E merkure, 24.04.2024, 04:07 AM (GMT+1)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Lezha thërret për Besëlidhje

E hene, 23.01.2017, 08:35 PM


LEZHA THRRET PËR BESËLIDHJE

Nga Frank Shkreli

Javën që kaloi në Lezhë dhe në Romë u përkujtua 549- vjetori i vdekjes se Gjergj Kastriotit Skenderbeu.  Me këtë rast, sipas portalit të Bashkisë Lezhë, u mbajtën ceremoni në memorialin që ruan vendvarrimin e Heroit, ku thuhet se morën pjesë drejtues të pushtetit vendor dhe të institucioneve, përfaqësues të partive politike dhe besimeve fetare, ndërkohë që nxenës shkollash e qytetarë të Lezhës bënë homazhe dhe vendosën tufa me lule tek varri i Heroit Kombëtar të shqiptarërve.

Njoftohet se Kryetari i Bashkise Lezhë, Fran Frrokaj ne fjalën e tij me këtë rast theksoi se, “Kjo ditë shënon përmbylljen e një prej periudhave më të shëndritëshme të historisë sonë, kur Shqipëria iu imponua Europës si mbrojtëse e qytetrimit të saj dhe kur Gjergj Kastrioti hyri në histori si një ndër gjeneralët më të mëdhenjë të epokës së vet, si strateg i luftës dhe profet i paqës”.   Ai shtoi se kjo ditë historike për shqiptarët kudo, nuk është vetëm një datë kur Heroi Kombëtar i Shqiptarëve ndërroi jetë, por kujtohet na të gjithë, “Si një përjetësim i veprës madhështore të tij, si një trashëgimi e vyer e trimërisë dhe urtësisë, vlera këto që na bejnë të ndjehemi krenarë që jemi trashëgimtarë të Gjergj Kastriotit, njeriut simbol të Bashkimit të Kombit, që diti të arrij konsensusin e princave hatërmbetës, duke u berë baza e themelit të shtetit”.   Në fjalën e tij përshëndetse, Kryetari i Bashkisë Lezhë, Frank Frrokaj njoftoi se, në nderim të veprës së Heroit Kombëtar kishte gati për t’ia paraqitur Kuvendit të Shqipërisë propozimin për shpalljen zyrtare të 2-Marsit, Ditën e Besëlidhjes së Lezhës, si festë mbarë kombëtare”, duke theksuar se Lidhja historike e Gjergj Kastriotit-Skënderbe me Lezhën dhe me Besëlidhjen e saj, mbetet një dëshmi e pakontestueshme.

Njoftohet gjithashtu se në ceremoninë e  549-përvjetorit të vdekjes së Skënderbeut, morën pjesë dhe përcollën mesazhe paqeje, mirësie, tolerance dhe bashkjetese vëllazërore udhëheqsit fetarë vendas,  Arkipeshkvi i Shkoder-Pultit, Monsinjor Anxhelo Masafra dhe Imami i xhamisë Lezhë, Agim Tereziu.

Njëkohsisht, edhe në Romë të Italisë, për herë të parë, tri ambasadat shqiptare në atë vend (2 ambasadat e Republikës së Shqipërisë, ajo pranë Vatikanit dhe ambasada e Shqipërisë dhe ajo e Republikës së Kosovës, pranë Italisë), organizuan së bashku me rastin e 549-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, me 17 Janar një ceremoni përkujtimore në sheshin “Albania”, pikërisht aty ku me madhështinë e tij krenare mbizotëron hapësirën, monumenti i Heroit Kombëtar të Shqiptarëve, Gjergj Kastrioti-Skënderbe.  Radio Vatikani shqip njoftoi se përveç diplomatëve të lartë shqiptarë në Romë dhe Vatikan, pranë monumentit të Heroit të tyre Kombëtar, ishin mbledhur me këtë rast shumë shqiptarë që jetojnë e punojnë në Itali nga Shqipëria dhe Kosova dhe të gjitha trojet shqiptare, por nuk mungonin as arbëreshët dhe miqë të huaj dhe italianë.

Shefi i ambasadës së Republikës së Shqipërisë pranë Vatikanit, në fjalën e rastit, Visar Zhiti theksoi rëndësinë dhe simbolikën e ritualit të organizimit të ceremonisë dhe të vendosjes së bashku të tri kurorave në nderim të Heroit Kombëtar nga tri ambasadat shqiptare, një ndërmarrje kjo që Përfaqsuesi i Republikës së Shqipërisë pranë Vatikanit e cilësoi si një, “Ëndërr e shqiptarëve, një ëndërr në rrugën skenderbejane.”  Diplomati shqiptar Visar Zhiti përshëndeti të pranishmit duke thënë se, “Skëndërbeu ishte mik i Evropës në kuptimin e mirë dhe ishte luftëtari i saj.  Skënderbeu ishte bashkpuntori dhe aleati i Selisë së Shënjtë, i katër papëve, me të cilët bashkëpunoi.  Krijoi një Shqipëri të fuqishme, të lirë që për 25 vjetë përballoi superfuqinë e asaj kohe dhe njëkohsisht u bë dritë dhe pishtar për shekujt e mëpastajshëm” shtoi ai.  Në fjalën e tij përshëndetse, Visar Zhiti nënvijoi se, si mbrojtës i qytetërimit perëndimor, “Skënderbeu është, në një farë mënyre, kryekomandanti i parë i kësaj Evrope të bashkuar që kemi.”

Ndërsa edhe ambasadorja e Republikës së Kosovës pranë Republikës së Italisë, Alma Lame theksoi lidhjet e Gjergj Kastriotit Skënderbe me Evropën, duke thënë se, “Figura e Skënderbeut i ka tejkaluar, prej shekujsh në fakt, përmasat kombëtare.  Ai është një figurë që i përket Evropës.  Nuk është cilësuar kështu nga ne, por është cilësuar nga mbarë Evropa”, nënvijoi kryediplomatja e Kosovës në Itali.  “Skënderbeu nuk është vetëm një figurë historike, ai është shndërruar në një figurë të letërsisë, të artit, të kulturës, në kohën kur jetojmë”, u shpreh ajo.   Në fjalën e saj, diplomatja Lame vahdoi duke thënë se,   “Megjithatë, Skëndërbeu si duket ka ende armiqë.  Ata janë shumë më të pakët dhe shumë më të dobët, por megjithatë ata ekzistojnë.  Dhe ne si pasardhës të Skënderbeut dhe të frymës së tij dhe të asaj çfarë ai përfaqëson për mbarë kombin tonë, por edhe për mbarë Evropën, ne duhet që të jemi bashkë dhe të japim përgjigje, atë përgjigje që po të ishte gjallë Skënderbeu, do tua jepte atyre armiqve që në të vërtetë janë të pakët dhe ne do t’i mundim”, përfundoi ambasadorja e Republikës së Kosovës në Romë.

Ndërkaq,  Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Romë, Anila Bitri në fjalën e saj nxori në pah vlerat kombëtare dhe ndërkombëtare të Gjergj Kastriotit, duke  u shprehur se “Heroi ynë kombëtar, as legjendë dhe as mit, por një personazh i madh historik, i cili programoi dhe ideoi struktura bashkëpunimesh, ndërtoi aleanca, hodhi themelet e shtetit të bashkuar të Arbërit, duke themeluar Lidhjen e Lezhës.”  Lidhja e Lezhës, tha ambasadorja e Tiranës në Itali, është “Institucioni i parë pan-shqiptar që i bënte shqiptarët të projektoheshin në arenën politike ndërkombëtare të asaj kohe, po me aq peshë, me aq forcë, sa edhe popujt e tjerë mesdhetarë dhe evropianë.  Ideali që ndërtoi ai duhet të na bashkojë të gjithëve. Unë do doja fort që sa herë të tuboheshim, të hynte në ritual të ditës së celebrimit takimi me Heroin.  Mund të ndezim një pishtar, mund të vimë dhe ta shohim për të rimarrë mesazhin që ai lë”, mbylli fjalën e saj kryediplomatja e Shqipërisë në Itali.

Propozimi referuar më lartë i Bashkisë së Lezhës për shpalljen zyrtare të 2-Marsit, Ditën e Besëlidhjes së Lezhës, si festë mbarë kombëtare është një nismë që meriton të merret parasyshë dhe të shqyrtohet seriozisht kur t’i paraqitet Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për konsiderim.  Lidhja e Lezhës, siç e cilësoi edhe ambasadorja e Shqipërisë në Itali, Anila Bitri, është “Institucioni i parë pan-shqiptar”, por njëkohsisht edhe ideali, i cili ashtu si në kohën e Gjergj Katstriotit-Skënderbe duhet të bashkojë të gjithë shqiptarët pa dallim.

Viti që vjen, shënon 550-vjetorin e kalimit në amshim të heroit dhe Fatosit të Madh mbarë kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastriotit-Skenderbeut.  Nuk është heret, që institucionet relevante shqiptare të fillojnë të mendojnë për një përkujtim të denjë kombëtar të këtij përvjetori.  Një përkujtim, i cili 550-vjetë më vonë, të flasë  me krenari për trimëritë dhe flijet e mëdha të shqiptarëve, që ata pësuan në mbrojtje të Europës dhe qytetërimit të saj, të udhëhequr nga Prijsi i Madh i shqiptarëve.  Por për më tepër, duhet të jetë edhe një celebrim për një të ardhme më të mirë për shqiptarët, një rast frymëzimi për një Besëlidhje të re shqiptare, mbështetur në një zotim të ri për vepra të reja të përbashkëta, ashtu si në kohën e Skënderbeut.  Javën që kaloi, me rastin e 549-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar të shqiptarëve, Lezha e Gjergj Kastriotit bëri thirrje që 2 Marsi, të shpallet Dita e Besëlidhjes së Lezhës, në kujtim -- të Atij që Papa Pali i VI e pat cilësuar në një fjalim drejtuar shqiptarëve në Romë më 1968 me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut -- “Të gjithmonshmit të fisit tuaj, i cili gjithëherë, mbi çdo interes ka venë vlerat e trashëguara të besës, të nderit e të burrënisë... ashtuqë që testamenti i Skënderbeut dhe Atdheu i juaj të shkëlqej me meritime të reja.”



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora