E premte, 29.03.2024, 06:10 AM (GMT)

Kulturë

Kadri Kadiu: Kur vdiqa unë

E hene, 13.02.2017, 09:53 AM


KUR VDIQA UNË

(Marrë nga Libri "Mall e Dashuri" i Kadri Kadiut)

Ne që jetojmë larg Atdheut dita na duket litar e gjatë por edhe natën me mundime e kalojmë, gjumi nuk na zë dhe, herë të gjallë e herë të vdekur, në Shqipëri fluturojmë.

Ja, po tregoj se ç'më ndodhi mbrëmë, duke uruar që mos i ndodhtë njeriu kjo që më ndodhi mua:  Isha shëndoshë e mirë, pa lënguar fare; rashë mirë e bukur në darkë për të fjetur dhe u gdhiva në mëngjes i vdekur. Më mundovi ca gjumi e s'po më zinte, mendja vërdallë po më vinte, jeta si në film po më xhirrohej, e ç'far nuk po më kujtohej. Kujtoja i vogël kur isha, kur me shokët lozja e zisha, kur bënim shamatë në mëhallë e vinin na ndanin mamatë, na merrnin në shtëpi duke qarë e na pushonin duke na vënë përpara nga një tas përshesh me dhallë.  Më kujtoheshin shokët e Fshatit;  Arifi, Gurja, Viktori e Seiti me Avdinë; më dilnin përballë e më thoshin: "Po pse na ike nga Fshati o Pallë"? Pastaj më vunë përpara e po më ndiqnin ca shokë të shkollës e të punës ; Fadili, Gazi, Fatmiri, Bashkimi e Kristaqi me Kozmanë e më thoshin: " Po pse ike nga Shqipëria dhe e le Vatanë o i marrë"? Pa mu vardisnë tërë farë e fisi  e më telendisnë e më shanë. Më thoshin: " Të kemi pritur e të kemi përcjellë, e për ty pronto kemi qënë, por ti na harrove e të zhgënjyer na ke lënë". Vëllezër e motra, të gjithë më dolën përballë. Unë isha më i madhi e xheku i kisha sharë por ata asgjë s'kishin harruarë. Vëllai i dytë, Hamdiu,më thoshte: " Ti, ca herë edhe më ke rrahur". Feimi më thoshte: " Ti nuk më linje të hypja në dardhën që kishim në oborr pasi dardhat fica i deshe për vete". Luani e kishte ankesën edhe më të rëndë: " Ti, më thoshte, je tallur gjithnjë me mua. Meqenëse unë deri në moshën katër vjeç mbaja në gojë një biberon që e thithja "cuk cuk cuk", ti ma ngjite nofkën " Cuke" , sa që edhe sot gjysma e Fshatit më thërrasin Cuke".  Edhe motrat, plot pakënaqësira kishin nga unë. Më thoshin: "Ke qënë xheloz ti, kur ishe djalë, e nuk na ke lënë që me ndonjë shok të këmbenim dy fjalë".

E pastaj, me radhë, mu qepnë njerëzit e shtëpisë. E para, gruaja, ankohej më shumë. " Ti, më thoshte, ke qënë burrë për lumë, gati i deshe të gjitha e në shtëpi s'bënje asnjë punë". Çupat më thoshin se " Ti babi; ca fanatik ke qënë, e po të ishte për ty, ne pa martuar e pa burra do na kishe lënë". E po edhe djali, që ia kisha zgjatur ca më shumë se e kisha të vetëm e në kimet, edhe ai më bëri për ibret: " Ti, më thoshte, më ke trajtuar gjithnjë si kalama të vogël; ja edhe tani që jam bërë burrë me fëmijë, ti në vend që të më thërrasësh me emër, më thërret " o babi", sa që më vjen turp nga shokët kur dëgjojnë".

I dëgjova sa i dëgjova këto ankesa dhe nuk po i duroja dot prandaj me vete thashë: Më mirë të merresh me të vdekurit sesa me këta të gjallët që kanë llafe shumë. Dhe ashtu bëra; u ktheva në krahun tjetër dhe u hodha në Botën tjetër, në Botën e Madhe të të Vdekurve. Mu hapën dyert me të katër kanatat dhe hyra brenda. E ç'tu tregoj më parë; ishte Parajsë e kaluar Parajsës, tamam si në përrallë, dritë, gaz e hare qe gjithandej. Më pritën të gjithë me krahëhapur. E para doli Nëna ime, Edibeja. Më kishte lënë vetëm pesë vjeç por më njohu menjëherë. Eja biri im, më tha, më rrëmbeu, më përqafoi me mall, më shtrëngoi fort, më puthte e më puthte e s'deshte të më lëshonte. Por pas Nënë Edibesë doli Aneja Mine. " Më lerë të çmallem edhe unë me Kadriun, i tha Edibesë, se vërtet ti e ke lindur por ama unë ta bëra burrë e ta martova". Dhe Nëna ime më kaloi mua në duart e Anesë. Pasi më përqafoi e më puthi, Aneja filloi të më pyesë se si i lashë të gjallët. Unë po i përgjigjesha Anesë kur përballë më doli Babai, Safeti.

" Hë mor bir, më tha, ardhe dhe ti këtu"?

Erdha o Baba erdha, i thashë, se edhe unë u plaka.

" Hë qerrata, më tha Babai, edhe këtu kërkon të tallesh ë"?

Po jo o Baba, i thashë, unë nuk jam tallur kurrë me ty. Mirëpo Ai nuk e kishte harruar e ma kujtoi një ndodhi që kishte ndodhur pak kohë para se të vdiste. E konkretisht ndodhia ishte kjo: Ishte viti 2000, Babai ishte i sëmurë dhe unë kisha shkuar nga Tirana në Fshat, për ta parë. Babai, i cili në atë kohë ishte afër të nëntëdhjetave mu ankua e më thotë: " Ah çu plaka more djalë". Unë, që për vete në atë kohë po i arrinja të gjashtëdhjetat, iu përgjigja: " U plakëm o Baba u plakëm". E këtë fjalë, edhe i vdekur prej 15 vjetësh, Babai nuk e kishte harruar e ma kujtoi mua të vdekurit rishtaz.

Ne po bisedonim me Babain, kur u shfaq aty Nëna e Babait, pra Gjyshja ime e dashur Hallo Bida e Devollit, e më tha: " Po paske ardhur edhe ti o Dike, o shpirti i Gjyshes"? (Se Dike më thoshte mua Gjyshja me përkëdheli). Iu turra unë Gjyshes, e përqafova dhe po e puthja me shumë mall duke lotuar. " Shumë mirë ke bërë që erdhe ,më thoshte Gjyshja mua, tani do të flemë bashkë". (Se kur isha i vogël unë flija me Gjyshen). Pastaj erdhën e më takuan Vjehri e Vjehra, Batua me Myrseten. Në fillim ata u gëzuan që iu kisha shkuar pranë, por pastaj sikur u mërzitën ca, e më thoshin:  "Pse nuk na i solle këtu edhe çupën tonë, Lumen".

Ndërkohë që unë nuk isha çmallur akoma me të vdekurit e shtëpisë, më rrethuan aty e po më takonin me radhë të gjithë të afërmit e të njohurit e mi; halla, teze, dajllarë, xhaxhallarë e kushërinj të  parë, që kishin ikur para meje në atë Botë. Në mënyrë të veçantë u gëzuan që iu kisha shkuar pranë ata njerëz që unë i kam kujtuar, duke i sharë apo duke i lëvduar nëpër shkrimet e mia, pra të gjithë personazhet e Librit tim "Mall e Dashuri",  si Hafiz Zëmblaku, Seladin Ferrua, Bejçe Ferrua, Xha Aliu i Mborjes, Sekretar Mexhiti, Kujtim Shpuza me gur në zemër, Ilmi Bejkua me kleçkë në biografi, Xha Reshat Berberi, Xha Emini e Xha Kamberi i Mançurishtit, Xha Muharemi i Progërit, Xha Demiri i Cangonjit, Xha Esati i Pojanit, Dajë Serveti i Babanit e plot e plot të tjerë. Takime të ngrohta e miqësore pata edhe me Pesë Ahmetët e Mançurishtit, si dhe me Hoxhën e Sulit dhe Priftin e Ziçishtit. Po ashtu e takova aty edhe Xha Qaniun e Zvezdës, i cili, sa ishte gjallë vetëm një dhi kishte pasur, por tani ishte bërë Pasanik i madh. Ali Kondi i Vranishtit, sëbashku me të vëllanë Nevruzin, për nderin tim dhanë një Koncert me Këngë e Valle Devollite, dhe këtë e bënë jo vetëm se unë kisha shkruar për ata, por edhe se në  Fshatin e tyre unë kisha punuar dikur si agronom. Një pritje madhështore më bënë mua Partizanët e Mançurishtit dhe Kulakët e Pojanit. Ata ishin mbledhur në një sallë të madhe e po festonin sëbashku. Kur hyra unë në atë sallë, ata u ngritën të gjithë më këmbë dhe brohorisnin për mua, duke shprehur falënderimet për shkrimet që unë ua kisha kushtuar atyre.

Po çmalleshin të gjithë të vdekurit me mua, por edhe unë po kënaqesha e nuk desha të ndahem nga ata. Por ndërkohë më ra ndërmend se nga të gjallët kisha ikur tinëz, pa u përshëndetur e pa i takuar për t'iu dhënë lamtumirën, si dhe nuk kisha bërë disa dorëzime.  Kështu që iu luta të vdekurve dhe ata më mirëkuptuan e më dhanë një lejë provizore për tu kthyer e për t'i mbaruar disa punëra me të gjallët, dhe pastaj të kthehesha në Parajsë me mendje të fjetur.

Punë e kollajtë fare ishte kjo; e ndërrova përsëri krahun dhe në çast u ktheva i vdekur midis të gjallëve. Pashë se më ishin mbledhur të gjithë pranë krevatit dhe po më qanin sikur të ishin në garë në ndonjë konkurs për qarje. Më shumë qante gruaja, por nuk mbeteshin pas as çupat, as djali e as nusja e djalit. Të gjithë thoshin fjalët më të mira për mua e renditnin kujtimet më të mira që kishin prej meje. Unë, vërtet isha i vdekur e nuk flisja dot, por ama unë i dëgjoja të gjitha ç'thuheshin për mua. Ata nuk e dinin e as e merrnin dot me mend se i vdekuri dëgjon, kështu që flisnin pa doganë e më ngrinin lart në Qiell, sikur të mos ishin ata që deri një ditë më parë, kur isha gjallë, më kishin kritikuar e më kishin sharë.

Pastaj pashë se, një nga një, u mbush shtëpia plot me njerëz. Të parët erdhën motrat megjithë burrat e tyre dhe vëllezërit sëbashku me gratë e tyre. Unë isha në Botën e të Vdekurve dhe për mua nuk ishte çudi që ata kishin ardhur kaq shpejt nga Shqipëria në Amerikë, pasi në Botën tonë të të Vdekurve, nuk kishte as probleme vizash, as punë aeroplanësh e as punë parash; ne të vdekurit fluturonim nga të donim, në çdo çast.

Pikë e vrer ishin bërë sidomos motrat. Motra e madhe, Merjemi, thoshte: " Si s'më mori mortja mua, por vajti e mori vëllain më të mirë, Kadriun". Edhe vëllezërve të mi, çurkë iu rridhnin lotët, kurse kunatat mjaltë nxirrnin nga goja për mua.

Të pikëlluar ishin edhe krushqit e mi amerikanë, por më i dëshpëruar mu duk krushku i tretë. Dëgjova që iu thoshte dy krushqve të tjerë:  " Më mbeti peng, se bëri pesëmbëdhjetë vjet ky Kadriu në Amerikë dhe unë, megjithëse kam ngrënë pa numërim darka e dreka tek ai, nuk e thirra ndonjëherë për darkë".

Pastaj pashë se u mblodhën në shtëpinë time tërë shqiptarët e Kolorados, tamam sikur festonim 28 Nëntorin dhe 17 Shkurtin, dy Festat tona të Pavarësisë. Nuk po i nxinte më njerëzit shtëpia kështu që dolën në oborr dhe të gjithë bisedonin për mua.

Dilaveri, njëri nga shokët e mi të mirë këtu në Kolorado, iu thoshte fëmijëve të mi: " Të jeni krenarë për babain që kini patur, ju la emër të mirë dhe mbi të gjitha nuk ju la ndonjë  hasmë". Fehmiu nga Kosova, ju thoshte: "  Do të prehet në paqe Bacë Kadriu, pasi ju la pa borxhe, nuk ua zë derën njeri nesër e t'ju kërkojë borxhet e babait. Se ja; thoshte Fehmiu, ai Poeti Xhevahir Spahiu, ka hyrë aq shumë në borxhe sa që ka premtuar se do të shesë Gurin e Varrit për të larë borxhet".

Kolonjari Gramoz Prodani, një komshiu im i afërt këtu në Amerikë, iu thoshte çupave e djalit: " Më mirë që nuk ju la pasuri babai, pasi po t'ju kishte lënë pasuri do të bëheshit kashtë e koqe, do të mbeteshit dyerve të gjykatave për të ndarë pasurinë, do të linit kokrën e namit, do të bëheshit gazi i botës e do të shkallonit nga mendtë e kresë duke shkuar deri tek emisioni " Shihemi në Gjyq" i Ardit Gjebresë".

E kështu llafosnin e llafosnin njerëzit duke më lavdëruar mua. Unë i dëgjoja të gjitha ç'thuheshin, por unë as skuqesha e as zverdhesha, pasi unë isha i vdekur.

Pastaj erdhi puna dhe filloi diskutimi se ku do të ma bënin varrimin; këtu në Amerikë apo në Shqipëri. Motrat e vëllezërit thoshin: " Ta marrim në Shqipëri". Çupat e djali thoshin: " Ne e duam këtu pasi do e kujtojmë e do i çojmë nga një tufë me lule tek Varri për çdo datë të shënuar". Gruaja ime, Lumja, thoshte: " Bëni si të doni, vetëm se aty ku do të varroset Kadriu, aty do të më çoni edhe mua, se edhe në atë Dynja nuk ka burrë tjetër për mua, veç Kadriut". U hodh çupa më e vogël, Edi, e tha:  "Po ky Babi iku kaq papritur, të paktën të na kishte lënë një amanet se ku ta varrosnim. Ai, edhe në ca shkrime që ka bërë, e ka lënë evazive këtë punën e varrimit. Ja; mua më kujtohen disa vargje që kish botuar ne " Portali i Rrethit të Devollit", ku thoshte:

" Jam midis Amerikës e Shqipërisë

Nuk di se ku jeta do më bitisë

Mendjen e Zemrën ku t'i çoj më parë

Nuk di se ku do ta kem Varrë"

Unë isha i vdekur e nuk ndërhyja dot, por dëgjova se vendimi u mor që të varrosem këtu në Amerikë.

Mirëpo më tej doli dhe një problem tjetër: Vajza ime e dytë, Vjollca, pyeti: " Po  si do ia bëjmë ceremoninë e varrimit Babit"?

E mori fjalën vajza e madhe, Monika, e tha: " Po Babi jonë mysliman ishte, për një kohë ka qënë edhe ateist, por qëkur ka ardhur në Amerikë, Ai ka shkuar edhe në Kishë".

Për t'i dhënë zgjidhje këtij problemi të ndërlikuar ndërhyri njëri nga personazhet e Librit tim, e pikërisht Komisar Veizi, ai që kish pirë verë në Xhami e raki në Kishë dhe tha: "Unë, o shokë e shoqe, propozoj që në varrimin e Kadriut të thërrasim edhe një Hoxhë që t'i këndojë Duvanë, edhe një Prift që t'i bekojë Varrë, kurse për kontributet që ka dhënë Kadriu për ndërtimin e Socializmit, do të flas unë". Mbas këtij propozimi filloi një debat i nxehtë, pasi kishte pro e kundër. E ndërsa po vazhdonin diskutimet, mua më zgjoi nga gjumi zëri i një fëmije që po qante.

Hapa sytë dhe pashë se ne koka më qëndronte djali im Shpati, sëbashku me nusen e tij Denisën. Në duar ata mbanin një bebi të vogël, fare të vogël. Më mbetën sytë tek ai bebi i vogël; ai më dukej sikur isha unë. Bah, thashë me vete, si ka mundësi që unë qënkam bërë kaq i vogël? E vërenja me kujdes atë bebin e vogël e të bukur, por prapë tek Ai shihja fytyrën time si në një pasqyrë zvogëluese. Mendjen e kisha të turbullt dhe pyesnja veten: Po si ka mundësi; unë paskam vdekur apo paskam rilindur edhe një herë?

Fërkova sytë mirë e mirë, e shkunda veten, u sigurova se tani nuk isha në ëndër, u kthjellova dhe e kuptova situatën: Djali me nusen sapo ishin kthyer nga Materniteti dhe në duar kishin një bebi të bukur treditësh, Dasarin e vogël. Dasari, me ato syçkat e tij të vogla e të bukura, plot shkëlqim, po më shikonte mua, Gjyshin. Në këtë kohë Dasari pushoi së qari ndërsa unë ndjeva se nga sytë e mi po pikonin lotë gëzimi. Nipi im i vogël nuk fliste dot, por nga sytë e tij unë e kuptova se çfar Ai më kërkonte, kështu që ia dhashë fjalën e i thashë se, ashtu siç rrita pesë çunat e çupave, do të të rrit edhe ty që të kam të djalit, që të kam mjaltin e mjaltit. Do të roj, i thashë, edhe ca kohë, të paktën sa të shkosh në shkollë, në klasë të parë.

Dolën nga dhoma ime djali me nusen e me nipin e vogël, ndërsa unë i thirra mendjes e i thashë vetes:  Kadri o i gjorë; mos merr zotime që nuk i ke në dorë. Se thonë që edhe dalin ëndrat o i shkretë, kështu që ajo e mbrëmshmja, një ditë bëhet e vërtetë; se kur vjen e reja, e vjetra duhet të ikë, këto janë ligjet e natyrës, kështu riciklohet Jeta. Se po fillove të ankohesh e të thuash  " këtu më dhemb, aty më sëmbon, jo po mu ngrit edhe ky i shkretë tension", atëhere, sa të rrish me të gjallët, t'iu bëhesh barrë e t'iu sjellësh qeder, më mirë shko me të vdekurit ku të sajdisin e të bëjnë nder.

Duke i bluar e diskutuar me veten time këto mendime prej plaku, prapë trimërohesha e i jepja kurajo vetes. Po unë nuk kam frikë nga vdekja, thosha, e do të shkoj vetë me këmbët e mia e me qejf; aq më shumë që e mësova rrugën si shkohet aty dhe e pashë me sytë e mi atë Parajsë me lule e me qetësi, ku nuk ta prish gjakun asnjeri dhe të gjitha punët janë në terezi. Unë, thosha, nuk jam si ai shoku im, Fadil Demrozi, i cili ka gjashtë vjet me radhë që feston 69 vjetorin e lindjes e nuk guxon  ta kapërcejë shtatëdhjetën pasi ka frikë nga pleqëria. Aq më shumë, i thashë vetes, unë nuk i ngjaj atij faqeziut që tregojnë, i cili tërë jetën kishte mashtruar të gjallët dhe kujtonte se do ta mashtronte edhe Mortjen: Kur i vajti për ta marrë Mortja ( apo Xhebrahil Emini s i themi ne myslimanët), ky mashtruesi i tha: " Aman, të lutem më lerë edhe ca se kam akoma ca punë për të kryer, kam bërë edhe një shtëpi të re dhe dua të laj edhe kredinë".

Unë i kam marrë të dhënat, i tha Mortja, ti kredinë e ke me afat 30 vjetë, kështu që dashke zotrote të livadhisësh në këtë Botë edhe 30 vjet të tjera. Lëri nazet tani o delenxhi, i tha, dhe hajde me mua se ti e ke kullotur luadhë.

I përulej në gjunjë mashtruesi Mortjes, i bënte rixha e temena që ta linte edhe ca.

Për çudi, iu zbut shpirti Mortjes e i tha: Meqenëse për këtë periudhë jam mirë me realizimin e planit të vdekjeve, hajt se po të fal edhe një vit; ama shënoje datën se si sot një vit, këtu do më kesh e të mos kemi llafe bashkë.

Viti u rrokullis shpejt, erdhi data e caktuar por mashtruesi u fsheh tek shtëpia e një komshiu dhe e lyevi fytyrën me bojë këpucësh të zezë që Mortja të mos e njihte.

Mirëpo Mortja  mbante Xhi.Pi.Es me vete dhe të gjente kudo që të futeshe e sido që të maskoheshe. E gjeti Mortja dhe i tha: Hajde tani, mos e zgjat, se ty të mbaroi vaji i kandilit.

Jo, i thoshte mashtruesi, e ke gabim, nuk jam unë ai që kërkon ti.

Nuk deshe të vije vjet me faqe të bardhë,  por sivjet nuk më shpëton dot veçse po vjen në atë Botë  me faqe të zezë mor delenxhi, i tha Mortja dhe e mori me vete.



(Vota: 10 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora