E marte, 23.04.2024, 03:32 PM (GMT+1)

Mendime

Gëzim Hoxha: Kaq vështirë të rritet paga minimale?

E enjte, 23.02.2017, 08:28 PM


Kaq e vështirë qenka të rritet paga minimale?

Nga Gëzim Hoxha

Ditët e fundit përveç protestave të opozitës është folur edhe për një kërkesë lëgjitime të bërë nga sindikatat: “RRITJE TË PAGËS MINIMALE”. Këtu palët ndahen në dy qëndrime dhe të dyja i adresohen qeverisë sepse ajo dhe vetëm ajo ka të drejtë të ndryshoj shifrën e fiksuar në ligjin për sigurimet shoqërore e cila me hyrjen në fuqi të ligjit të ri për pensionet u fiksua në nivelin e 22000 lekëve që nga 1 janari i vitit 2015.

Dhomat e ndryshme të tregtisë dhe të industrisë në vend pasi e miratojnë kërkesën për një rritje të pagës minimale ndahen me sindikatat për sa i përket shifrës se re që duhet të vendoset me ligj. Pozitive është fakti se edhe biznesi e sheh mëse të arsyeshme një rritje të pagës minimale e cila do të ndikonte sado pak edhe në ekonomitë familjare.

Nëse sindikatat kërkojnë një pagë minimale prej 26000 lekësh, biznesi kërkon një pagë minimale prej 24000 lekësh. Diferenca nuk është ndonjë gjë e madhe. 2000 lekë. Unë do pyesja se sa të mira dhe shërbime mund të blejë një individ i caktuar me një shtesë prej 2000 lekësh në muaj? Historia duket se fillon dhe mbaron në këtë pikë.

Asnjeri nuk guxon të thotë se me kaq para më shumë, një individ që përfiton një pagë minimale mund të shtyjë edhe një ditë më shumë, ja po themi me shumë vështirësi dy ditë. Po më tej ç’ndodh me të. Kjo mund të thuhet për një kryefamiljar i cili supozohet të sigurojë jetesën e një familjeje të tërë me këto të ardhura. E pra si i bëhet?

Nga buxheti i tij familjar i cili ta marrim si të dhënë duke supozuar se në një familje me 4 anëtarë sjellin të ardhura si burri dhe gruaja, që është 44000 lekë, gati 10% e tij shkon për të paguar energjinë elektrike dhe gazin e lëngshëm pët të gatuar, 3-4% shkojnë për të paguar ujin. Më tej nëse çifti ka fëmijë të vegjël me siguri ai shpenzon rreth 20% të të ardhurave të tij në muaj për fëmijët, le të themi për shëndetin dhe edukimin e tyre. (po përmendim këtu vetëm për barna dhe pagesat e çerdhes apo të kopshtit, duhet të themi se kjo pagesë varion nëse kopshti dhe çerdhja janë me apo pa drekë).

Nëse fëmijët janë të rritur ata mund të shpenzojnë edhe më shumë pasi shkollat nuk janë të pajisura me menca ku fëmijët të kenë mundësi të ushqehen me anë të kuponave të cilët mund të përfitohesin edhe falas për prindërit me të ardhura minimale, apo nxënësit të merrnin ndonjë bursë për rezultatet e tyre.

Por atyre i duhet të shpenzojnë edhe të paktën 10% për kurset të cilat ose do të mbushnin boshllëqet e orës së mësimit ose do të mundësonin shpalosjen e ndonjë talenti të fshehur që mund të ketë fëmija, pasi shkolla nuk të ofron asnjë mundësi argëtimi ose rekreacioni.

Po nuk mbaron me kaq çifti në fjalë i duhet të shpenzojë edhe për strehimin. Vetëm nëse është me fat dhe ka trashëguar ndonjë shtëpi apo jeton në një apartament me prindërit, po , po edhe atherë do t’i duhet të paguajë taksën e pasurisë që në parim duhet të shkojë në llogari të ENTIT TË BANESAVE. Po kjo nuk e lehtëson çiftin, përkundrazi kjo e bën edhe më të vështirë  jetesën për këta fakira. Atyre i duhet të shpenzojnë edhe për shëndetin e prindërve. Po sidoqoftë ky nuk është rasti ynë.

Rasti ynë apo le të themi çifti ynë jeton më vete dhe le të supozojmë se meqë është në nevojë ai ka përfituar një kredi të butë nga bashkia. Në këtë rast atij i duhet të paguajë veç këstit mujor (që kompozohet si shumë e principalit dhe të interesit i cili me kohë zvoglohet) edhe sigurimin e jetës dhe të pronës i cili nuk të siguron pothuaj asgjë (ai thjesht mbahet nga bankat për të minimizuar risqet e mosshlyerjes së kredisë në rast fatkeqsish natyrore si ndonjë tërmet apo vdekjeje të debitorit). Sa do e zbutur qoftë kredia çiftit i duhet të paguaj diku tek 22% e buxhetit të tij familjar.

E pra ata kanë shpenzuar tashmë 65% të të ardhurave të tyre. Di ndonjë, të më thotë se çfarë mund të bëhet me rreth 16000 lekë. Çfarë mund të bëhet me 16000 lekë në këto ditë të vështira. Se si mund të kollundrisesh me kaq para sot as e marr mundimin ta mendoj.

Lëre pastaj po të ulemi me këmbë në tokë dhe ta shohim realitetin në sy. Atë realitet që vështirë të pranohet nga pushetarët e çfarëdo kohe apo ngjyre a spektri politik. Realitet ku për një familje të thjesht është luks që të jenë si burri ashtu edhe gruaja në punë dhe kjo sepse nuk ka punë për të gjithë. Këtu gjërat vështirësohen akoma dhe më shumë. Me vetëm 22000 lekë në muaj i bie që ata thjesht të hiqen zvarrë.

Po kemi edhe një tjetër situatë, atë biznesit. Një pronar e mendon pagën minimale si kosto të drejtpërdrejtë që do të ndikojë direkt në rritjen e çmimit të produktit apo shërbimit që ai ofron. Dhe ka plotësisht të drejtë. A janë të gatshëm klientët e tij të paguajnë më shumë? Padyshim që jo. Atherë që të ruajë kokurrueshmërinë në treg atij i duhet që të mbajë të njëjtin çmim që do të thotë  të fitojë më pak. Ja dhe një pyetje tjetër: “A është gati një pronar i një biznesi çfarëdo të fitojë më pak?”

Këtu mund të flasim me ditë të tëra për psikologjinë e afaristit dhe përsëri të ngecim në batakun e fitimit. Kemi dhe perspektivën e qeverisë e cila mund të pretendojë me të drejtë se rritja e pagës minimale cënon konkurrueshmërinë e vendeve ballkanike në lidhje me thithjen e kapitalit të huaj.

Në mars të vitit të kaluar gazeta SHQIPTARJA publikoi një tabelë me pagat minimale të disa vendeve të ballkanit ku Shqipëria zinte vendin e dytë me një pagë minimale prej 156 euro. E para për nga pagat më të ulta minimale atë kohë ishte Maqedonia më 136 euro. Pas nesh vinte Kosova me 170 euro, Bullgaria me  184 euro dhe  Mali i Zi me 193 euro. Vendi që ka pagën minimale më të lartë ishte Greqia me 586 euro.

Por paga minimale sidomos në këtë kohë që ne jetojmë e ka humbur disi joshjen për të investuar në një vend të caktuar. Kjo nga zhvillimi i robotikës apo prej automatizimit të proceseve të tëra të prodhimit. Për më tepër këto zhvillime teknologjike nuk janë në fillimet e hershme të tyre sa t’i stepin pronarët e manifakturave për t’i blerë ato. Për më tepër të kushton më lirë ta automatizosh prodhimin se sa të mbash me dhjetra punëtorë. Problem mund të haset në sektorin e shërbimeve por kur vjen fjala për të marrë një shërbim të caktuar secili prej nesh mund të paguajë më shumë.

Pastaj kaq e vështirë qenka ta rritësh pagën minimale? Vallë a duhet pritet ekspertiza e FMN? Nuk paska MF një ekonomist të zot të llogarisë efektet e kësaj rritjeje? Edhe nëse qeveria do t’i druhet një rritje të informalitetit, i cili thuhet se derimë tani kap kufirin e 40% -it, përsëri është detyrë e shtetit që ta bëjë një shpërndarje të pasurisë dhe të bëjë ç’të jetë e mundur për të zbutur varfërinë. Po ta mendosh se qeveria jonë është e majtë e bën edhe më të lehtë në parim marrjen e këtij vendimi.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora