E diele, 20.10.2019, 10:09 AM (GMT+1)

Komente » Ukaj

Ndue Ukaj: Kosova dhe bota arabe

E merkure, 27.08.2008, 07:59 PM


Ndue Ukaj
Kosova dhe bota arabe

Nga Ndue Ukaj

Konferenca "Kosova dhe bota arabe" e organizuar në Prishtinë nga e ashtuquajtura shoqëria civile u shndërrua në një konfrontim të ashpër mes dy koncepteve të kundërta ideologjike, të cilat vazhdojnë të përplasën në forma direkte apo indirekte në Kosovë: njërit se Kosova me një "shumicë" islame duhet të trajtohet ndryshe nga bota islame dhe këndej pari duhet të ketë marrëdhënie të posaçme me të,  dhe tjetrit, siç e definoj qartë dhe guximshëm kryeministri Thaqi, se Kosova ka zgjedh rrugën e vërtet, e cila kalon nëpërmjet Uashingtonit dhe Brukselit. Thënë shkurt, Kosova është në aleancë të plotfuqishme me bllokun perëndimor. Për të kulmuar filozofinë politike dhe intencën e një platforme që tashmë dy dekada ndjek elita politike në Kosovë, Thaqi tërhoqi vërejtjen për "rrugët e dyshimta" nëpër të cilat Kosova nuk guxon të kaloj. Në të vërtet deklarimi i Thaqit tejkaloj shumëfish një retorike të zakonshme politike, sepse qartazi, guximshëm dhe në cilësinë e një lideri vizionar shprehu një qëndrim të natyrshëm përtej politikë: Kosova mbetet e përkushtuar për të kultivuar marrëdhënie të natyrshme me botën perëndimore dhe nuk ka asnjë lloj ambicie për ambivalenca politike dhe moral të dyfishtë politikë. 

Historikisht shqiptarët kanë vuajtur për shkak të mos aftësisë për t'u rreshtuar në politikat ndërkombëtare. Këso gabimesh të shumta e të trashëguara, liderët e Kosovës, tanimë të vetëdijesuar, nuk duan ta bëjnë. Prandaj ata, duke qenë koshient për këtë, nuk duan trajtim të veçantë nga bota arabe, madje as nuk duan ta shohin atë me një pasion të veçantë, i cili do të kishte për bazë dimensionin religjioze. Në të vërtet ky do të ishte një gabimi fatal për Kosovën, prandaj thirrja e Thaqit për të mos shkelë nëpër rrugë të dyshimta duhet kuptuar dhe interpretuar drejtë dhe pa ekuivoke. Përkundrazi liderët kosovar duan çështjen e Kosovës ta shohin si çështje puro politike. Dhe ky në realitet është një qëndrim tejet i matur politikë, i cili ruan aleancat e natyrshme me botën perëndimore, pa të cilën ëndrra për pavarësinë e Kosovës, gjithsecili e kupton se do të mbetej një iluzion i trishtë. Ne kemi sendërtuar këtë ideal vetëm në saje të ndihmës nga perëndimi.

Në të vërtetë, edhe naivët më të mëdhenj do ta kuptonin sa e rëndësishme është njoha e pavarësisë së Kosovës nga shtetet arabe, por, në anën tjetër edhe naivët më të mëdhenj s'do të mund ta duronin këtë letargji më të cilën disa elemente në Kosovë e trajtuan dhe trajtojnë këtë konferencë duke i dhënë karakter të theksuar religjioz.  Do ta dëshmojë koha se efektet e saj politike, do të matën baras me një zero të madhe. Ashtu sikur shumica e tendencave të mëparshme të atyre që trumbetuan dhe organizuan këtë konferencë. Prandaj edhe Thaqi ishte i vetëdijshëm për këtë, ashtu sikur edhe drejtuesit tjerë të Kosovës dhe i dhanë një përgjigje meritore, jo vetëm Veton Surroit, por edhe gjithë atyre që rrugëtimet dhe orientimet e Kosovë i shohin me ekuivoke dhe ambivalenca politike. Ky i fundit, pasionet e tij politike dhe tendencat e një superpolitikani asnjëherë s' ka arrit t'i përmbajë, prandaj gjithmonë ka abuzuar me dimensionet e jashtme politike për të hedh hi para syve te popullit, i cili, në të vërtet e ka ndëshkuar në mënyrën më të vrazhdë, politikisht.

Për më tepër, që të mos banalizohet krejt kjo çështje, kishte plotësisht të drejtë para disa ditësh analisti Baton Haxhiu, i cili duke parodizuar këtë konferncë, theksoj faktin se shumica e botës arabe as që e ka idenë se çfarë është shoqëria civile. Në të vërtet Haxhiu e tha një të vërtet të padiskutueshme, e cila as që do koment, ngase kemi të bëjmë me një botë të errtë, ku çdo gjë është e censuruar, ku thuajse secila gazetë është e kontrolluar, ku madje varën gazetarët, ku persekutohen shkrimtarët e njerëzit që mendojnë ndryshe. Andaj të kërkosh brenda këtij komunitetit shoqëri civile është një shaka e vërtet, të cilët dinë ta bëjnë vetëm ata që duan i dinë të manipulojnë katërçipërisht me pasionet e popullit të Kosovës.

Ndërkohë që Kosova  ka fituar pavarësinë dhe tanimë është njohur nga shtetet kryesore të botës, sikurse në aspektin ekonomik, njashtu edhe për nga sferat e influencës, tingëllon e pakuptimtë euforia me të cilën përshkohet debati lidhur me mosnjohjen e Kosovës nga bota arabe. Në fakt karakteri religjioz që synohet t'i vishet këtij debati është i dëmshëm për imazhin e Kosovës. Të  thuhet se bota arabe duhet të na njoh, pse Kosova paska nje shumicë islame, ky fakt për ata që sadopak kanë informacion për marrëdhëniet të cilat kanë këto shtete sikur me armiqtë tanë, njashtu me miqtë tanë, është vërtet një vlerësim tejet naiv dhe krejt i pamatur. Ne duhet të kthejmë vetëm pakëz memorien mbrapa dhe nuk ka më shumë se pesë dekada, kur pikërisht nga njëri shtet i fuqishëm i botës islame jemi tkurrur shumë, falë një bashkëpunimi të shkëlqyer të atëhershëm mes atij shteti dhe pushtetit komunist në Beograd.

Kosova dhe shoqëria e saj, e cila është në rrugë të mëkëmbjes, më së paku ka nevoje për retorikë dhe zhurmë boshe, të tilla qfarë mund të nxjerrim nga këso konferencash. Mbi të gjitha ajo ka nevoje të demonstroj se po shtreson elementet bazike të një demokracie stabile, sipas principeve perëndimore. Kjo platformë është alfa dhe omega e së tashmes, mbi të gjitha e së ardhmes së Kosovës. E për ketë është e përkushtuar pa asnjë rezervë elita politike në Kosovë. Ndërkaq shoqëria civile kosovare, në vend që të bëjë propaganda të caktuara politike, duhet t'i shërbejë vërtet vendit më së miri duke dëshmuar se ne jemi shtet dhe kemi pushtet. Kjo është sfidë dhe betejë e vërtet e Kosovës.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT