjalët e ëmbla të mësuesit. E unë isha i habitur. Mendoja se është vetëm një A, e jo katër sosh, aq sa dëgjoja nga goja e ëmbël e mësuesit tim të parë, i cili shpejtë me hyri në zemër, nga e cila nuk doli kurrë më.

Nga ai  nuk mësuam vetëm  të shkruajmë e të lexojmë. Po edhe shumë gjëra të reja, pa të cilat nuk mund të bëhesha ai që jam sot.

Edhe tani e kujtoj shpesh fytyrën e tij të bukur e fisnike. Është kjo një dashuri e veçantë, e pashpjeguar. Dashuri e pashuar. Tiparet e fizionomisë së tij kurrë nuk do të hiqen nga kujtimet e mia.

Gjatë viteve në vazhdim kam pasur shumë  mësues të tjerë, arsimtarë e profesorë. I kam dashur edhe ata, por kurrë sa mësuesin tim të parë, i cili ka lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën time, në jetën time..

Edhe kolegët, të gjithë nxënësit, kushdo e takoi atë në jetë, të gjithë  e kujtojnë me mallëngjim e dashuri këtë mësimëdhës të dashur e të urtë,  këtë njeri të qetë, zemërgjërë, bujar… Mirëpo, mirënjohja më e mirë janë vet gjeneratat e nxënësëve të cilët u edukuan, të cilët morën mësimet e para të gjuhës shqipe, të atdhedashurisë e mësimet jetësore nga mësuesi  Gjergj, i cili i deshti ata të rinjë e të reja sikur fëmijët e vet , sikur  jetën e tij.