E shtune, 20.04.2024, 01:18 PM (GMT+1)

Kulturë

Zef Deda: Dua të thyej brinjët në teatrin tem!

E merkure, 27.08.2008, 11:37 PM


Zef Deda
Dua të thyej brinjët në teatrin tem!

Artistin e Merituar, Zef Deda, thellë shpirtit e ngacmon ndërgjegja se ende ka shumë mundësi t’i falë shikuesit të tjera interpretime mbresëlënëse. Madje tani, do ishin edhe më interesante për qytetarët, pasi kanë lirinë dhe shumëllojshmërinë e temave

Po të duash që të takosh Artistin e Merituar, Zef Deda, nuk ke nevojë të pyesësh nëse ndodhet apo jo në Shkodër. Mos pyesni as se ku e ka shtëpinë pasi e gjeni te teatri "Migjeni". Jo më kot, e ka hedhur dashurinë mbi këtë godinë... Nëkëtë skenë dinjitoze, u ngjit përherë të parë, me besimin dhe pasionin se do e meritonte. Por dhe e lehtë nuk ishte. Jo pak yje e kanë ndriçuar këtë sallë. Dhjetra artistë shkodranë që kanë lënë gjurmë edhe në kulturën kombëtare. Emocione dhe përgjegjësi. Por, për fat, Zoti veç talentit, i kishte falur edhe sedrën, vullnetin dhe këmbënguljen. Do ishte e tepërt, të vazhdonim t’i kujtonim lexuesit lojën brilante dhe personazhet që ka interpretuar Zef Deda. Me plot gojën mund të themi se ai nuk është vetëm i Shkodrës... Dhe këtë nder ja ka bërë skena e teatrit "Migjeni" që ai e ka aq fort për zemër. Gjithçka i dha veç shtatëlartësisë... Emrin, respektin, madhështinë, personalitetin, mirënjohjen, dashurinë e bashkëqytetarëve dhe bashkëkombësave të vet. Pasuri që rrallë kush e ka. Nëse do që të përcaktosh sa vite ka në jetë, të gjithë janë bast humbur. Takohesh me të, bashkëbisedon dhe ndjen se je përballë një djaloshi energjik... Ja shprehëm këto komplimente edhe ne. E ndërsa prisnim falenderimin, ndjemë se nxitëm shpërthimin... Gjithë revolta, niste nga trajtimi material dhe moral. Nuk e kishte thjesht për interesa personale pasi ofertat e tij nuk i kanë munguar asnjëherë, por ndjehej borxhli ndaj artdashësve.

- "Dua të thyej brinjët në teatrin tem!- . Ashtu si në atë kohë, kur jepnin mbi 250 shfaqje në vit. Sepse investonte shteti. Arti është art dhe kultura është kulturë në çdo sistem. Madje tani, do ishim edhe më interesantë dhe më të dëshirueshëm për qytetarët, pasi kemi lirinë dhe shumëllojshmërinë e temave. Duke i shprehur me gjuhën e humorit ato probleme, ndoshta do rrikthenim për pak minuta buzëqeshjen dhe qetësinë. Por jo kështu ..."

Në vazhdimësi tregon, për atë buxhet të akorduar nga Bashkia që nuk mjafton as për veshje e skena... Dhe katandiset kjo qendër e shquar kulturoro-artistike që të shënojë shifrat tronditëse, të shfaqjeve në një vit: një premierë estrade, dy komedi, një koncert për këngën popullore dhe vetëm kaq. I vjen turp kur kujton rrogën mujore prej 22 mijë lekësh. Dhe të mos harrojmë, bëhet fjalë për një Artist të Merituar qysh në vitin 1976. Kuptohet se në ç’masë është pagesa për kolegët e tij. Nuk arrin ta shpjegojë këtë përçmim dhe harresë. I vjen keq për kolegen e nderuar, Artisten e Merituar Zyliha Miloti që edhe pse me shqetësime shëndetësore në familje nuk i jepet ajo që i është premtuar. Dhjetra herë i kanë kërkuar të mbushë formularë për pensionin e posaçëm. Po aq herë ka "humbur" rrugës ky dokumentacion. I vonojnë kësaj artiste të nderuar, atë shpërblim material që i takon, e për më tepër ka aq shumë nevojë.

Edhe ata tituj të nderuar shpesh herë u ngjan sikur "i kanë vjedhur" se sa merituar. Sepse thellë shpirtit, i ngacmon ndërgjegja dhe pasioni që ende kanë shumë mundësi t’i falin shikuesit të tjera shfaqje mbresëlënëse. Ka mjaft idera dhe mendime se si mund t’i rikthejë emrin e ndritur, estradës së Shkodrës. E ngacmon shkëputja e tejzgjatur nga shikuesi i sallës. Ndjen edhe fajin e durimit të tepruar. Por ka besim të plotë, te rrikthimi i shkëlqimit të humbur, kur thotë se "absolutisht nuk guxon kush me e vonu ma..." . Edhe një trokitje dere, atje lart e ka ndër mënd... E quan gjynah që të braktiset për kaq vjet, kjo minierzë e vogël e kulturës dhe e artit...

Atë që nuk ndjen te ambjentet e teatrit "Migjeni", ka kohë që e shijon te Qëndra Françeskane, ndër vite e njohur, për atë çka i ka dhënë kulturës dhe traditës shkodrane. Është president i Shoqërisë Kulturore "Ilirikum". Ka dëshirë dhe i gëzon shpirti të flasë për këtë vatër artistike të rindezur. Përherë dyert e këtij institucioni janë të hapura për qytetarët shkodranë. Me kënaqësi dëshmon për talentet reja që shtohen nga viti në vit... Mbi baza vullnetare dhe pa pagesë është pjesëmarrja. Por larmishmëria e veprimtarive dhe masiviteti janë në ato nivele që e kanë lënë shumë prapa atë institucionin tjetër që quhet shtetëror. Nuk ka paragjykim dhe pengesa këtu. As konkurse dhe testime. Këtu vjen shpirti i pastër dhe i pasur shkodran që kohën e lirë nuk dëshiron ta kalojë nëpër kafe por duke interpretuar në skenë. Buzëqeshi artisti kur pyetëm nëse kjo shoqëri ka ngjyrime fetare. Absolutisht jo! Ndryshimi është se te "Migjeni", ka dryna dhe kangjella, këtu ka qetësi dhe mundësi, për të shpalosur pasionin dhe talentin në fushën që dëshiron. Janë organizuar koncerte instrumentale, variete me humor dhe këngë, teatro poetike, koncerte të këngës së lehtë etj. Jo vetëm në Shkodër ky demonstrim artistik, por edhe në qytete të tjera të vendit, si në Durrës, Vlorë, Korçë etj. Madje edhe jashtë shtetit, siç ishte rasti i pjesëmarrjes në Festivalin Ndërkombëtar të Karnavaleve që u organizua sivjet në Budva. Grupi përbëhej nga rreth 50 vetë. Në të gjitha rastet, shpenzimet e këtyre veprimtarive përballohen nga Qendra Françeskane, nën kujdesin e famulltarit, padër Gazmend Tila. Vërtetë nuk shpërblehet materialisht këtu por e ndjen vehten të qetë shpirtërisht. Edhe atë rrikthim gjallërie, që synon për teatrin "Migjeni" këtu e mbështet. Sepse janë pafund talentet e reja që shumë lehtë dhe denjësisht mund të fitojnë të drejtën për tu ngjitur në atë skenë. Shkodrës, - sipas artistit- , nuk i ka munguar mundësia por i është shtuar indiferentizmi dhe nënvleftësimi për vazhdimësinë e sukseseve në fushën e artit dhe të kulturës...

Nga viti 1991 deri më 1996, familjarisht jetoi në Gjermani. Arsyet e emigrimit ishin kushtet e vështira ekonomike për të përballuar nevojat e jetesës. Natyrisht, ishte më i privilegjuar për të siguruar të ardhurat materiale. Një artist me emër dhe i preferuar edhe nga bashkëkombasit e vet. Qysh në aktivitetet e para, kryesisht me shoqëritë kosovare ngjalli interes. Loja artistike dhe humori i tij i hollë bëri që sallat e shfaqjeve të mbusheshin gjithnjë e më shumë. Ende i kumbon në vesh jehona që përcillej te njëri-tjetri: "Hajde të shkojmë në shfaqje, se ka ardh baca Zef prej Shqypnie". Ishte aq i njohur nga ekrani i televizorit, saqë teleshikuesit e ndjenin sikur të kishte ardhur një i afërmi i tyre. Shumica e ftonin edhe nëpër ambjente familjare. Dëshironin të rrinin me ta sa më gjatë por tu krijonin mundësinë e njohjes nga afër edhe pjesëtarëve të tjerë. Gjermania dalëngadalë filloi t’i ngrohë xhepin por edhe interesin për talentin e tij artistik. Filluan ofertat nga trupa dhe qendra artistike vendase. Ka qënë një periudhë kur lodhej më shumë se çdo emigrant tjetër. Edhe nata nuk i mjaftonte, për të mësuar sa më shpejt gjuhën gjermane. Ishte mundësi për të shpalosur më drejtëpërdrejtë emocionet te shikuesi por shtoheshin edhe ofertat e bashkëpunimit. Tashmë, Zef Deda nuk thirrej me emër por "kynsler" (artisti-gjermanisht). Veçanërisht me Çarli Çaplinin, arriti që të mos lërë vende bosh. Edhe sallat filluan të përzgjillen, duke mos qënë në kapacitete më të vogla se 2000-3000 vendëshe. Fotot dhe komentet për kynslerin shqiptar, filluan të zinin rubrikat kulturore në gazetat gjermane. Miqtë dhe dashamirësit sa vinin dhe shtoheshin. Kalonin vite dhe harroi që kishte hyrë në Gjermani si emigrant ngaqë ishte bërë aq i kërkuar dhe i duartrokitur. Por malli për Shkodrën e tij të dashur, nuk e bënë kurrë krejt të lumtur. Atë lodhje që nuk ja jepte skena e ndjente në kohë pushimi, qetësie dhe meditimi. E, kur nuk të gjen rehat shpirti, nuk bën dot asgjë... Shprehja "Hajde të rrimë edhe këtë vit...", "Edhe këtë vit..." filloi t’i ngecte në grykë. Ndaj, një ditë kur pa se ishin mbledhur aq marka, sa mund të jetohej aty ku kishin lindur, bashkë me gruan dhe dy djemtë pret biletën e rrikthimit. Si për të bindur më shumë vetveten, në këtë vendim, mendonte se kishte fituar edhe një përvojë të pasur nga skena gjermane. Projektonte idera dhe plane për t’i realizuar në skenën e teatrit "Migjeni". Ishte viti 1996 kur ëndërronte këto lloj spektaklesh. Tani është 2008. Ende i mban në sirtar... Duke përfituar nga ky çast dëshpërimi e pyesim nëse i shkon ndërmënd që të shkojë përsëri në Gjermani.

-Kam frikë se ngec brenda po shkova... Ishallah nuk iki!- lutet ylli i humorit shkodran.

Ai tashmë njihet si Juli i "Portokallisë" edhe pse nuk është më i saj. Iku me qejfmbetje, por nuk rresht t’i shprehë mirënjohje atij ekrani që e prezantoi. Nuk të bëhet palë, as kur i kujton se në disa pjesë të atij spektakli javor, banaliteti është ulur këmbëkryq. Mbase akoma e ka "plagën e nxehtë" dhe e përjeton ende largimin, nga ajo trupë ku Juli ishte nga më të talentuarit. Dhe për këtë fajtor, ai bën drejtuesit. Tashmë, ai është duke punuar për ideimin e një "Portokallie" tjetër, me dëshirën për ta shpalosur në ekranin e TV Klanit. Janë duke punuar me orë të zgjatura, për ta përfunduar sa më shpejt këtë projekt. Edhe kafe, nuk kishte kohë të pinte Juli, në bashkëbisedimin tonë. Bashkë me kolegun tjetër të "Portokallisë", Gentian Zeneli duan që edhe në këtë nismë të mos humbasin interesimin e shikuesit. Dhe kanë besim se do ja dalin...

Mbase në fillim, ishte kuriozitet kur mësoje, se ky aktor i ri ishte djali i Zef Dedës. Ndërsa tani, pas katër vjetësh interpretimesh Juli gati-gati, është bërë po aq i njohur sa edhe i jati. Madje për këtë na "mbështet" edhe Zefi, kur tregon çka i ndodhi para dhjetë ditësh në Velipojë. Dikush e kishte "provokuar": Tash Zef ta ka kalu Juli..." Por ai nuk ishte zënë mat. Ja kishte kthyer aty për aty: "Nuk i kam dasht tjetër gjë Zotit. Veç i jam lutur, o si baba vet, o ma i mirë se baba!". Natyrisht, që këto janë batuta që shprehin krenarinë prindërore. Sikurse jo pak nxitës në këtë rrugë të mbarë, ka qënë edhe personaliteti artistik i babait të vet. Gjithsesi nuk e dëgjuam në asnjë moment që Zefi të përvetësonte diçka nga arritjet e Julit. I pëlqente sedra dhe këmbëngulja e të birit për të realizuar çdo rol që i caktohej. Veçanërisht fakti që ai nuk di të përzgjedhë role por të lodhi veten deri sa t’ja dalë mbanë. Ja pse ka besim se ai edhe mund të bëhet më i mirë se babai... Ende me shumë emocion kujton ftesën që ju bë, për të lojtur te "Nostalgjia e humorit". Ishte hera e parë që dilnin para shikuesve babë e bir.

- Zakonisht gjysëm ore para shfaqjes, më mbërthejnë emocionet e interpretimit dhe më fillojnë dridhjet, - tregon Zefi. Por atë ditë, i ndjeva këto siklete sa u nisa nga Shkodra. Gjithësesi, përvoja dhe përgjegjësia, për të bërë një prezantim familjar sa më dinjitoz para ekranit, më rriktheu qetësinë. I pari që më uroi dhe më përqafoi pas shfaqjes, ishte Juli.

Por Juli, sot mund të ishte edhe një futbollist, me po aq emër sa edhe aktor. Në ato vite, kur familja e tij emigroi në Gjermani, ai u aktivizua, me para të rrinjtë e qytetit ku banonin.Dhe jo thjesht një fëmijë i pasionuar pas kësaj loje, por një talent me të ardhme. Binte në sy shkathësia dhe inteligjenca e veprimeve me dhe pa top. Një mesfushor i zhdërvjellët që u dallua në organizimin e lojës. Por edhe autor golash për skuadrën e tij, që në kampionatin ku aktivizohej, doli kampion. Futbollistit të vogël nga Shqipëria ju besua edhe shiriti i kapitenit në atë skuadër gjermane. E ndërsa rritej me besimin dhe sigurinë e një të ardhmeje si futbollist kthimi në atdhe i familjes e shkëput atë nga fusha e gjelbër. Kujtojnë prindërit e Julit, ardhjet e herëpashershme të drejtuesve të klubit. Lutjet këmbëngulëse shkuan deri aty, sa kërkuan që të linin fëmijën e tyre, në mirëbesim dhe garanci të plotë. Me sa duket Zoti dhe fati kishin ideuar tjetër udhë për Julin. Por edhe për të nuk ishte e lehtë të ndahej nga pasioni i fëmijërisë. Erdhi në Shkodër dhe filloi të stërvitej në fushat e klubit të Vllaznisë. Por ishte krejt ndryshe. Aq sa një ditë, ajo fushë me gunga e ftohën nga loja magjike. E në këtë largim, jo pak ndikoi edhe nëna e vet, tek shikonte ata gjunj të gjakosur të të birit dhe ato veshje aq të përbaltura... Pa harruar mirë futbollin, filloi të usheqejë dashurinë për aktorin. Qysh në bangat e shkollës ra në sy interpretimi i tij mbresëlënës... Gjithkush dëshironte dhe besonte t’i ngjante të atit. Dhe askush nuk u gabua me Julin. Edhe me kaq rrugë sa ka bërë!

Tash për tash merakun e kemi për Marion, - shprehet Zefi. Është fjala për djalin e dytë, i cili vazhdon Akademinë e Arteve për kompozicion. Në fakt shqetësimi i tyre është disi ndryshe. Me çdo kusht, ata dëshirojnë që edhe ky të fitojë të njëjtin emër, si dhe dy dedat e tjerë që kanë shkëlqyer, në fushën e aktrimit. Pak më i shmangur nga tradita e familjes së tyre Mario, por me të dhëna të plota se një ditë do krijojë personalitetin e vet. Fakti që piano, qysh në klasën e parë, i është bërë një shok i përditshëm dhe i përhershëm lë shpresë te prindërit se edhe Mario do bëhet. Ka marrë pjesë në festivalin "Topfestë" dhe në disa veprimtari të tjera artistike. Gjithsesi ai ka ende kohë për të prezantuar vetveten... Jo pak besim të i vëllai ka edhe Juli. Madje ai e sheh Marion si bashkëpunëtor të mundshëm në projektin e ardhshëm. Por edhe një projekt tjetër ka filluar të skicohet në tre artistët e kësaj familje. Pas dy vjetësh Zefi mbush 60 vjeç. Kanë shumë dëshirë që të realizojnë recitalin bashkarisht. Një recital që nuk do jetë vetëm për Zefin, por edhe për admiruesit e shumtë që gëzon talenti dhe loja e tyre...



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora