Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sejdi Berisha: Plaku im, simbol i krenarisë

| E merkure, 15.02.2017, 08:05 PM |


Kujtim për njeriun që tokën e kishte pjesë trupi e zemre, lumenjtë si damarë gjaku, kreshtat e maleve-libër historie, shqiponjën simbol përjetësie, kurse atdheun përgjithmonë etje e mall të pashuar

Sejdi BERISHA:

PLAKU IM, PESHË E DHEMBJES, SIMBOL I JETËS DHE I KRENARISË...

(Ditë përkujtimi për babanë tim, Bajram BERISHA)

Sot, (e mërkurë, 15 shkurt 2017) u bën plot dyzetë e katër vite që shkove në amshim, o plaku im, dhe asnjëherë nuk m’u hoqe qafet, nuk mu ç’kape nga mendja e zemra. E sot, edhe damarët e gjakut m’i trazon dhe në të njëjtën kohë m’i ëmbëlson me madhështinë tënde, me këshillat më njerëzore...

Sot, kujtimin ma ktheve pak më ndryshe: ishe diku në sosje të momenteve të fundit të jetës, kur të pashë duke e pushuar trupin në barin që e kishe kositur. Sfidë e madhe ishte, sepse, edhe në ato momente doje të fitoje pak lekë për kafshatën e familjes.

Ngadalë t’u afrova dhe t’i putha faqet plot rrudha. Hape sytë, me shikove e të shikova gjatë... Dhe, të dyve lotët na tradhtuan, të cilët thanë e shprehen shumëçka!

Pastaj, ma vure dorën në faqe dhe më pate thënë: “Biri im, më është kalbur trupi,... nuk e do më...”!

Tash e dyzetë e katër vite, pas frymës së fundit, që ishe në duart e mia që m’i përcëllonte malli, filloi të binte shi,... edhe bubullonte! Po, po. Kjo është e vërtetë, që është rast i rrallë që në shkurt të bubullojë nga moti i lig...!

Or plaku im, edhe sot, beso shi po bie,... edhe sot të kujtoj dhe kudo që preku trupin tim has në fuqinë tënde që ma ke dhuruar...

Më pate thënë atëherë: Fjala e ëmbël është dukat, ruaje dhe shpërndaje... kurse, barin kosite mirë, se i riu pastaj mbinë më me sukses dhe është më i shëndosh... Edhe tokën ruaje e kultivoje se bima në te merr krahë bereqeti...

Më pate thënë edhe shumë gjëra të tjera, që i ruaj me fanatizëm si thesarin e paparë...!

Plaku im me plisin e bardhë, edhe pas dyzetë e katër vjetësh, sot e përgjithmonë jemi bashkë duke biseduar, dhe, athua prej atëherë a ka ndërruar diç në etjen tënde e në shkrumbin tim?!...

Po, sa fortë jemi të lidhur, o babi im, edhe pse, sot ndryshe ta puthi ballin, i cili lartë të qëndron! T’i puthi sytë, që shikimin ma kthjellojnë e mendjen ma shndërrojnë në fjalë të dëlirtë e të ëmbël, në mendim të mprehtë për fatin e njeriut, të kombit dhe të njerëzimit...!

O, plaku im! Sot pas dyzetë e katër vitesh në amshim, duke të përkujtuar e duke të përqafuar, nuk do të derdhim lot, por dhembjen bashkë do ta bëjmë këngë, o flokëthinjuri im, sepse, Ti vetëm kështu kishe dëshirë.

Pra, eja te të puth dhe krahëhapur të ecim tutje, edhe pse të dytë me thinja kohe,... por me histori të ndritur mbi supe dhe me krenari në zemër e në shpirt...!

Babi im, Ti përjetësisht rron në ne dhe me ne!

Kaq bisedoi me Ty djali yt, Sejdi BERISHA.

(Pejë, e mërkurë, 15 shkurt 2017)

 

Por edhe njëherë po i rilexoj vargjet e poezisë për Ty.

 

BABAI, NË GRUSHT MBANTE LOTËT E MI...!

 

(Rilexim në 44-vjetorin e vdekjes së babait tim, Bajram Berisha)

 

1.

Një ditë

Tash krejt vonë

U ula pranë varrit të babait

Duke iu përkulur madhështisë së tij

Më përcëlluan shekujt

 

2.

Tek varri i babait

E dija pse kam ardhur

Falje t’i kërkoj

Se ndoshta ndonjëherë

Nuk e kam kuptuar jetën e tij

 

3.

U përkula dhe putha varrin:

Më fal o babai im

Se

Ndoshta pa e ditur

Kam bërë ndonjë mëkat

Atëherë nuk i kuptoja

Ndonjë prej këshillave tuaja

 

4.

Më fal

Nëse kam gabuar diçka

Se gabimet e tilla janë të rënda

Si mëkate ndaj Zotit

Më fal të lutëm

Se sot më mundon llahtaria

E moteve tuaja

E shekujve gënjeshtarë

Që mallin ma bëjnë peshë

Qielli e toke

 

5.

Baba

Zëri yt edhe sot sa i ëmbël

Tash po e kuptoj

Atë shikimin tënd tej maleve

Sipër qiellit e nën palët e tokës

Por pusho i qetë në tokë, baba

Se fort ke qenë i lidhur me te

 

6.

E putha edhe njëherë varrin

Derisa

Loti im e dogji barin

Gjer ke eshtrat e babait depërtoi

Atje thellë në varr

Për këtë mëkat të lotit tim

Barin e djegur e ledhatova

Dhe, m’u bë se shpirti m’u lehtësua

Me përkuljen pranë varrit

Tempull përjetësie në jetën time

 

7.

Pasi u përshëndetem

Sikur shpina m’u shndërrua në sy

U zgjua babai im

Në grusht mbante lotët e mi:

Merri këta

Se unë lotin tënd nuk e dua

Por, biri im

Ruaje tokën

Përqafoje njeriun

Këputi hallkat e burgjeve

Dhe të inateve të botës

Të mendjes së ligë të njeriut

 

8.

Sikur i mora ata lot

Nga grushti i babait

I piva

Si një gotë me ujë shërues

Atëherë drita kaploi qiellin

Babai pushonte aty ku e lash

Unë ika në rrugëtimin tim të çmendur

Nuk di për kënd dhe për çfarë