Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Reshat Kripa: Jehona e protestës

| E shtune, 18.02.2017, 11:57 PM |


Jehona e protestës

Nga Reshat Kripa

Duke qenë pjesëmarrës në këtë protestë madhështore kundër pushtetit të bandave dhe korrupsionit,parasyve më del ajo pamje e tmerrshme e atyre viteve të errëta të kaluara në periudhën e zezë të sundimit komunist. Mbi të gjitha më dalin para syve figurat e ndritura te atyre burrave te shquar, ajkës së kombit shqiptar, që shkuan para plumbit dhe litarit me thirrjen : “Për Liri, për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi”. Më dalin figurat e papërsëritura të atyre që më mirë pranuan prangat e rënda të burgut se sa lirinë e dhunuar. Më dalin figurat e atyre mijra grave heroina dhe fëmijve të tretura thellë nëpër kampet e tmerrshme të internimit.

Para syve më dalin figurat e mbi 6.000 të vrarëve me dhe pa gjyq. Më dalin figurat e mbi 10.000 të vdekurve nëpër burgje dhe kampe internimi.  Më dalin  figurat e  mbi 17.000 të burgosurve politikë dhe mbi 100.000 të internuarve nëpër kampet e vdekjes.

Më dalin këto pamje dhe nga zemra më shpërthen një thirrje: “Mos harroni”! Mos harroni të rënët tanë, por mos harroni edhe ata që i vranë, pasi ata dhe pinjollët e tyre janë  sot  në krye të shtetit  dhe një nga këta është edhe Kryetministri Edi Rama. Mos harroni të burgosurit dhe të internuarit politikë, por mos harroni edhe ata që i burgosën dhe i internuan, pasi ata vetë dhe pinjollët e tyre sot po pwrpiqen t’i bwjnw varrin demokracisë.                        Mos harroni vitin e zi 1997 të organizuar dhe drejtuar nga falangat socialisto-komuniste. Mos harroni martirët e rënë në ato ditë të zeza. Mos harroni Bujar Kaloshin, Lekë Çokun, Besnik Hidrin, Bashkim Shkurtin, Fredi Shehun, Besim Manolin, Gëzim Shabanin, Gjergj Mehmetin, Azem Hajdarin, Besim Çerën, Adem Shehun, Skënder Kalenjën dhe plot të tjerë bij nënash të familjeve të përndjekura dhe demokrate.

Mos harroni se kur votohej ligji “Për dëmshpërblimin financiar të të përndjekurve politikë”, me urdhër të Edi Ramës dolën nga salla e kuvendit deputetët socialistë, ndërsa sot ky kameleon hipokrit pretendon se qenka në krah të tyre, madje krijon edhe një parti me të ashtuquajtur të përndjekur politikë në krye të së cilës emërohet një renegat i kësaj shtrese që ka mohuar edhe paraarsdhësit e tij.             Mos harroni se po me urdhër të Edi Ramës, deputetët socialistë dolën përsëri jashtë kuvendit kur dikutohej ligji i  lustracionit të hartuar nga Partia Demokratike, që do të flakte jashtë politikës ish-prokurorët, ish-gjykatësit dhe ish-bashkëpunëtoret e sigurimit të shtetit dhe sot ka miratuar një ligj sipas të cilit këta kriminelë vazhdojnë të jenë në krye të komisioneve të Kuvendit të Shqipërisë, në krye të qeverisë, në krye të administratës shtetërore

Ndaj le të ngrihemi të gjithë për t’i thënë  “Jo” pushtetit të kriminelëve që kanë zaptuar shtetin. T’i themi “Jo” korrupsionit që mbizotëron në vendin tonë. T’i  themi “Jo” mashtrimit dhe hipokrizisë shtetërore. Ti themi “Jo” drogës dhe trafikimit. T’i themi “Jo” blerjes dhe vjedhjes së votës së lirë. Le t’i themi “Po” rivendosjes së shtetit ligjor të së drejtës. T’i themi “Po” rivendosjes së të drejtave të njeriut. T’i themi “Po” Shqipërisë europiane.

Para syve më dalin vargjet e pavdekshme të poetit të madh Ali Asllani që shkruante:

“Grushti do të bjerë mbi kokat e zuzarëve,

Koha është e maskarenjve,

Por Shqipëria  është e shqiptarëve!”

Po, Shqipëria është e shqiptarve dhe ata të bashkuar do të dinë të përmbysin hienat komuniste në pushtet!