E enjte, 28.03.2024, 05:09 PM (GMT)

Sport » Sporti

Besnik Dizdari: Lufta e papushueshme e njerëzimit për shpejtësinë…

E merkure, 27.08.2008, 11:50 AM


Besnik Dizdari
Lufta e papushueshme e njerëzimit për shpejtësinë…

Nga Besnik Dizdari

Ajo që nuk kishte ndodhë gjatë gjithë 112 vjetëve të Olimpiadës moderne: një popull 2.6 milionësh me në krye njeriun USAIN BOLT, nënshtron tokën me 44 km/orë!

Nëse pati një ngjarje që “mposhti” 8 medaljet e arta të njeriut të ujit Michael Phelps, është ajo çka bëri njeriu tjetër, ai i tokës: Usain Bolt i Xhamaikës. Ai fitoi vetëm 3 medalje të arta, që duken pak në krahasim me ato të notarit të madh, por medaljet e tij i përkasin Mbretëreshës-Atletikë dhe kanë të bëjnë jo me mposhtjen e ujit, por të tokës, e cila tash 112 vjet përpiqet të ndalë shpejtësinë e njeriut. Kjo është lufta e papushueshme midis tokës dhe njeriut: lufta për shpejtësinë– një nga bazat e zhvillimit të shoqërisë njerëzore në të gjitha fushat e jetës.

100 metrat

112 vjet më parë, ajo ishte një histori që zgjaste 12 sekonda. Sot, mbas 112 vjetëve, ajo është një histori që është bërë tejet më e shkurtër: 2 sekonda e 31 të qindtat më pak! Në një ditë të prillit 1896, saktësisht më 10 prill 1896, në stadiumin e mermertë të Athinës, një amerikan i quajtur Thomas Burke zuri vend midis pesë njerëzve që do të zhvillonin 100 metrat e parë olimpikë, u ul dhe mbështeti dy duart në tokë me vështrimin përpara. Askush nuk ia vuri veshin e secili ruajti stilin e etij “origjinal”. Fitoi Burke. Fitoi me 12 sekonda, një rezulatat jo aq i lartë, sepse rekordi botëror ishte 10.8 ose 10 e ¾, siç fiksohej asokohe të Shekullit XIX. Megjithate, kur u pa fotografia e garës, shumë kohë mbas Olimpiadës, të gjithë ndalën te pozicioni i Burkes. Dhe qysh atë ditë ata ndoqën shembullin e tij të pazakontë të quajtur “all four” (të katërt) që nënkuptonte “me këmbët dhe duart e mbështetura fort në tokë”. Ishte si forca e Anteut.

Kësisoji, qysh atë ditë athinase të 112 vjetëve më parë, “luftërat” e 100 metrave kanë sunduar Olimpiadën. Dhe në 112 vjet deri te rekordi botëror i Usain Bolt të së shtunës së 13 gushtit 2008 të Shekullit XXI, janë fituar “vetëm” 2 sekonda e 31 të qindtat. Mbrenda këtij ndryshimi është një epokë e tanë e emblemës së Olimpiadës që është 100 metërshi. Dhe në plot 112 vjet e gjithë lufta bëhet për të dhjetat e të qindtat e sekondës…

Më 1936 Owensi legjendar dha 10.3 duke përsëritur rekordin e Tolan të katër vjetëve më parë (1932) në Los Angeles. Eddie Tolan, një zezak edhe ai, i vraponte 100 metrat me syze të lidhura mbas kresë dhe gjatë gjithë garës përtypte çimçakez! I thonin “rrufeja e zezë”. Kur ai shënoi 10.3, e gjithë Bota mbajti frymën. Ishte fenomenale! Owensi legjendar, në Olimpiadën e 1936-tës vetëm sa e barazoi. Dhe vetëm më 1960, 28 vjet mbas Tolan-it të 1932, Armin Hari i Gjermanisë e bëri 10.2 në Olimpiadën e Romës, vetëm disa javë mbasi kishte arritur 10.00 sekonda të pastër. Ai ishte një sprinter dinak, i cili ia arrinte të humbte në start vetëm 3 të qindtat e sekondës!

Mbas Harit lufta për 100 metrat u përqëndrua për të arritur nën 10 sekonda. Më 1968 në Meksiko, beteja ishte thuajse napoleoniane. Jim Hines u ndal në 9.95 mbasi për herë të parë kronometri llogariste edhe të qindtat e sekondës. Ishte e pabesueshme! Papritmas, Hines e shndërron luftën sportive në luftë politike kur refuzon ceremoninë e Avery Brundage, presidenti konservator i CIO-s.

Duhej të kalonin 20 vjet që të mbërrinte Carl Lewis dhe t’i zbriste shifrat në 9.92 në Seul më 1988. Nuk ishte kaq e thjeshtë. Në të vërtetë, kronometrat nuk përmbaheshin atë ditë të 27 shtatorit 1988. Papritmas një kanadez fenomenal me emrin Ben Johnson, kishte mbërritur 9.79! Asnjëherë 100 metrat nuk ishin ndjerë më të mposhtur se kësaj rradhe, por kanadezit i zbulohet droga që kishte artificializuar muskujt e tij deri në pabesueshmëri. Ai përjashtohet! Fiton Lewis me 9.92.

Mandej është viti 1996 i Donovan Bailey po të Kanadasë, episodi i vërtetë i një 28 vjeçari i cili rrëzon edhe rekordin botëror të para dy vjetëve të Burrel-it, me vetëm 1 të qindtën më shpejt. Deri asokohe Bailey ishte ndër të rrallët që i kishte bërë 100 metrat plot 5 herë nën 10 sekonda.

U tha se lufta për shpejtësinë përmes 100 metrave të këmbëve të njeriut, kishte prekur skajin, aq sa shkencëtarët pohuan se nuk mund të shkohej kurrsesi më tej, sidomos në Olimpiadat ku emocionet e garës nuk mund të krahasohen me të asnjë turneu tjetër. Edhe pse jashtë Olimpiadës, Tim Montgomery do të mbërrinte te shifrat e frikshme 9.78.

U tha se lufta mori fund me kaq. Njeriu ishte lodhur prej rezistencës që i bënte shpejtësia…

200 metrat

Ai iu kthye një shpejtësie tjetër, asaj të 200 metrave të vrapuara për herë të parë katër vjet mbas 100 metrave, në Olimpiadën e dytë, 1900, në Paris, ku kishte fituar John Tewekesbury me 22.2. Kjo e 200 metrave ishte një nga historitë më të bujshme të atletikës së lehtë, e cila gjithnjë, në një farë mënyre varej prej asaj të 100 metrave, sepse zakonisht qindmetristët interpretonin edhe 200 metrat. Vetëm 7 herë ka për të ndodhur që kampionët olimpikë të 100 metrave të jenë të këtillë edhe në 200 metra. Ndërsa rekordmenë të botës njëkohësisht për të dy garat, do të mbesnin shumë pak: Craigh më 1912, Tolan më 1932. Çfarë historie e çuditshme!...

Kur afron Olimpiada e Los Angeles 1932, shpërthejnë amerikanët mu me Tolan: kampion në 100 e 200 metra. Kështu ndodh edhe më 1936, ndonëse tash aktori është i përmasave legjendare. Ishte ai, Jesse Owens. Një njeri krejt normal: 178 cm dhe 71 kg. 23 vjeç. Në Berlin, Owens bëhet fitues i katër medaljeve të arta: 100, 200, 4x100 metra, së gjati. Në 200 metra arrin 20.7 para syve të Adolf Hitlerit të nervozuar, por jo deri në rekord botëror. Më parë “duhej të ngjitej në skenë amerikani Ralph Metcalfe, një negër i mrekullueshëm, që 200 metrat të bëhen 200 metra”, siç ka përcaktuar historiani ndoshta më i madh i atletikës, Roberto Quercetani. Metcalfe ishte një kollos nga Georgia, 1.80 metra i lartë për 82 kg peshë. Ai kishte arritur rezultatin befasues 20.6 sekonda qysh më 1933 dhe rekordi i tij bën histori të madhe. Do të duhej të kalonin plot 27 vjet që 200 metrat të ndryshonin vetëm 1/10 të sekondës. Rekordi i tij bie më 2 korrik 1960 në Paolo Alto prej amerikanit Stone Johnson: 20.5 sekonda! Mbas plot 27 vjetëve! Dy muaj më vonë Livio Berruti i Italisë e barazon në Olimpiadën e Romës këte rekord me 20.5.

Këtu ka qenë dhe njohja e parë e autorit të këtij shkrimi me 200 metrat e botës, kur maturantë 18-vjeçarë ndiqnim me radio Olimpiadën e parë të Romës, për herë të parë në një transmetim radiofonik të të gjithë ditës! Dukej diçka përrallore. Dhe befasia më e madhe ishte kur mbas nja 1 viti e gjysëm, më 1961-62, Qeveria Komuniste e Tiranës lejoi shfaqjen në Shqipëri të filmit për Olimpiadën e Romës. Në kinematë e Tiranës biletat mund t’i gjeje vetëm në tregun e zi. Nuk e di se sa herë e kemi pa këte kryevepër të kinematografisë sportive. Prej aty na mbet në mendje doemos 200 metërshi fantastik i italianit Livio Berruti, një sekuencë prej vetëm 20.5 sekondash… (Në këte ditë të 3 shtatorit 1960 të ditës së madhe të Livio Berrutit ende nuk kishte lindur një zezak i panjohur me emrin Michael Johnson, sot 41 vjeçar…).

Historia e madhe e 200 metrave i përket “revolucionit të viteve ‘60”: Roger Bambuk i Francës 20.4 dhe 20.2, Paul Nush i Afrikës së Jugut 20.2, për të mbërritur te 19.8 të paimagjinueshëm të Tomie Smith në Olimpiadën e Meksikos 1968, kur ai proteston mandej kundër dallimit racial në podiumin e nderit: 16 tetor 1968, rekord botëror! Gjithçka zgjat deri më 1979 kur një tjetër italian, Pietro Menea, bën legjendën e tij me të famshmin 19.72 që nuk fshihet nga mendjet e njerëzve për bukur 17 vjet.

Do të duhej të rritej njeriu me emrin Michael Johnson. Atlanta, 23 qershor 1996, përurim i pistës olimpike dhe…19.66!

Vetëm mbas dy muajve është Olimpiada e Atlantës. 1 gusht 1996. Në të vërtetë është natë, nata jashtëtokësore e një jashtëtokësori: 19.32 sekonda! Michael Johnson. Kampion Olimpik. Rekord Olimpik. Rekord Botëror! Këte nuk e kishte njohur historia e atletikës. Me një shpejtësi të menjëhershme historianët e atletikës e krahasojnë atë me çastin e rekordit të kërcimit së gjati të Bob Beamon, 8.90 më 1968 në Meksiko. “Këta janë dy majat e historisë së atletikës”, thanë ata.

Ndërkaq, kompjuteri ishte “përgjegjur” duke thënë se gjithçka ishte e përsosur tek ky njeri, i cili kishte një baraspeshë që nuk e lejonte të humbiste energji në lëvizje antagoniste të panevojshme. Siç tregonte trajneri i tij Clydi Hurt: “Ai ka një mënyrë vrapimi të tijën, në të vërtetë aspak estetike, por kështu ia ka dhuruar natyra, duke i siguruar asisoji mundësinë e një lehtësie të çuditshme të vrapimit. Unë nuk ia shkatërrova këte stil të tijin dhe nuk i dëgjova aspak ata që më bënin trysni për t’ia ndryshuar mënyrën e vrapimit”.

Për botën, po aq sa vrapimi tij i papërmbajtshëm, mbeti për jetë kujtimi i lotit të tij që i rridhte si një bulëz margaritari në faqe, ndërsa ekzekutohej himni i SHBA me medaljen e tij të artë në gjoks. Ai i kishte përshkuar 200 metrat me shpejtësinë 37.267 km/orë. Kjo ishte mesatarja më e lartë e shpejtësisë së njeriut të nisur prej një starti të ndalur, nga vendi.

Të dukej se, lufta e papushueshme e njerëzimit për shpejtësinë, kishte marrë fund me kaq.

“Ky rekord nuk do të thyhet më kurrë!”, thanë eskpertët. Mirëpo, “asnjëherë nuk duhet thënë “kurrë””, thotë sentenca e njohur…

Usain Bolt

Plot 20 ditë mbas atij 1 gushti 1996 të rekordit fenomenal të Michael Johnson-it, më 21 gusht 1996, në një fshat krejt të panjohur të Xhamaikës që quhej Trelawny, një zezak i hollë dhe i varfër mbushte 10 vjeç. Emri i tij i panjohur prej askujt ishte Usain Bolt. Ky ishte njeriu i paracaktuar prej Zotit, i cili mbas plot 12 vjetëve e 15 ditëve, çuditërisht gusht më gusht me rekordin e Michael Johnsonit të 200 metrave, do të niste betejën më napoleoniane që kishte njohur historia e njerëzimit në luftën e papushueshme me shpejtësinë.

Beteja e tij ishte lënë që të zhvillohej mbrenda një harku kohor thuajse të rrufeshëm të vitit 2008. Ishte shekulli tjetër. Do të mjaftonin vetëm 7 ditë, nga 16 gushti deri te 22 gushti 2008 përmes kësaj ritmike:

* 16 gusht 2008: Usain Bolt: 100 metrat për 9.69 sekonda – Rekord Botëror!
* 20 gusht 2008: Usain Bolt: 200 metra për 19.30 sekonda – Rekord Botëror!
* 22 gusht 2008: Usain Bolt: stafeta 4x100 për 37.10 sekonda me shokët – Rekord Botëror!

Kjo ishte lufta e madhe që kishte njohur njerëzimi me tokën për t’i rrëmbyer shpejtësinë. Gjithçka përmblidhej në një emër të vetëm; Usain Bolt nga Xhamaika. 22 vjeç më 21 gusht 2008 në kryeqytetin e Kinës Popullore, Pekin. Në Lojërat Olimpike Nr. 29.

Vetëm dy herë në historinë e Olimpiadave kishte ndodhur që SHBA të humbiste garat e sprintit: më 1908 dhe më 1980, në këte herë të dytë thjesht për shkak të mospjesëmarrjes. Kësisoji, hera e dytë e shkatërrimit të SHBA në shpejtësi ishte kjo e Pekin 2008. Prej Usain Bolt.

“Njeriu që lëvizi kufijtë e atletikës së mijëvjeçarit të Tretë”.

Kështu e përcaktoi gazetari i madh i atletikës, Gianni Merlo i “La Gazzetta dello Sport” të Milanos, presidenti ynë i AIPS (Shoqata Ndërkombëtare e Shtypit Sportiv), Usain Bolt-in mbas rekordit botëror të 100 metrave.

Ndërsa Kampioni i Botës në motoçiklizëm, Valentino Rosi tha:

Sa? 9.69? Unë, edhe me motorr nuk mund t’i bëj kaq shpejt 100 metrat”.

“Ai i bën nder emrit të tij Bolt, që në anglisht është sinonim i fjalës “shigjetë”, tha Quercetani, i cili përimtonte dukurinë se me shtatlartësinë e tij 1.96, çka nuk e kishte pasur asnjë sprinter deri më sot, ia kishte arritur të ndërtonte një motor të jashtëzakonshëm pagabueshmërie. Dhe qysh kur në Lojërat Olimpike është vendosur kronometrazhi automatik, vetëm dy shumë të mëdhenj, Bob Hayes në Tokio ’64 dhe dhe Carl Lewis në Los Angeles ’84, kishin arritur të deklasonin me një largësi të tillë kundërshtarët e tyre të 100 metrave.

Kësaj rradhe ishte 9.69. Një rekord i pabesueshëm sidomos për faktin vetanak në historinë e atletikës botërore se u arrit në një ditë pa asnjë centimetër erë si dhe në një qytet praktikisht në nivelin e detit.

Autori i këtyre rradhëve nuk është një specialist i atletikës, është thjesht një amator i vjetër i atletikës, natyrisht tejet i pasionuar, qysh fëmijë madje, edhe pse në bibliotekën e tij jo të vogël, ruan një bibliotekëz të veçantë, të një koleksioni të pamatë librash historie ndërkombëtarë të këtij sporti. Po për një shkrim si ky ai i drejtohet më të diturve se ai. Kësisoji mund të pohojë pa ngurim se tash gati 55 vjet që e ndjek këte sport dhe tash përmbi 40 e mâ vjet në profesionin e gazetarit, nuk mban ndër mend që për garat e sprintit të mos ndalin kësisoji për asnjë ditë komentet, përimtimet, krahasimet, ballafaqimet, parashikimet, kundërshtimet, jehonat, elozhet, euforia, shpërthimet. Bota e sportit përjeton gëzimin e mbarimit apo më mirë me thanë, të fitimit të një lufte të vërtetë, luftës për shpejtësinë…

“Ky është i pari vrapues që përdor marshin e gjashtë”, tha një studjues, i cili shton:

“Janë vetëm 41 hapa të tij në 100 metrat e tij për të farkëtuar këte legjendë. Tek ai nuk ka violencë, por vetëm harmoni në krejt aksionin e tij, thuajse muzikal”.

41 hapa, 2.65 mesatarja e hapjes së tyre, 0.165 metra në sekondë koha e reaksionit. Dhe 37.151 km/orë shpejtësia e vrapimit.

Nuk do të mbaronte këtu. Më 20 gusht 2008 “Çerdhja e Zogjve” do të përjetonte çastin e dytë të luftës së njerëzimit për shpejtësinë. Kundër 200 metrave. Në të vërtetë kundër 200 metrave të Michael Johnson-it të vitit 1996. Ose të 19.32 sekondave – rekordi që nuk do të thyhej kurrë. Por… Usain Bolt 19.30 sekonda! Në fortissimo shpejtësia mesatare: 37.305 km/orë! Dhe deri në 43.9 km/orë shpejtësia më e madhe (maksimale). Emblema e gjithë shtypit botëror kësaj rradhe ishte krejt e thjeshtë, prozaike, e qetë:

“Asnjëherë askush kësisoji në historinë e Olimpiadave!”

Nuk ia vlen ta komentojë autori i këtij shkrimi. Le t’ia lëmë komentit “humbësit” të kësaj lufte: Michael Johnson-it:

“Usain Bolt është një supermen i dytë, më ka mahnitë edhe më fort se me 100 metrat. Ai ka vrarë kundërshtarët dhe kronometrin. Nisja e tij është marramendëse: si mundet që një njeri kaq shtatlartë të vrapojë kaq rrufeshëm në kthesë? Ai dha gjithçka. Edhe rekordin”.

Donald Quarrie është sprinteri i parë xhamaikian në histori që ka fituar një garë në Olimpiadë: 200 metrat më 1976 në Montreal, kryetrajner i sprinterëve të Xhamaikës në Pekin 2008. Thotë:

“E njohim talentin e Usain qysh më 2002, kur 16 vjeç djalë fitoi në Kingston Botërorin e Juniorëve në 200 metra. Gjithmonë ka shfaqur të dhënat që nuk i ka askush. Ishte thjesht çështje kohe. Procesi i pjekurisë së tij ishte i kushtëzuar prej një dëmtimi që kaloi mirë. Kjo që dhuroi këto ditë, nuk do të harrohet kurrë. Askush nuk ka vrapuar si ai në metrat e kthesës”.

Pietro Menea: “Kur mbërriti te njëqindshi i dytë, në vijë të drejtë, ai ishte i përkryer dhe fytyra e tij nuk tregonte asnjë shéj mundimi. Kur t’i mbushet mendja për të vrapuar 400 metrat, do t’i përmbysë edhe ata”.

Dhe i la kundërshtarët 7 metra mbas! Kjo nuk kishte ndodhur asnjëherë në asnjë Olimpiadë. 100 metrat e parë në kthesë- një kryevepër: 9.92 sekonda. Jashtë logjikës dhe shkencës atletike që të vrapohet kësisoji 100 metëshi i parë, ai i kthesës mbrenda një gare të 200 metrave.

Historia na thotë ndërkaq, se vetëm 9 herë kishte ndodhur që një njeri t’i fitojë të dy garat e sprintit. Askush deri tek Usain Bolt nuk kishte arritur të fitonte duke thyer të dy rekordet botërore. Usain Bolt është i vetmi atlet i historisë së njerëzimit i cili mban njëkohësisht të dy rekordet botërore të 100 e 200 metrave, ndërsa shpejtësia e tij e 200 metrave me 37.305 km/orë, fiksuan studjuesit, është shpejtësia më e madhe që ka mbërritë njeriu duke u nisur nga vendi (i ndalur).

Shpejtësia më e madhe prej 43.900 km/orë që Bolt arriti në 200 metra kalon shpejtësinë maksimale (më të lartë) të elefantit që e paska 40 km/orë. Njeriu po kërkon të sfidojë luftën me shpejtësinë e natyrës, ndonëse ende është larg kalit (77 km/orë), luanit (80 km/orë), gatopardit (118 km/orë).

Në krahasimin me vetveten, studjuesit nxituan ta véndojnë 19.30-tën e 200 metërshit të Bolt-it, simbas pikëzimit atletik, përballë garave të tjera të atletikës. Dhe iu doli se për t’u barazuar me rekordin e Usain Bolt, do të duhej që rekordi botëror i 800 metrave të ishte 1.39.61 minuta, (sot është 1.41.11), që maratona të përshkohej për 2 orë 1 minutë e 10 sekonda (është 2 orë 4’29”), që kërcimi me shkop të ishte 6.28 metra (është 6.14), që kërcimi së larti të ishte 2.48 metra (është 2.45) dhe që kërcimi së gjati të mbërrinte te 8.99 metra (është 8.95).

Të gjitha këto kanë të bëjnë me shpejtësinë, me luftën e papushueshme me shpejtësinë, të cilën deri tani plotësisht e ka fituar vetëm një njeri: Usain Bolt i Xhamaikës

Ky është njeriu i cili vuri firmën e tij të ndritshme edhe në stafetën 4x100 metra me 37.10 sekonda: Xhamaika - Kampione Olimpike dhe Rekord Botëror i ri mbas 13 vjetëve të rekordit të SHBA (37.40). Tri medalje ari, - tre rekorde olimpike, tre rekorde botërore. Askush asnjëherë kësisoji qysh në Shekullin XIX, Athinë 1896. Në 112 vjet të tana jetë të Olimpiadës moderne. Në luftën e papushueshme me shpejtësinë, e fituar prej njeriut.

Epilogu: Xhamaika (Jamaica)

Xhamaika (Jamaica) përbën pa asnjë mëdyshje sensacionin e madh të Olimpiadës mbas suksesit të Kinës të 51 medajeve të arta. Për Xhamaikën 6 medalje ari, të gjitha nga Mbretëresha-Atletikë dhe renditja me medalje (11 në tanësi – edhe 3 argjendi dhe 2 bronzi) përbëjnë arritjen gjigande të ishullit të vogël të Karaibeve. Jo thjesht për shkak të popullsisë së vogël, vetëm 2.6 milion banorë - çka do të thotë se 1 medalje ari e Xhamaikës iu takon 450.000 banorëve, në një kohë që 1 medalje ari e Kinës iu takon 2.5 milion kinezëve, një raport befasues në të mirë të suksesit xhamajkian mbi atë kinez - por mbi të gjitha ngaqë Xhamaika ishte i vetmi shtet midis 13 të parëve që i fitoi të gjitha medaljet e arta nga elita e garave të Mbretëreshës: 100, 200 dhe 4x100 metra për meshkuj, 100 dhe 200 metra për femra, e madje edhe 400 metra me pengesa për femra. Emrat rradhazi të herojve xhamaikianë të 6 medaljeve të arta janë Usain Bolt, Nesta Carter, Michael Frater, Asafa Pawell, Shelly-Ann Fraser, Melaine Walker, Veronica Campbell-Brown. Për herë të parë në Olimpiada ndodhi që të gjitha garat e shpejtësisë, për femra e për meshkuj, t’i fitojë një shtet i vetëm, i cili në luftën e papushueshme për shpejtësinë mposhti gjigandin SHBA. Dhe deri në një tronditje prestigji! Të gjithë këta atletë nuk emigrojnë, rriten, stërviten dhe bëhen pushtues të botës olimpike duke u stërvitur në Xhamaikë prej trajnerëve vendas me në krye trajnerin xhamaikian Glen Mills të Usain Bolt-it– arkitektin e kësaj mrekullie të Shekullit XXI.

Eshtë Xhamaika. Monarki kushtetuese. 2.657.000 banorë për 10.991 km2 sipërfaqe. Vend i Komunuelthit Britanik, ku kryetar shteti është Mbretëresha e Anglisë, Elisabeth. Shtet ishull i Detit të Antileve – pjesë e Antileve të Mëdha. Në veri i rrethuar nga Kuba, në lindje nga ishulli tjetër, ai Hispaniol. Një vend malor i Maleve Blu. I zbuluar nga Kristofor Kolombi më 1494, kolonizuar prej spanjolëve, i pushtuar nga anglezët, qendër e trafikut të skllevërve drejt Amerikës Qendrore deri më 1833 kur fshihet skllavëria; deri sa më 1962 fiton pavarësinë nën kunorën britanike të Komunuelthit. 72 dhe 75 vjeç mesatarja e jetës meshkuj – femra, 52 përqind popullsi qytetare, 77 përqind popullsi zezake, afro 40 përqind të besimit protestan dhe anglishtfolës për kah gjuha, 10 përqind papunësi dhe 3580 dollarë amerikanë për frymë, 11.3 përqind analfabetë. Xhamaika e këtij zhvillimi dhe moszhvillimi është një prej fuqive të Olimpiadës së sotme, duke mbetur në histori si shteti i vogël dy milionësh sfidues i superfuqive të sportit, madje të elitës së sporteve, sportit më shkencor: Mbretëreshës - Atletikë. Dhe me vetëm 46 vjet pavarësi bëhet fuqia e 13-të e Lojërave Olimpike në Pekin 2008 midis 204 shteteve pjesëmarrës! Eshtë më shumë se sensacion.

Deri në prag të kësaj Olimpiade ajo kishte fituar 7 medalje ari, 21 argjendi, 14 bronzi. Me përjashtim të njërës, të gjitha të tjerat i kishte fituar në atletikën e lehtë! Të parën më 1976 me Don Quarrie në 200 metra. Dhe 6 ari në një Olimpiadë të vetme, këte Pekin 2008.

Cili është sekreti i këtij shpërthimi të papamë, vepër e një mikroshteti thuajse, sa një e treta e Shqipërisë në sipërfaqe dhe sa dy të tretat e popullsisë shqiptare?

Përgjigjemi shkurt përmes fjalës së vetë Usain Bolt-it:

“Kemi trajnerë të mëdhenj dhe një sistem shkollor të aftë për të veçuar talentet në çdo pikë të ishullit. Por kurrë nuk është e lehtë. Mbrapa këtij suksesi dhe këtyre rekordeve, janë vite të pamshirshme pune vuajtëse, të plagosjeve, të sakrificave, të ëndërrave të realizuara, por dhe të humbura...”.

Ky është sekreti më i parë, më i thjeshtë i Xhamaikës. E çon më tej idenë, trajneri John Leila, trajneri i High Scholl të Kingstonit, kur thotë:

“Kam ardhë në Pekin për të parë nxënësit e mi: Kerron Smith, Ennis London, Melaine Walker. Prej shkollës sime dalin sprinterë race, më i fundit është Johan Blake, një 17 vjeçar i cili i vrapon 100 metrat për 10.11 sekonda! Të rinjtë tanë nuk dëfrehen me futbollin, por vetëm duke vrapuar 100 metrat. Bolt është krenaria jonë kombëtare”.

E, për këta të rinj, “të cilët rriten duke u ushqyer kryesisht me fasule e mish pule”, siç thotë një njohës i mirë i tyre, gjithçka është çështje e natyrës, por po aq dhe e shkollës. Mandej edhe çështje shtetërore. Kur mbaronin garën e Pekinit, ata shkonin dhe përqafonin ministrin e sporteve të Xhamaikës, Olivia Grange.

Kështu Xhamaika udhëhoqi dhe fitoi luftën e papushueshme që njerëzimi bën tash 112 vjet me shpejtësinë. Një vend i vogël, më i vogël se Shqipëria, me vetëm 2.6 milion banorë. Ndodhi për herë të parë në 112 vjet…



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora