E premte, 19.04.2024, 04:00 PM (GMT+1)

Kulturë

Dukagjin Hata: Koha e Unit, koha e Vetvetes

E merkure, 11.01.2017, 07:08 PM


Rreth përmbledhjes me tregime “Unë mbretëresha e Trojes” të autores Kristina Demiri Dojçe

Koha e Unit, koha e Vetvetes dhe Bashkëkohësve…

Nga Dukagjin HATA

Kur shfleton librat në qarkullim, përmbedhjen me poezi dhe atë me tregime të shkrimtares Kristina Demiri Dojçe, ndjesia se ke të bëshë me një autore të sprovuar në rrugëtimin e saj letrar, edhe pse janë dy librat e saj të parë, ngre krye tek ti, por kur ato i lexon dhe rilexon, kjo ndjesi bëhet këmbëngulëse dhe bashkëshoqëruesja jote si lexues apo kritik letrar. Duke ardhur nga një rrugëtim i ngjeshur me akison, batica dhe zbatica jashtëletrare, nga sprovat e punës si mësuese tek jeta e vështirë e emigrantes, Kristina nuk shkruan se duhet shkruar, si nevojë për t’u dukur, por ngaqë nuk mund të rrijë më pa shkruar, pa i hedhur në letër ndjesitë e thella, qasjet dhe kujtesat që i vlojnë në thellësitë e një qenie të trazuar.

Autorja e këtyre dy librave, që kanë prekur telat e brendshëm të lexuesit, veçanërisht ato të gjinisë femërore, të cilës dhe i drejtohen më së shumti, është një grua që di të rrëfejë “me zemër në dorë”, me rrëfime të ngrohta e të sinqerta, me grimca të qëmtuara nga jeta e saj dhe e brezit të saj, me një gjuhë të latuar bukur, të ëmbël e të hidhur njëherësh, njësoj si rrugëtimet e saj drejt shpirtit njerëzor.

Ajo ka shumë për të rrëfyer, di të rrëfejë dhe rrëfimin e saj e mbështet në themele të një gjuhe të sigurtë, me një stil të përpunuar e lakonik, plot figura të gjalla mbresëlënëse.

Në poezitë e Kristinës lëvrin një botë femërore pasionante ku kureshtja dhe kërkimi në botën e gjërave që e rrethojnë përzihet me ndjeshmërinë e hollë, aftësinë për të vëzhguar në prerjet më të imëta e më të holla të realitetit, që nis nga uni i saj e rrugëton në dhjetëra e qindra pore të jetës s ëgjallë, të kohës dhe historisë, ku lubrifikohet ndjenja dhe mendimi poetik.

Ajo që e bën të veçantë autoren dhe i vesh asaj petkun e prozatores, është rrëfimi i saj i shtruar, sponatan, pa sajime dhe artikulime të sforcuara, pa retorikë dhe klithje; ku sundon lirizmi poetik, përshkrimet e imëta, që shkrihen në botën e brendshme të protagonistes, e cila në pjesën më të madhe të gjendjeve identifikohet me vetë autoren.

Përditshmëria jonë, me mungesat, vetminë, trillet, raportet e përmbysura etike, sociale, filozifike e humane, pasqyruar me artin e një fjale të përpunuar me shije estetike e finesë, me një gjuhë të zhdërvjellët dhe filmike, e bëjnë prozën e Kristinës të lexohet me një frymë dhe të pasprihet tek lexuesi me një kohë reflektimi.

Tema kryesore e prozës së Kristinës është ajo e familjes, puna e saj përkushtuese si mësuese, një botë feminile që trazon situata e ndjesiqë përthyhen në marrëdhëniet marrëdhëniet burrë- grua, bir -nënë, raportet në çift të të dashuruarve etj. Autorja mban një qëndrimi të çlirët dhe pa paragjykime ndaj të objektit rrëfimtar, pra ndaj të ndodhurës, duke i mëshuar idesë së saj rrëfimtare, për një familje të shëndoshë, të motivuar nga përkushtimi dhe pasioni human, për të mbajtur në mënyrë dinjitoze peshën e jetës.

Me një vizatim të zhdërvjellët dhe gjithë kolorit filmik jepen shijet, ngjyrat dhe ritmet jetësore në tregimin “Ngjyrat e dashurisë”, ku Kristina Demiri Dojçe na tregon për një histori brenge e trazimi të thellë, ku përzihen raportet dashurore martesore me pengjet e kohëve të ndrydhura e të pathëna, shijet e ikura dhe paradoksi i kompensimit, që humbet diku, në një kohë të pa kohë.

Në tregimin “Pas fallit që më shtiu Rilanda…” autorja di të gërshetojë në mënyrë harmonike dhe të japë dimensione fati dhe jete njerëzore, duke shkrirë në një trillin dhe transhendencën poetike me pamjet realiste dhe nxjerrë në pah dinjitetin njerëzor, si një vlerë arkitipale, që vë në lëvizje njeriun dhe shoqërinë njerëzore.

I një natyre tjetër, më të drejtpërdrejtë, me tone të ngrohta lirike dhe fluks të një filozofie humane ekzistenciale, autorja shpalos kurbën e marrëdhënieve dashurore në tregimin “Premtomë një dashuri”, ku duket se motivimi i protagonistes dhe filozofia pragmaniste e vetë autores përcillen në të njëjtën linjë e unifikohen në të njëjtin vektor estetik.

Mjaft befasues dhe me një temporitëm afektiv, ku përzihen ngjyra dhe nuanca nga më të hollat e karaterit dhe sjelljes njerëzore e që në fund kulmohet në maja të një emocioni të natyrshëm, përcillet tek lexuesi tregimi “Sprova e vështirë e familjes”, një nga tregimet më të bukura të Kristinës.

Një qasje narrative impresive dhe plot situata emocionale, na jep autorja dhe tek tregimi “Dëshira për të qenë baba”, ku drama e një prindi të zhgënjyer nga bashkëshortja e tij hipokrite lyp të kompensohet nga të qenit baba i një fëmije, produkt i një marrëdhënie jo normale në çift, fryt i një kompromisi martesor, por që kthehet në kuptim të jetës së bashkëshortit të pafat, të këtij “babai” që bën një përpjekje mbinjerëzore për ligjëruar atë nga gjykata.

Në këtë shtrat meditativo-narrativ, vijnë tek lexuesi dhe mjaft tregime të tjera, ku autorja, me një gjuhë të gjallë e të zhdërvjellët, na sjell tablo realiste e romantike të familjes së kohës sonë, në këtë kohë të raporteve të krisura, të krizës së shoqërisë moderne dhe disniveleve të gjithëkahshme të epokës së globalitetit.

Gjejmë në rrëfimet e Kristinës qasje e sendërtime poetike, detaje të imëta, gjendje të befta psiko-sociale, raporte erotike, dashurore, familjare e humane që ajo na i përcjell me një gjuhë fine dhe plot sharm stilistik e semantik, si në tregimet “Unë Mbretëresha e Trojës”, Ma bëj hallall”, “Fejesa që nuk duhej bërë”, “Nën pushtetin e një ëndrre fatale”, etj, ku prozatorja shpërfaq raportet totalitarizmit dhe lirisë, jetës dhe vdekjes, me imtësirat dhe lirizmin poetik të situatave të befta rrëfimtare.

Psikoanaliza e fakteve, detajeve, gjendjeve të trajtuara me aq realzëm, me nota lirike dhe poetike, kapërcimi i çdo kornize trajtimi bardhë e zi të situatave narrative, të gjitha këto e cilësi të tjera të procedimit estetik të tregimtares, i bëjnë tregimet e saj aq të gjalla dhe komunikuese në vetëdijen e lexuesit të çdo moshe.

Autorja rrëfen shtruar, sikur po flet me veten apo me një grup fëmijësh para oxhakut me zjarr, në vatrën dimërore; është një rrëfimi i ngrohtë, lirik, me penelata të holla nuancash e kundrimesh stilistike, të cilat e bëjnë prozën e shkurtër të kësaj autoreje të lexohet me një frymë, duke na bashkëshoqëruar gjatë këtij leximi nënvizimi nëntekstual, midis rreshtave, që autorja iu bën rrethanave dhe fatave ku mpleksen personazhet e saj.

Vetë jeta e saj prej emigranteje, kontaktet me kulturën dhe vlerat e civilizimeve, që kanë shumëçka për t’iu thënë vendeve e njerëzve që vijnë nga epokat e trishta totalitare, bëjnë që Kristina Demiri Dojçe të mos mos I shoh gjërat në kornizën “bardhë e zi”, por me ngjyra që marrin e japin midis tyre, në një lojë dritëhijesh dhe kumtesh që përsillen në çdo situatë narrative.

Ankthi, vetmia, stresi postmodern, dashuria e paragjykuar, erotizmi i murosur në shtretër paranojash etj, na jepen me ngjyra të gjalla në mjaft tregime, ku dyzimi dhe aritmia e e marrëdhënieve familjare e shoqërore, mospërputhjet në kohë dhe në ëndrra, keqkuptimet e një dashurie që nuk funksion për shkak të kreanrisë absurde, etj, vijnë me ngjyra të përzishme dhe një gjuhë të ftoftë, plot aludime goditëse.

Autorja di të zgjedhë e të selektojë me kamerën e saj vëzhguese, prej shkrimtareje shijehollë, të veçantat e produktit artistik, duke ia nënshtruar ato një analize të imët, tekstore e nëntekstore, të drejtpërdrejtë dhe poetike. Shkrimtarja i mëshon idesë poetike dhe narrative të një individi të çliruar nga hijet dhe enigmat vrastare, ku lufta mes të mirës dhe të keqes, virtytit e vesit, kompleksit të fajit dhe luftës së brendshme shpirtërore për t’u vetëpërsosur, për t’u çliruar nga pjesët e të këqija të unit, janë një luftë e modernitetit global me kohët e errëta të qenieve, që vijnë nga raporte të devijuara etike, sociale e humane.

Kristina nuk kërkon të bëjë “filozofira të mëdha” me të cilat janë mbushur dëng mjaft autorë e që shpesh, ngaqë bëhen për t’u dukur, kthehen në shtampa deklarative dhe ilustrative; ajo është një tregimtarja e sinqertë, e ngrohtë, spontane, me gjithëfarë ritmesh e ngjyrash jete e ku rrinë në bashkëjetesë të plotë elementët klasikë e modernë, duke na përvijuar trajta dhe peizazhe të thyer të shpirtit njerëzor dhe të përditshmërisë.

Kur lexon përmbledhjen me tregime “Unë mbretëresha e Trojes” të shkrimtares Kristina Demiri Dojçe, kupton se ke të bëshë me një autore që ka një përvojë të thellë jetësore, çfarë kërkon ta përpunojë në filtrin e saj estetik dhe t’ia sjellë lexuesit me një qartësi dhe thjeshtësi tronditëse, gjë që mendoj se është edhe ana më e veçnatë e tregimeve të saj.  Ajo rreh të na përcjellë me aq natyrshmëri dhe befje në të njëjtën kohë, unin e saj të grimcuar në kohë, pjesë të vetvetes, të kohës së saj dhe të bashkëkohësve.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora