E shtune, 20.04.2024, 06:00 AM (GMT+1)

Kulturë

Farsa ndërkombëtare e festivalit të filmit në Durrës

E merkure, 27.08.2008, 10:12 PM


Nga Dhurata Hamzai

- Vetë kryetari i jurisë për çmimin “Gladiatori i artë” të këtij festivali nuk paska ardhur. Në krye të jurisë do të vinte nga SHBA regjizori hollivudian, me origjinë shqiptare, Sten Dragoti…

E kanë quajtur Festival Ndërkombëtar Veror i Filmit dhe ka ditë që ka filluar edicionin e tij të parë, duke shfaqur filmat me metrazh të gjatë në qytetin bregdetar të Durrësit, në Shqipëri. Ai ka arritur në ditën e gjashtë të tij, përfundon më 31 gusht, dhe nuk ka shënuar ndonjë gjë interesante ndër ngjarjet kulturore, me përjashtim të faktit që organizatorët janë entuziastë fjalë për fjalë -“për audiencën e lartë të spektatorëve që kanë ndjekur filmat e programuar në këtë aktivitet”.

Por, organizatorët kanë harruar që në sytë e publikut më gjerë kanë dështuar dhe janë bërë të pabesueshëm me projektin dhe synimet e këtij festivali që në ditët e para. Vetë kryetari i jurisë për çmimin “Gladiatori i artë” të këtij festivali nuk paska ardhur.

U tha se për të qenë në krye të jurisë (kuptohet që juria duhet të jetë ndërkombëtare) do të vinte nga SHBA (krahas anëtarëve shqiptarë të jurisë) regjizori hollivudian, “pikërisht” me origjinë shqiptare, Sten Dragoti. Ai nuk erdhi dhe papritmas organizatorët thanë se ai u sëmurë. Artisti i famshëm Sten Dragoti ka pasur probleme shëndetësore prej dy vjetësh dhe këto lajme kanë qarkulluar në rubrikat e kulturës, por organizatorët s’e kanë bërë të gjatë, kanë keqpërdorur famën e tij dhe i kanë dhënë publikut shqiptar një lajm të rremë, që ai do të jetë këto ditë në Durrës.

A nuk do të na mjaftonin të gjitha këto ngjarje për të na bindur se emri i Sten Dragotit është përdorur për t’i dhënë sadopak famë festivalit. Mandej, u tha se do të ishte e pranishme aktorja kosovare Arta Dobroshi, së cilës po i ndrit ylli në skenat ndërkombëtare me turin e promovimit të filmit “Heshtja e Lornës”. Ajo nuk erdhi, sepse nuk kishte nisur dje ky promovim I saj, por organizatorët se patën problem të kujtohen me vonesë dhe të thonë se: “Dobroshi është e impenjuar me projekte të tjera dhe nuk mundi të vinte”. Që Dobroshi nuk do të vinte dihej nga publiku më gjerë, sepse prej kohës i ka dëgjuar e lexuar lajmet e medias mbi aktivitetin dhe suksesin e saj.

Përsa i përket themelimit të një festivali ndërkombëtar të filmit organizatorët Xhevdet Ferri dhe Anila Varfi nuk kanë shpikur ndonjë ide të re dhe aq më pak një arenë të re ndërkombëtare për artin e kinematografisë. Ka disa vjet që Shqipëria e ka ngritur skenën e një festivali të tillë ndërkombëtar, me plot kuptimin e saj gjithëpërfshirës në Tiranë, me festivalin e filmit TIFF dhe nuk di pse për filmin këtij vendit tonë të vogël nuk i mjaftoka deri në një festival ndërkombëtar, po u dashkan dy, tre, katër..?!

Me festivalet e filmit shfaqet e njëjta prirje si me festivalet e tjerë: Themelohet e promovohet në Shqipëri një festival ndërkombëtar teatri, si ai i Butrintit, papritmas mbijnë tre-katër festivale të tilla për teatrin që shpërndahen nëpër nëpër qytete të Shqipërisë, ku ftojnë ndonjë trupë nga Shkupi, Kreta, Kroacia dhe këto festivale organizatorët përkatës i quajnë edhe ndërkombëtare. A nuk mund të quhen dot rajonale, mbarëshqiptare, “fis-shqiptare”, “ballkanike”, “fqinjësore” ashtu sikur se janë edhe pjesëmarrësit e tyre. Pse duhet abuzuar me imazhin e ndërkombëtares. Vallë për t’i rënë gjoksit organizatorët, apo më tepër ka të bëjë kjo me buxhetin që u jep vërtetë Ministria e Turizmit dhe Kulturës, ose bashkia e qytetit përkatës, ose biznesmenët karizmatikë.

Sa herë t’i teket ndonjë shoqate teatrore, kinematografike apo letrare të formojë një festival, e bën këtë gjë vetë, privatisht, pa pasur nevojë të pyesë shtetin, por më pas mësohet që ta vjelë atë, i gjen shtigjet, burimet dhe ministrave të habitur duket sikur ua marrin çelësin e arkës së shtetit nga dora. Shteti u dashka t’i mbulojë me këste buxhetesh dhe ashtu i varfër siç është- merr andej e hiq këtej asnjë aktivitet i quajtur apo i vetëquajtur ndërkombëtar nuk arrin dot deri tek kriteret ndërkombëtarizuese, siç po ndodh aktualisht me festivalin e Filmit në Durrës, që po na luan farsën me ndërkombëtarë dhe aktorë hollivudianë. Madje organizatorët kanë pohuar për median pasi janë ndjerë keq me vetëpraninë e paskrupullt shqiptare në festival se: “Festivalit të filmit në Durrës i paska mbërritur një letër përshëndetëse e regjisorit të madh shqiptaro-amerikan Sten Dragoti, i cili për shkak të një sëmundjeje të papritur nuk do të mund të marrë pjesë në këtë eveniment, ku parashikohej të kryesonte edhe jurinë ndërkombëtare, që do të vendosë për ndarjen e çmimeve”. Një festival ndërkombëtar nuk ka gjasa të bëhet me parashikime. Para se të marrë buxhetin duhet të jetë argumentuar çdo cikël e artikull i pjesëmarrjes dhe pjesëmarrësve në të.

Bashkia e Durrësit jep 50 milionë lekë, kryetari nuk e di që është ndërkombëtar

Të gjitha faktet dëshmojnë se ky “ndërkombëtari” i filmit në Durrës nuk shoqërohet me asnjë aktivitet më tepër se shfaqja e filmave, pavarësisht se shumë pjesëmarrës, kuptohet kryesisht nga Shqipëria dhe shumë DVD të përzgjedhura nga tre-katër regjizorë të huaj janë akomoduar mirë në Durrës, falë një buxheti e “një ndihme të jashtëzakonshme që dha MTKRS” (u tha vetëm kaq, shifra u mbajt sekret). Shtoji kësaj shifre sekrete dhe 50 milionë lekë, që i ka pohuar me krenari të madhe kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, që thotë se “Bashkia e qytetit ka vënë në dispozicion të festivalit një financim prej 50 milionë lekë, sepse ky festival synon të promovojë vlerat e filmit artistik shqiptar, si dhe të qytetit mikpritës të tij, Durrësit”. Pra kryetari i Bashkisë së Durrësit nuk e dika fare që festivali është ndërkombëtar, siç pohojnë organizatorët dhe pavarësisht kësaj i ka dhënë një buxhet të madh festivalit. Madje edhe Drejtori i QKK-së “Alba Film”, Xhevdet Ferri, organizator, edhe pse e shkruan në letra kështu, i bie të mos ta dijë këtë gjë. Ai u shpreh se: “festivali i Durrësit është një mënyrë e re për të promovuar filmin shqiptar brenda shtëpisë së tij”. Ku është parë e dëgjuar se ky fakt, kjo dëshirë e synim- alla Xhevdet Ferri- e bëka ndërkombëtar një festival. A nuk është lojë fjalësh ideja se festivali, sipas organizatorëve, dhënka “altenativat të reja që mbështesin promovimin e filmit shqiptar dhe të vendit tonë në planin ndërkombëtar”. Po ç’është ky plani ndërkombëtar, shko e gjeje..!

Po të ndjekim zhvillimin e këtij festivali, domethënë “shikimin e filmave”, të habit fakti që organizatorët besojnë vërtetë se janë korrekt me këtë sipërrmarrje. Drejtori i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Xhevdet Ferri, thotë se “tashmë skepticizmi që na brente para fillimit të veprimtarisë ka kaluar plotësisht. Qyteti i Durrësit ka reaguar si një qytet i vërtetë arti dhe ne ndjehemi të entuziazmuar për audiencën e lartë në arenën e amfiteatrit antik”. Pse vetëm audienca durrsake qenka tregues për një organizim të lartë ndërkombëtar të festivalit të filmit?!

Filmat “ndërkombëtarë”, me gen shqiptar!

Ja dhe filmat “ndërkombëtarë” që po shfaqen në Durrës: “Koha e kometës”, filmi i regjisorit Fatmir Koçi, mbështetur mbi veprën e Ismail Kadaresë, përfaqëson Shqipërinë. Sipas drejtores artistike stafi prej 45 vetësh i festivalit, që përfaqëson kryekëput Shqipërinë, ka bërë një punë të mirë për prezantimin e filmave shqiptarë në konkurrim dhe ka bërë punë të mirë me të gjitha llojet e shërbimeve brenda dhe jashtë mjediseve të festivalit. Ende nuk dimë a qenka ky një kriter ndërkombëtar. Madje “ndërkombëtarja” e këtij festivali u bëka e qartë me një nga pikësynimet e tij, sipas oraganizatoërve: “Organizimi i një seksioni të veçantë për filmin shqiptar, fituesi i të cilit duhet t’i nënshtrohet konkurrimit për të qenë pjesë e garës ndërkombëtare për “Gladiatorin e artë”. Ky do të mundësojë krijimin e hapësirave për një festival me frymëmarrje të gjerë jo vetëm rajonale”. Sa t’i dalë fundi këtij festivali, le të vijomë me prezantimin “gjithmonë në rang ndërkombëtar” ku përfshihet me gjerë si konkurent për çmimin “Gladiatori i artë”, filmi shqiptar “Mao Ce Dun” i regjisorit Besnik Bisha që përfaqëson sërish Shqipërinë. Për pjesëmarrjen në këtë festival, sigurisht që nuk kanë faj ata që bëjnë filma dhe ata kineastë shqiptarë që janë ftuar, por kush do ta mbajë fajin kur nuk e gjejmë konkretisht përfaqësimin ndërkombëtar në një festival të vetëquajtur si të tillë.

Nëse flasim për pjesëmarrjen së paku të një filmi të huaj, atij grek që titullohet “Correction” (Gabimi) të regjisorit Thanos Anastapoulos, i cili është ftuar sepse filmi trajton copëza dramatike nga jeta e emigrantëve shqiptarë në Greqi (uaau...! prapë në kontekst shqiptar qenka dhe ky film). A thua në një festival ndërkombëtar qenka e gabuar që të jetë i ftuar një nga filmat më të mirë grekë, dhe grekët kanë vërtetë filma të mirë. Kush thotë se një temë filmi me emigrantët shqiptarë paska ende fuqinë ta bëj një film me vlera ndërkombëtare.

Mundet e kundërta të ndodhë, sepse askush nuk e pëlqen sot një ide jo origjinale, një ide që e ka shpikur dikush tjetër e ashtu gati merret nga të tjerë. Kjo nuk përbën së paku as lajm kulturor, sikur ndodh edhe me këto dhjetëra evenimente pseudo-ndërkombëtare që zhvillohen aktualisht në Shqipëri. Shqipëria në të gjitha këto përfaqësi ka pjesëmarrës pothuaj të njëjtit të paktët artistë. Kaq vështirë është që ashtu si nisi të bëhet me dinjitet një festival i mirë ndërkombëtar që përfaqëson teatrin, mandej një për poezinë, një për filmin, etj. Dhe nëse këto kanë mangësitë e para të natyrshme, a nuk është më mire t’i kurojmë e shëndoshim këto se sa të lindin pjella monstra që firojnë buxhetin e shtetit dhe të ministrisë-caktuar për zhvillimin e kulturës.

Ndërsa këto ditë në media flitet për filma që përfaqësojnë Shqipërinë në Durrës të Shqipërisë, mes 16 filmave shqiptarë dhe të huaj që prezanton edicioni i parë i Festivalit të Filmit Veror në Durrës, deri në datën 31 gusht kur ky aktivitet filmë-shfaqës përfundon, me zor dallojmë prezantimin e filmave të huaj, pra ndër kombe të tjera, siç duhet të jetë.

As filmi italo-francez “Life sentence” i regjisorëve Daide Barleti dhe Lorenzo Conte, as filmi norvegjez “Mirush” i regjisorit Marius Holst që trajton temën e një emigranti shqiptar..! në Norvegji, as filmi maqedon “True miracle” i regjisorit Lucas Nola s’e japin kurrë të plotë imazhin e një festivali ndërkombëtar, edhe pse festivalin e paskemi blerë shtrenjtë si të tillë!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora