E premte, 29.03.2024, 02:45 PM (GMT)

Kulturë

Kristaq Turtulli: Askush s’u kujtua

E diele, 12.02.2017, 02:31 PM


Askush s’u kujtua ti shkruajë dy gisht letër...

Tregim nga Kristaq Turtulli

Ja dhe viti i tretë i pritjes së letrës me dy fjalë iku. U hoq bredhi i vitit të ri. U vu në kuti kartoni për vitin tjetër. Pambuku i irnosur dhe topat plastike u mblodhën në thasë dhe u hodhën në plehrat. Pleqtë e azilit veshën si zakonisht kostumet e zbardhëlluara, të zhubravitura dhe hëngrën ngastrën e pastës me shkumë të viti të ri. U frynë bilbilave, kënduan me zëra të holluara, luajtën shah e domino, u grindën dhe dremitën rreth bredhit  të mbuluar me xhingla- mingla.

Vetëm Bari Kulla qëndroi mënjanë. S’u përzje me gazmentin plakaruq. Askush su kujtua t’i shkruajë dy gisht letër. Së paku një urim të thjeshtë. Vështroi me nostalgji dhe urrejtje këndin e sallës ku u krekos si kaposh bredhi plastik, u ronit, u hoq si me magji dhe u fshi me fshese tapeti i vjetër nga halat e holla plastike.

Me shijen e keqe të shkërmoqjes së viteve, vetmisë, mungesës së një fjale të ngrohtë. Vënies e heqjes së bredhit të vitit të ri, angështia e humbjes, tërhoqi me inat bombolën e oksigjenit me tubat plastike, si të ishin ato shkaktaret e të gjitha të këqijave. Dhe për atë Zot, si është e mundur të gjitha gjërat shkojnë aq mbrapssh. Si më parë fajësoi dimrin, motin e keq me erë e borë  dhe bredhin plastik. Shfryu dhe bëri pyetjen mundonjëse: Kush qe ai i handakosur që vendosi festimin e viti i ri në mes të dimrit, kur pritja dhe e ftohta i torturon pleqtë nëpër azile. Rruga e kartolinave zgjatën, vonohet, i qull shiu dhe i mbulon bora, prandaj s’ mund të mbërrijnë në kohë, në godinën e vjetër, në azil. Një moment ngushëlloi veten: ndoshta me shkrirjen e borës, çeljes së gjethit, ardhjes së pranverës, si zogjtë shtegtarë do vijë një letër, a një urim.

Bariu luajti kryet me trishtim dhe mërmëriti: ‘Sa matuf jam, dua të gënjehem. Pleqtë e dinë që gënjehem dhe, si çiliminj u pëlqen. Por zemra më dhemb, shpon, mundohem të kujtoj të shkuarën, të mbuluar me mjegull dhe s’guxoj ta ri sjell në mendje edhe pse është pjesë e jetës sime, ndoshta më e bukura. Për dreq pleqëria m’i ngatërron figurat. Era e ftohtë që hyn nga dritarja më akullon shpatullat...

Mendja i mbeti pezull në shtegun e përhumbur të rinisë. Kërkoi të gjente trëndafilin e këputur, por bari qe tharë, bërë trokë dhe kishte shumë pluhur. Ngado dilnin hije, skelete që zgjasnin krahët skeletorë të mbërtheheshin me të. U shmang i trembur, me mendimin e frikshëm, dhe unë do bëhem si këta, ndërkohë dëgjoi zhurmë e rrëmujë. U ngrit në majë të gishtave, në mesin e turmës pa një tulipan të njomë, delikat, që shtyhej dhe shtypej me forcë nëpër kalldrëme. U zgjat të fliste të kundërshtonte, por iu pre gjuha. Kujt ti thërriste më parë, kë të ndalte, veten, apo ata që kishin fytyrat e egërsuara, grushtet dhe rrethet e shtrënguara?! Apo të shtypej dhe ai prej turmës si tulipani i gjorë?! Mizëria e njerëzve la kalldrëmet dhe u shty drejt bulevardit kryesor. Bariu shtrëngoi fytin të nxirrte fjalët e protestës, ose të mbytej, por i plasi kolla me gulçe dhe mbeti pas si shtëllungë re...

Bariu fshiu me mëngën e pizhameve lagështirën e syve. Po qante?! Gropëzat poshtë syve i ishin bërë si pellgje. S’mund të bënte gjë kur sjellësi i letrës ia la papjekurisht gruas në dorë. Ajo lexoi emrin, u nxi, u tërbua dhe ngriti taborët militantë ta ndëshkonte pa mëshirë, ndoshta ta asgjësonte. Edhe pse letra s’ kishte asgjë komprometuese, veç një lutje e mjerë për ndihmë, mëshirë. Por hakmarrja e gruas ishte e papërballueshme.

Këmbët çapiteshin me kokëfortësi drejt ngrehinës së tapetit të përveshur bërë gungë, si ndëshkim për topitjen, mirë ish të gremisej si një deng me kashtë në dyshemenë e qelbur të azilit. Fundja rrëzimi dhe vdekja shpejt a vonë do t’i vinte kur askush s’ i shkruante dy fjalë. Dikur, në kohën e artë mërzitej prej togjeve me dërgesa, i griste, i digjte pa lexuar.

Por... nuk do ikte, dorëzohej, të vdiste, pa i ardhur letra, ku të lexonte dy fjalë... Po kush t’i a thoshte kush?! Edhe dy hapa e ndanin nga ngrehina e madhe e tapetit. Mbajti këmbët, mori frymë, por ishte e pamundur kërcimi për një plak të dobët si ai, me bombolën e oksigjenit si eshtër të poshtër. Iu duk sikur dikush për inat të tij vendosi përsëri bredhin plastik të vitit të ri. Duhej të jetë viti i katërt i mos ardhjes së kartolinës me dy fjalë dhe pleqtë me benevrekë këndojnë dhe u bien bilbilave. Mbylli sytë dhe lëshoi trupin. Por iu bë sikur dikush e mbajti butë nga krahët. Dëgjoi një zë të lënduar:

-Bari o shpirt! Bëj kujdes mos biesh.

U drodh. Të jetë engjëll, mërmëriti. Rëndoi mbi bastunin e shtrembër mos binte, por s’ mundi të lëvizte arëzën e qafës, të shihte. Mos vallë mbërriti kartolina e shumë pritur, u bë si njeri, a engjëll dhe lexon me zë të lartë?! Fundja, vetëm dy fjalë. Por ‘Shpirt!’ s’pandehte t’i thoshin. Mbajti vesh fësh- fëshin monoton të pantoflave të vjetra. Pastaj heshtje.

‘Bari Kulla, ta ka qejfi të dëgjosh të shenjtën fjalë! Eh, mor i gjorë! S’ ka buzë ta belbëzojë or jo... jo... Ka rrjedhur shumë ujë poshtë urës së vjetër. Eh Bari Kulla zvarriti si kërmill në sallonin trekëndor me prita e leqe. Tavan të palyer me gjurmë mizash e tartabiqe dhe çepkat pa turp librin e mykur të kujtimeve...’

U kapërdi me vështirësi. Tre vitet e fundit, ndoshta katër, a pesë i ndodhte shpesh të grindej dhe fliste me vete. Hodhi këmbën ngadalë, diku pak më anash, përgjoi. Tërhoqi zvarrë pantoflat vjetra dhe bombolën e oksigjenit.

Kush përmendi fjalën e shenjtë: ‘O shpirt?!’ Kur e shoqja i thoshte vetëm: ’Hë mo ti...!’

Si degë e këputur, qëndroi në mes të sallës. Lëvizi pjerrtas me plogështi drejt divanit më të afërt dhe u lëshua i dërmuar. Divani kërciti, hungëriti, mjaulliti i vrau eshtrat. Bariu rënkoi. Bombolën e oksigjenit dhe bastunin e vendosi pranë vetes. Vari krahët, sytë iu veshën me lagështirë. Qepallat e rralla iu lëshuan dhe u bashkuan me njëra tjetrën.

Kush qe ai zë i rënë prej qielli që e thirri ashtu... O sa e shenjtë ashtë ajo fjalë, oh!

Si i burgosur i përjetshëm tërhoqi bombolën e oksigjenit, me tubat e holla plastike. Është e padurueshme, poshtëri e madhe gjendja e një plaku të sëmurë dhe... vërtet e mrekullueshme të jesh i ri i shëndetshëm, i pushtetshëm. Të ndjehesh i fuqishëm si shqiponjë, të fluturosh skaj më skaj...’ ‘He, he, he, mos u anko, Bari Kulla mos, gjithsesi je një ‘Gjëzë’ e vogël, që zvarritesh si breshkë sepse kur vdes je hiç, domethënë, asgjë! Mund të jem fije bari siç e kam emrin.’

Tubat e holla plastike e pickonin si nepërka në hundë, i vinte ti shkulte, ti flakte tutje.

- Bari, o Shpirt!- dëgjoi përsëri, këtë herë më pranë. U mpi. Lëshoi trupin i këputur. U gjend në një masë të qullët. Qepallat s’mund t’i lëvizte, i qenë mbërthyer.

‘Shpirt! O Zot i madh ç’ është ky zë i pikuar nga lart që më drithëron, shkund eshtrat e rrëgjuara? Sa i etur jam, si muhaxhiri në shkretëtirë, nën diellin përvëlues! Të lutem mos e lëndo një plak, të lutem shumë!’

Një re e lehtë pupëlore u ndeh mbi qerpikët e rrallë. U gërmuq dhe lëvizi qepallat me plogështi. Iu bë sikur i iku fryma. Vegimi i vetëtimshëm i drithëroi cepat e syve dhe menjëherë pollën dimërimin...

Vegimi i shfaqur mbi qerpikë ishte ndryshe prej infermieres Lisiana. Ajo djallushe luan me pleqtë e sëmurë u hap përpara syve zambakun e gjoksit. Dreq mesogrua me katër fëmijë, i leqendis pleqtë dhe mëndtë e lodhura, u ngre në havadan. Lisiana ka vite që punon në azil, ka një burrë alkoolist, që dy herë e goditi me grusht, i mavijosi syrin. Ajo e pezmatuar u ngul gjilpërën pleqve dhe shan të shoqin me fjalë të ndyra. Pleqtë i fshihen, nuk guxojnë t’i dilin përpara, por ajo i gjen, u ngul gjilpëra në këllqe si bizë, nxjerr dufin mbi ta. Prandaj është e pamundur që ajo të shqiptojë të mrekullueshme fjalë: ’Shpirt!’

Hapi sytë përgjysmë s’ dalloi gjë, përveç një reje të përhimë të ndehur mbi të. Qerpikët iu rënduan, i zunë shumë shpejt sklepa dhe një dorë e kujdesshme nisi t’i a fshinte me lëng plot aromë.

-Lehtësohu o Shpirt, lehtësohu.

Edhe sikur të donte të lehtësohej s’ mundte. Ah, përse e rrëqeth fjala e mrekullueshme? O Zot?! Të jetë vegim mashtrues?! Ndoshta është Shpirti që thotë Shpirt?! Nisi të grindej me veten:

‘Imazhet janë të poshtra. Gjithë jetën i mbajta sytë e çelura.’

‘ I ke mbajtur sytë e çelura? I verbër i të verbuarve ke qenë o Bari Kulla.’

‘Unë kam qenë i verbër?’

‘Kaq shpejt e harrove rininë, moshën e pjekurisë, hë kaq shpejt, plak matuf?! Ishe i pëlqyeshëm, i shëndetshëm, i vetë sigurt, me partishmëri  dhëndër pushtetari, i respektuar në shoqëri. Erërat të fërshëllyen anës veshit, por s’ të prekën. Dije të përshtateshe.’

‘ Të përshtateshe? Ku e ke gruan? Kur u plake, u sëmure, të plasi në këtë spital të qelbur dhe iku me të bijat mijëra kilometra larg.’ ‘ Ajo kurrë s’ të ka dashur, prandaj s’ pyet dhe shkruan një fjalë. Sa vlere ka përshtatja, kur s’ munde t’i shijoje me vakt e me kohë vegimet e mjegullta...’

‘Mos flasin për vegimet e mjegullta. Më lini të përpij kujtimet që lëvizin si xixëllonja të hutuara, në kryqëzime rrugësh, në prag buzë mbrëmjes me mjegull. Pelerina e ëndrrës u bë si mësalla e irnosur e plakës së moçme Rakibe, që vdiq para një jave. Përpara se t’i dilte shpirti kërkoi një mësallë të re, por askush s’ ja dha. Le të qëndrojnë ëndrrat të ndehura në horizonte të hirta. Dreqi me brirë të hedhë valle me një këmbë, është koha e djajve, të marrëve, sakatëve dhe prostitutave.’

‘Mbaj gojën Bari Kulla.’

‘ Të mbaj gojën, hë kështu do. Hapmë rrugën, më lërë ta ndjej erëmirën...  Ç’ është kjo erë, aromë parfumi, jete..! Ç’ është?’

- Jam Afërdita,- dëgjoi.

- Afër-dita! - mërmëriti i lodhur. Nga u gjend kjo Afër-ditë, që mund të jetë, afër-natë! Nuk e di moj Afër-dita se vitet u bënë çarçafë të ronitur prej shirave dhe rrebesheve. Të them më kujtohesh.., ç’ rëndësi ka... Nuk duhet të lektisem prej vegimeve  të ronitura...’

-Më ke harruar?

-S’ mund të harroj moj Afër-ditë bukurinë turbulluese dhe zjarrin përvëlues... Përse erdhe tani s’ka vlerë, dikur u realizua ikja, zhdukja. S’ të kërkoi kush të vije Afërditë. Ikë, s’e sheh, jam çerek burrë. Shko ku ishe, mbështjellë me mjegullën e dendur, të ikjes, harresës. Shko.

-Qetësohu o zemër, çlodhu.

-S’ dua të qetësohem, as të çlodhem. Nuk mundem Afërditë t’i kthej vitet çapkëne të rinisë, ato u mbuluan me mjegullën e dendur të largësisë dhe çmendurisë së kohës.

-Hapi sytë.

- Jo nuk i hap. Përse duhet t’i hap sytë?!- ia bëri me kokëfortësi.

-Trembesh të më shohësh sa jam ‘zbukuruar?- foli Afërdita zë holluar.

-Zbukuruar, hëm, shkoi me kohë vapa me gushtin,’ ia bëri me vete më pas shtoi:

-Mos luaj me vegimet Afërditë. Të dy jemi mplakur, veç me një ndryshim, unë jam i lidhur pas një bombole me oksigjen dhe tubo plastike,-mërmëriti, ndërsa me vete shtoi, zvarritem si një kërmill Afërditë. Nuk e di në je vërtet Afër-ditë, ose afër natë, por s’ mund të jesh pranë ditës. Shyqyr që jam ende ‘Gjë...ëz..,’ ultas vazhdoi:- Më vjen mirë që je ‘zbukuruar...’

-Mund të gënjej...

-Punë e mirë është të gënjesh. Na gënjyen vite më parë, Afërditë. Të prita poshtë blirit nën shiun e çmendur. Vesha kostumin gri të babës. Në xhepin e vogël të xhaketës vendosa një trëndafil të bardhë ta dhuroja ty Afërditë. Prita gjatë dhe ika i qullur, i plevitosur deri në palcë. Ndërsa ti, Afërditë...

- Ka shumë akull Bari Kulla, le ta shkrijmë!

-Gjene mirë e ditke që paska akuj. Me vete shtoi: Ah moj Afërditë unë s’ kam zjarr dhe vlagë të shkrij akujt, jam ‘ëz...’ Nuk kemi çfarë të themi. U këputëm qysh në sythe.

Nga e mori vesh Afërdita që u kuturis në shtëpinë e harruar të pleqve. Kërkon të më gllabërojë me kënaqësi makutërie dhe ditët e mbetura, të varura në kornizën e ftohtë të muzgut të fundjetës sime...

-Bari. Të kujtohet kur flisje për sytë e mi të gjelbra. Por të afrohesh pranë bëhen të kaltra, të thella, sa dhe thellësitë e oqeaneve  janë hiç gjë.

-Në sytë e tu Afërditë digjeshin meteorë.

- Buzët i ke të mrekullueshme, më të bukura e të shijshmet në botë,- më thoshe.

-Magjike Afërditë, në to ishte shija dhe aroma e nektarit të luleve.

- Lëkurën e ke të brishtë, elektrike, të papërsëritshme,- më thoshe.

- Sa herë të prekja drithërohesha, elektrizohesha, mallëngjehesha, humbisja...

-Flokët i ke rreze diellore mëngjesore, reflektohen në pasqyrë dhe në zemrën time,- më thoshe.

- Unë luaja me to, mrekullohesha dhe çdo mëngjes kur hapja sytë gjeja rreth meje qindra ylbere. Por ti ike Afërditë, s’ më prite dhe rrezet diellore u thyen si qelqe, - foli Bari Kulla zë ngjirur dhe shtrëngoi protezat e liruara të dhëmbëve.

-Më humbën, më morën, më degdisën.

-Kush të humbi Afërsitë, kush të mori?!- klithi si shpendi lënduar:-Përse s’ më lajmërove? Unë ku isha?!

- Mos bëj sikur s’e di gjë Bari. Qyteti ynë ishte i vogël sa një lëvozhgë are... Babanë e futën në burg, ne na internuan larg ku hante pula gur. Të dërgova letër Bari, të erdha, doja të takoja, të më ndihmoje, kisha hall, vëllain e sëmurë me kancer. Nuk na linin të largoheshim nga internimi, të çonim vëllain në spital. Kush më shumë se ty do më gjendej pranë. Ne ishim aq të lidhur, duheshim aq shumë. Por qyteti më vuri përpara me grushte dhe shkelma. I printe jot shoqe, në duar mbante letrën time dhe ulërinte: ‘Shikoni çfarë bën  armiku i klasës, do të shkatërrojë një familje të ndershme. Nuk e si s’ e çfarë ndodhi më tej. Unë humba Bari dhe vëllai im i vogël mbylli sytë larg në internim.

Ai u kapërdi dhe rikujtoi kohën e shkuar, iu duk e largët, si e tjetërkujt, jo e tija. E pa Afërditën, si afër çmendjes por s’ kishte ç’ bënte...

-Ishe i preokupuar me veten. Të përfshiu rastësia. Ishe qendra e vëmendjes, i përkëdheluri i fatit, suksesi i karrierës. Pafajësia dhe mirësia, bëhen skëterrë në xhepin e djallit Bari.

Bariut iu bë gjuha helm. Dasma, rrëmuja, vallëzimi me nusen, dyshemeja e qullur prej verës dhe rakisë. Zgërdhija e vjehrrit, dehja, zhurma, lajkat, puthjet ngjitëse, të gjitha ishin në qerthullin e lodhshëm të së djeshmes dhe sa herë e ri sillte në mendje ndjente marramendje.

-Ishte dasma jote dhe jeta jote Bari, s’ qe e imja. Doja të ishte dasma dhe jeta jonë, por na ndanë me tela me gjemba dhe shumë hendeqe, përrenj e lumenj. U prenë karafilat Bari. U shkelën borzilokët, perdet e punuara me grep u ronitën. Trëndafili që mbollëm bashkë u gjakos. Por s’ e vije re. Të gjetën një vajzë, bijë pushteti, të martuan, pesëqind krushq u ftuan, u bë dasmë të bujshme. Ke pasur ankthe Bari?

- Nuk mbaj mend Afërditë? - mërmëriti. Donte t’i thoshte se gjithë jeta qe një ankth, por në pleqëri është tmerr.

-S’pyete për mua, për dashurinë e sinqertë,- dëgjoi që i tha Afërdita:-Unë për vete s’ kisha për te ardhur, por u detyrova për vëllain, vetëm një ndihmë kërkoja, një fjalë jete, për një shpëtim jete, në qoftë se të kish mbetur një grimcë nga dashuria e parë...

‘Ndoshta brejtje të ndërgjegjes,’ pëshpëriti Bariu me vete, ‘e shkuara rrodhi teposhtë, në humnerë, s’ kthehet më’. Dhe dy herë të tjera Bari Kulla u  mat t’ i thoshte. Ikë Afërditë, mos më mundo. Mos gërmo në shtigjet e përmbytura prej rrëkeve, ku s’ lejohet. Kam qenë i dobët e pranoj. Nuk mundi.

-Afërditë, mos më torturo. Pleqëria është ankth i madh. Shurdhëria është e tmerrshme Afërditë, e di këtë ti?

I mbahej fryma, hije të mëdha, të errëta përdridheshin, korkolepseshin keqas me të. Symbyllur dhe duardridhur kërkoi kopsat e këmishës, nuk mundi t’i zbërthente, i këputi.

- Bari, unë të shihja, të ndiqja nga larg. Qaja dhe qeshja. Përfytyroja, atje ku shkelje, prekje, dëshiroja ta prekja, ta shkelja, ta puthja ta ledhatoja. Zemra është misterioze. Më beson Bari, doja të ishe ledhatimi dhe frymëmarrje ime. Nuk më ndjeje Bari, s’ kish sesi, s’ ma kishe nevojën.

-Përse erdhe kur unë isha kaq i keq?!

-Zemra ajo më pruri, që kumbon vetëm njëherë, në dashurinë e parë. Nuk dua të biesh si lëmsh leshi në atë tapet të qelbur. E dëgjova thirrjen e fshehtë dhe erdha të ndjejmë atë që s’mundëm, të themi atë që s’e thamë.

Kokërdhokët e syve të Bari Kullës lëvizën poshtë qepallave me nervozizëm dhe padurim.

-Oh! Po kjo kush është moj Afërditë?

-Puthja o Shpirt, puthja!

-Buzët i kam të thara Afërditë, s’ka jetë në to...

-Do ti njom me zjarrminë e viteve dhe me afshin e pa shterur të ëndrrave të humbura.

I etur priti. Ajo gjithnjë kishte qenë mrekulli në puthje. Ajri lëvizi dhe Afërdita i ngjiti buzët e plota, të kuqe, gjithë musht, lëng dhe jetë pas buzëve të fishkura të tij. Në fillim lehtë, butë, me kujdes, si fllad pranvere, si të trembej se mos e lëndonte. Njomja vazhdoi horizontalisht dhe vertikalisht, si ujë i freskët burimi që zbut dhe depërton thellë në brigjet e thara e të zhuritura, pastaj vetëtimthi gjithë vrull dhe zjarr ia mbërtheu buzët fort, i fali nektar. Plaku u tendos dhe zemra  i rrahu me furi.

-I ëmbli im,- i pëshpëriti Afërdita me mirëdashje dhe i përkëdheli hundën çomage: - Shpirti të thotë shpirt, ndaj vjen dhe të merr me vete...

Bari Kulla iu bë shumë qejfi. U shkri i tëri. Puthitja e buzëve dhe puthja ishte shumë e gjatë dhe habitej, s’ po i mbahej fryma, por shkiste butë, ngadalë, në një dyshek të sfungjerte, ndoshta mes reve të bardha pupëlore, po ngjitej lart. Afërdita e kishte mbërthyer përkrahësh, qenë bërë një trup dhe të dy po iknin tutje të mbështjellë me shallet e ylbereve...

-Bari Kulla,- i foli Lisiana, infermierja dhe e shkundi nga supet por ai s’ i ktheu përgjigje. Tubat plastike ishin shkulur prej hunde dhe bombola qe flakur përdhe. Ia mbylli sytë dhe shtoi:- I gjori plak iku pa lexuar dy gisht letër...



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora