E enjte, 25.04.2024, 10:44 AM (GMT+1)

Mendime » Çeliku

Kalosh Çeliku: Koha është ta ndajmë shtëpinë

E merkure, 11.01.2017, 08:22 PM


KOHA ËSHTË ME “VËLLEZËRIT”

TA NDAJMË SHTËPINË

NGA KALOSH ÇELIKU

Herët e kam thënë në shkrimet e mia publicistike, që nga koha e PPD -ës dhe PDP -ës, se: Partitë Politike Shqiptare merren me ndarjen e lugëve dhe enëve me “maqedonasit”. E Shtëpinë, arat, livadhet dhe malet ua kanë lënë “vëllazërve”. Kurrë, nuk më ka shkuar mendja se, ato edhe sot e kësaj dite do të merren me enët dhe lugët.

Përsëri, edhe pas 25 viteve do të dalldisen me të njëjtat kërkesa politike: flamur, gjuhë shqipe dhe shkolla shqipe. Ndryshimi i kësaj radhe, nuk janë kërkesa, por gjoja “kushte” politike për të hyrë në Qeverinë e “Vëllazërim-Bashkimit”. Fjalën e kam për Platformën e “përbashkët” të Partive Politike Shqiptare: Njëra Parti Politike Shqiptare (PDSH) nuk e ka nënshkruar Platformën, Lëvizja Politike “Besa” është pro Platformës, por nuk merr pjesë në Qeveri me kriminelët dhe të korruptuarit. Platformëm e përkrah edhe Aleanca për Shqiptarët, por edhe ajo nuk hy në Qeveri me Gruevskin. BDI delë pak më e përmbajtur, bënë politikë. Ende nuk deklarohet se, me cilën Parti Politike Maqedonase do të bëjë koalicion për të hyrë në Qeveri. Platformë e “përbashkët”, siç thotë populli: Hip se të vrava, zbrit se të vrava! Analistët politik me këmbët dhe trutë në legen, dihet si i kemi në mjetet e informacionit e portale elektronike, të gjithë të “mençur” dhe “parashikues” për Politikën Shqiptare, jo vetëm për nesër, por edhe për pasnesër?! Njëri i bie patkonit, tjetri këmbës të kalit.

Edhe kjo Platformë e “përbashkët” e Partive Politike Shqiptare, frikë kam se do të përfundojë mu si ato marrëveshjet e djeshme politike: “Ilirida”, “Marrëveshja e Ohërit”, “Pyka” shqiptare, “Grupi kordinues mbipartiak”, Lëvizje me “Besa”, “Përzhino” e “Vëllazni” tjera politike partiake. Shkaku se, vështirë rrinë në një thes me arna: speca, domate, patate, kastraveca, qepë, hudra dhe kunguj Stambolli. Qëllimi i tyre shihet larg me dylbi, Platformën e “përbashkët” Politike të Partive Shqiptare vetëm e kanë si farsë për të hyrë në Qeveri me “vëllezërit” për punësimin e disa partizanëve partiak dhe asgjë më tepër për zgjidhjen e Çështjes Shqiptare, në Ballkan. E, përderisa nuk zgjidhet Çështja Shqiptare, nuk ka rehati dhe paqe në Ballkan.

Fatkeqësisht, me këtë dua të them: Partitë Politike Shqiptare duhet të bëjnë luftë për pushtet (Shtet), e jo të merren me ndarjen e lugëve dhe enëve. Mendja ma thotë, se: edhe kjo Platformë e “përbashkët” e Partive Politike Shqiptare, bashkë me mosnëshkrimin e saj nga një Parti Politike Shqiptare (PDSH), është sa për sy e faqe që vetëm të hyjnë në Qevri. E Nesërmja, me siguri edhe këtij “pajtimi” formal politik do t’ia vë vulën në ballë. Edhe pse, mezi dolën me një Platformë të “përbashkët” politike, frikë kam se edhe kjo marrëveshje do të përfundojë në kontejnierët e bërllokut, në Bit - Pazar. Shkakun e kam thënë moti kohë në shkrimet e mia publicistike e libra: Trumbetat e Tellallit (1992), Kali i Trojës nëpër Bit - Pazar (1994), Kur bërtet “vojvoda” e pjell Kurvë Partia (2008),  Xhadia (2011), Rrufjani (2012) dhe Lavdi “heronjëve” të Xhadisë (2015). Tashti, vetëm e përsëris si thënie parashikuese për Nesër. Brumi politik e ka fajin. Brumi. Fundekrye, është i njëjti brumë politik i PPD -ës, PDP -ës dhe PDSH -ës. Kulaç me farë, nuk bëhet me këtë brumë - krunde. Nuk piqet dot në çerep e nën saçin me shpuzë, maxhatorja ta shtrojë në sofrën shqiptare.

E pyes sot veten: deri kur Partitë Politike Shqiptare me “vëllezërit” do t’i ndajnë lugët e enët?! Vërtet, as vetë nuk e di si autor i këtij shkrimi publicistik parashikues për Ditën e Nesërme. Vetja ma thotë: shqiptarët, sot kanë nevojë për një Tru tjetër politik. Tru, që me “vëllezërit” nuk do t’i ndajë lugët dhe enët, por Shtëpinë, arat, livadhet dhe malet. Pastaj, a kanë “besë” Partitë Politike Shqiptare që të dalin sot me një Platformë të “përbashkët” politike, kur ato dikur ishin bashkë në kohën e PPD -ës dhe PDP -ës?! Pamarrë parasysh se, edhe këto parti politike të para shqiptare e mbëlodhën gjithë bërllokun partiak të Partisë Komuniste ish jugosllave. Vite më vonë, edhe kur do t’i pjellin si prodhime të tyre serike në grazhd viçat e palëpi dhe shterret azgane bishtëpërpjetë livadheve. Pse, tashti me kaq vonesë 25 vjeçare këto Parti Politike Shqiptare duhet të bëhen bashkë në grazhd rreth një Platforme Politike të “përbashkët” Shqiptare?! Përgjigja është këmbëkryq pas dere.

I përgjigjem vetë kësaj pyetje politike: Vetëm e vetëm të hyjnë në Qeveri. Partizanëve të tyre të arratisur deri dje nëpër parti politike shqiptare e maqedonase, sot t’u sigurojnë nga një vend pune dhe rrogë deputeti të popullit. Përkundër asaj, që gjatë këtyre viteve “vetëqeverisje demokratike” me “vëllezërit” e Njerkës, popullin e lanë pa punë, dhe pa brekë në bythë e bukën e gojës.

Parashikimi im si shkrimtar i kësaj Platforme të “përbashkët” Politike, është: vetëmse, gjoja “bashkimi” i Partive Politike Shqiptare për ta shpëtuar edhe kësaj radhe IRJ të Maqedonisë. Dhe, asgjë më tepër për ndonjë fitore historike të shqiptarëve. Vetë pikat e Platformës “përbashkët” të Partive Politike Shqiptare flasin mjaftë: Flamuri kombëtar, gjuha shqipe, shkollat shqipe... E harruan postin e Kryetarit të Shtetit, Kryeministrit ose Kryeparlamentarit që të jetë shqiptar. Poste politike në Shtetin e “përbashkët”, që gjatë fushatës parazgjedhore të jashtëzakonshme parlamentare me plot gojën i lakonin para kamerave televizive. Veprim politik, që duket haptas, se: Partitë Politike Shqiptare, nuk bëjnë politikë me palën maqedonase, por me popullin shqiptar. Përsëri, nesër këto kalorës të arratisur politik në zgjedhjet e ardhshme lokale dhe parlamentare do t’i hudhin grepat ma nga një “krimb” mes hurdhe, dhe do ta kapin peshkun e madh - popullin shqiptar.

Partitë Politike Shqiptare, siç duket ende me “vëllezërit” e Njerkës vazhdojnë t’i ndajnë lugët dhe enët. E, jo Shtëpinë, arat, livadhet dhe malet...



(Vota: 19 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora