E enjte, 25.04.2024, 07:34 AM (GMT+1)

Kulturë

Vullnet Mato: Kali modern i Trojës

E shtune, 21.01.2017, 07:20 PM


VULLNET MATO

 

KALI MODERN I TROJËS

 

Kali modern i Trojës, u nis të vejë,

në formë treni, të futej në Kosovë,

me mbi njëqind agresorë serbo-akej,

armatosur me automatikë kallashnikov.

 

Dhe njëqind shkina me taka të larta,

t’u prishnin mendjen djemve kosovar...

Por të gjithë bashkë, ngecën te balta,

se nuk hapeshin më portat, si më parë.

 

Pas njëzet shekujsh kali prej druri,

me çelik special nga uzinat ruse,

nuk arriti dot të kalonte tek muri,

ku i tha“stop!” UÇK e Kosovës nuse;

 

Ndale o serbi beg, pabesinë e stilit grek,

të mos rifillojmë çlirimin tonë përsëri,

se mes nesh ke dhe të Natos hendek,

ku thyen kokën, me çdo hile e djallëzi!”...

 

SHQIPTAR, O SHQIPO FLUTURIMTAR!...

 

O klithmë e lashtë, mbi relievin me gërxhe të thepisur,

nga llava vullkanike ngurtësuar ndanë ujërave gadishullore!

Pjellë e zanave, me ofshamave mortore, në gjoksin e stolisur,

dhe e kreshnikëve kordhëtar, gdhendur në eposet shekullore!

 

Shqiptar, o lis i rritur shpateve, ku gurrat me jehonë,

gurgullojnë përrenj të përgjakur nga burimet e etnive!

Atdhetar, që të zbrazën në damarë qysh në embrion,

zemërimin e vetëtimave kacafytëse, për gurët e kufijve!

 

O krijesë e ngulur nën Hënë netësh, me kollitjen e barutit,

dhe nën diellin flakëhedhës të agimeve mbi kreshtat epike,

ku syri i akulluar, te shënjestra hakmarrëse e Kanunit,

kullonte në det, lotët e hidhur të breznive tragjike! ...

 

O qeleshebardhë i sertë, mikpritës zakonor dhe bujar,

vrastar për një pëllëmbë arë, mbi shkrepa e zallishte,

të ndarë mes rrëkeve të brazdave, mbrujtur me zjarr,

qysh nga rapsodive e lashta të legjendave kreshnike!...

 

Krismat e tua i kalibrove, të arrinin deri në Lindje,

ku të thërrisnin grindjet e përjetshme të profetëve,

por veshët i mbaje përherë te Perëndimi i mrekullive,

ku shfletonin gjithësinë, mendjet e ndritura të etërve;

 

Teksa thelloje rrudhat e dheut rreth gurëve të varreve,

ku flinin epigrafet e pavdekshme të amaneteve,

për të zgjatur përjetësinë fisnore, përmes ugareve,

duke u hedhur stinëve farën jetëdhënëse të gjetheve.

 

Ku e gjete forcën, që frymën e ngjeshur në kraharor,

e shfryve aq fuqishëm nëpër të gjitha kontinentet,

duke kapërcyer meridianët, si brazdat e shpateve malor,

për të arritur hapat e penguar të dhjetëra vjetëve?!...

 

Tani shtrirjen e këputur, në perimetrin e trojeve arbërore,

e lidhe fort tek gjenealogjia e gjakut tonë të përbashkët,

për të bashkuar blerimet e ndara të degëve rrethore,

në trungut e limfës së moçme, për njësimin e ardhshëm!...

 

O Shqiptar, o shqipo fluturimtar me shtatë zemra në gjoks

dhe me fijen kuqezi, të lidhur te këmba për fluturime,

dije se cepin tjetër me përmallime lotësh, kur e tendos,

e ke nga kjo anë, të lidhur fort edhe te zemra ime!...

 

Mes shqiptarëve, ka edhe nga ata që bëjnë prapësira,

ashtu siç ka mes drerëve nëpër pyje edhe egërsira,

por unë u puth ballin, vetëm shqiptarëve ballëkrenar,

që me shqipen dykrenore në zemër, lartojnë emrin shqiptar...

 

HERONJTË E SOTËM

 

Ku i kemi guximtarët e bëmave të mëdha heroike?

Ku janë heronjtë e sotëm të vetëflijimit fitimtar?

Flenë moteleve me dashnore e kurvicka histerike,

pinë “Viagra” dhe injektojnë “Heroinë” në damarë.

 

Mbushin faqet e shtypit dhe ekranet me ngjyra,

prototipat e rëndomtë të llojit “Big Bradhër”,

kacafyten tre muaj duke bërë tualet në pasqyra,

të fitojnë miliona, duke puthur vajzat e radhës.

 

Kryetrimat që përdorin lirinë e gruas si pronën e vet,

dhe nga milli i rebelimit të gjakut nxjerrin shpatën;

sulmojnë të drejtën e të tjerëve me egërsi të rreptë,

duke plagosur rëndë kushtetutën dhe gjykatën.

 

Përdhunuesit ndërkombëtar, furnitorët e drogës,

të dënuar nga kodet evropiane, që bëhen deputet.

Dergjen pas hekurave, për katër-pesë heqje koke

dhe ngrohen në diell lirie, pasi janë dënuar përjetë...

 

Pseudoheronjtë që zotërojnë mjeshtërinë e shpifjes,

duke zbrazur për rivalët helm më të fortë se të gjarprit.

Qejfëllinjtë e sofrave, me fondet mbledhur prej gjobitjes,

hajdutët milioner, që deklarohen në Veting më të varfrit.

 

Fitojnë famë nga lajmet me tituj: Eskobar i Ballkanit”,

nën hundët e rendit, ngrenë shumëkatëshit luksozë,

bëjnë buzë deteve plazhe, me emrin e ndonjë rrufjani,

duke shirë drith hashashi në lëmenjtë e kapove mafiozë.

 

Ku i kemi guximtarët e bëmave të mëdha heroike?

Ku janë heronjtë e sotëm të vetëflijimit fitimtar?

Flenë moteleve me dashnore e kurvicka histerike,

pinë “Viagra” dhe injektojnë “Heroinë” në damarë...

 

ROMJA QË MË DONTE

(Improvizim artistik për të rinjtë)

 

Ndjeva se nuk kisha lindur aspak racist,

kur gjaku më kish ndezur lulëkuqe në maj.

Tek një kumbull rome m’u ngjitën sytë,

sa u çmenda për manaferrat e gjoksit të saj.

 

Ajo qe e para, ku desha të kolaudoj djalërinë

dhe rashë me kokë në thellësinë që nxinte.

Thashë më mirë të mbytesha tek ajo rominë,

veç të më shuante prushin që më digjte.

 

Ajo drithërohej si gjethja, kur i fryn flladi,

dhe afshin përvëlues, e avullonte në gji,

sikur kishte një furrë të fshehtë te shtati,

ku piqte ballakume të ngrohta, për ne të dy...

 

Ndonëse më kishin këshilluar tutorët e mi:

Mos i shko një zemre, kur ka tjetër në radhë,

as ndonjërës, që ka lëkurë ngjyrë kulumbri,

se do jetosh me të, në ndonjë gërmadhë!...

 

Do jetoja dhe në kasolle braktisur nga çobenjtë,

me atë rome, që shpirtin tejpërtej ma dëfrente,

sikur ai romi plak, që martoi të bijën shpejtë,

gaxhonjtë e bardhë, aq shumë, mos t’i urrente...

 

PJATA E VOGËL, ME GJELLË MBRETI

 

S’isha më i ngathët nga moshat e tjera,

që u vërsulën pas parave dhe pasurisë.

Nuk isha as pendë zogu ngritur nga era,

por një copë çelik, kalitur prej fëmijërisë.

 

Sistemi startoi me dyndjen për fitim,

duke ndezur lakmi dhe kacafytje të gjakut.

Vazhdon me sakrifica deri në vetëmohim,

duke shuar diku edhe frymët e pragut.

 

Se ndershmëria është Everest me ngjitje alpine

dhe ecje në telat e ligjit, si akrobat ekuilibrist.

Kush i bën të dyja, pa rënë në turp dhe krime,

ta gëzojë bollëkun e ta trashëgojë familjarisht.

 

Ndryshe vërsulja te kapitali, nuk ndalet kurrsesi

dhe zhvatja mbaron te plumbi, a prangat duarlidhur.

Unë, ose isha budalla, i lindur vetëm për varfëri,

ose nga jeta e përkohshme, zgjodha njeriun e ditur;

 

Pa i shkuar mendja kujt, se ka pjesë në gjakun tim,

pa u njollosur e rrokullisur në përgojimet e tjetrit.

Për të fjetur në shtrat reje, pa u zgjuar gjer në agim,

duke ngrënë pjatën e vogël, me shijen e gjellës së mbretit.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora