E marte, 23.04.2024, 11:38 AM (GMT+1)

Editorial » Entela

Entela Binjaku: Protestat e rumunëve

E diele, 12.02.2017, 05:50 PM


Edhe një këndvështrim për protestat e rumunëve…

Nga Entela Binjaku

Qytetarët rumunë në Bukuresht, qytete të tjera të vendit si dhe në shumë prej shteteve ku kanë emigruar protestuan për ditë të tëra duke marrë vëmendjen e opinionit ndërkombëtar. Falë medias sociale qytetarët rumunë i dhanë pamje dhe zë revoltës së përbashkët kundër klasës së sapozgjedhur qeverisëse që kishte ndërmarrë një vendim në mungesë të plotë të transparencës dhe në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve. Protesta nisi me revoltën kundër urdhëresës së urgjencës 13/2017 dhe menjëherë u  shndërrua në protestë antiqeveri, kundër një klase drejtuese politikanësh që sipas tyre “po kriminalizonin me ligj politikën”.

Pamjet dhe mesazhet që përcilleshin tregonin qytetarë  të të gjitha grupmoshave, pa dallim gjinie, origjine, statusi social e ekonomik, pavarësisht se në ç’qytet vendas apo të huaj jetonin që  kundërshtonin dekretin e urgjencës sipas të cilit parashikohej  me ligj që zyrtarët publikë rumunë nuk do të penalizoheshin   në rast të përfitimit të një  shume  deri në 45 mijë dollarë;  sipas saj cdokush mund të aplikonte për funksione zyrtare edhe nëse kishte një dënim deri në 5 vjet.

“Urdhëresa e urgjencës  13/2017” krijoi një reagim qytetar për shkak të arrogancës qeveritare me të cilën u ndërmor, mungesës së transparencës dhe komunikimit me publikun, dobishmërisë së njëanshme dhe kundër interesave të një shoqërie që në këto vite ka luftuar kundër korrupsionit si mënyrë të menduari e të jetuari.

Në ditën e 7-të të protestave ministri i drejtësisë shpalli anullimin e saj,  por protestuesit vazhduan të dilnin në rrugë e sheshe duke kërkuar rrëzimin e qeverisë    votëbesuar nga presidenti në dhjetor të vitit 2016. Te nesërmen e anullimit Presidenti rumun Johaniss në fjalën e tij në parlament u shpreh se:  “Tërheqja nga urdhëresa  dhe dorëheqja e mundimtë e një ministri është pak për zgjidhjen e krizës ne të cilën gjendemi... Rumania ka nevojë për një qeveri të fortë dhe jo një qeveri që ndjek rregullat e partisë. Bëhuni të ligjshëm për Rumaninë, bëni ligje të mira për Rumaninë, dhe jo për një grup politikanësh me probleme. Atë që premtuat, bëjeni! Duhet të zgjedhim nëse duam të jemi një komb i fortë, i begatë me një shtet me drejtësi të pavarur, apo duam të jemi një komb i dobët,  i përçmuar, që vendos çdo gjë në lojë për të shpëtuar disa që gjenden në situata të vështira.”

Historia e një të kaluare nën  regjim komunist dhe aspirata e për integrim në BE janë dy të përbashkëtat e mëdha mes shoqërive tona, gjë e cila nxit detyrimisht vëmendjen dhe reflektimin mbi protestat e rumunëve.  Pyetjet  kryesore që  linden këtej nga ne ishin: Si arritën ata njerëz të organizoheshin aq masivisht në sheshe e rrugë të nxitur vetëm nga vokacioni qytetar? Si mundën ishin kaq të papërçarë në rezistencën e tyre 10-ditore ? Çfarë fuqie paska pasur media sociale tek  qindra mijra qyetatrë pavarësisht moshe, origjine, statusi e gjinie që I nxori në rrugë e sheshe? Afërmend që për secilën nga këto pyetje lindtte edhe kundërpyetja: po tek ne?

Ndërkohë që ne si shoqëri jemi në pritje të celjes së negociatave me BE-në, për të cilën nuk kemi ende një date, Rumania është pjesë e bashkësisë evropiane që në 1 janarin e 2007.  Pra prej  10 vjetësh  shtetasit rumunë jetojnë nën qiellin e Be-së duke gëzuar të drejtat dhe respektuar detyrimet që kërkon kjo hapësirë, duke rritur qarkullimin e njerëzve dhe të ideve, duke krijuar një kulturë të re të të protestuarit, që refuzon padrejtesinë, arrogancën dhe indiferencën e politikës. Ndërsa tek ne ka gjetur  vend togfjalëshi “kultura e pandëshkueshmërisë” rumunët i kanë dhënë partnerëve ndërkombëtarë fakte të vullnetit të tyre në luftën kundër korrupsionit. Në tri vitet e fundit  Agjencia rumune e  Antikorrupsionit ka arrestuar 1250 zyrtarë të nivelit të lartë dhe të mesëm mes të cilëve: 1 kryeministër, 5 ministra, 16 deputetë, 97 kryetarë bashkish dhe nënkryetarë, 32 drejtorë drejtorish dhe 497 njerëz me pozita drejtuese në institucionet publike. Nga këta  93% janë dënuar duke treguar edhe efiçiencën e organit të akuzës dhe të shtetit të së drejtës ku para ligjit “janë të gjithë të barabartë”.

Ndërsa tek ne ka një gëzim për 3 pikët e ngjitura në “Indeksin e Korrupsionit” përgjatë 5 viteve të fundit, koordinatorja e “Transparency International” për Europën Juglindore dhe Ballkanin Perëndimor Cornelia Abel, do të shprehej se “Shqipëria ka një ndër nivelet më të larta të korrupsionit të perceptuar në të gjithë rajonin. Shqiptarët janë të zhgënjyer nga sistemi politik dhe janë të lodhur teksa shohin të korruptuarit që përdorin paratë dhe influencën  për t’i shpëtuar ndëshkimit,”.

Protestat e këtyre ditëve treguan një diasporë rumune aktive, që është e lidhur ngushtë me zhvillimet në vendin e origjinës. Sipas të dhënave të marra nga institutet e statistikave në Itali janë 1.150.000 qytetarë,  800.000 në Spanjë, po ashtu qytetarët rumunë  votojnë nga Siatëlli e Portlandi, nga Belgjika e Austria. Kjo diasporë e re përmes votimit është mjaft përcaktuese në zhvillimet e demokracisë rumune.  Tashmë në vitin e 27-ë ku qytetarët shqiptarë ka ende që emigrojnë, por nuk ka ende asnjë të votojë  që aty ku jeton, ndërsa lidhja e diasporës me zhvillimet në Shqipëri është  ende në embrion.

Shoqëria civile rumune është aktive dhe e organizuar gjë e cila u duk më së miri edhe në këto ditë protestash, ndërkohë që tek ne besimi tek shoqëria civile është i dobët, mosbesimi se ajo përdoret politikisht është I lartë, përdorimi joefektiv që shpesh aktorë kryesorë të saj I kanë bërë ideve, parave  dhe kohës, ka lëkundur besimin se ajo shoqëri përfaqëson aktivizmin qytetar shqiptar.

Media e parë dhe ajo sociale rumune  gjatë këtyre protestave me trasmetimet e drejtëpërdrejta I dha mbarë opinionit informim dhe ndërgjegjësim mbi zhvillimet e shoqërisë bashkëkohore që protestonte në dhjetra qytete dhe në qindra mijra njerëz duke  tejkaluar dukshëm veten,  krahasuar me protestat që I kishin dhënë fund regjimit komunist.

Edhe pse  ne 2016 vihet re nje rritje e konsiderueshme prej 42% e referimit te qytetareve per marrje informacioni te rrjetet sociale, krahasuar me  dy vite  më parë,  sërish TV ngelet mediumi primar, i informimit për qytetarët. Besimi I qyetatërve shqiptarë në media është në rënie për shkak të rritjes së influencave politike dhe ekonomike në raportimin objektiv të shkeljeve të zyrtarëve të lartë.  Zyrtarët e lartë të shtetit nuk janë objekti pasqyrimit mediatik  dhe si të tillë edhe nëse ndiqen penalisht për ndonëj shkelje, opinioni as nuk arrin të mësojë.

Ndërsa tek rumunët u zgjua vokacioni civil që I nxori në shesh, tek ne sheshet janë mbushur vetëm nga thirrjet politike.  Zëri i brendshëm i qytetarit shqiptar të shqetësuar për zhvillimet në jetën e tij dhe të vendit,  është mpakur që në gjenezë nga shtypja e dhunshme që i ka bërë mjedisi. Ai zë i ngjan  binjakut në embrion që ka pushuar së zhvilluari dhe i ka dhënë jetë të ngjashmit të tij i rritur nga prindër të shtypur nga një regjim ndrydhës, në një kontekst që manipulohet nga zhurma politike.



(Vota: 6 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora