E enjte, 25.04.2024, 10:12 AM (GMT+1)

Kulturë

Dedë Preqi: Ndal o tren ilegal

E hene, 16.01.2017, 08:49 PM


NDAL O, TREN ILEGAL

Nga Dedë Preqi

Serbia dhe qeveria e saj po sinjalizon një trazim në Kosovë, të cilin si do ta marrim, apo do ta quajmë, ky është një provokim i radhës, të cilin e ka në rend dite dhe në plan ky shtet, që ia dedikon Kosovës, apo fqinjit të vet, si një shirit i kohës së saj, që nuk tërhiqet prej veprave të shëmtuara.

Prandaj, në radhë të parë po shihet qartë se, Serbia po tenton të mos heqë dorë nga Kosova, dhe në radhë të dytë, janë studimet dhe thëllimet psikologjike të shtetit serb, apo të paktën pretendimet e tyre për thyerjen e skemave politike të Kosovës, që ta pengojë në proçeset dhe zhvillimet e saj, poashtu edhe në integrimet ndërkombëtare.

Athua se, njerëzit që kanë apetite të tilla të pushtimeve dhe luftrave, janë njerëzit më të mirë të kësaj bote, të cilët duhet lakmuar, që duhet të shfryejnë gjithë arsenalin e vet të krimit dhe marrëzisë njerëzore, për të kultivuar një botë tjetër, një botë të dhunës, të pushtimeve dhe çnjerëzimit, përmes një imagjinate të çmendur, e cila nuk mund të cilësohet si rrjedhojë e një mendje të shëndoshë njerëzore.

Kryesisht këtë linjë po e ndjekë akoma shteti i Serbisë, bashkë me qeverinë  e saj, e cila po merr frymë nga mushkëritë e huaja, duke e forcuar edhe më shumë ndjenjën e urrejtjes ndaj Kosovës, e cila kurrë nuk ka lozur me fatet njerëzore të ndonjë popull në botë,  por duke synuar si gjithherë të ndërtojë të ardhmën dhe fatin e vet njerëzor.

Aktet e provokimeve të Serbisë, kundër shtetit të Kosovës, në kohën e pas luftës dhe çlirimit të saj, nuk e përjashtojnë vakumin e politikës së dobët dhe strategjisë kosovare, e cila me qeverisjen e saj ka një boshllëk të theksuar në raport me politikën e Beogradit, duke shfrytëzuar çdo mundësi të nxitjeve dhe konflikteve, ndoshta edhe më dramatike e tragjike për popullin dhe shtetin kosovar.

Serbia po e shfrytëzon edhe urtësinë europiane, e cila po tregohet si gjithherë e përgëdhela e saj, prandaj qëndrimet dhe politikat e Beogradit janë të njohura për Kosovën, sikur në kohën e paraluftës që kishte për qëllim ta mbajë Kosovën ndër këmbë, poashtu me strategjitë e mëshehura të saj që ka, ta mbajë Kosovën edhe sot ndër dhëmbë ?...

Motivet  e saj nuk vijnë nga ndonjë aspekt i ri shoqëror, apo i ndryshimëve dhe zhvillimeve njerëzore, sepse në realitet Serbia fare pak ka ndryshuar nga e kaluara e saj, por vijnë nga lakmia dhe miti i saj i qelbur, të cilit po i vie një erë e keqe në këtë shekull të demokracisë njerëzore.

Është shumë interesant se, të gjitha vendet e botës demokratike po mundohen ta ndryshojnë planin e jetës, apo të planifikojnë një strategji ndryshe nga e kaluara e tyre, ndërsa Serbia mbetët e njëjta, me një mentalitet dhe realitet të njejtë, së cilës iu është ngulitur dhe tulitur urrejtja ndaj popujve jo serb, veqanarisht ndaj popullit shqiptarë.

Si çuditërisht, por me plot të drejtë, Kosova i tha Serbisë ndal me trenin ilegal, i cili pretendonte jo vetëm të shkel teritorin e Kosovës, por të shkel mbi gjakun e gjithë martirëve të saj dhe të shkel mbi të ardhmën e këtij vendi dhe këtij populli.

Kosova si çdo vend dhe shtet tjetër demokratik ka nevojë për marrëdhënie bilaterale në mes popujve dhe fqinjëve të vet, sikur që është edhe Serbia, por forma e veprimeve dhe sjelljeve të Serbisë, është tej mase e vrazhdë dhe jo koperuese, e cila nuk jep mundësi për një bashkëpunim të sinqertë, por si gjithherë e mbanë në vete një intrigë të fshehtë me pasoja për Kosovën.

Ky tren nuk ishte tren i pasagjerëve të rëndomtë, por ishte tren politik, që transporton njerëz të dyshimt, lokomotivën e të cilit e drejtonte kryeministri i Serbisë, bashkë me elitën e tij komanduese, me tentativën e matjes së pulsit të qeverisë dhe vetë shtetit të Kosovës, ndoshta edhe më gjerë…

Kosova, jo vetëm llojit të këtij « treni të zi », duhej ti thotë ndal dhe të mos vazhdojë mëtutje, por edhe trenave tjerë që po pretendojnë ta shkelin sakrificën e këtij vendi, sikur që janë, ura mbi lumin Ibër, në të cilën është e pa mundur lëvizja e lirë qytetarëve të vendit, ndërtimi i murit, përmes të cilit planifikohet ndarja e qytetit të Mitrovicës, Asosacioni i komunave serbe, që planifikohet një lloj autonomie e veqantë serbe, ndërtimet pa leje dhe planifikimi i kolonëve serb në veri të vendit dhe shumë e shumë trenave të këtij lloji, që e përbuzin dhe shkelin mbi Kushtetutën e shtetit të Kosovës.

Kosova ka mundur edhe më herët ta thotë, jo vetëm fjalën fundit, por të mbrojë të drejtën e saj legjitime dhe të veprojë në këtë mënyrë, duke marrë parasysh pretendimet dhe qëllimet e Serbisë, e cila nuk e fsheh fare dhe pa kurrrfarë rezerve egoizmin dhe ironinë e saj ndaj shtetit dhe popullit shqiptarë.

Kosova dhe qeveria e saj duhet të krenohet, por jo të lazdrohet me ndaljen e këtij treni dhe të rrahin gjoks liderët e saj,  sepse Serbia ka përgaditë edhe strategji të tjera, e cila po i provon të gjitha variantët e saj mbi tokën e Kosovës, tani i ka mbetë të provojë vetëm edhe ndonjë mrekulli që vie nga qielli i saj, por duke i falenderuar SHBA-ve, dhe miqëve të tjerë ndërkombëtarë, nuk do të na lënë në baltë, të ngulët edhe njëherë Serbia në Kosovë, sikur miza në mjaltë.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora