E marte, 19.03.2024, 11:22 AM (GMT)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Memento për një kolos

E marte, 21.01.2020, 02:56 PM


Memento për një kolos

Nga Elvi Sidheri

Në çdo 21 janar, pak ditë pas përkujtimit sado të vakët sidomos në nivel shtetëror dhe mediatik, të 17 janarit Kastriotas, ditës kur më1468-n u shua njeriu që mbajti në të gjallë dhe pas vdekjes Arbër e Shqiptarë në anën e duhur të historisë, gjeografisë dhe kulturës, prej vitit 2006 me dhimbje dhe respekt e mirënjohje vijojmë të kujtojmë edhe jetën, trashëgiminë e gjithanshme dhe veprën e paçmueshme të Ibrahim Rugovës.

Është një përkujtim i trishtë, i dhimbshëm, por njëkohësisht aspak vajtues, ashtu siç me siguri edhe vetë Presidenti Historik i Kosovës së pushtuar, të çliruar dhe “de fakto” të pavarur, do të kishte dashur.

Fundja, Ibrahim Rugovën duhet ta kujtojmë, jo vetëm në Kosovë ndër të tjera, ta vlerësojmë, ta përjetësojmë në kujtesën tonë historike, të shkuar dhe aktuale, dhe parimet e tij t’ua përcjellim brezave të ardhshëm me synimin që veprën e këtij tribuni të paqtë, t’ia falim Olimpit të mirësisë, të pavdekësisë të madhështisë së shqiptarësisë që aq përkryershëm jetësohej në frymëmarrjen letrare, paqedashëse dhe mendimin ringjallës të agut të çlirimit dhe sendërtimit të mosvarjes së tokës së tij, Kosovës, që ngërthente në çdo qelizë kolosi Rugova.

Jetojmë sot në kohë të turbullta, në një epokë ndryshimesh të thella, në një kapërcyell gjeostrategjik e mendësor, atëherë kur miqtë mund të shndërrohen në armiq krejt befas, sikundër edhe e anasjellta mund të ndodhë brenda një çasti të gjatë dhe vendimtar sa një përjetësi.

Kemi ende në mend ngjitjen e stuhishme në lartësitë e pushtetit në Uashtington, të presidentit të ri Donald Trump, fjalimin e tij përtej të gjitha skemave dhe dokeve tipike të thuajse tërë kolegëve të tij paraardhës, hutinë ndërbotërore për ngritjen e tij të rrufeshme, moskuptimin për filozofinë dhe furinë e tij çarmatosëse, tërheqjen në kufijtë e magnetikes nga gojëtaria dhe sentencat e tij therëse, sa edhe realiste, dhe gjithmonë e më tepër bindemi se asgjë nuk do të jetë më njëlloj paskëtaj.

Dhe miq, Rugova kish qenë krejt i këtillë, jo për nga ngjashmëria ideologjike, as për nga prapavija profesionale e ekonomike me The Donald-in amerikan, por pikërisht për nga dialektika çarmatosëse, argumentat e pakontestueshme, gjenialiteti i ideve dhe mprehtësia e mendimit të kulluar në një çiltërsi të cilës pakkush, në mos askush, pati ditur t’i bënte ballë për aq kohë sa Rugova do të gjallonte duke punuar, krijuar e ndërtuar, për tokën dhe popullin e tij.

Është ajo urtësia e bashkëlindur e njerëzve që për arsye krejt atipike, në momentet më kruciale shfaqen në eterin e popujve të mjegulluar nga mugëtirat kohore, duke marrë përsipër të udhëheqin grigjën e tyre drejt progresit, lirisë, mbrothtësisë, paqes dhe të ardhmes.

Janë njerëz që arrijnë në mënyra shpesh të cilësueshme jo edhe aq afërmendsh, si profetike, të shohin përtej zymtësisë të së tashmes së vranët, që zotërojnë atë shqisën plus që neve vdekatarëve të tjerë të zakonshëm çoç na mungon, dhe që i bën ata pikërisht për këtë shkak, të jenë specialë, që u fal atyre statusin e kolosëve, të miteve të gjalla në jetë, dhe të pikave të orientimit, të yjeve polarë për popullin e tyre, atëherë kur kanë shkuar në amëshim.

Ky ishte pra Ibrahim Rugova, një prijës i përndritur i vegjëlisë, një njeri që penën ia kushtoi letrave, studimeve të shumëanshme, letërsisë dhe historisë së kombit të tij, por që gjithaq kapacitetin e tij të pakrahasueshëm intelektual, mendjen dhe gjeninë e njeriut që shikon e synon më tepër seç i lejojnë e ofrojnë rrethanat e disfavorshme, diti dhe deshi që vetmohueshëm t’ia kushtojë veç mirëqenies, ekzistencës, rezistencës dhe të nesërmes së vendit e popullit të vet.

Sepse, kryevepra e këtij kolosi, ishte pikërisht fakti se popullit të tij Ibrahim Rugova i fali një të nesërme, atëherë kur e djeshmja dhe aq më tepër e sotmja e popullit shqiptar të Kosovës, ishte më e kërcënuar dhe e rrezikuar se kurrë.

Këtu qëndron kryebëma dhe kryevepra e këtij njeriu vigan, kësaj mendje të mrekullueshme dhe kësaj zemre të artë shqiptare, që me largpamësinë e vet, mundi të dallojë atë dritën e largët në fund të tunelit ekzistencial të shqiptarëve të Kosovës, duke e ndjekur besnikërisht me këmbëngulje kokëfortë atë dritëz që shpinte drejt lirisë, duke tejkaluar pengesa e errësira të kobshme, por gjithnjë pa u dorëzuar kurrë, me atë paqen e brendshme që do të dinte t’ia përçonte edhe popullit të tij të vuajtur edhe në momentet më të vështira.

Ky ishte sekreti i Rugovës, çelësi i mirëfilltë i mbijetesës së popullit shqiptar të Kosovës gjatë viteve të apartejdit shtetëror serb dhe luftës gjenocidiale të vitit 1999.

Pa qetësinë, gjakftohtësinë, largpamësinë dhe gjeninë e këtij njeriu, sot Kosova padyshim që do të ishte ndryshe, krejt tjetër, më pak e respektuar në botë, me më pak aleatë, më pak vitale dhe shumë pak e lirë.

Shumë pak njerëz, edhe më pak udhëheqës e tribunë të popullit, sot apo në të shkuarën, kanë mundur të jenë kaq vendimtarë për fatet e popullit të tyre, kaq përcaktues për ekzistencën e vendit të vet, dhe për këtë arsye Rugova ka përqafuar mitin, ose miti i është mveshur, është bërë tanimë njësh me kujtimin dhe imazhin e këtij kolosi.

Si në çdo përvjetor të amëshimit të Ibrahim Rugovës, edhe këtë vit, përveç një ceremonie të denjë dhe tepër të përkorë në kujtim të Presidentit Historik, Fondacioni Ibrahim Rugova, solli për lexuesit dhe gjithë ata që këtë figurë të pashlyeshme nga historia e shqiptarëve të Kosovës dhe jo vetëm e vlerësojnë dhe respektojnë , librin “Memento për Rugovën” me autor Sabri Hamitin.

Një libër tepër i vyer në këtë përvjetor të rradhës, ku shpërfaqet shterueshëm sa dimensioni letrar, aq edhe ai politik i Ibrahim Rugovës, një dëshmi e gjallë për kolosin e paharruar, nga kritiku, kolegu i letrave dhe shkrimtari dëshmitar ku lexuesi do të njohë të tjera aspekte të atij poliedrizmi aq unik, që do të shenjonte jetën, ekzistencën dhe veprën e pakrahasueshme të këtij njeriu të madh.

Është kjo një mënyrë dinjitoze dhe tejet e përshtatshme për të mbajtur gjallë mesazhin dhe kujtesën, “memento-n” historike për Rugovën.

Gjer në 21 janarin e ardhshëm, padyshim që “memento” Rugoviane, do të jetë pasuruar me shumë.



(Vota: 22 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Elvi Sidheri: Rrota e Ujit, një shtjellim i rrallë i të kaluarës kosovare Elvi Sidheri: Princesha Iliro-Maqedonase Cynane, Amazona e vërtetë Elvi Sidheri: Një Golgotë për t’u lexuar, në frymë Krishtlindjesh në diktaturë Elvi Sidheri: Kur libri shndërrohet në pasion jetësor Elvi Sidheri: E vërteta për “Fitoren e Pirros”, përtej mitit përçmues romak Elvi Sidheri: Ndjesia e pështirë e inferioritetit kulturor ndaj sllavëve Elvi Sidheri: Kemi harruar vallë të shkruajmë me dorë? Elvi Sidheri: Panairi i pafytyrësisë Elvi Sidheri: Përpjekja e mbretit ilir Klitit për të mposhtur Aleksandrin e Madh Elvi Sidheri: Hakmarrja e Aristotelit ndaj helenëve, falë Aleksandrit të Madh Elvi Sidheri: Shqiponja dykrenare arbërore dhe Dragoi rumun Elvi Sidheri: Ndikimi i PPSH shqiptare ndaj komunistëve militantë në Brazil Elvi Sidheri: Etërit e kulturës maqedonase (bullgare) me rrënjë shqiptare Elvi Sidheri: Presidenti i ri (pjesërisht) arbëresh i Brazilit Elvi Sidheri: Pikëtakime të vyera shqiptaro-bullgare të fillimit të shekullit XX Elvi Sidheri: Luftëtarët shqiptarë në skajet e Rusisë mesjetare Elvi Sidheri: Shqiptarët ortodoksë të Ohrit dhe ati i letërsisë moderne maqedonase, me rrënjë shqiptare Elvi Sidheri: Orvatja për ngritjen e një Kishe Ortodokse Shqiptare në Stamboll dhe vallja greke Sirtaki, me rrënjë shqiptare në metropolin turk Elvi Sidheri: Shqipëria e Vogël në stepën e pamatë të Azovit Elvi Sidheri: Gjuha e fshehtë 'Meshtrovski' e muratorëve bullgarë, një dialekt i panjohur i shqipes

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora