E premte, 29.03.2024, 11:07 AM (GMT)

Mendime » Çeliku

Kalosh Çeliku: Delengrënësi

E merkure, 01.02.2017, 08:10 PM


DELENGRËNËSI

NGA KALOSH ÇELIKU

Kohëve të funditë përgjumshëm, non-stop përmes valëve të Radio Shkupit e dëgjoj gati për çdo ditë e natë, një këngë antologjike popullore shqiptare: Dhentë e mia kush i do, se do loz me Miken -o?! Përgëzime!...

Përzgjedhësi i emisonit muzikor, meriton duartrokitje. Nuk e di se cili është, dhe pak rëndësi ka emri i tij në këtë shkrim publicistik. E rëndësishmja është se, punën e kryen me profesionalizëm dhe nderë të pashoq, Porosinë e Madhe të Naim Frashërit tek poema idilike: “Bagëti e Bujqësi”. Populli vëlla “musliman”, plot gojën do të thoshte: “hallall”, e fiton bukën e gojës. Edhe, unë pajtohem deri diku me popullin. Dorën në zemër, siç duket ka shije dhe tru në kokë, e ka prekur me këtë këngë popullore një fenomen të dhimbshëm aktual politik të popullit shqiptar, në IRJ të Maqedonisë: politikanët e arratisur krah për krahu me “analistët” me këmbët dhe trutë në legen, kur sot na digjet zjarr mbi krye, ato merren me të madhe me “delet” e Ali Ahmetit. E, jo me këlyshët me zgjebe, që i shkojnë përmbrapa Bariut maleve për një asht shpërblim, gjoja se ia ruajnë kopenë nga ujqërit.

“Dele” të zeza, që me të katra u arratisën në vathën e  “vëllezërve” të Njerkës. Hiç më pak se, gjysma e Kopesë me plisa të bardhë. Përpiqen në Ditën e Sotshme ta shpëtojnë veten si vullnetare “lufte”, e harrojnë se deri dje, kanë qenë dele të nënkryeme në grazhdin e Bariut partiak. “Analistë” politik, që kanë “mësuar” për shenjat e pikësimit gjatë shkollimit të tyre në Universitet, por ende nuk e dinë se ku (në cilin vend) dhe kur përdoren ato shenja të pikësimit: në fillim të fjalisë, në mes rrjeshtit, apo në fund?! Ende, vazhdojnë t’i presin me gërshërë neokomuniste vlerat artistike, arsimin dhe kulturën shqiptare deri në palcë. Titull, shembull i një kolumne: Nihilizmi dhe përbaltja si “vlerë”?! Vlerën e futë në thonjza?! I ka përzi lëmsh vlerat me antivlerat. Nuk e di cilën fjalë ta shti në thonjëza e cilën ta nxjerrë jashtë thonjëzave. Trusakati, që ka kryer edhe fakultet. Nuk e di, a ka doktoruar në ndonjë Universitet, por me siguri me këtë “bagazh” arsimor, nesër me siguri edhe do të doktorojë, punojë në ndonjë Universitet. Vërtetë, nuk e di vendin e përdorimit të thonjzave, ama i delë zot shkrimit “profetik” - politik: “*Autori është bashkëpunëtor shkencor në ITSHKSH - Shkup”. Hi-hii-hiii...

Fatkeqësisht, kur deri dje, mu këto “kryengritës” të Nënës Parti ishin ato dele ruda, që kullosnin “sallmadi” kokë më kokë livadheve të partive tona politike shqiptare. Njëri pas tjetrit pa merita, merrnin diploma universitare e tituj shkecor. Radhë - radhë, pritnin në rend përpara dyerve të Partive Politike në pushtet për punë. Përditë, shëtitnin me porosi partiake nëpër vende pune e poste politike. E Bariu i maleve, sot “delet” e nënkryeme dhe “deshët” shyta, nuk i do më në vathë. Kope, t’i kullosë livadheve e maleve të Sharrit Plak. Patjetër, sot, në mes të Vapës Madhe i ka nxjerrë në treg, jo t’i shesë si kafshë të buta shtëpiake, po t’ua japë falas disa çehave në Bit-Pazar. Shkaku, se: “do të loz fushave e brigjeve me Miken-o”!

Këngë popullore shqiptare, që nateditë rrotullohet përmes valëve të Radio Shkupit. Radio stacion shqiptar kombëtar me muzikën e të cilit bie në gjumë dhe zgjohem nga gjumi. Herë këtë këngë popullore e këndon një grua, e herë një burrë. Punë tjetër është ajo se, ne si shqiptarë, a kemi veshë dhe, sy?! Tru, e di se ende kemi në kokë. Vaj halli, të mos e kishim edhe këtë pasuri të vetme kombëtare!

I fuqishëm është poeti popullor, kur sot Bariun e maleve e thirrë të heq dorë nga “dhentë” e tia të nënkryeme mes kullosave me tërfojë deri në brez, vetëm e vetëm, se: “që të loz me Miken-o”! Edhe, atë: kur shumica e barinjëve të staneve, turren me të katra pas ”deleve” ruda të Ali Ahmetit, kush i pari t’i fusë në vathën e tij politike. Pavetëdije se, deri dje, ato “dele” ruda kullotën barin e “Sarajeve” të tij në Shkup, Kumanovë e Tetovë, rrëzë maleve shqiptare. Dele shterpa, që sot me një këmbë të thyeme, përpiqen ta kërcejnë gardhin e Kopështit. Livadhit të “vëllezërve” të Njerkës t’u bien symëshelë si Kope e dhenëve. Nesër, këmbekokë vullnetarisht të përfundojnë si “heroina e dëshmore” lufte në grazhdin e Gruevskit dhe Zaevit. “Dele” të dalldisura qafërjepura, që sot askushi nuk i do në kope, shti në vathë si “dele” të nënkryeme.

Imzot, e pabesueshme: Ditën e Sotshme, sa aludon kjo këngë popullore me “dhentë” e Ali Ahmetit, politikanët e arratisur, “analistët” me këmbët dhe trutë në legen, që me vite kullosin nëpër institusionet e Shtetit të “përbashkët” me një torbë taxhi përqafe?! Dhe, sot me të katra turren në themelimin e partive të reja politike. E përçanë popullin shqiptar duke e kullotur livadheve. Krah për krahu dolën edhe në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, njëra pas tjetrës si dele të nënkryeme kërcyen në hurdhë, nga ku mezi dolën të lagura e të bëra qullë nga shurra e vet që kishin përmjerë përpjetë te pragu i derës Shtëpisë. Turr pas zgjedhjeve  të jashtëzakonshme me “fitore” historike se, kush i pari do të hyjë në koalicion me “vëllazërit” e Njerkës.  Mezi e përpiluan një platformë të “përbashkët”, përkarshi syve të shqiptarëve dhe botës. Vetëm kaq, prapë vazhdonin ta tërheqin zgjedhën e qerres rrugës, pllugun ugareve: njëri ka në vijë e tjetri në lëndinë. Ose, siç thotë populli: më rrove, të rrova. Brisku i berberit.

“Dele” të nënkryeme, që sipas “analistëve” politik me këmbët dhe trutë në legen, sot për sot, gjithësecili do t’i shti në vathë si bari i deleve partiake, përveç “vëllezërve” të Njerkës, që ende i kullosin nëpër livadhe e lëndina të partive politike dhe shoqatave të “pavarura” joqeveritare me një torbë taxhi përqafe, por asnjëri nuk i do në vathën e tyre partiake t’i mallojë fushave e maleve. Kotnasikoti, edhe nuk e thotë populli: Delen që ndahet nga kopeja, e hanë ujku. Mëkot ua kërkojmë gjurmët matanë porte. Delengrënësi, një rrunzë e ka marrë në shpinë, delet tjera e ndjekin vetë pas përpjetë kodrës.

Dhe, një nga një që të gjitha i hanë në përrua...

Nga libri: Lufta vazhdon me penë (publicistikë letrare),

që këto ditë pritet të dalë në dritë...

 



(Vota: 12 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora