E premte, 19.04.2024, 04:52 PM (GMT+1)

Mendime

Vangjush Saro: Po protestës, Jo revanshit!

E premte, 17.02.2017, 08:19 PM


Po protestës, Jo revanshit!

Përndryshe: Sa e ndezur bota shqiptare!

Nga Vangjush Saro

Shpresojmë që opozita shqiptare dhe përkrahësit e saj të zhvillojnë të shtunën një miting paqësor dhe në frymën e demokracisë e të modeleve perëndimore. Por ndërkaq, vëmë re se në prag të kësaj proteste, bota shqiptare, edhe njëherë, është bërë një reliev sherresh dhe zhurmash që nuk kanë të mbaruar. Moskuptime. Keqkuptime. Paragjykime. Sidomos në lojën politike e në shtjellimin e disa termave të ditës: arritje, mosarritje, rezoluta, papunësi, abuzime me pushtetin, etj. E njëjta gjë, edhe në diskutimet e pafund për historinë dhe kulturën. Dëshira apo nevoja për të klithur, është kaq e papërmbajtur. Sapo që hapet një temë politike apo afron një ngjarje e tillë, siç janë, bie fjala, zgjedhjet, kjo botë përndizet dhe është gati të shkrumbohet. Sapo që sillet në media një emër që ka krijuar dhe kontribuar në dy rende, në dy “epoka”, kjo botë merr zjarr.

Sado tepri e metaforë të ketë në këto radhë, me keqardhje, mund të konstatojmë, qofsha i gabuar, se ato çka ishin ëndërruar në fillim të viteve ‘90, nuk janë më një arritje apo njëlloj reflektimi për qytetarët shqiptarë; për fat të keq, nuk janë as edhe objektiv i qeverive shqiptare. Të duket ndonjëherë sikur bota shqiptare, bota mbarëshqiptare, nuk e di as vetë çfarë kërkon. Me t’u dhënë rasti për ndonjë sherr, të gjithë i ke gati. Dhe çdo përkujtim date me një rëndësi të veçantë, shndërrohet në frymëzim për klithje e për t’u përplasur, në dëshirë për revolta e për mitingje, që disa qarqe gjithnjë duan t’i manipulojnë. E thënë me fjalë të tjera, me forcë, me kërcënime, ne përpiqemi të arrijmë atë që nuk e bëjmë dot me mjete parimore, përmes institucioneve; një i tillë është edhe Kuvendi Popullor, që në fakt, heraherës bëhet aq qesharak dhe i pavlerë.

Është e njohur që propaganda, lufta, përplasja, grishjet, tërbimi, janë gjithnjë armë të një rendi a klani që vuan autoritarizmin dhe mëton me çdo kusht pushtet. Dhe për këtë gjë, është gati t’i vërë zjarrin vendit. Në historinë tonë moderne, kemi disa skenare të tilla. Mund të mos i marrim fort në sy disa revolta e mitingje të fillimit të viteve ‘90; le të themi që kishte shumë mllefe e urrejtje dhe nuk kishte përvojë jete e kundërshtie me mjete demokratike. Le të themi se revoltat e vitit 1997, kishin në themel humbjen e kursimeve në firmat rentiere; edhe pse e majta, në atë kohë, i fryu zjarrit për të marrë sa më shpejt pushtetin. Por është e pafalshme që edhe më pas, përndezja e pasioneve dhe ekstremizmi kanë shpallur disa herë hegjemoninë e tyre. Të tilla kanë qenë revolta e organizuar në vitin 1998, kur u dogjën (e u vodhën) institucione, makina e dyqane dhe kryeministri i atëhershëm u detyrua të largohej nga vendi. Por edhe ajo e 21 janarit, pavarësisht përmbylljes mizore që i bëri pushteti i atëhershëm, ishte një revoltë e pakontrolluar, tepër sfiduese për normat e demokracisë.

Ngjarje të tilla, nuk kanë sjellë asgjë të mirë në vend, për politikën dhe për qytetarët, përveçse kanë ngritur në një shkallë edhe më të lartë konfliktualitetin shoqëror dhe, në të njëjtën kohë, kanë bërë një prezantim të padenjë për shqiptarët në botën perëndimore. Politikanëve iu bie tani barra e vështirë e drejtimit me sens të këtyre mitingjeve, që ato të mos marrin zhvillime të pakëndshme e të sjellin çorroditje ndër qytetarë e zyrtarë. Mirëpo, përveç atyre që e duan me çdo kusht pushtetin, në kërcënime e sherr po hidhen edhe disa individë që një Zot e di çfarë do të përfitonin nga rrëmuja dhe nga përplasjet pa sens. Prej disa kohësh, ka njëlloj revanshi nga këta zotërinj “të zgjuar me vonesë”; (se disave prej tyre, nuk ua kemi dëgjuar zërin as para viteve ‘90, por as edhe në fillim të viteve ‘90 kur më shumë se kurrë filloi të ndryshonte bota shqiptare, së paku në media; kush kishte për të thënë diçka, tani më haptazi, mund ta thoshte.) Por jo. “Të vonuarit” dhe drejtuesit e ithtarët e disa klaneve, e duan tani shpagimin dhe revanshin, ata janë të vendosur t’i vënë zjarrin botës shqiptare, ndërkohë që përpiqen të marrin përpara krejt vendin, vlerat, trashëgiminë, të djeshmen dhe të sotmen.

Këto ditë, kreu i opozitës, ka deklaruar në një takim zonal në kryeqytet se të shtunën do të merret “një vendim shumë i madh për të nesërmen, për të ardhmen e çdo shqiptari.” Dhe kërkesa kryesore që formulohet, është ajo për zgjedhje të lira. E kotë të kujtojmë zgjedhjet e “lira” të organizuara nga forca politike që përfaqëson opozitën. Mund të kujtojmë sidomos zgjedhjet e 26 majit, kur kërciti huri dhe mandej edhe ajo parodia e pafund kur zotëria në fjalë u “zgjodh” Kryetar i Bashkisë së Tiranës (!) Megjithatë, edhe pse një temë disi e konsumuar, ndoshta edhe e përmirësuar, le të jetë prapë refren ky slogani i zgjedhjeve të lira, se nga përsëritja nuk vjen ndonjë e keqe.

Ndërkaq, ky miting i paralajmëruar për më 18 shkurt, përkon dhe me miratimin e rezolutës së re për Shqipërinë nga Parlamenti Evropian. (Anipse edhe kjo rezolutë, siç edhe pritej, ka ngjallur reagime të ndryshme brenda dhe jashtë politikës shqiptare.) Individët për të cilët u fol më lart, duan ta çjerrin edhe këtë rezolutë të fundit. Ndërkohë, sipas mediave, kryeparlamentari Ilir Meta paraqiti nga Vjena miratimin e Reformës në Drejtësi, si fakt që Shqipëria është duke ecur përpara në mënyrë të qëndrueshme drejt Bashkimit Europian. Pra, le të zgjedhim, çfarë është arritur deri tani, nga të gjitha përpjekjet dhe të gjitha forcat politike dhe mandej, të kërkojmë edhe garancitë për zgjedhje edhe më të lira se të fundit e të fundit… Çështja shtrohet të mos na rrëmbejnë urrejtja apo euforia; të protestojmë, por të mos ulërasim për revansh, të vështrojmë me qetësi veten dhe vendin, vlerat dhe fatet, për të shkuar si njerëz të qytetëruar te vota. Sipas parimeve demokratike, për të cilat janë konsumuar shumë e shumë mitingje e revolta, bisedime e grindje, ajo, vota, flet më mirë sesa çdo klithje histerike, si ato që po lëshojnë individë e qarqe disi të vonuar...



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora