Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Frank Shkreli: Kundër apatisë politike

| E merkure, 01.02.2017, 09:28 PM |


KUNDËR APATISË POLITIKE -  PËR NJË REVOLTË ELEKTORALE

Nga Frank Shkreli

Për problemet politike dhe ekonomike -  përfshirë trazirat dhe grindjet politike të pafund të këtyre 25-viteve të fundit, anë e mbanë trojeve shqiptare, e sidomos problemet serioze si  korrupsioni, droga, mashtrimet dhe batakçillëqet e lloj-llojshme të klasës politike shqiptare të kësaj periudhe -   fajin kryesor e kanë, natyrisht, vetë politikanët e djeshëm dhe të sotëm.  Ata janë arkitektët e vërtetë të këtij “monumenti” politik dhe ekonomik, të cilit fatkeqsisht nuk mund t’i thuren lavde.  I ashtuquajturi tranzicion nga komunizmi në demokraci, mund të konsiderohet tani zyrtarisht si i dështuar.  Shqipëria dhe Kosova, në krahasim me vende të tjera europiane dhe bazuar në standarde botërore të qeverisjes së mirë dhe të lirisë e demokracisë, vazhdojnë të cilësohen gjithnjë si, “vende pjesërisht të lira.”  Me të thënë të drejtën nuk jam krejt i sigurt se ç’do të thotë “pjesërisht i lirë”, është si të thuash “gjysëm shtatëzënë”.  Në mendjen time, ose je i lirë ose nuk je.  Megjithkëtë, cilado qoftë domethënja, sipas Freedom House,  Shqipëria dhe Kosova as kësaj radhe nuk bëjnë pjesë në grupin e vendeve që cilësohen si të lira.

Për gjëndjen e pa shpresë kaotike në fushën politike, ekonomike dhe shoqërore që mbretëron sot gjithandej trojeve shqiptare, kredia duhet t’i shkojë në radhë të parë klasës politike të të ashtuquajturës periudhë post-komuniste, por për këtë “normalitet”nuk mund të shfajësohet as një pjesë e madhe e qytetarëve-votues që kanë qëndruar dhe vazhdojnë të qëndrojnë larg pjesëmarrjes së tyre aktive në proceset politike të vendit.  Shumë ankohen se janë të dëshpëruar, të zhgënjyer dhe të lodhur nga arroganca  e udhëheqësve të tyre politikë, nga korrupsioni, nga mashtrimet dhe të shqetësuar nga aleanca të ndryshme të politikës me krimin e organizuar, por megjithkëtë nuk ushtrojnë të drejtën e pjesmarjes në proceset politike, me qëllim për të ndryshuar gjërat për më mirë.  Shumë kanë deklaruar se për të dalur nga kjo situatë, e vetmja rrugë është emigrimi jashtë vendit, siç vihet re edhe në sondazhet e fundit.  Qytetari i thjeshtë e ndjenë veten krejtësisht të pafuqishëm ndaj kësaj situate të krijuar dhe përballë këtyre forcave të errëta, por të plotfuqishme dhe siç duket imune ndaj sundimit të ligjit. I zhgënjyer dhe i mundur, votuesi shqiptar fatkeqsisht ka vendosur të dorëzohet para këtyre forcave, madje edhe duke mos ushtruar as të drejtën e votës, i bindur nga përvoja e 25-viteve të fundit se vota e tij nuk ka asnjë vlerë, sepse pa marrë parasyshë se për cilën parti ose politikan që voton, asgjë nuk përmirësohet dhe as nuk ndryshon në jetën e tij.   Kësaj i thonë apati politike, e cila në botën shqiptare fatkeqsisht fryhet e zmadhohet edhe nga një pjesë e medias për interesat e saja klienteliste, një media që shërben si myshteri dhe si zëdhënse e partive dhe grupeve të ndryshme interesi – por të cilat duke mbrojtur interesat e politikës, gjithmonë veprojnë kundër interesit të përbashkët.

Apatia politike është e rrezikshme njësoj siç është edhe politika e pa kontrolluar.  Apatia e shqiptarëve ndaj politikës dhe pjesmarrjes në proceset politike, rrezikon kombin aq sa edhe korrupsioni, droga, papunësia dhe probelme të tjera me të cilat përballen shqiptarët çdo ditë.   Të dëshpëruar përballë kësaj situate të krijuar, Shqiptarët po “votojnë me këmbë”, po largohen masivisht nga trojet e veta si asnjë herë më parë.  Madje as në kohën e komunizmit nuk kishte largime të tilla në masë.  Shqiptarët nga Shqipëria dhe Kosova, por edhe nga vise të tjera shqiptare, pothuaj po garojnë -  për vend të parë për nga numri më i madh i imigrantëve që kërkojnë strehim në Evropën Perëndimore dhe në Shtetet e Bashkuara -  me popuj siç janë sirianët, të cilët përballen me vite tani me një luftë shkatërruese civile që ka shkaktuar vdekjen e qindra mijërave dhe largimin e miliona të tjerëve nga vendi i tyre i shkatërruar.  Por emigrimi nuk është zgjidhje as për vet këta shqiptarë që mendojnë se rrugët e botës do u sjellin një jetë më të mirë për veten dhe familjet e tyre dhe as për të ardhmen afatgjatë të trojeve shqiptare, të cilat dalngadalë duket se po zbrazen si rrjedhim i politikave të dështuara dhe mungesës së sundimit të ligjit, të ndjekura nga politikanët shqiptarë deri më sot.

Natyrisht se kurrë nuk është vonë për të ndryshuar drejtim. Kryesisht është në dorë të kësaj klase politike që të ndryshojë punët për më mirë.  Por, fatkeqësisht kjo nuk ka ndodhur deri më tani dhe nuk ka gjasë që, me të njëjtit protagonistë, të ndodhë tani ose në të ardhmen, pasi kemi të bëjmë me të njëjtën klasë politike të këtyre 25-viteve të fundit, pothuaj me të njëjtit persona, të cilët besoj se nuk kanë as vullnetin dhe as njohuritë e nevojshme politike dhe intelektuale për të ndryshuar.  Prandaj i mbetet qytetarit të thjesht shqiptar që të pakën, me pjesëmarrjen e tij më aktive në proceset politike, të provojë të ndryshojë gjendjen në të cilën jetojnë sot shqiptarët.   Deri më sot, me ndonjë përjashtim aty këtu, nuk është parë ndonjë aktivizim serioz i shoqërisë që të pakën do bënte që politika dhe insitucionet qeveritare të merrnin parasyshë  ndrshsime thelbësore dhe plotësimin e nevojave bazë të mbijetesës dhe që të pakën të tregojnë sado pak vullnet për tu marrë me hallet shqiptarëve.  Si rrjedhim, për të shpëtuar kombin nga gjëndja që është katandisur, nevojitet një angazhim më i madh politik nga qytetarët, si shpresë e fundit për dalur nga kjo situatë, ose të pakën për të ngadalësuar përkeqsimin e saj.  Nuk është e mjaftueshme, që për të qenë qytetar i mirë, duhet vetëm të paguash taksat dhe të zbatosh ligjet që vet ligjvensit nuk i zbatojnë.  Duhet një pjesëmarrje shumë më aktive dhe një rol i përhershëm i qytetarëve në jetën publike.  Për më tepër, nevojitet një revoltë paqësore e elektoratit duke marrë pjesë më aktive dhe duke luajtur një rol më të madh në jetën politike, pikësëpari duke votuar –me qëllim për t’i dërguar një mesazh të pa dyshimt klasës politike se status-koja politike dhe ekonomike është e pa tolerueshme.  Pjesëmarrja më e madhe e publikut në proceset politike është e vetmja shpresë për të pasur një shoqëri dhe qeveri të lirë, si dhe një qytetari dhe sistem politik që varet nga sundimi i ligjit.  Shpresë për të pasur një qeverisje që pikëspari mbron interesat kombëtare duke luftuar korrupsionin mbytës në radhët e veta dhe një pushtet që angazhohet seriozisht për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve pa dallim, sidomos të atyre që janë më në nevojë e të cilët shoqëria i ka lënë mbrapa. Kjo është një garanci, aq sa është e mundur, që duhet të mundësojë edhe funksionimin normal të institucioneve qeverisëse në interes të popullit dhe në mbrojtje të drejtave bazë të qytetarëve duke u përballur drejtë për drejtë me hallet e përditshme të qytetarëve.   Ky duhet të jetë roli i qeverisë, por votuesi shqiptar – me aktivizimin e tij më të madh në proceset politike, mbi të gjitha me votën e tij -  duhet të mbajë përgjegjës pushtetarët, që këtë rol t’a luajnë si duhet dhe gjithmonë në interesin e përbashkët të shoqërisë dhe të kombit.

Fatkeqsisht, në radhët e popullit ekziston aq shumë indiferencë politike ndaj asaj që po ndodhë në trojet shqiptare sot, sidomos indiferencë ndaj zhvillimeve politike nga një pjesë dërmuese e qytetarëve.  Njerzit janë lodhur dhe kanë humbur shpresën.  Kjo mund të jetë një situatë apatie që i ka rrënjët në praktikat institucionale shtetërore dhe qeveritare të çerek shekullit të kaluar por dhe në trashëgiminë komuniste që jo vetëm kufizon, për të mos thënë se e ndalon, por sigurisht që nuk e inkurajon pjesëmarrjen e qytetarëve në proceset politike.  Historikisht, qeveritë jo demokratike të zhytura në korrupsion, përbëjnë rreziqe të mëdha për shoqërinë, por ama edhe indiferenca e njerëzve të thjeshtë dhe e votuesve ndaj politikave jo demokratike dhe qeverisjes korruptive të pushtetarëve, përbën gjithashtu një rrezik tepër të madh për zhvillimin normal të një shoqërie të lirë dhe demokratike.  Kjo pra është një apati që nëqoftse nuk ndryshojnë punët -  në thelb – rrezikon jo vetëm të ardhmen e lirisë dhe demokracisë në trojet shqiptare, por kërcënon edhe vet ekzistencën dhe identitetin e kombit shqiptar.