E enjte, 25.04.2024, 08:52 PM (GMT+1)

Kulturë

Poezi nga Qazim Shehu

E shtune, 21.01.2017, 06:44 PM


QAZIM SHEHU

 

KRIFË…

 

Nga vitet ikur në vrapime

Ku lagte shiu dhe vërshonte era

U rrallua krifa prej brilantine

Me ngjyrat që jepte pranvera.

Si bari ku bie zjarri

Ca flokë trishtojnë mbi qafë,

Dhe rri i ngrysur shalli

Nga ngrica e bardhë.

U drodhën vitet si zhivë

Në matëse temperaturash

Tani dëshirat tund si krifë

Me fije të lënuara…

 

NGJYRA E MJERIMIT

 

Për të mbuluar ngjyrën e mjerimit

U shpikën sa ngjyra

Veç ajo, ngjyrën e çelikut

E mban në nuanca të thinjura.

Çelik mbetet mjerimi

Portë hekuri varfëria,

Dhe s`pushon së thinjuri

Dëshira.

Për të marrë ngjyrën e verdhë

Të pasurisë në jerm,

Kur dora e saj të derdhë

Ca monedha të mëshirës terr.

Mjerimi gjithnjë e dëlir

Dëshirën prej ëndrrës,

Në këtë botë që thirr

Kënaqësinë e brengës…

 

LAKMUES

 

Lakmues dëshirash pa kufi

Dredhues i tyre kur ngushtë u zura,

Lakmues i tretësve në kimi

Lakmues i portës ku nuk hyra.

Lakmues ,dredhues dhe ushtrues

I dëshirave përvëlimtare,

Në vorbullën e tyre lus

Të gjej pikën fillestare,

Si pikë të rëndësisë famoze

Dhe të përmbys lakminë e kësaj bote…

 

KULM

 

Si çatia që ka një kulm

Ku rrëshqet tërbim i stuhisë,

Edhe unë e ngre një kulm

Ëndrrave mbi çati.

Çati e ëndrrave mërgimtare

Me pllaka, luspa përbindshi,

Ngrihet mbi ndjenja mëkatare

Që kërkojnë gjurmët ku nuk ishin…

Përse i kërkoni këto gjurmë

Ku gjurmët e vërteta harruat,

Dhe ngritët mbi to furtunë

Sikur në atë rrugë nuk shkuat?

E bëj shpesh këtë pyetje

Vetes dhe askujt,

Drejt ëndrrave që mbyten

Pa i dhënë llogari kërkujt…

Dhe pres përgjigje dënesshkrirë

Nga bryma e pamundësisë,

Vetëm kulmi vazhdon të rrijë mirë

Në çatinë e shkalafitur nga koha

Që ngul spica të arratisë…

 

BUJA

 

Nga kërcënimet dhe trenimet

Nga deklaratat dhe mashtrimet

E  amplifikimeve të zërave kobndjellës

Ardhur me shpejtësinë e erës,

Prej tyryfylëve mediatikë,

Krijohet një bujë dhe njerëzit

Mendtë e rëmujshëm

I bëjnë më rrëmujë.

Bujë e trazimeve të orekseve

Bujë e trishtimit impotent,

Shpërthen dhe ec nga një vend

Në tjetrin vend.

Ditë shkojnë dhe shuhen e ndizen

Bujë të tjera sipas rrethanave,

Po mua më pëlqen kjo bujë e manave,

Bujë e qershive dhe pemëve  kurorëblerta,

Ajo më vërshon damarëve,

Është bujë e tokës në magma të nxehta,

Bujë e thellësive ku prehen të parët,

Ajo nuk ndjehet ,gjëmon e shuar

Në përjetësinë e vet kundërvënëse,

Ndaj çdo bujë që vringëllon e truar

Me kërkëllimat e veta rënëse…

 

SHTËRNGATË

 

Damarët e stuhisë i lidhi djalli

Në trup të zemërimit, në brendësi,

Dhe kur stuhisë i del gjaku

Lot i pikëllimit

Si tharm e ngjiz

I jep hijeshi…

 

HAPAT

 

I kërrusur në peshë mendimesh

Në mjegull mendimesh,

Nga mosha ndoshta jo,

Vështroj përtokë,

Rrugën e shkalafitur nga makinat,

Nga paret e vjedhura.

Germat e hapave të fshira

Rrinë aty,

Shkruar mbi njëra tjeriën

Në palimpsest.

Hapa që fshijnë hapin

Dhe shkruajnë bredhjen

Pa kujdes.

I kërrusur nën peshë mendimesh

Mendimet nuk gjejnë në to

Asnjë identitet…

 

NE

 

Kur ata u lodhën duke na sunduar

Ne kujtojmë se janë më të egër,

Ata sundimi i ka dërmuar

Dhe mbeten kukulla në letër.

Një guxim i joni do mjaftonte

Një zjarr zemërimi t`i digjte,

Po maska e tyre si fantazmë honesh

Hijen e sundimit nuk na e hiqka…

 

GRYKË MALI

 

Këmborë

Me gjuhë drurësh,

Grykë shisheje ku mblidhet

Verë e rrezeve.

Pëllëmbë  qielli

E mbledhur

Hinkë.

Një lejekalim

Për çfarë matanë ka.

Syrin e mundësisë

Që të shohim veten tonë

Ajo na dha…



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora