E enjte, 25.04.2024, 08:32 AM (GMT+1)

Kulturë

Syrja Kurti: Brenda detit

E merkure, 18.01.2017, 07:47 PM


SYRJA KURTI

 

BRENDA DETIT

 

-cikël poetik-

 

Dëborë në Durrës

 

Sot një vello të bardhë nusërie

tokës përmbi kokë ia hodhi qielli,

që duart përplasi si në një gëzim fëmije

kur për dhuratë diçka të çmuar i sjellin.

Ndoshta qielli qytetin mendoi ta gëzojë

ndaj nisi poshtë mysafiren e rrallë,

por prapë që të bindet qëndron të shikojë

se si do t’sillet toka me kostumin e bardhë.

Mbuluar këmbë e kokë me kapuçin gri

(se as dielli sikur s’ka ndërmend të dalë),

i fshehur pas reve vetullngrysur rri

e erën pret t’i dërgojë lart ndonjë fjalë.

Çfarë i thotë era qiellit për tokën s’i dihet

se ajo me borën s'është mësuar

e ndoshta shpejt do të mërzitet

 

 

Pasuria

 

Pak vetë e dinë se sa i pasur jam

disave nuk i intereson e ka të tjerë që nuk lodhem për t’ia treguar,

në fakt pasurinë e kam në monedha të shteteve të panjohura që nuk janë krijuar ende

dhe që as do të krijohen ndonjëherë,

e ky është thesari im mbyllur brenda meje

ku kursin e këmbimit e vendos unë si të dua

për të shitur e për të blerë ëndrrat.

Në sportelet e bankave ku mund të shkëmbehet çdo gjë e çmuar

në valutë ,bizhu a sende me vlerë,

(aty ku konvertohen madje dhe shpirtrat)

djalli nuk mumd t’i blejë dot ëndrrat e mia

sepse nuk ka se ku i gjen monedhat

 

 

Lutje

 

Ndoshta një ditë do të lutem

që në detin e syve të tu të pranosh të gjithë lumin e hidhësirës time

se nuk di vend tjetër ku mund t’a tres

ndaj ata më mbeten si rrugë e vetme e shpëtimit.

E aty pastaj me shpirtin tim të strukem

me shpresën që të paktën një poezi të më ruash brenda tyre

sepse kur të vdes

e dua për ta kënduar matanë njerëzimit

 

 

Brenda detit

 

Nga muzgjet e mia të fshehura unë do të vij

e do të ulem buzë një shkëmbi të vetmuar,

pranë farit që natën gris me dritën e tij

detin e shpirtit tënd për të kundruar.

Nuk dua të më hedhësh në fytyrë pak shkumë

e as ca pika uji si pulëbardha të vetmuara,

më nis nga deti yt një dallgë të madhe shumë

që brenda të më zhytesh në thellësitë e tua.

E atëherë trishtimi im i përhershëm

do të dalë nga ujërat e tua duke buzëqeshur.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora