E enjte, 25.04.2024, 12:48 AM (GMT+1)

Mendime

Egon Laçi: Një kambanë për ata që kanë veshë

E marte, 26.08.2008, 01:34 PM


Një kambanë për ata që kanë veshë

Nga Egon Laçi

Mbrëmë dhe sot në emisionet e lajmeve të pothuaj të gjithave vendeve ballkanike dhe ato italiane ka qenë lajmi i arrestimit të shoferit të ambasadës shqiptare në Romë, i kapur me një kilogram kokainë. Lajmi ishte shokues për të gjithë ata shqiptarë që e dëgjuan dhe vazhdon edhe sot të jetë në axhendën e bisedave jo vetëm të zyrtarëve të MPJ të Shqipërisë, por edhe të qytetarëve të thjeshtë. Arsyeja është e thjeshtë: të gjithë shqiptarët janë të interesuar për imazhin e vendit të tyre, sepse kjo gjë lidhet direkt jo vetëm me fatin e emigrantëve në botë, por edhe me vetë të ardhmen tonë.

Kuptohet që ndjeshmëria për një veprim të tillë nuk është e njëjtë me atë që krijohet nga një rast i ngjashëm, por, kur protagonist nuk është një zyrtar i shtetit, sepse edhe shoferi i ambasadës në një shtet të huaj është zyrtar i shtetit shqiptar. Aq më shumë, kur bëhet fjalë për një zyrtar të shtetit shqiptar që dërgohet për të punuar si i tillë në një vend të huaj. Ai është pasqyrë për bashkëkombësit e tij në Shqipëri dhe për ata që janë në emigracion. Por jo vetëm kaq. Ai është tregues i seriozitetit të shtetit që e ka dërguar, i detyrimeve ndërkombëtare të tij, prandaj kjo kambanë që u dëgjua nga emisionet e lajmeve të shumë vendeve në botë nuk mund të kalojë pa u dëgjuar mirë, sigurisht, nëse ka veshë që duan ta dëgjojnë.

Them kështu, se caktimi i një përfaqësuesi të shtetit shqiptar, qoftë ky edhe shofer, në një përfaqësi, nuk mund të jetë një proces i një dëshire apo propozimi të një zyrtari të lartë, qoftë ky edhe ministër. Shteti sigurisht ka një procedurë ligjore dhe ajo duhet zbatuar pa tolerim. Ndonëse sot, po të pyesësh, shoferët në ambasada janë ose miq dhe të afërt të ministrave, ose militantë të partive politike që janë në pushtet.

Punonjësi ka një CV, ku janë të shënuara kërkesat që duhet të plotësojë për të qenë shofer në një ambasadë (ka shoferë që çohen në ambasadë, sapo kanë marrë patentën), ka një librezë pune, që tregon ku ka punuar dhe si ka punuar, ka një rekomandim me shkrim dhe të dhëna të tjera nga institucione të specializuara. Siç u informuam, rroga e një shoferi në ambasadën shqiptare në Itali është aty te 550 euro. Pra, nuk mund të jetë një vend i lakmueshëm për të ardhurat që merren. Shteti i paguan qiranë e shtëpisë, faturën e dritave dhe të ujit, sigurimet shëndetësore. Ai që ka jetuar në Itali, e ka të qartë se si mund të jetohet me 550 euro në muaj, kur mund të kesh një familje, me grua e dy apo tre fëmijë, që shkojnë në shkollë dhe që ndoshta iu duhet të ndjekin edhe kurse private, siç ndodh zakonisht, kur ke edhe një makinë personale që e përdor për weekend dhe për të bërë shpenzimet për familjen, kur ke për të paguar telefona celularë apo fiks etj. Kush thotë se kalohet muaji me 550 euro, ose gënjen, ose nuk e njeh realitetin. Atëherë, si do të jetojë ky punonjës? Të gjitha këto duhet t’i analizojnë zyrat përkatëse të MPJ, para se të japin miratimin për punësim. Në këtë rast, militantizmi apo “borxhi” që mund të ketë titullari nuk mund të merren në konsideratë para kërkesave që parashtruam më lart. Në rast të kundërt, ka patur jo pak raste, kur kemi bërë autogol. Punonjësi i ambasadës është marrë me korrupsion, me falsifikim të dokumenteve të emigrantëve, me trafik vizash apo edhe me tregti të zezë. Kush dëmtohet? Imazhi i vendit.

Por problemi i emërimeve në përfaqësitë diplomatike jashtë vendit ka edhe një anë tjetër. Kuptohet që ato janë ekskluzivitet i titullarit të ministrisë, por, sipas asaj që na thanë disa nga ambasadorët e kontaktuar, asnjëherë nuk merret qoftë edhe formalisht një mendim i titullarit të përfaqësisë. Mirë kjo gjë nuk bëhet, sepse, siç na thanë ata që pyetëm, në përgjithësi janë miq të titullarëve në institucionet më të larta të shtetit dhe prandaj shumë prej tyre, kur shkojnë në përfaqësi, nuk pyesin për titullarët, sepse janë “bashkëpunëtorët e ministrit x apo të kryetarit të partisë y”.

Dëgjova ambasadorin tonë në Itali, pas ndodhisë me shoferin, që tha që ai nuk ishte shoferi i ambasadorit, por i ambasadës. Përgjigjja ishte një justifikim thjesht për atë që njoftonte media, por nuk e çlironte nga përgjegjësia vetë titullarin. Ai thjesht mund të kishte dhënë shpjegime në lidhje me shoferin në fjalë, nëse gjatë një viti pune kishte vënë re parregullsi në sjelljet e tij, qëndrimin në punë, raste thyerje disipline, pse mori pa leje makinën e ambasadës për qëllime personale, aq më shumë duke shkuar në Milano, a e justifikonte mungesën apo kështu kishte vepruar edhe më parë duke përdorur makinën dhe karburantin e shtetit për qëllime personale etj. Ai duhej të thoshte, nëse e kishte njoftuar MPJ, Drejtorinë e Personelit për punën vjetore të këtij shoferi, për ndonjë sjellje jonormale të tij (nëse kishte), dhe cili ka qenë reagimi i qendrës. Sepse, siç na tha një titullar, “kam njoftuar disa herë për veprime jo të rregullta të një punonjësi të ambasadës, por MPJ vetëm hesht”. A ka ndodhur kështu edhe me këtë punonjës?

Punohet shumë për të ndryshuar imazhin tonë në botë. Dhe me të drejtë nuk e meritojmë që “një dru i shtrembër të prishë barrën”. Këtë e ndjen çdo shqiptar kudo ku është, punonjës shteti në përfaqësi, emigrant ekonomik apo thjesht një udhëtar jashtë shtetit, për turizëm apo punë. Kjo është pjesë e ndjenjës kombëtare që i ka rrënjët shumë të thella. Tani del një i papërgjegjshëm dhe e prish me një të rënë të lapsit atë që përpiqemi ta ndërtojmë për vite. Në një vend normal, ku vepron vetëm shteti i ligjit dhe jo i Maliqit, këto raste jo se nuk ndodhin, po nuk kalojnë pa një analizë të thellë që lidhet me mbajtjen e përgjegjësisë. Sepse në këtë rast përgjegjësia nuk është individuale.

Le të qëndrojë qoftë për këtë rast udhëheqja e MPJ dhe të analizojë se “ku fle lepuri”. Sigurisht, në qoftë se ka dëshirë ta bëjë dhe do që raste të tilla apo të ngjashme me këto të ndodhin sa më rrallë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora