E enjte, 25.04.2024, 02:41 PM (GMT+1)

Kulturë

Shqiptarja trupvogël që u kthye në legjendë të gjallë

E marte, 26.08.2008, 07:35 PM


Nane Tereza - Gonxhe Bojaxhiu ne takim me presidentin e Amerikes Ronald Regan dhe me te shoqen e tij
Nga Laura Papraniku

Bota vazhdon të mrekullohet me bëmat e së lumes Nëna Terezë edhe 98 vite pasi në Shkup, kryeqendrën e atëhershme të Vilajetit të Kosovës dhe kryeqytetin e tanishëm të Maqedonisë, lindi vajza shëndetligë, por që shumë shpejt me fuqinë rrezatuese të saj do të bëhet motra dhe nëna e mbarë botës. E teksa humanizmi dhe mirësia vazhdojnë të ndjekin emrin e saj, edhe Shkupi vazhdon të shijojë atributet e vendlindjes së saj. Parlamenti i Maqedonisë të martën i ndanë për të tretën herë, çmimet “Nëna Tereze”, që sivjet do t’ju takojnë gazetarit Anton Sereçit, për kontribut të veçantë në hulumtimin e fakteve për jetën dhe veprimtarinë e Nënës Tereze dhe defektologut Lubço Ajdinskit, për kontribut të veçantë në vepra bamirësie.


Në aktivitetet modeste për shënimin e 98-të vjetorit të lindjes së Nënë Terezës, që do të fillojnë me vendosjen e luleve, bën pjesë edhe promovimi i librit “Nëna ime” të autores Kadrije Zejnullahu. “Aktivitete të tjera, do të pasojnë më 5 shtator, ditën e amshimit dhe më 26 shtator, ditën e largimit të Nënë Terezës nga Shkupi”, tha Sereçi, që është edhe nënkryetar i shoqatës “Shkupjanja Terezë”.

Sipas statistikave të vitit 1984, Gonxhe Bojaxhiu ishte nënë kujdestare e 7.500 fëmijëve në 60 shkolla, nëna që mjekonte 960 mijë të sëmurë në 213 dispanseri, ishte e vetmja në botë që trajtonte 47 mijë viktima të lebrozes, në 54 klinika. Kjo shqiptare trupvogël kujdesej për 3 400 pleq të braktisur e të lënë rrugëve, duke i sistemuar në 20 shtëpi pleqsh, ndërsa kishte birësuar 160 fëmijë ilegjitim e bonjakë. Këto shifra me të cilat ajo reformoi botën dhe zakonet fetare kishtare, u rritën shumëfish sa qe gjallë dhe shumë më tepër pas vdekjes së saj. Edhe akti i shenjtërimit, në tetor të 2003-shit bëri përjashtim prej rregullave, pasi Kisha e Shenjtë nuk kishte si të refuzonte kërkesën e qindra mijërave adhuruesve anë e kënd botës. Gonxhja, u rit në një familje tradicionale. I ati, Kola, që me profesion ishte tregtar mblidhte në shtëpi çdo herë patriotë dhe artistë shqiptarë. Mësimet e para i bëri në një shkollë shqipe në Shkup, ndërsa gjimnazin në gjuhën serbo-kroate.


Biografët e saj, thonë se kishte tri pasione: të bëhej mësuese, të shkruante dhe të recitonte poezi, si dhe të kompozonte dhe të luante muzikë. Si përfundim, zgjodhi rrugën e bamirësisë, duke sublimuar ato prirje dhe pasione në një synim. Kështu, në shtator 1928, kur ishte vetë 18 vjeçare u nis drejt Dublinit (Irlandë). Me te vendosur ne Kalkute, u bë fillimisht mësuese dhe shume shpejt drejtore e shkollës së vajzave. Atje themeloi urdhrin “Misionaret e Dashurisë” (1951) për t’u shërbyer më të varfërve dhe të pashpresëve. Ka marrë numër pa fund mirënjohjesh dhe dekoratash, është qytetare nderi jo vetë e Shkupit, Kosovës dhe Shqipërisë por edhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.


Letra e lamtumirës
Më 12 shtator 1928, i shkruan këtë letër tezes së saj: “Shkup 12. 09. 28 E dashtuna Tezja Lis! Më 26 t’kti mujit po nisem prej Shkupit. S’po muj mos me ju shkrue dy-tri reshta tuj da prej jush. Lamtumir e dishroj qi Zoti ju nep shka tju dishron zemra. Pritni t’faluna ma t’përzemerta Gonxhja” Ky ishte momenti kur ajo u nda përfundimisht me familjen dhe vetëm pas 30 vitesh, do të takohej me të vëllanë, Lazrin, por jo edhe me nënë Dranen dhe motrën Age, të cilat pas Luftës së Dytë Botërore, patën shkuar në Shqipëri.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora