E enjte, 25.04.2024, 03:21 PM (GMT+1)

Kulturë

Edi Luarasi

E enjte, 23.03.2006, 08:51 PM


Jeta ime midis Festivalit dhe ferrit

Nga Ilir Bushi - Sot

Si e ka filluar karrirën artistike Edi Luarasi?

Edi dhe Mihal Luarasi
Unë fillimisht karrierën time e kam filluar si këngëtare. Kam kënduar në duet bashkë me motrën time dhe në atë kohë jemi quajtur “motrat Mirdita”. Ky ka qenë edhe mbiemri im i vajzërisë, sepse ne jemi me origjinë nga Mirdita. Madje, jetën artistike e kam filluar shumë më herët, që në shkollën e pionerit. Pastaj na tërhoqi Estrada e Ushtarit dhe pas shkrirjes së saj, ne kaluam në Estradën e Shtetit. Kur ishim në Estradën e Shtetit, aty erdhi si regjisor Mihallaqi.

Si ndodhi që kaluat nga muzika, në profesionin e aktorit?
Kjo nuk më kishte shkuar nëpër mend ndonjëherë dhe gjithçka ishte krejt një rastësi.Atë periudhë gjatë një shfaqjeje mungonte një personazh, një vajzë shumë e re, një vajzë e llastuar, e përkëdhelur në një skeç. Dhe Mihallaqi mendoi që të më merrte mua. meqë isha pak si çapkëne. Mirëpo çuditërisht, unë e bëra shumë mirë atë personazh dhe ai pa tek unë përkushtimin dhe talentin tim për këtë gjini. Gjatë kësaj kohe ne filluam, natyrisht të kishim simpati për njëri-tjetrin, si të dashuruar. Dhe ishte pikërisht ai që më sugjeroi të lë këngën dhe të futem në shkollën e lartë të aktrimit, “Aleksandër Moisiu”. Të them të drejtën për mua ka qenë një shans, sepse unë e dija se si këngëtare shpejt a vonë do të shuhesha. Pasi u futa në Institutin e Lartë unë pata ecje të mëdha në këtë fushë. Aty kemi pasur një petagoge ruse, Nina quhej. Ajo kishte shumë simpati për disa aktorë. Mua më donte shumë dhe më ka ngelur në kujtëesë kur u prishëm me Bashkimin Sovjetik. Unë atëherë isha në plazh. Ajo i thotë Mario Ashikut, (edhe atë e donte shumë si pedagoge), se dua patjetër të takoj Edin. Ishte verë dhe ajo erdhi në plazh, ku unë isha bashkë me një shoqen time të kursit, Filika Dhimo. Këtu ajo tha : Kam ardhur të them mos rri pa e luajtur “Big Maljonin” e Bernard Shout. Unë gjatë viteve të studimit tënd nuk të kam folur hapur për talentin tënd, por ti je e talentuar dhe kur të arrish të shfrytëzosh talentin tënd, atëherë do të më kujtosh mua”. Dhe ne aty u ndamë, sigurisht me mall. Mbaj mend nga kjo pedagoge, punën e saj këmbëngulëse. Ajo nuk ishte si pedagoge e ndonjë niveli shumë të lartë, por ishte tepër këmbngulëse dhe rrinte deri në orët e vona në studio për të parë se kush punonte. Megjithatë, dua të them që duke ditur se studimet e larta ajo i kishte kryer në Bashkimin Sovjetik, i cili dallohet për cilësitë e shkollave të tij, nuk kishte ndonjë ndryshim të madh me pedagogët tanë të shquar si : Mihallaqi, Andrea Malo, Kujtim Spahivogli, etj. Por le të kalojmë te njohjet dhe bashkëpunimet me Mihallaqin. Ai ka punuar me mua shumë duke më ndihmuar. Por në të njejtën kohë ai ishte gjithmonë i pakënaqur nga puna ime. Gjithmonë, madje edhe mbasi kalova nga shkolla e lartë në Teatrin Popullor. Mbaj mend njëherë kur unë me Bexhet Nelkun, (një aktor i shkëlqyer nga i cili kam mbresa shumë të mëdha) morëm medaljen “Naim Frashëri”. Të them të drejtën ne krenoheshim me këtë titull sepse isha shumë-shumë e re që të merrja një medalje të tillë. Dhe Mihallaqi më tha, “përse krenohesh për një medalje. Që ta quash veten aktore duhet t’i kesh kaluar të dyzetat, ke shumë punë për të bërë”, etj, etj. Pra, ai gjithmonë ishte i pakënaqur. Ai asnjëherë nuk kënaqej me punën time, sidomos me të folurin tim. Gjithmonë me thoshte se s’duhet t’i rrumbullakosja shkronjat, duhet të bëja një të folur skenik. Mbaj mend fjalët e tij: Edhe unë që jam në rradhën e fundit duhet të dëgjoj se çfarë fjale thua ti, të dëgjoj mendimin shkoqur, që të trasmetohet mendimi yt tek unë. Me thënë të drejtën nga kjo anë kam bërë shumë punë, sepse e kam pasur pak a shumë një mangësi timen nga ajo energjia që kisha, sepse kam qenë shumë energjike. Ngutesha, ndërkohë që ai më thoshte: merre tekstin dhe fillo të flasësh, sikur nuk flet dot, ngadalë çdo gërmë, çdo bashkëtingëllore, dua ta dëgjoj komplet. Këtë gjë duhet ta besh çdo ditë ngadalë. Dhe mua kjo gjë më ndihmoi shumë, sepse edhe ata që janë aktorë të talentuar ndonjeherë nuk i arrin fjala.

Çfarë shkolle kishte kryer Mihallaqi?
Mihallaqi ka mbaruar për regji në Budapest, të Hungarisë. Ka qenë një nga studentët më të shkëlqyer, madje kam gazetat e tij, sot e kësaj dite, që shkruanin, “një shqiptar i talentuar”, etj, etj. Pra, kishte marrë ngado shumë vlerësime të merituara. Përse ia caktuan Mihallaqit regjinë e Festivalit të 11-të? Ai e kishte bërë vetë Festivalin e Dhjetë, dhe pak a shumë Festivali i Njëmbëdhjetë ka qenë vazhdë e festivalit paraardhës. Ky festival kishte një skenar ku përshkruheshin me detaje një nga një të gjitha veprimet që do të bëheshin në skenë. Gjithçka ishte ndryshe duke filluar nga vendosja e orkestrës, kombinimi në skenë- sallë, dinamizmi i prezantuesve, veshja e orkestrës, e këngëtarëve, lidhja me juritë e rretheve, orkestracionet etj, etj. Dhe mund të shtoj se për orkestracionet ka qenë i famshmi Alqi Karreco, i cili ishte një mjeshtër i shkëlqyer. Orkestracionet ishin shumë dinamike. Në këtë festival i këndohej dashurisë, i këndohej natyrës, nënës, diçkaje të bukur dhe krejt ndryshe nga festivalet e tjera ku i këndohej partisë, brigadierit pararojë, turnit të tretë, etj, etj. Tani shkruhej për diçka më sentimentale, dhe të gjitha këto plotësonin njëra- tjetrën. Kjo nuk ishte meritë veçmas e njërit, por e të gjithëve së bashku që e realizuan këtë spektakël. Forcat artistike ishin rritur tashmë, si në pikturë, poezi, muzikë e kudo. Këngëtarët, ishin mbushur me vrulle krijuese, madje në atë kohë kishte një hop në të gjitha sferat e jetës. Sigurisht ne prezantuesit nuk ishim statikë, ne më tepër komunikonim direkt me publikun, direkt me këngëtarët, madje ne i çlironim këngëtarët nga emocionet dhe çfaqja kishte ritëm, që edhe sot e kësaj dite disa akoma nuk e kanë kuptuar se çfarë është ritmi. P.sh pauza në spektakël është një minus i madh. Ne atëherë flisnim pa tekst, (jo si tani), kur przantonim. Çdo gjë e mësonim përmendësh, kush është autori, kush është drejtues i orkestrës, kush e ka bërë tekstin, kompozitorin, këngëtarin dhe në kohën që prezantonim këngëtaren, p.sh Ema Qazimin, ajo hynte në skenë. Fillonte muzika dhe nuk kishte pauza. Kush ju propozoi për herë të parë të prezantoni Festivalin e 11-të? Të them të drejtën nuk e mbaj mend se kush më ka thënë për herë të parë që të filloj si prezantuese, por unë kam prezantuar edhe Festivalin e mëparshëm. P.sh në festivalin e Dhjetë kam prezantuar me Viktor Zhustin. Gjithçka ka shkuar shumë mirë. Kurse në të Njëmbëdhjetin isha me Bujarin. Ai ishte edhe me i çlirët, madje nuk e di pse kisha një parandjenjë frike. Ne atëherë jemi pregatitur për një kohë shumë të shkurtër, afërsisht punë dhjetë ditësh.

Si ju pritën njerëzit pas Festivalit?
Mbas festivalit kush nuk na përgëzonte, na përgëzonin njerëzit në rrugë, atëhere shqipëtarët mendonin se nuk e kemi më kokën nga Italia, tani kemi këngëtarët tanë. Dhe kjo gjë ne na pëlqente, sepse në atë kohë ishte kulmi i Rafaela Kara, në Itali. Dhe kjo gjë ishte e bukur, si të thuash fillimi i një Shou. Çfarë ju thanë në institucionin tuaj disa ditë pas Festivalit? Tashmë unë nuk isha më në Estradën e Shtetit, por isha një aktore në Teatrin Popullor. Pas suksesit filluan goditjet. Por jam e bindur se Festivali i 11-të ishte një pretekst. Ishte një rast për t’u goditur arti. Atëherë shteti kishte “futur në xhep” akuzën për “Njollat e murrme”, ku regjisor ishte Mihallaqi. Në këtë dramë unë kisha rolin kryesor. Ishte një rol fantastik. Pra, goditja ndaj artit dhe ndaj nesh ishte e planifikuar.

Mendoni se kishte arsye biografie kundër jush?
Kishim edhe gjëra të tjera më përpara, jo vetëm biografia, sepse Mihallaqi ishte goditur disa herë nga këto pjesët moderne të vëna në skenë. Domethënë akuza për shfaqje të huaja, ishte plotësuar kundër tij. Edhe pjesa e “Inxhinjer Saimirit”, shkruar nga Fadil Paçrami, u godit si një shfaqje e huaj. Përveç kësaj, ndofta ne kemi qenë edhe një çift pak jashtë standarteve të kohës.

Në ç’kuptim?
Bukur e ka thënë një person që tani ka vdekur: Kjo ishte pafajësia juaj, se ishit shumë të avancuar.

Kur e ndjetë se filluan goditjet serioze të shtetit kundër jush?
Goditjet kanë qenë në rradhë ë parë kundër artit. Sepse në thelb mediokriteti shtetëror nuk mund të pajtohej kurrë me artin modern dhe bashkëkohor. Kështuqë përnjëherë pas festivalit filluan goditjet. Tamam, kanë filluar në Mars. Unë ndjesinë e parë e provova kur isha me Mihallaqin gjatë një koncerti. Dikush më tha: Edi, shoku Enver nuk e ka pëlqyer festivalin dhe më duket se do ta godasë”. Por me këto fjalë përsëri nuk na shkonte mendja për ndonjë gjë të rëndë. Por papritur filluan një nga një breshëritë. Në fillim gjoja bëheshin letra nga punëtorët ose të rinjtë e rretheve të tjera, nga Lushnja, Elbasani, etj. Gjoja se nuk i kish pëlqyer festivali dhe se kishte shfaqje të huaja. Atëherë filluan edhe mbledhjet. Më kujtohet në Radio Televizion ka ardhur Pirro Kondi dhe nuk po e mernim vesh, sepse mendonim që kishte ardhur për ta përgëzuar festivalin. Por të deleguarit thanë menjëherë: lërini pergëzimet se na kanë ardhur letra, që e godasin festivalin, nga rinia. Pastaj vazhdoi mbledhja, u bënë ca kritika, jo po kjo këngë, jo po ajo tjetra. Por ndihej që ishte shpërndarë ngado një shqetësim i madh. Por Pirro Kondi i tha Mihallaqit mos u shqetëso, nuk po kërkohet një kokë këtu, por shoku Enver ka kohë që pregatitet për një goditje në art, për këto shfaqjet e huaja. Ky ishte një pretekst, sigurisht mbas kësaj filluan jo pantallonat, jo flokët duke u prerë rrugëve, etj etj. Ata që i jetuan ato kohëra e kuptojnë fare mirë se çfarë furie filloi kundër të drejtave minimale të njerëzve. Cilat këngë u përmendën më shumë gjatë këtyre mbledhjeve? “Natën vonë”, e Vaçe Zelës, “Erdh pranvera”, “Kafe Flora”, kënga e Krajkës, e Gacit, etj, etj, (ndofta titujt nuk i thashë saktësisht). Pastaj filluan mbledhje pas mbledhjesh nga Komiteti i Partisë, etj. Cili ishte dënimi për Mihallaqin? Mihallaqin fillimisht e kanë çuar në Ballsh për riedukim. Ishte viti 1973 dhe ai është dënuar që të mbante thasë me çimento. Unë në këtë kohë isha akoma në teatër dhe ai më kujtohet erdhi një natë dhe më tha: “diçka po luan në këtë histori”. Unë doja ta qetësoja, por nga ana tjetër as vetë nuk e mendoja se çfarë mund të ndodhte më tepër se sa kaq. Prandaj e pyeta se përse e kishte fjalën. Mihallaqi më tregoi se kishte vënë re që një person nuk i ndahej atje ku ishte. E ndiqte vazhdimisht, dhe atij nuk i pëlqente kjo gjë. Pra, kështu filloi e keqja më e madhe. Madje, unë kam bërë edhe këtë sakrificë. Shkova vetë në Komitetin Ekzekutiv të Ballshit dhe i thashë kryetarit që kam dëshirë që të vij të punoj këtu, të merem me grupet amatore. Këtë e bëra që të rrija pranë Mihallaqit, sepse kjo mund të vazhdonte tre- katër vjet duke e menduar si punë riedukuese. Dhe më kujtohet, ishte një kryetar shumë, shumë i mirë dhe më tha i habitur: Ti do të rrish këtu? Po për ne është një nder shumë i madh”. Dhe unë i thashë që kam hall për të gjetur një shtëpi. Ai tha që në vend do ta gjejmë shtëpinë, mirëpo gjatë kësaj kohe ndodhi ajo që ndodhi. Mihallaqin e arrestuan.

Ju ndodheshit në Tiranë kur e arrestuan Mihallaqin?
Unë isha në Tiranë, por kisha çuar vajzën në kampin e pionerëve të Durrësit. Më kujtohet ishte ditë e premte, ose e enjte. I mora leje inspektorit të skenësh dhe i thashë që nesër do të mungoj se do të shkoj të marr vajzën në Durrës. Po mirë më tha ai. Shkova e pashë vajzën. Mirëpo ata të Sigurimit të Shtetit të enjten kanë shkuar në Teatrin Popullor. Tani më kujtohet tamam që ka qënë e enjte. Aty ka ardhur Sigurimi dhe kanë pyetur për mua në Teatër. I kanë thënë që është në Durrës. Të premten në mëngjes unë (nuk dija gjë) mora biçikletën, e zbrita poshtë dhe tek dera pashë një xhips. Megjithatë i hipa biçikletës, sepse as që më shkonte nëpër mend fare. Ata të Sigurimit më thanë: Shoqja Edi, një minutë”. Më kujtohet ka qenë Elham Gjika. Urdhëro, i thashë unë. Jemi të Ministrisë së Brendshme, ma kthyen ata. Megjithatë, mua prapë nuk më shkonte nëpër mend ndonjë gjë e keqe. Ai vazhdoi duke thënë: Mund të kthehesh pak? I thashë se kam apelin në teatër. Atëherë ai tha se kishin marrë leje. Unë u ktheva drejt tyre me fjalët, po, urdhëroni. Ata pritën edhe një person të lagjes. Ishte një grua shumë e mirë që unë e kasha komshije këtu afër. Ajo më ka treguar më vonë se çfarë ndodhi tamam, pasi unë s’mbaj mend.megjithëse isha gjakftohtë. Vetëm kur më kanë thënë: “Në emër të popullit Mihallaqin e kemi arrestuar”, unë kam dhënë një ulërimë, por as këtë gjë, se mbaj mend tamam. Ajo gruaja më ka treguar gjithçka më vonë. Sipas saj, e kam marrë veten në sekondë. U thashë se çfarë donin nga unë dhe ata më thanë se vetëm një kontroll në shtëpi. Pastaj e mbaj mend. Ne poshtë kishim një dhomë mbushur me libra. Nga ora 9-15 ata kontrollonin vetëm librat. Sidomos kontrollonin librin “Dimri i vetmisë së madhe” të Ismail Kadaresë. Shikonin se mos kishte ndonjë nënvizim. Nuk arritën t’i kontrollonin gjithë librat se ishin shumë dhe pastaj e vulosën dhomën dhe e mbyllën. Mbaj mend që morën disa libra me arka. Unë kisha bile edhe disa qëndisma dhe ata pyetën edhe për ato. Madje, mamaja ime u tha se: Mihallaqi nuk ka qëndisur ndonjëherë, prandaj mos kërkoni kot. D.m.th s’dinin ku të kapeshin.

I mban mend tani ata njerëz?
Po, patjetër. Unë nuk kam mbajtur kurrë inat me askënd. Nuk kam ditur të urrej njeri. Madje, kur ka vdekur gjykatësi Erakli Bozo, unë i kam çuar edhe një tufë me lule. Ndërsa një ditë më foli Elham Gjika vetë. Unë natyrisht e takova. Më pas ai u fut në burg edhe vetë. Por le të kthehemi te ngjarja e asaj dite.Ai më tha se do të vish në Ministrinë e Brendshme për të marrë ricetën. Nuk e dija ç’ishte riceta, por e mësova. Kështu quhej ajo leja për të futur ushqimet në burg, apo në hetuesi. Është një gjë e çuditshme, unë kam qenë një vajzë e përkëdhelur që në fëmijëri nga familja, por edhe në shoqëri ngaqë kam qenë e çiltër. Paçka se isha një aktore, unë isha shumë e thjeshtë. Nganjëherë njeriu nuk e njeh as vetveten. Janë momente të caktuara që njeriu shikon se kush është. Nuk e di por në atë kohë m’u dha një forcë burrërore saqë dhe unë u çudita me vetveten. Presionet ishin nga më të mëdhajat, që unë të ndaja Mihallaqin. Më kujtohet Naim Frashëri që ishte sekretar partie në atë kohë, ai gati më përcillte përditë në shtëpi dhe më thoshte: “Edi nuk të flas si sekretar partie, por si Naim, duhet ta lësh se më pas do të kesh konseguenca të tmerrshme”. Unë nuk arrija ta kuptoja se si mund të lihet njeriu në momente të vështira, më dukej poshtërsia më e madhe. Ne shkonim aq mirë me njëri-tjetrin dhe kishte aq dashuri mes nesh, por dhe sikur mos të ishte kjo dashuri mua më dukej poshtërsi të braktisësh tjetrin. Unë mendoja se dhe sikur mos ta doja, unë do ta pres sa të dalë dhe pastsj do ta ndaj, jo që unë e doja dhe çdo gjë e kisha lidhur me të.

Çfarë ndodhi më pas?
Pas 2-3 muajve më thirri nëndrejtori i Teatrit të cilit nuk ja mbaj mend emrin dhe më pyeti se çfarë do të bëja, pasi në teatër nuk mund të rrija më. Veçse po të ndaja Mihallaqin. Dhe donte të dinte përgjigjen time. Dua të theksoj këtu se gjatë kësaj kohe që Mihallaqi ishte arrestuar, shfaqjet e mia nuk viheshin më. Futesha si figurante dhe shpesh herë më vinin portiere të teatrit. Unë ju përgjigja se pa dëgjuar gjyqin nuk bëj asnjë ndarje. Do dëgjoj gjyqin se ç’farë ka bërë ky njeri dhe pastaj do vendos, u thashë.

Po hetuesit çfarë ju thoshin?
Unë kam qenë shumë keq atëhere dhe emrat e shumë hetusve nuk i mbaj mend, por është sekret diçka. Se një hetues që e mbaj mend vetëm për fytyrë më pyeti se si kisha shkuar me Mihallaqin më përpara. Dhe unë iu përgjigja “shumë mirë”. Mirëpo edhe ai e dinte këtë pasi ma pohoi. Ai më tha gjithashtu se njeriu shihet edhe në ditë të këqija, jo vetëm në ditë të mira. Pra, ai donte të thoshte që mos e lë dhe megjithëse nuk e mbaj mend atë person në atë çast m’u duk sikur ai më dha një diçka të madhe. Më pas kam shkuar menjëherë në teatër tek nëndrejtori dhe i thashë se, nuk e ndaj burrin, vendosni dhe bëni ç’të doni. Pastaj nuk vonoi shumë dhe më erdhi një shkresë të cilën ma dha drejtori i teatrit dhe atë shkresë e ruaj ende, pasi e mora në arshiv. Aty shkruhej se isha shoqja e armikut të popullit dhe kisha pasur ndikime të huaja në veshje dhe sjellje, e në të gjitha, dhe dëbohesha nga Teatri Popullor. Dhe do të shkoja në rrobaqepësi.

Sa vjet punuat në rrobaqepësi?
Këtu punova 11 vjet. Mund të rrija dhe më shumë, por m’u paralizua nëna dhe u largova, pasi kisha mbushur një lloj vjetërsie në punë. Kështu që mësova edhe profesionin e rrobaqepëses. Nga koha ku unë punova atje kam mbresa të jashtëzakonshme. Ndërsa Mihallaqi u dënua 18 vjet dhe bëri gati 6 vjet. Më kujtohet që ka qenë koha e e një festivali kur është liruar. Ishte pikërisht data 28 Dhjetor kur prokurori i tha se tani mund të shkonte e të shikonte festivalin.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora