Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Frank Sinatra

| E shtune, 26.05.2007, 08:34 PM |


Frank Sinatra, emri i vërtetë Francis Albert Sinatra (i lindur në Hoboken, New Jersey, 12 dhjetor 1915 – në Los Angeles, dhe ka vdekur në Kaliforni, 14 maj 1998), këngëtari mjaft i njohur dhe aktori amerikan. I konsideruar si një ndër divat e të gjithë kohërave, është njëherësh edhe interpretuesi më i madh që është bërë i njohur me ‘Voice’. Personazh i rëndësishëm dhe karizmatik si në ambientin amerikan, ashtu edhe në atë botëror është renditur në vendin e parë të personaliteteve të spektaklit të shekullit XX në një klasifikim të realizuar në vitin 2000. Në karrierën e tij renditen thuajse 70 vite, duke filluar nga vitet e parë '30 e deri më 1995.

Hapat e para drejt suksesit
Është lindur në një familje me origjinë italiane- amerikane. I ati Anthony (1894-1969) ishte një punonjës sicilian, ndërsa nëna gjenoveze, shtëpiake Natalina Garaventa, (1896-1977). Frank Sinatra vendos të bëhet një këngëtar pasi kishte dëgjuar në radio këngë të Bing Crosby. Filloi të këndonte në lokale të vegjël të New Jersey, rreth viteve 1932, ku dhe u pëlqye nga Harry James. Në 1935 krijon grupin e tij Hoboken Four, me të cilin fiton në të njëjtin vit, konkursin për të rinjtë e talentuar të organizuar nga Radio Major Bowes' Amateur Hour. Më pas fillon të interpretojë në spektakle të ndryshëm. Në vitin 1938 Sinatra mbërrin në Rustic Cabin, në një ambient ku transmetohej vetëm muzikë live, në Dance Parade të New York. Në nëntor të po të njëjtit vit arrestohet dhe mbahet për disa ditë në burg me akuzën e ngacmimeve, në lidhje me një vajzë, e cila dëshironte të bëhej bashkëshortja e tij e parë Nancy Barbato. Pas një bashkëpunimi me orkestrën e Harry James, me të cilin në verën e vitit 1939 Sinatra regjistron këngën e tij të parë ‘All Or Nothing At All’, në 1940 bashkohet me orkestrën e Tommy Dorsey, fal së cilës bëhet i famshëm si këngëtar. Stili dhe imazhi i tij ishte tepër i pëlqyer nga të rinjtë, një publik tërësisht i ri për muzikën e lehtë, që deri më atëherë i ishte përkushtuar mbi të gjitha të rriturve. Në praktikë Frank Sinatra, ishte idhulli i parë i adoleshentëve, pas një eksperience amerikane, si ndërmjetës i trupës midis periudhës së viteve 1941 dhe 1942, gjatë luftës së dytë botërore, rikthehet të këndojë. Pikërisht në vitin 1942 largohet nga grupi i Tommy Dorsey, dhe firmos një kontratë me Columbia Records; duke arritur një sukses të vërtetë dhe në periudhën midis vitit 1943 dhe 1944 bëhet pjesë e dhjetëshes më të mirë në klasifikimet amerikane. Shumë shpejt cilësohet si një ndër këngëtarët më të mëdhenj amerikan pas Bing Crosby, idhulli i tij në rini. Në këtë periudhë njihet si "The Voice" një mbiemër prestigjioz i njohur në të gjithë botën. Të tjerë epitete, që kanë qenë më pak të njohur për të jashtë Amerikës ishin "Ol' Blue Eyes" "Swoonatra" apo ‘Chairman of the Board’. Në vitin 1944 interpreton në kinema ‘Higher and higher’; vitin pasues ndodhet në ‘Dy marinarë dhe një vajzë’ pranë Gene Kelly, që e mëson të vallëzoj. Në të njëjtën periudhë cilësohet si zëri më popullor edhe në radio. Në vitin 1946 ftohet në një gala-party në Avana, që u zhvillua në ishullin e Kubës, dhe pikërisht në atë kohë mesa duket është bërë edhe lidhja e tij me mafien, për të cilën do të flitet në vitet pasuese të jetës. Midis periudhës së viteve 1947 dhe 1948 punon në New York City, në Madison Square Garden,  Waldorf Astoria, dhe në Capitol Theater. Në 1949 është interpretues së bashku me Gene Kelly, Kathryn Grayson dhe Betty Garrett, i “Një ditë në New York”, një film që ka pasur tepër sukses, dhe që ditët e sotme është konsideruar si një ndër muzikorët më të mirë të historisë së kinemasë.

Kriza
Në 1950 ka skaduar kontrata kinematografike e tij me Louis B. Ndër të tjera Sinatra duhej të kërkonte më tepër se kurrë shkrime të mundshme si këngëtar, dhe ishte i detyruar të pranonte role të ndryshëm si ai tek ‘Copacabana Club’ i New York, që parashikonte tre koncerte për mbrëmje. Në fillim ishte një sukses i madh, por në vazhdim  prodhoheshin efekte jo të mira në lidhje me performancën dhe imazhin e tij, saqë në fillim të mbrëmjes së tretë, zëri i tij ishte tepër i çuditshëm, dhe Sinatra si këngëtar kishte përfunduar gjithmonë. Në suksesin e dy viteve, incizoi pjesë të dy filmave ‘Double Dynamite’ dhe ‘Meet Danny Wilson’. Për fat të keq, asnjë nuk i kushtoi vëmendje të veçantë këtyre dy realizimeve, e para për rezultatin jo të mirë, dhe e dyta sepse kishte munguar mbi të gjitha vëmendja e MCA (agjencia e tij prej shumë vitesh) por edhe e Columbia Records, që nuk kishte rinovuar kontratën. Në fushën sentimentale, marrëdhënia e tij me Ava Gardner e kishte vënë në vështirësi të mëdha, grindjet e vazhdueshme gjatë turneut që e kishte marrë me vete për tre muaj rresht në Evropë, duke u ndalur edhe në Romë e Napoli, kishin rritur audiencën e thashethemeve të revistave të specializuar, dhe nga stresi më shumë sesa një herë kishte tentuar të vetëvritej. Troket sërish në dyert e kinemasë, duke përdorur çdo mundësi për të marrë rolin e Angelo Maggio në filmin e radhës, duke u kënaqur me pagën minimale. Por, filmi shënoi për të një rikthim të artë në karrierë, fitoi çmimin Oskar si aktori më i mirë jo protagonist në vitin 1954. Suksesi kinematografik e bëri që të firmoste një kontratë të re me agjencinë William Morris, dhe rikthimin në karrierën e tij si këngëtar.

Rikthimi
I lënë mënjanë nga shtëpi diskografike të tipit RCA apo Decca, regjistrohet nga Capitol Records, që kishte lançuar artistë si Nat King Cole, Peggy Lee dhe Stan Kenton. Në datën 14 mars 1953 do të firmos një kontratë gjashtë vjeçare, që në të vërtetë ishte një kontratë vetëm një vjeçare me gjashtë opsione rinovimi, por që bëhej fjalë për një ofertë tepër të vlefshme, ndaj dhe Frank vendos të pranojë. Alan Livingston, në atë kohë zëvendës drejtor i çështjeve të Capitol, ishte një ndër ndihmuesit e Frank Sinatra në ngitjen e nivelit profesional, si dhe dy personat që merreshin me kujdesin e operacionit -Sinatra: Dave Dexter dhe Voyle Gilmore. I pari ishte producent, por përzgjedhja e artistit përkonte me tjetrin. Dexter zbuloi qëllimin e kësaj përzgjedhje vetëm disa vite më vonë: Sinatra nuk e kishte harruar një deklarim negativ, që ishte bërë prej tij në revistën ‘Downbeat’, në lidhje me dy disqet, që kishin dal në treg me etiketën Columbia. Si aranzhues zgjodhi Nelson Riddle, një person që kishte firmosur suksese të shumtë të Nat King Cole, si ‘Mona Lisa’ dhe ‘Unforgettable’. Por, Sinatra, vendos të thërres mikun e tij Axel Stordahl, që të drejtonte orkestrën që do e shoqëronte. Në datën 2 prill 1953, me një orkestër prej 20 elementesh, incizoi katër këngë. Një nga ato ishte ‘I'm walking behind you’, e cila hyri menjëherë në klasifikimin e 10 këngëve më të mira të javës, duke u renditur në vendin e shtatë. ‘South of the Border’ ishte kënga që entuziazmoi publikun me këtë këngë të re. ‘I've got the world on a string’, ishte këngë e parë që doli në tregun muzikor me emrin e Nelson Riddle si dirigjent orkestrues. Frank më në fund pranon të ketë si arenzhues Riddle, kur Axel Stordahl u transferua në New York për të punuar me Eddie Fisher. Krijimet e realizuara gjatë kësaj periudhe arritën suksese në treg, edhe në karrierë, por ato krijime kanë pasur sukses edhe nga këndvështrimi i kritikës, edhe në ditët e sotme albumet e krijuara nga Sinatra për Capitol janë konsideruar si albumet më të mira të realizuara artistikisht.

Rinia e dytë
Midis periudhës së viteve 1965 dhe 1969 u shfaq në shumë programe televizive, ku këndonte së bashku me vajzën Nancy, Ella Fitzgerald, këngëtari dhe kompozitori brazilian Antonio Carlos Jobim, The Fifth Dimension dhe Diannah Carroll, dhe në vitin 1971 interpreton në Royal Festival Hall të Londrës, përpara princeshës së Monakos Grace Kelly, partnerja e tij e vjetër në High Society. Pas dy vitesh në prill të vitit 1973 kthehet për të kënduar në shtëpinë e Bardhë, për festën italo- amerikane, në prezencën edhe të presidentit amerikan Richard Nixon dhe të presidentit të këshillit italian Giulio Andreotti. Në të njëjtin vit merr pjesë në spektaklin televiziv "Telethon", ku arrin të bashkohet me çiftin e formuar nga Jerry Lewis dhe Dean Martin. Në vitin 1977 gjatë një koncerti që mbajti në Las Vegas për nder të kolegut Elvis Presley, kërkoi një minutë heshtje për humbjen e tij. Në 1980 realizon një koncert të madh në stadiumin Maracanà të Rio De Janeiro, që u bë pjesë e rekordeve Gines. Kurrë nga një koncert recital i një këngëtari të vetëm, nuk ishin mbledhur kaq shumë persona, sipas të dhënave zyrtare ishin rreth  200.000 spektatorë. Në janar të vitit 1982, këndon në një koncert bamirësie, për herë të parë të jetës së tij pranë tenorit Luciano Pavarotti. Midis tyre u krijua një miqësi që zgjati prej vitesh dhe u kurorëzua me duetin e My Way në diskun e fundit të The Voice, Duets II, në vitin 1993. Në karrierën e Frank, rol të rëndësishëm në prezantimin e punimeve, kanë pasur miqtë e tij: kitaristët Tony Mottola dhe Al Viola, aranzhuesit Don Costa, Gordon Jenkins, Quincy Jones, drejtuesi i orkestrës dhe pianisti Bill Miller, që e shoqëri në koncertet e tij për rreth 50 vjet.

Legjenda e gjallë
Në 1990, me rastin e ditëlindjes së tij të 75-të Sinatra inauguron një seri të koncerteve të titulluar ‘Diamond Jubileè Tour’, ku këndoi në mbarë botën për të disatën herë. Vazhdon të këndojë edhe gjatë viteve 90-të, për shtëpinë diskografike ‘Capitol Records’, ku realizoi dy albume ku përfshihen edhe dy duete nga të cilat janë shitur miliona kopje, me yje të tjerë ndërkombëtarë të muzikës si Barbra Streisand, Neil Diamond, Tony Bennett dhe Stevie Wonder. Një sukses të jashtëzakonshëm kanë pasur edhe videot e dueteve midis Frank Sinatra dhe Bono të grupit U2, që interpretojnë këngën e Cole Porter I've Got You Under My Skin, që këngëtari i Hoboken e kishte regjistruar për herë të parë në vitin 1946, dhe ato me Aretha Franklin në What now my love dhe me Anita Baker në Witchcraft. Datëlindjen e 79-të e festoi në 16 dhjetor 1994, pas disa koncerteve dhe një turneu në Filipine dhe Japoni, shfaqet i lodhur dhe dukej që kishte mbërritur koha për t’u tërhequr pas. Në koncertin ‘dal vivo’ në Fukuoka, që realizoi në datën 19 dhe 20 dhjetor 1994, përpara 100.000 spektatorëve, dukej se kishte gjetur emocionet e kohërave më të mira, midis adhuruesve me interpretimin e ‘My Way’. Më pas midis lotësh, deklaron që ishte interpretimi i fundit që do e shihnin të këndonte në skenë, atëherë publiku mbetet tepër i dëshpëruar. Në shkurt 1995 këndon disa këngë gjatë një mbrëmje bamirësie për Barbara Sinatra Children Center. Në mars 1995 i jepet çmimi Grammy për albumin Duets II. Çmimi i jepet nga Bono i grupit U2. Një mbrëmje Bill Miller, pianisti i njohur dhe drejtori i orkestrës, ishte i ftuar në Rancho Mirage, në shtëpinë e Sinatras. Duke parë në televizion një këngëtar që interpreton suksesin e tij Frank i thotë: «E adhuroj këtë këngë... kushedi nëse një ditë do të mund të kthehem të këndojë». Miller i përgjigjet: «Çfarë pret, Frank, lëviz!». Sinatra, pranon: «Tashmë është tepër vonë, besoj se kam dhënë shumë...». Në nëntor të të njëjtin vit, mbahet një festë në Los Angeles, për 80 vjetorin e tij. Ndër të tjerë kanë marrë pjesë: Tony Bennett, Bob Dylan, Bruce Springsteen, Gregory Peck, Bono i U2, Angela Lansbury, Arnold Schwarzenegger, Little Richard, Tom Selleck, Steve Lawrence, Eydie Gormé dhe Robert Wagner. Ky eveniment u titullua "Sinatra: 80 Years My Way", dhe u transmetua në kanale të ndryshme televizive amerikane, ku u ndoq nga 150 milionë spektatorë.

Vdekja
Përveçse problemeve që kishte me memorien, filloi të vuante nga problemet shëndetësore, pëson dy infarkte në zemër si dhe i shfaqet një kancer. Në mbrëmjen e vonë të 14 majit 1998 në Los Angeles Frank Sinatra largohet nga kjo jetë dhe nga familjarët që ndodheshin në dhomën e spitalit të Cedars-Sinai. Për nder të figurës gjigande të botës së spektaklit, natën midis 14 dhe 15 majit, dritat e Las Vegas u fikën, për herë të parë në qytetin e kazinove. Në Chicago, Empire State Building u ndriçua nga bluja, për nder të Old Blue Eyes. Shkrimi mbi varrin e tij është "The best is yet to come", i cili është edhe titulli i një prej këngëve më të suksesshme të tij.

Jeta private
Sinatra është martuar katër herë në jetën e tij. Bashkëshortja e parë ishte Nancy Barbato, me të cilën u njoh që në fëmijëri. Martesa e tyre zgjati nga periudha midis viteve 1939 dhe 1951. Nga kjo martesë kanë lindur tre fëmijët e Sinatra: Nancy (1940), Frank Jr. (1943), dhe Christina, në vitin 1948. Në datën 7 nëntor 1953, pasi kishin kaluar vetëm nëntë ditë nga divorci me Nancy Barbato, Sinatra martohet me aktoren Ava Gardner, me të cilën jetoi disa vite, dhe kishte qenë shkaktarja kryesore e shkatërrimit të martesës së tij. Historia e dashurisë së tyre nuk zgjati shumë, ata ndahen pak muaj më pas, gjithnjë në vitin 1953, dhe divorcohen zyrtarisht në vitin 1957. Bashkëshortja e tretë e Frank Sinatra ka qenë aktorja Mia Farrow, më e re në moshë se ai. Të dy martohen në vitin 1966, por kjo martesë sërish bëhet pjesë e divorcit, ata ndahen pas dy vjetësh. Në vitin 1976 Sinatra martohet për herë të katërt me Barbara Blakely Marx, ish bashkëshortja e Zeppo Marx. Martesa e tyre zgjati rreth 20 vjet, deri në vdekjen e Sinatra.

Miqësitë e rëndësishme
Frank Sinatra që nga periudha e presidentit Franklin Delano Roosevelt, ka qenë një personazh që ka mundur të influencojë në mënyra të ndryshme, në zgjedhjet amerikane, fal imazhit ‘magnetik’ që ka pasur tek admiruesit e tij të shumtë. Një ndër fushatat elektorale, të cilës i dedikohet me përkushtim të veçantë, është ajo e mikut John Fitzgerald Kennedy. Bashkë me të ka qenë në prezantimin e presidentit edhe aktorja Marilyn Monroe, me të cilën thuhet se ka pasur një flirt. Lajmin e vdekjes së presidentit në vitin 1963, Sinatra e merr vesh gjatë provave të filmit që xhironte me Rat Pack; këngëtari u mbyll në dhomën e tij për ditë të tëra, tepër i trishtuar nga humbja e mikut. Richard Nixon ishte një adhurues i madh i Sinatra. Gjatë periudhës 6 vjeçare të presidencës të dy darkonin së bashku në Shtëpinë e Bardhë, të paktën 5-6 herë në vit. Miqësi të madhe Sinatra ka pasur edhe me Ronald Reagan. Të dy janë njohur gjatë viteve 40-të në Hollivud, kur Reagan ishte një aktor kinematografik. Midis periudhës 1980 dhe 1988 interpreton në Shtëpinë e Bardhë, i ftuar nga presidenti në raste vizitash shteti dhe prezencës së emrave të rëndësishëm të politikës së asaj kohe. Thuhet se ‘The Voice’ ka pasur një histori dashurie me First lady Nancy Reagan.

Kuriozitete nga jeta
* Gjatë karrierës së tij thuhet se Frank Sinatra ka incizuar rreth 2200 këngë, dhe ka shitur afërisht 1.000.000.000 disqe në mbarë botën
* Frank Sinatra ka qenë protagonisti i kronikave të kuqe, që i atribuohen flirte të shumta me femra të bukura dhe të famshme, midis së cilave Lauren Bacall, Angie Dickinson, Marilyn Monroe, Grace Kelly, Nancy Reagan. Në Itali flitet për një lidhje të tij me Raffaella Carrà, gjatë punës për filmin ‘Koloneli Von Ryan’.
* Sinatra, gjatë karrierës së tij ka fituar 9 çmime Grammy Awards dhe 3 Golden Globes.
* Sinatra gjithnjë ka mohuar lidhjen e tij me mafien italo-amerikane, por thuhet se personazhi i Johnny Fontane tek ‘Il padrino’ është frymëzuar pikërisht nga ai dhe nga kontaktet e tij me mafien.
* Si aktor Frank Sinatra ka interpretuar në 53 filma. I pari tek Higher and Higher i vitit 1944, ndërsa i fundit tek ‘La corsa più pazza d'America N. 2’ në vitin 1984.
* Demonstrimin se muzika e Sinatrës është e pavdekshme, më mirë se kushdo e dëshmon adhurimi që shumë persona të famshëm kanë për të, si Vasco Rossi, Jon Bon Jovi, Bono Vox, Christian De Sica, Michael Bublè, Robbie Williams, Rod Stesart, Michael Jackson, Elton John, Mina, Sid Vicious dei Sex Pistols, Julio Iglesias, reperi Snoop Dog, Luis Miguel dhe shumë e shumë të tjerë.

Sot