E enjte, 25.04.2024, 05:48 AM (GMT+1)

Kulturë

Vjollca Pasku: O merrmë, o erë e gjelbër

E hene, 16.01.2017, 08:31 PM


Vjollca Tiku Pasku

O MERRMË, O ERË E GJELBËR!...

(Poemth)

Sonte thirra renë e ëndrrave të mia:

Eja me frerët e erës, më udhëto,

në këtë moshë ku më ka çuar largësia

dhe nëpër vitet e shkuara më ndalo!

Atje te ajo vajza e vogël, e dikurshme,

me flokë të gjatë e fjongo të bardhë.

Dua një nga ato net të paharrueshme,

kujtimet e zhurmshme të ringjall me radhë,

Në zemrën e vogël, mbushur me gjak ledhatar,

të ndjej dëshirat dhe ëndrrat lënë mënjanuar,

të ndjej, një nga hapat që hidhja më parë,

si njomëzake e larë me dritë të kulluar...

E vogël, çdo ëndërr më dukej e lehtë,

si dhëmbi që heq e fluturon i harruar,

si pëllumbi i bardhë mbi çatinë përpjetë,

Oh, kërcej e qiejt kap fort me duar...

Yje dëshirash qëndis në pëlhurë ngjyraplote,

Një flutur dëshire, fluturoj në zbehtësi qiellore,

nga pergameni i atëhershëm, “të jem pilote”

Te pilotoj në marramendjen e sferës tokësore.

Pilotoj me penën e frymëzimit, fluturoj,

t’u marr të kuqin vezullues, trumbave yjor,

të ngjyros reflekse zemre, ngjyrë shebojë,

në një pikë të ndritshme në kraharor...

Zëri i frymëzimit me djeg si prush i metalit,

filizi i pranverës më bëhet laps dhe shiu bojë,

era mërmërin e vë buzën në gaz, majë malit,

re të bardha për letër përpara më shtrojë.

Ajri troket grimcave e shpërthen melodinë:

“O merrmë, o erë e gjelbër e viteve rinore

më kthe në refrenin e artë të adoleshencës time!

kur jeta dukej blerim me dashurinë kapur përdore.”

II

Dua të pi një gotë me ujë, që të gjallëron,

nga qyteti i lindjes, Fieri i fushës myzeqare,

të shoh Gjanicën vetullgajtane, që gjarpëron,

herë me ngërçe pa fre, herë e butë manare.

Dua që dora e detit të Semanit të madh,

të më përkëdhel butësisht si rërën bregdetare,

me një përqafim kaltërsie në fytyrë,

nga vijat gjatoshe të valëve lozonjare.

Pëlhurën e shkumës ta lënë në breg, të grirë.

Pishat e gjata që feksin blerim e kaltërsi deti,

t’më puthin në faqe me spitullim erëmirë,

me aromën e boçeve të kthyera nga qyteti.

Era më sjell tingullin e largët të muzgut vjollcë:

“O merrmë, o erë e gjelbër e rinisë time,

më kthe në refrenin e artë të viteve gëzimplotë,

që nuk i fshi dot kurrë nga mijëra përjetime.

III

Të qeshura valësh ngjiten, pa ndaluar,

në buzët e moshës rinore, lyer me ëmbëlsi,

me fantazi e peizazhe ëndrrash trazuar,

dhe shpërthejnë sfera ajrore në lartësi...

Me ajrin eci, me melodinë e mbrëmjes, si dikur,

e ndrojtur, si atëherë për provimet grumbulluar,

të futem në harenë e miqësisë në maturë,

të jap frutin e mendjes, si një vajzë e zgjuar.

Blloqe kujtimesh, fletë me hapësirën bosh;

Ku stilolapsi lë gjurmë, si hapat në borën e dëlirë.

Qyfyre, gallata, fizikë, astronomi, të dëgjosh,

orët t’i kthenim mbrapsht, pa mëshirë.

Zbor veshur me uniformë të blertë ushtarake,

piknike në lëndina, edhe pranë tendave cigane.

Marshime në Pojan, Ardenicë, në parcela fusharake,

na kalisnin me flluska këmbët, pa autobusa urbane.

 

Dhe ja mbrëmja e Maturës, me dëftesat shkollore,

Kapja e fundit dorë përdorë, në vallëzim

lotë që rrëshqasin, nga ndarja e viteve rinore,

atëherë kur dhamë me besa –besë një premtim;

Miqësinë ta ruajmë si një rreze të shenjtë,

si ata tingujt që luanin ëmbël melodinë intime;

“O merrmë, o erë e gjelbër e viteve të blertë,

më kthe në refrenin e artë të rinisë time!''

Oh, zjarr rinie me flakëza jete që s’mbaronin,

me një turrë vitesh, me ndjenja rinore.

Kur në bulevardin e Fierit, takat lodronin,

rryma ndjenjash qarkullonin trajektore;

Topa ajri nga shkëndijat e xixëlluese të syve,

hidheshin e loznin në neonet e avulluara.

Hëna nga drita antike e saj rrethuar me yje

këpuste copëza për zemrat e dashuruara…

“O merrmë, o erë e gjelbër e viteve sublime,

më kthe në refrenin e artë të rinisë time!''

IV

Nata mbaroi si e kaluara dhe gdhiu dita e zymtë…

U ktheva, e dehur nga kujtimet e viteve të mia,

ku tërhoqa me fijet e zemrës, e me gjithë shpirt,

gjithë bardhësinë e dritës së viteve që më dha rinia.

E gjitha u mblodh, në një llambë të bardhë me kujtime,

ku e çastet e jetuara, puthin ngjyrat e purpurta,

“O merrmë, o erë e gjelbër e viteve sublime,

më kthe në gjenezën e atyre çasteve të lumtura!''



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora