E merkure, 24.04.2024, 08:07 PM (GMT+1)

Kulturë

Paul Tedeschini: Doemosdoshmënia e çfuqizimit të ligjit komunist të “Drejtshkrimit”!

E merkure, 27.08.2008, 06:18 PM


Paul Tedeschini
Doemosdoshmënia e çfuqizimit të ligjit komunist të “Drejtshkrimit”!

Nga Paul Tedeschini

Kam lexue intervisten e Kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Rexhep Ismajli, dhanë në Tiranë gazetës SHEKULLI, me datën 25.05.2006, në lidhje me hapat e parë që ka ndërmarrë Këshilli Ndërakademik për Gjuhën Shqipe rreth rishikimit të Kongresit të Drejtshkrimit të vitit 1972 në Tiranë, tue u mbledh alternativisht në Tiranë e në Prishtinë. Në pamjen e parë ky hap duket pozitiv. POR!

Para së gjithash a asht e drejtë, që prep sot të jetë në fuqi ligji i Republikës ish Socialiste të Shqipërisë i vitit 1972 mbi “Drejtshkrimin”, i mbështetun në këte Kongres famkeq, me të cilin u përjashtue populli gegë dhe iu imponue atij si gjuhë zyrtare - tosknishtja?

Të gjitha muret, që ndajshin popujt europian patën rà, përveç murit që mban prep sot të ndamë  popullin e Gegnisë perendimore (Shqipni e veriut) me popullin e Gegnisë lindore (Kosovë).

Gegnia Perendimore: Duhet thanë troç se gjatë komunizmit, Gegnia Perendimore u përjashtue në Shqipni nga pjesëmarrja në të gjitha forumet qëndrore drejtuese të Pushtetit Ekzekutiv, të Instituteve kërkimore-shkencore si dhe të Akademisë së Shkencave të Shqipnisë, sepse Pushtetin e kishin krejtësisht në duer komunistët shqiptarë-jugorë. Ata e kanë përdor Pushtetin gjithmonë në favor të shqiptarve të jugut dhe në dam të shqiptarve të veriut.

Ndokush prej tyne përsërit prep edhe sot ate formulen hipokrite të neveritshme:

“Kjo është përçarje krahinore!!!”.

Jo! Dihet publikisht se përçarja diskriminuese krahinore e popullsisë në Shqipni në ate kohe, ka kenë De facto në të gjitha fushat, dhe me ligjin e vitit 1972  mbi Drejteshkrimin asht kenë ba De jure në fushën e gjuhsisë, tue neglizhue komplet zanin e intelektualve veriorë, tue i ndalue me ligje popullsise së Shqipnisë së veriut të shkruejnë shqip si pat shkrue gjithmonë, qysh qinda vjet përpara në dokumentat ma të vjetra të gjuhës shqipe dhe me pretekste të ndryshme tue i ndalue popullsisë veriore veprat letrare të figurave të saj të shqueme.

Gegnia Lindore: Mjerisht, këte fat të keq e psuen në ate kohe edhe popullsia veriore përtej murit, kosovarët. E shtypën popullin kosovar, e masakruen, e diskriminuen deri në rrezik shuemje kombi komunistët serbë, homologët e komunistëve të Shqipnisë jugore. Për shkak të vështirsive për shkollimin shqip të fëmijve të vet dhe para rrezikut të madh të sllavizimit të tyne, kosovarët zgjodhën të keqen ma të vogël dhe kështu u detyruen të pranojshin kushtin e qeverisë së atëhershme komuniste shqiptaro-jugore, të imponimit të dialektit shqip-jugor.

Sot mbas 15 vjet rrëzimi të diktaturave komuniste, si dhe mbas çfuqizimit të shumicës së ligjeve të ish diktaturës në Shqipni, edhe ligji diskriminues antikonstitucional i vitit 1972 mbi të ashtuquejtunin “Drejtshkrim” duhet çfuqizue. Pa çfuqizimin e këtij ligji nuk rivendoset e drejta ligjore e të gjithë shqiptarve për lirinë e gjuhës. Pa rivendosjen e të drejtës ligjore të gjithë shqiptarve për lirine e gjuhës, çdo marrëveshtje Ndërakademike midis Tiranës “superiore”, arrogante, imponuese, ende komunisto-jugore dhe Prishtinës “inferiore” - ka për të kenë jetëshkurt si e para.

Nuk kuptohet se pse kosovarët, që po shkëputen me guxim nga Serbia dhe po krijojnë nji shtet të tyne të pamvarun edhe nga vetë Shqipnia, sot nuk po mund të shkëputen haptas nga ligji i vitit 1972 i ish diktaturës së Shqipnisë dikurshme Socialiste, që ka zbatim vetëm në territorin e Shqipnisë! A nuk munden të nxjerrin nji ligj të tyne kosovar të Drejtshkrimit, të zbatueshem në territorin e Kosovës, njashtu si e flasin ata vet gjuhën shqipe, pa pasë nevojë të marrin mësime gjuhe nga “më të mençurit”, por ulen ne tavolinë me akademikët e Tiranes sikur të ishin nxanësit e tyne dhe a thue se shqip flitet vetëm në Tiranë?

Vetëm atëherë akademikët e Prishtinës mund diskutojnë në pozita të barabarta me akademikët e Tiranës, sido që të paraqiten këto, me ose pa ligjin e ’72-shit. Por, në qoftë se në delegacionin kosovar do të ketë prep disa elementë kolaboracionistë të komunistve serbë apo shqiptarë, atehere takimet për rishikimin e Drejtshkrimit nuk do të nxjerrin në dritë asgja. Sidoqoftë Gegnishten nuk do të ketë ma forcë ta ndalojë, sepse ajo mbahet gjallë nga vetë populli…

Tue pa sot se nji i ri në Shqipni po mëson dy-tri gjuhë të hueja, le të mesojë ai nji gjuhë të huej ma pak dhe të mësojë të dy dialektet tona shqiptare. Ekzistenca e dy dialekteve, asht nji pasuni e madhe, asht nji thesar, që duhet ruejt dhe duhet zhvillue, pa i mohue vlerat e mëdha te seicilit dialekt. Këto janë dy kambet në të cilat mbështetet  gjuha e jonë. Atëhere pse ne e vrasim aq shumë menden për të qëndrue vetëm mbi njenën kambë ose t’ia fusim vedit të dyja kambët në nji këpucë?

Pse dona na vetë ta vorfnojme gjuhën tonë?

Prandej mbas çfuqizimit sa ma parë të ligjit antikonstitucional të vitit 1972, i cili si çdo gja e imponueme e ngatërroi dhe e vonoi edhe ma shumë zgjidhjen, le të bajme hapin e dytë të madh përpara tue mësue na të gjithë shqiptarët pa dallim krahine, të flasim dhe të shkruejm si Gegnisht ashtu edhe Tosknisht. Jeta e vërtetoi këte ide: Përderisa une shkodrani sot dij të flas dhe të shkruej Gegnisht dhe Tosknisht, kjo provon se edhe nji shqiptar nga jugu, po të mos refuzojë, mund të flasë dhe të shkruej si Tosknisht ashtu edhe Gegnisht. Ky unifikim horizontal i shqipes do te kontribuonte edhe ne unifikimin mbarëkombtar.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora