E enjte, 28.03.2024, 01:48 PM (GMT)

Kulturë » Kozeta

Kozeta Zylo: Musine Kokalari - Zëri i Lirisë

E diele, 12.02.2017, 04:47 PM


MUSINE KOKALARI “Zëri i Lirisë”

(Në 100-Vjetorin e Lindjes)

Unë jam nxënëse e Sami Frashërit. Me mua ju doni të dënoni Rilindjen”.

(Nga qëndresa e saj titanike ne gjyqin komunist)

Nga Keze Kozeta Zylo

Titulli “Zëri I Lirisë” do të quhej gazeta e botuar nën kujdesin e shkrimtares së parë grua shqiptare Musine Kokalari.  Musine Kokalari kjo dallandyshe e Lirisë, një grua e bukur dhe plot finesë që sfidonte vdekjen e zezë me diellin e shpirtit dhe të penës së saj vjen duke braktisur dimrin e egër komunist në 100 vjetorin e lindjes, më 10 shkurt, 1917-të.

Vajza e bukur gjirokastrite edhe në momentet e fundit të jetes së saj e la në dorëshkrim aktin kriminal dhe barbar që kishte kryer sistemi përkundrejt trupit te saj dhe mospajtimit me idealet e kuqe komuniste dhe ja si shkruan ndër të tjera autorja: “Komunistët më varrosën për së gjalli... nuk iu kërkova falje në gjyq për aktivitetin tim.  Dhe pse do të kërkoja falje?…. Unë s’jam fajtore…”

Brezi im i rritur nën diktaturë nuk i lexoi kurrë veprat e saj letrare, ato fshiheshin dhe digjeshin si në turrën e druve nga inkuizioni.  Një ditë të bukur vere u ndodha përballë stendës të të persekutuarve politikë në Muzeumin e Kalasë së Gjirokastrës dhe pikërisht përballë Musine Kokalarit…

Shtanga drithshëm para portretit të saj, ca mjegulla m’u dukën se më zunë si perde e trashë dhe s’më linin të lexoja të pathënat e fshehura të një martireje për të cilën aq shumë nevojë kishte populli im i droguar nga ideologjia enveriste.  Ajo qëndronte e bukur, e heshtur, femërore, madhështore para nesh.  Vështrimi i saj i butë dhe i plotë zgjonte dhe tundte kalanë hijerendë të Gjirokastrës.

Ja i tregova Valbones bijës sime e edukuar në Amerikë kjo është shkrimtarja e parë shqiptare, gruaja që u burgos, internua dhe u varros me duar të lidhura nga sistemi diktatorial.  Dua që historinë e saj tragjike t’jua mësosh dhe bijave të tua, është kultura dhe historia e një kombi me të vërtetat e hidhura dhe të ëmbla të tij.  Pasi e lexuam të dyja në heshtje çfarë ishte shkruar aty iu drejtova bijës sime me këto fjalë:  “Tmerr i thashe ç’eshte bërë në Kombin tonë.  Janë ekzekutuar pa gjyqe, pa dhimbje njerëzore mijëra veta.  Kjo vajzë kaq inteligjente e cila mbaroi studimet në Romë vjen dhe vritet barbarisht nga kriminelët sepse donte Lirinë, demokracinë, Atdheun…  A e mendon një ditë bija ime se ja psh: “ sikur të kthehesh në Tiranë tani që ke mbaruar studimet në Amerikë dhe atje të dënohesh me burg, pushkatim, internim!...  Prandaj ketë histori të dhimbshme dhe të shumë të tjerëve shqiptarët kudo që janë duhet ta mësojne që ajo të mos përsëritet prapë, por jo vetëm kaq, shqiptarët e integruar plot kulturë në botë duhet të mbajnë qëndrim dhe t’i dënojnë krimet barbare… vetëm ky brez mund të sjellë ndryshime cilësore, kulturore dhe të domosdoshme për Kombin…

Aktet djallezore dhe të zeza të sigurimit mbuluan gjithë familjen Kokalari ku dy vëllezërit e Musinesë,  Muntazi dhe Vesini, së bashku me kushëririn e tyre, Surja Kokalarin, u arrestuan dhe u pushkatuan pa gjyq në bodrumet e hotelit “Bristol”. Ata ishin njëkohësisht dhe fqinj të Enverit si Salim Kokalari, Izvi Kokalari, Isa Kokalari, Vera Kokalari, Emin Kokalari, ndërsa Munir Kokalarin, e detyruan të vrasë veten.  Saga e vuajtjeve te familjes Kokalari është e jashtëzakonshme do të duhen libra të tërë për të shkruar jetën e tyre nën kafshimet helmuese dhe vdekjeprurëse të sistemit.

Gjithe jeta e saj eshte një dramë si e shkruar në librat e Shekspirit, por me personazh grua dhe jete shqiptare.  Nga kupat e helmit që kishte pirë doemos do t’i shkaktonin dhe strese dhe sëmundje fizike.  Asaj papritur i shpiket dhe kanceri kjo lloj sëmundje qe ha njerëzit pakuptuar.  Pashpirtësia, urrejtja e pashoqe karshi saj dhe klasës së persekutuar do të shfaqeshin si gogol dhe do ta mundonin gjer në frymën e fundit të jetës.  Dhe ja si e përshkruan fatin e saj në fund të jetës:  "Ç´fat tragjik!  Më doli edhe sëmundja kundër. Të paktën të kisha pak qetësi në vitet e fundit të jetës sime".

Në universitetin e studimeve në Romë në fakultetin e arteve të bukura për vitin akademik

1940-1941 ajo e mbrojti diplomën me tezën rreth letërsisë shqipe “Naim Frashëri” 1846-1900.

Atdhedashuria e saj e zjarrtë djeg si llavë në studimin dinjitoz të veprës së Naimit.

Ajo shkruan se: “ “Naimi donte të edukonte rininë, sepse atje shpresonte.  Për të shkruajtën natë e ditë sepse donte të mbillte me duart e tij zellin e mësimit, sepse vetëm në këtë mënyrë kish të drejtë të kërkonte punë dhe sacrificë prej tyre.  Filizat e reja duheshin ushqyer mirë që të kuptonin idenë e dashurisë për Atdhe, vëllazërinë, edhe më në fund Lirinë.  Mblidhte që të korrte…se ashtu mendonte”.

Kjo grua e hekurt shqiptare nuk u mposht, dhimbja e saj është dëshmi, sprovë, qëndrimi i saj çliron energji diellore, ripërtëritëse dhe njëkohësisht kuron njerëzit që vuajtën nga sistemet totalitare.

Musine Kokalarin dhe të vdekur e lidhen me tela dhe ashtu e çuan ne varr do të shkruajënë ditarin e tij Hektor Kokalari, nipi i tij marrë nga vëllimi i parë përgatitur nga shkrimtari Novruz Xh.Shehu.  Po sjellë në vëmendjen e lexuesve fragmentin nga ky vëllim sipas dëshmisë së tij në ditarin në vitin 1991:

“Bashkë me djalin u nisëm në Rrëshen. U paraqitëm në Komunale, të cilët na dhanë lejen e zhvarrimit. Hapëm varrin, ishin eshtrat e saj. E kuptova nga pelerina që vishte gjatë jetës. Kjo pelerinë ishte nga ato të ndihmave të UNRAS, që për çudinë time, nuk ishte konsumuar!

Djalin e dërgova të merrte arkivolin. Unë mora të nxirrja eshtrat e saj, duke i pastruar nga balta. Befas nxora kocka të lidhura me një tel hekuri i ndryshkur, 5-6 mm i trashë dhe shumë i sertë. U mundova ta çlidhja, por nuk arrita. Ishte ftohtë. I mora ashtu siç ishin dhe i futa në arkivol. U nisëm. Gjatë rrugës, në dalje të qytetit, po fillonte mitingu i PD-s. Në qarkullim ishin organet e Sigurimit me në krye vet shefin e Degës.

Arritëm në Tiranë në mbrëmje vonë. Vazhduam rrugën për në Shesh- Tufinë. Vendi ishte i ndriçuar me qirinjtë. Koinçidoi Nata e Kadrit. Natën, e lashë me varret e familjes. Të nesërmen në të gdhirë, vajtëm dhe e varrosëm bashkë në varr me nënën dhe babanë e saj, ngjitur”…

Kjo grua martire e Lirisë të kujton Kierkegaard ku shkruhet:

"Tirani vdes dhe sundimi i tij mbaron, martiri vdes dhe sundimi i tij fillon."

Shpresoj shumë që Musineja me veprat e saj, shkrimet, kulturën, qëndresën të bëhet sunduese në ndërgjegjen e njerëzve dhe t’i frymëzojë për pëparimin e jetës se shkrimtarët dhe martirët e Lirisë dritësojnë çdo errësirë të kobshme...  Librat e saj, dorëshkrimet e shumta janë shenjëza drite ku duhet të kalojë rinia dhe brezat, janë shenjëza që s’mund t’ja grabiti më askush sepse Musineja është Zëri I Lirisë…

9 shkurt, 2016

Staten Island, New York



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora