Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Mehmetaj: Lulja e xhehnemit për shqiptarët e krishterë

| E merkure, 25.01.2017, 07:58 PM |


Lulja e xhehnemit (ferrit) për shqiptarët e krishterë

Nga Gani MEHMETAJ

Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari lejoi, mbase edhe urdhëroi përdhosjen e një varri të shqiptarit të krishterë në Gjakovë. Lejoi edhe ndërtimin e përmendoreve të pushtuesit mizor osman, në qytetin e shqiptarëve. Para disa vjetësh po ajo priti në komunë grupin e beduinëve vehabistë nga shtetet kaotike arabe. Atëbotë hoxha shqipfolës, Sh. Krasniqi, që ishte në delegacion, i entuziazmuar nga devotshmëria islamike e znj. Kusari e quajti "Lulja e xhenetit". Por, lulja e xhenetit, u tregua për beduinët vehabistë, sepse për të krishterët protestantë po tregohet lulja e xhehnemit. Apo mbase beduinëve u premtoi se varr me kryq nuk do të lejojë në Gjakovë, ashtu sikurse nuk lejojnë beduinët që i priti.

Athua mendon kjo grua që është kryetare e komunës së Kandaharit apo Islamabadit? Gjakova është puro shqiptare, ç'kërkojnë beduinët e anadollakët aty? Si ka mundësi të privilegjohen beduinët e anadollakët e të diskriminohen shqiptarët e krishterë?

Gjakovarët duhet ta kundërshtojnë ashpër përdhosjen e varrit të vëllait të tyre të krishterë, që është diskriminim i pashembullt në qytetërimin perëndimor, është i pashembullt edhe sipas traditës shqiptare.

Në Gjakovë funksionojnë edhe parti të tjera (LDK, AAK, PDK, Vetëvendosja), pos partisë së M. Kusarit. Ku janë këto parti që nuk e nxorën asnjë fjalë. Pajtohen me vendimin e shëmtuar të kryetares Kusari? Janë mësuar të heshtin, apo debatin ua lanë gazetave e rrjeteve sociale. Mos janë fëlliqur, Zoti na ruajt, edhe ata me paratë e pista islamike?

Ajo, apo ai që urdhëroi heqjen e kryqit, apo e hoqi kryqin nga varri i të krishterit ungjillor (protestant) në Gjakovë, duhet të ndëshkohet për vepër penale përdhosje e varrit dhe nxitje e urrejtjes fetare. Heqja e kryqit mbi varrin e një shqiptari të krishterë në Gjakovë është ndër veprat më të shëmtuara që është bërë në dhjetëvjetëshin e fundit. Ky akt i ndytë është punë e prokurorit, që duhet të nis hetimet e të marr në pyetje nga kryetarja e komunës deri të islamiku i fundit që u mor me përdhosjen e varrit.