E enjte, 25.04.2024, 04:58 PM (GMT+1)

Mendime

Kadare: Pëlqej feminilitetin, jo femrat aktiviste

E merkure, 27.08.2008, 05:34 PM


Ismail Kadare
Nga Mimoza Cika - Kelmendi

Pas një serie të intervistave politike, shkrimtari Ismail Kadare ka biseduar me Mimoza Cika-Kelmendi, gazetare e DW Bon, për temat që bëjnë pjesë në interesimet dhe vokacionin e tij primar. Shkrimtari iu është përgjigjur pyetjeve se ç’është letërsia, a është shkrimtari tiran për familjen e tij, çfarë roli duhet të ketë populli dhe lexuesi në krijimtari, cila është lidhja mes dashurisë dhe letërsisë, a e ka neglizhuar Kadareja në romanet e tij femrën, a ka frikë dhe çfarë kuptimi ka për Kadarenë vdekja.

Zoti Kadare, më ka bërë përshtypje krahasimi i bashkëshortes suaj, zonjës Elena, në një media shqiptare, se ju dukeshit shpesh nga puna që bëni, si tiranik. Pra, sipas saj të jesh bashkëshorte e një shkrimtari nuk është e lehtë. Jeni vërtet i tillë, pra i vështirë si tip, si natyrë dhe nëse po, pse?

Nuk e di, nëse gruaja ime thotë ashtu, atëherë ashtu jam. Për shkrimtarët, për artistët, për shkencëtarët, thuhet zakonisht ashtu sikurse thotë ime shoqe. Puna e vetmuar të jep përshtypjen, ndjesinë që i jep një kolorit të tillë jetës së shkrimtarit: Një njeri që nuk ka nevojë të konsultohet, të marrë këshilla. Krijimtaria është puna më e vetmuar në botë , krijimtaria letrare është e tillë. Shkrimtari nuk këshillohet me askënd dhe nuk ka nevojë. Më parë ishte të mësojmë nga populli. Të shkojë shkrimtari të pyesë në popull, të mbledhë ca punëtorë dhe të flasë me ata, që të bënte subjektin e një romani. Kështu ka qenë dikur. Të marrë disa mendime nga punëtorët. Dhe unë e kam thënë edhe më parë, pika shkrimtarit që katandiset të mësojë nga populli. Tek ne ka po ashtu, edhe një abuzim me fjalën popull. Populli është ai që është, e dimë dhe e nderojmë të gjithë. Por harrojmë që nga populli dalin gjithë të mirat dhe nga populli dalin edhe të këqijat. Dhe ne kujtojmë se populli pjell vetëm të mirat, por të këqijat janë pjesë e tij po ashtu, nga dalin ato, nga qielli. Populli ka jetën e vet që lidhet me jetën tonë. Populli nuk ka punë me letërsinë, të japë ndihma për letërsinë. Populli mund të japë mendime nëse i pëlqen ose jo. Është lexues, nuk ka të drejtë të ndërhyjë në punët profesionale të shkrimtarit, të muzikantit, piktorit. Nuk ka të drejtë askush. Unë jam shkrimtar dhe nuk mund të ndërhyj tek muzikanti, sepse ai është sferë tjetër. Po ashtu muzikanti nuk ka të drejtë të ndërhyjë tek shkrimtari, apo ky i fundit tek piktori.

Por sa egoist është shkrimtari që për hir të krijimtarisë mbetet shumë larg familjes? Dhe harrove të na sqarosh nëse je tiranik apo jo?

Shkrimtari shpesh mund t’i tregojë bashkëshortes, ose të konsultohet për veprën e vet për kënaqësinë e tij, sikurse çdo njeri ka nevojë t’i tregojë për krijimtarinë e vet. Dhe ajo ka fatin ndonjëherë të dëgjojë e para çfarë thuhet në vepër. Por po ashtu asaj dhe shumë të tjerëve mund t’i krijohet ideja që vetë vetmia e punës krijon idenë e tiranisë. Por çfarë janë tiranët? Tiranët janë karikaturë e një krijuesi artistik si të thuash, qoftë në muzikë, qoftë në letërsi apo në filozofi. Ai quhet tiran, ngjan me këta, por është karikaturë e tyre, në vetminë e tij që ai sundon si tiran, sundon i vetmuar. Ndërsa shkrimtari e ka të natyrshme të punojë i vetmuar. Kështu e do profesioni i tij. Puna letrare është krijuese dhe çdo krijimtari letrare është e vetmuar, është tërësisht individuale. Puna e një drejtuesi shteti është e kundërta. Është institucionale, nuk ka asnjë të drejtë, është e zgjedhur me votë. Prandaj ai kur fillon e shkel, do të bëjë si shkrimtari, si muzikanti dhe ai bëhet një tiran. Në fakt tirani i vërtetë është ky, krijuesi, pra një tiran si të thuash pozitiv. Kurse ai tjetri imiton, bëhet një karikaturë, shkel ligjet gjersa përfundon që t’ia zvarrisin statujën në rrugë. Dhe e kam thënë edhe diku që t’i zvarritet statuja ndonjë shkrimtari nuk është dëgjuar kurrë apo t’i përmbyset statuja një shkrimtari në botë? Unë s’kam dëgjuar kurrë. Kurse tiranët i heqin zvarrë sot.

Në librin dialog me Alen Bosken, ju e quani dashurinë një shemër të rrezikshme të krijimit. Sigurisht ju flisni në raportin mes krijimtarisë dhe dashurisë. Shpesh herë shkrimtarit i duhet të prishë shumë gjëra të shtrenjta për hir të artit, sipas jush. Pra të shkatërrojë edhe një histori dashurie. Ka ndodhur vërtet kjo zoti Kadare?

Kjo është keqkuptuar, mendoj unë. Unë kam thënë një gjë: Në mënyrë intime jam pyetur cilat janë fazat që shkrimtari është më i suksesshëm në të shkruar dhe faza kur ai është më i papërshtatshëm. Dhe kam thënë një gjë që mund të jetë personale. Shkrimtari nuk duhet të shkruajë, qoftë kur është fatkeq, qoftë kur është tepër i lumtur. Pse të dyja të bëjnë mendjelehtë. Duhet të kalojë ajo fazë. Kam bërë humor dhe kam thënë që kur bie në dashuri ti mund të shkruash dhe të kujtosh se po bën gjëra të thella, por ti bën gjëra mendjelehta. Shkrimtari duhet të ketë një klimë, ku pasioni të ketë kaluar, ta kujtoj atë dhe kjo është shumë e dobishme, por assesi kur është në atë fazë kur flasim për dashurinë, për vrullin e parë. Si të thuash, njeriu bëhet mendjelehtë, ndoshta disave ju duket sikur bëhen shumë të mençur. Unë vetë kam bërë njëherë një rrëfim tepër intim për këtë gjë dhe jam i bindur se kështu është. Por nuk jam për atë që të shkatërroj një dashuri, kurrsesi. Letërsia do të kishte lindur e gjitha mbi krimin. Nuk është e vërtetë fare, fare.

Megjithatë në veprat tuaj sikur mungon dashuria e zjarrtë, ajo erotike. Pra, ka më pak intimitet, ka më pak ndjenjë dhe më tepër brishtësi: Thjesht mungojnë femrat. Ka të bëjë kjo me temat që zgjidhni, apo me tipin tuaj, pra i keni ndjenjat më të kursyera?

Jo, kjo s’ka lidhje fare me natyrën time, apo me tipin dhe ndjenjat e mia. Letërsia prandaj është paradoksale. Njerëz që kanë pasur arsye të trishtueshme, sepse iu ka munguar dashuria, shkruajnë shumë për dashurinë. Por qëllon edhe e kundërta. Nuk ka ligje për këtë gjë. Zakonisht kjo s’tregon asgjë. Që nuk e përmend shpesh dashurinë, kjo nuk do të thotë gjë. Përkundrazi, që mund ta përmendësh vetëm atë, kjo do të thotë se ka munguar. Edhe kjo s’mund të jetë qind për qind e vërtetë. Por qëllon që është kështu. Prandaj nuk matet kurrë. Diçka që mungon ose që është e tepërt në vepër, nga ajo çka është në të vërtetë në jetë. Më kritikoni se mungon elementi femër në veprat e mia. Kjo nuk është e vërtetë. Kam personazhe femra shumë. Kam rreth 150 në letërsi. Kam shumë më duket. Mënyra e të shkruarit tim është e tillë që unë jam i prirur nga tablo shpesh të ashpra, epike, që vetvetiu gratë janë më të pakta. Unë nuk kam pasur një mizogjeni, që të kem bezdi ndaj grave, kjo s’është e vërtetë.

Meqë jemi tek femrat, zoti Kadare, a besoni ju në dashurinë e madhe apo në një dashuri të përhershme?

Unë mendoj që po. Gjithmonë ekziston, pavarësisht se njerëzit për t’u hequr modernë thonë që ne tani dashurojmë ndryshe. Ato janë për mua vetëm poza që marrin njerëzit. Të vuash nga dashuria, ta përjetosh në mënyrë dramatike tregon që je njeri superior. Por për fat të keq sot, gjoja “njerëzit e fortë” janë ata që s’preken nga dashuria. Të mburresh që nuk më prek dashuria, do të thotë të mburresh që je njeri i varfër. Do të thotë që s’ke njohur njeri të përshtatshëm, ke njohur burra kot, ke njohur gra kot. Që të dyja palët janë të paaftë që të provojnë këtë ndjenjë. Dashuria është e nevojshme, absolutisht në çdo kohë dhe është e pranishme në çdo kohë. Dashuria është kudo, nuk zhduket nga jeta njerëzore, pavarësisht nga modifikimet që mund të duket sikur ajo ka pësuar. Dashuria në fakt mbetet ashtu siç ka qenë.

Ju çfarë vlerësoni tek një femër dhe çfarë ju duket interesant tek ajo,zoti Kadare?

Mua më pëlqen feminiliteti, atë e vlerësoj shumë. Tani është ngatërruar shumë shija për femrën. Disa i duan femrat me personalitet të fortë ose femra aktiviste. Femra mund t’i ketë të gjitha këto sikurse edhe burri, e zonja, e talentuar, aktiviste, etj., por në radhë të parë natyra e ka bërë që femra të mbetet femër në të gjitha kushtet e tjera. Ajo mund të jetë femër, mund të drejtojë një shtet dhe të jetë përsëri femër, thjesht të jetë e dashuruar dhe përsëri të mbetet po femër. Nuk është ndonjë kusht meqë ajo loz një rol në jetë, ose meqë ne e çmojmë shumë më tepër, prandaj duhet të fillojë të ndryshojë natyrën e saj dhe të bëhet pakëz mashkull. Ky është një budallallëk. Ajo mund të jetë pranë të gjitha niveleve të jetës në të gjitha vlerësimet e jetës, por ajo duhet të mbetet femër përsëri. Dhe po humbi feminilitetin më duket se nuk i vlejnë shumë ato tjerat që ka fituar. Është mëkat i madh, që ajo ta këmbejë atë me diçka tjetër. Është gjynah, siç thotë populli.

A urreni zoti Kadare?

Nuk e di. Çfarë quhet urrejtje në këtë rast? Si çdo njeri, unë mund të zemërohem, mund të kem gjëra që nuk i fal. Ka gjëra që i fal, por ka disa gjëra që nuk falen në jetë. Kjo nuk është urrejtje. Kjo është tjetër gjë. Kur kapërcehen disa limite në jetën njerëzore, pra kur kapërcehen disa kufij, nuk jam një i krishterë i mirë.

Ju jeni penduar për diçka në jetë?

Jeta ka plot raste pendimi. Pra, një gjë e tillë është e pranishme në jetën njerëzore, është normale. Nuk ka njeri në botë që nuk është penduar, që t’i rikthehet një gjëje që dikur nuk e ka bërë mirë. Por unë mendoj se nuk ia vlen të merresh me një gjë të tillë. Kështu është jeta njerëzore. Të thuash që s’jam penduar për asgjë do të thotë që ti s’ke jetuar. Të thuash që je penduar duhet vërtet që të jesh penduar për diçka. Unë kam kryer gjënë themelore në jetën time. Kam mbetur shkrimtar, kur atëherë ishte shumë vështirë të ishe shkrimtar, në periudhën më të zezë për letërsinë dhe kështu që tek mua s’ka vend fjala pendim për asgjë. Unë kam kryer gjënë themelore që kam dashur në jetën time, e kam realizuar atë.

Zoti Kadare, a keni menduar ndonjëherë për vdekjen, ai i trembeni asaj?

Jo dhe aq..., jo. Një krijues, zakonisht normal, është të mos i trembet vdekjes, sepse vepra e mëson të mësohet me vdekjen. Vetë krijimi e mëson që të mësohet me atë. Ai shkruan për kohën që është gjallë do ose s’do. Ai shkruan edhe për kohën që nuk do të jetë. Do ose s’do. Vetë mjeshtëria e letërsisë është e tillë. Letërsia e mirë jeton, jeton gjatë. Po të jetë shkrimtari i mirë do të vazhdojë disa dhjetëra vjet më vonë. Po të jetë shkrimtar shumë i mirë do të vazhdojë akoma më tepër. Dhe po të jetë i jashtëzakonshëm mund të vazhdojë edhe me shekuj. Në ndërgjegjen e çdo shkrimtari kjo është e depozituar. Ekziston në mënyrë instiktive, siç janë të gjitha ndjesitë e tjera, prandaj ai mësohet me këtë gjë, që ai do të jetë i pranishëm në disa kohë. Pra ç’janë këto kohë? Është vdekja.

Gusht 2008-Paris
DW-Bon



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora