Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Albana Lifschin: Në memorje të Dr. Selahedin Velaj

| E enjte, 02.02.2017, 08:57 PM |


Në memorje të Dr. Selahedin Velaj

-Një nga baballarët e komunitetit shqiptar të Nju Jorkut-

Nga Albana M Lifschin

Jetojmë në një kohë të çuditshme, kur sheh rreth e rotull njerëz që kujdesen shumë për imazhin e tyre publik, u bien borive që t’i dëgjojnë të tjerët, vetëkurorëzohen, i japin vetes të drejtën e “prijësit”, intelektualit të “shquar”, e shkelin tokën duke bërë zhurmë.

Në anën tjetër qëndron një pakicë njerëzish të heshtur, modestë, fisnikë, që jetojnë me pulsin dhe hallet e komunitetit, janë të vëmendshëm ndaj tij dhe kontribuojnë shpirtërisht edhe materialisht kur e do puna, pa lëshuar fishekzjarre në qiell.

Në ballë të këtyre personaliteteve të respektuara për kontributin dhe modestinë e tyre, ka qenë Dr. Selahedin Velaj.

Dr. Selahedinin e kam njohur nëpërmjet gazetës, “Iliria”, me të cilën bashkëpunoj tashmë prej më shumë se dy dekadash.

Më ka ndodhur herë pas here që pas ndonjë shkrimi të kem marrë letër nga Dr. Selahedini. Më bënte përshtypje ky fakt, pasi personalisht nuk kisha patur rast ta njihja. Por pata krijuar respekt për këtë zotëri që në vitin 1992, kur sapo kisha ardhur në NYC dhe mësova që ai ishte inisiatori i hapjes së shkollës së pare shqipe për fëmijët në komunitet, (1964), dhe më pas në 1992 bashkë me një grup miqsh për hapjen e tre shkollave të tjera. Ndaj nuk do të kisha vlerësuar më shumë komplimentet e një miku apo mikeshe për shkrimet e mia, se sa korespondencën me Z. Selahedin Velaj. Letrat e tij në vetvete ishin shkëmbim mendimesh për një temë të caktuar që trajtohej në shtyp, apo prokupim i tij për një problem të caktuar shoqëror. Letrat e Dr. Selahedinit më kanë përcjellë imazhin e një patrioti të sinqertë të preokupuar realisht për mbarëvajtjen e komunitetit shqiptar të Nju Jorkut, në përgjithësi, dhe për emigrantët e rinj që hynin në këtë komunitet, në veçanti. Edhe pse mbi 60 vjet i larguar nga mëmëdheu, ai vazhdonte të interesohej e merakosej për të, njelloj. Në një nga letrat e tij, pas shkrimit tim ”Shënime nga atdheu”,shprehte shqetësimin për pastërtinë e gjuhës shqipe në kohën e sotme, kujdesit që duhet të bëjë kushdo, që shkruan për shmangien e fjalëve të huaja që kanë “sulmuar”shqipen, duke e pretenduar përdorimin e tyre si kulturë.

Pas udhëtimit të fundit në atdhe, gjeta në kutinë e postës një letër nga Dr.Velajt, në të cilën më shkruante për një konceptim të drejtë të Kanunit të Lek Dukagjinit në përgjithësi dhe për gjakmarrjen në veçanti. Në atë letër të gjatë, Z.Selahedin ndante pikpamjet e tij të përbashkëta mbi këtë temë , dhe përmendte veprën e Kazuhiko Yamamotos “Struktura Etike e Kanunit dhe Nënkuptimet e saj Kulturore", si libri më i mirë që ka dalë në diasporë këto 20 vitet e fundit, libër të cilin ai e kish përkthyer në shqip.

Për dekada të tëra jete në komunitetin shqiptar të Nju Jorkut, me gjithë kontributin e tij të madh e të vazhdueshëm, puna e Z. Velaj nuk rreshti. Edhe pas goditjes më të rëndë që mund të pësojë një prind në një moshe të thyer, siç është humbja e djalit, Dr. Selahedin Velaj vazhdonte të qëndronte po ai sy i vëmendshëm, dhe po ajo zemër bujare, si një nga baballarët e komunitetit. Angazhimi i tij si autor, studiues e përkthyes, ndërthuret me atë prindëror, gjë do ta theksonin edhe më mirë veçanërisht ata emigrantë që kanë ndjerë nga afër ngrohtësinë shpirtërore, por edhe atë materiale të Dr.Selahedinit.

Dr. Seladini nuk është më. Ai u nda nga ne, ne 30 janar 2015.Por do te jetojë gjithnjë në bisedat tona, si njerëzit e rallë që njohim në jetë. Shkrimtari Pierre Pandeli Simsia e ka përjetsuar në librin e tij “"Dr. Selahedin Velaj, Legjenda vlonjate në Amerikë”.

-Per ZemraShqiptare, nga USA, 30 janar 2017-