E shtune, 20.04.2024, 08:45 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

60 milionë nuse të mitura në botë

E marte, 26.08.2008, 11:12 PM


Prillin e kaluar në Jemen, një vajzë 8 vjeçe me emrin Nojoud u paraqit e vetme në gjykatë, duke thënë se ishte detyruar nga i ati të martohej me një burrë 30 vjeç, që e kishte rrahur dhe urdhëruar me forcë për të kryer marrëdhënie seksuale. Në fakt sipas Kombeve të Bashkuara, numërohen më shumë se 60 milionë nuse të mitura në të gjithë botën. Dita e martesës për to vjen zakonisht nga mosha 12 deri në 14 vjeç por ndonjëherë edhe më përpara, ndërsa bashkëshorti është një burrë i moshuar, të cilin nuk e ka parë kurrë më parë. Në prill, Nojud kërkoi dhe arriti të merrte divorcin. Por, për pjesën më të madhe të nuseve në këtë moshë nuk kanë asnjë rrugëzgjidhje.

Klasifikimi

Organizata amerikane "International Center for Research on Women"

(Icrw)ka stiluar një listë me 20 vendet ku martesat e minorenëve janë më të përhapura: Niger renditet në vend të parë (76,6% e nuseve që janë më pak se 18 vjeç, të ndjekura nga Ciad, Bangladeshi, Mali, Guinea, Republika afrikano qendrore, Nepal, Mozambiku, Uganda, Burkina Faso, India, Etiopia, Liberia, Jemeni, Kameruni, Eritrea, Malavi, Nikaragua, Nigeria, Zambia. Klasifikimi është bazuar në pyetësorë standard, që nuk janë të disponueshëm për të gjitha vendet. Për shembull jashtë statistikave, mbetet pjesa më e madhe e vendeve të Lindjes së Mesme.

Varfëria

Vendet e "Top 20" janë më të varfrit në botë. Në Niger dhe Mali, respektivisht 75 për qind dhe 91 për qind e popullsisë jeton me më pak se 2 dollarë në ditë. Nuset me moshë të vogël vijnë nga familjet më të varfra të këtyre vendeve duke i detyruar prindërit të mendojnë se nuk kanë zgjidhje tjetër. "Vajzat edhe pse në moshë fare të vogël shihen si barrë e rëndë për familjen"

Saranga Jain, kërkuese e ICRW. Ta ushqesh, ta veshësh dhe ta shkollosh kushton shumë dhe gjendja ekonomike është ajo që i shtyn më shumë për t‘i martuar herët. "Në vendet ku ekziston tradita e pajës, sidomos në Azinë e Jugut dhe kryesisht në Indi, familja e dhëndrit është e gatshme të pranojë një vajzë më të re. Kështu prindërit japin si nuse vajza sa më të vogla, për të paguar më pak. Në disa vende afrikane ekziston e kundërta, dhëndri i jep familjes së nuses një shumë parash dhe sa më e re në moshë të jetë ajo, aq më e lartë është paga", tregon Jain. Një studim i bërë në Afganistan (mungojnë të dhënat zyrtare por mendohet se 52 për qind e nuseve janë fëmijë) tregon se këto martesa praktikohen për të larë borxhet ose për të marrë si shkëmbim një grua që mund ti japë një fëmijë mashkull. "Pjesa më e madhe e prindërve nuk kërkon që t‘i bëjë keq vajzave", thotë studjuesja amerikane Stephanie Sinclair, që njeh shumë prej këtyre fëmijëve në Afganistan, Nepal dhe Etiopi. "Mendojnë se i mbrojnë duke i martuar që kur janë të virgjëra, pasi virgjëria është shumë e rëndësishme në të tilla shoqëri. Megjithatë, kam takuar një grua që nuk dukej se i jepte shumë vlerë të bijës. "Përse të ushqesh një lopë që nuk është e jotja", mu përgjigj kur e pyeta se përse, pasi e kishte ‘fejuar‘, nuk e çonte më në shkollë".

Bashkëshorti

Minorenet tentojnë t‘u jepen për gra burrave shumë herë më të mëdha se ato. Në Afrikën Qendrore dhe Perëndimore, një e treta e nuseve të mitura deklarojnë se burrat janë mesatarisht 11 vjet më të mëdha se ato. Në të gjitha vendet e "Top 20" ka edhe raste ku diferenca e moshës shkon në dhjetëvjeçarë madje deri në 70 vjeç. Si shpjegohet? "Kur ekziston një ‘çmim për nusen‘, duhen vite të tëra pune që një burrë t‘ia lejojë vetes një të tillë. Në lidhjet poligame, ndërkohë që burri shkon ngadalë drejt plakjes, gratë janë gjithmonë e më të reja. "Burrat më të moshuar tentojnë të zgjedhin vajza shumë herë më të reja për të kryer marrëdhënie seksuale edhe sepse ato nuk mund të kenë AIDS apo sëmundje të tjera seksualisht të transmetueshme, ose për shkak të supersticioneve, sipas të cilave virgjëreshat mund të kurojnë AIDS-in; dhe mund të jenë pjellore për një kohë më të gjatë", shton Jain

Pasojat

Nuseve të mitura u mohohet mundësia për të studiuar dhe punuar, duke vazhduar të zhvillojnë kështu ciklin e varfërisë nga i cili vijnë. Nuk mund ta lenë burrin sepse nuk kanë para për t‘i kthyer pajën, ndërsa divorci shpesh konsiderohet i papranueshëm. Problemi nuk është vetëm martesa e hershme por edhe lindja e hershme. Vdekja gjatë lindjes është 5 herë më e mundur për të miturat nën 15 vjeç sesa për 20-vjeçaret, sipas agjencisë për regjistrimin e popullsisë të OKB-së (UNFPA). Rreziku i vdekjes së fëmijës është rreth 73 për qind më i madh sesa te 20-vjeçaret. Meqenëse janë fëmijë dhe fizikisht nuk janë gati për një shtatëzani, komplikacionet janë shumë të shpeshta. Rreth 2 milionë gra vuajnë nga fistula vaginale ose pas vaginale, për shkak të çarjeve, apo të gërvishtjeve nga koka e fëmijës. Këto lloj fistulash shkaktojnë shpesh abort. "Vajzat përjashtohen nga burrat e tyre dhe nga komuniteti. Era e urinës së shkaktuar nga fistula është aq e rëndë sa vajzave u vjen turp nga kjo. Janë të veçuara, vetëm të braktisura", shpjegon doktoresha Nawal Nour, drejtoreshë e qendrës për shëndetin e grave afrikane të Bostonit, në Afrikën subsahariane. Ndërkaq studime të ndryshme tregojnë se vajzat e martuara kanë më shumë mundësi për t‘u prekur nga AIDS në krahasim me vajzat beqare dhe seksualisht aktive. Ato e humbin virgjërinë me burra të sëmurë dhe nuk kanë mundësi që të kundërshtojnë apo t‘i kërkojnë atyre të përdorin prezervativ.

Ligji

Nga 1948-ta, OKB-ja dhe agjenci të tjera ndërkombëtare tentojnë të ndalojnë martesat e minoreneve, bazuar në deklaratën universale të të drejtave të njeriut, Konventën e eliminimit të të gjitha formave të diskriminimit kundër grave dhe Konventën për të drejtat e fëmijëve. UNICEF e përcakton një martesë minorenësh një lidhje të detyruar sepse fëmijët nuk kanë moshë për të vendosur në mënyrë të "lirë dhe të plotë". Pothuajse të gjitha vendet e "Top 20" kanë fiksuar një moshë minimale për martesën, që zakonisht është 18 vjeç. Por ky ligj nuk respektohet absolutisht. Ndonjëherë mungojnë burimet, ndonjëherë vullneti politik. Në Jemen, ku nuk është vendosur ndonjë moshë e caktuar për martesë, disa lider fetarë dhe fise kritikojnë praktikën e nuseve të mitura, ndërsa të tjerë e mbështesin dhe kujtojnë se edhe Profeti Muhamed u martua me Aishën, kur ajo ishte ende fëmijë. Në Etipo, sipas asaj që raportohet në një media britanike, pavarësisht se Kisha Ortodokse thotë të kundërtën, disa priftërinj vazhdojnë t‘i celebrojnë. "I martojmë vajzat kaq të reja për t‘u siguruar se janë të virgjëra. Nëse do të ishin më të mëdha, dikush mund t‘i ketë përdhunuar", pati thënë njëri prej tyre për gazetën. "Feja në disa raste mund të jetë një faktor, por martesat e fëmijëve nuk janë të lidhur me asnjë besim në mënyrë specifike. Janë pjesë e kulturës, si mes të krishterëve, ashtu edhe mes myslimanëve". Ajo e nuseve të mitura është një traditë antike, e rrënjosur. Zgjidhja? Për ICRW, e vetmja zgjidhje zbutja e varfërisë, të ndërgjegjësojmë vajzat dhe të bashkëpunosh me udhëheqësit lokalë për të ndryshuar normat sociale.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora