E shtune, 20.04.2024, 06:11 AM (GMT+1)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Shqiptarët të bashkuar

E hene, 09.01.2017, 10:00 PM


Shqiptarët të bashkuar

Nga Elvi Sidheri

Faktikisht, në këtë shkrim të parë për vitin e ri 2017, më duhet të pranoj se kjo shprehja “Shqiptarët të bashkuar” seç më risjell ndërmend ndoca këngë partizane të qëmoti, nga ato që rëndom i këndonim si fëmijë me plot ëndje në bankat e shkollës, jo edhe aq për shkak të empatisë që ndjenim për to, por ngaqë thelbësisht qenë tepër të lehta për t’u kënduar dhe mbajtur mend në orën e muzikës.

Një ndër ato syresh pra, qe edhe kënga “Malet me blerim mbuluar”, ku në një varg thuhej edhe se “shqiptarët të bashkuar dalin për liri”, ndër të tjera.

Tani, çështja me përfaqësonjësit politikë të shqiptarëve të IRJ Maqedonisë shkon përtej partizanëve shqiptarë të kohës së LANÇ-it në vitet e para 40-ë të shekullit të shkuar, dhe ndërkaq “daljet maleve për liri” të shqiptarëve të atyre anëve, supozohet të jenë përmbyllur nga viti 2001, por, ka ende punë me shumicë për të realizuar dhe jetësuar idealet e luftës së atij viti, dhe kjo është arsyeja përse, pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit 2016, partive politike shqiptare të IRJ Maqedonisë, iu shfaq nevoja imperative për t’u bashkuar nën një platformë të përbashkët para nisjes së bisedimeve për qeverinë e re me kundërpalën maqedonase.

Shikuar globalisht, veprimi dhe vendimi i politikës shqiptare në IRJ Maqedoni për t’u ulur në një tryezë, qoftë edhe me bekimin apo shtytjen e fortë të Tiranës zyrtare apo Prishtinës, është gjithësesi një gjest që meriton veç përgëzime.

Rezultati i këtyre konsultimeve së pari, dhe aq më tepër i platformës së ngjizur mes shqiptarësh në mënyrë të gjerë dhe gjithëpërfshirëse, në pamje të parë së paku, tingëllon dhe duket fort inkurajues.

Platforma e përbashkët e 4 partive dhe koalicioneve politike të shqiptarëve të IRJ Maqedonisë, përbën hapin e parë madhor serioz përbashkues dhe kushtëzues ndaj palës maqedonase sllave, qysh nga bisedimet, negociatat dhe nënshkrimi 15 vite e gjysëm më parë i Marrëveshjes së Ohrit, në një ditë të nxehtë vere të mesgushtit 2001, buzë liqenit të paqtë të Ohrit, në ish vilën Biljana të marshallit Tito.

Qysh nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, shumë ujëra kanë rrjedhur sa në liqenin e Ohrit, aq edhe në Shkumbin në Tetovë apo edhe nën Urën monumentale të Gurit nëpër Vardarin e hijshëm në Shkup.

Ujërat kanë rrjedhur, por sakaq pozita e shqiptarëve në këtë shtet kryesisht ka ngecur, pavarësisht fasadës që rreket të shpërfaqë ndonjë përmirësim të përciptë të gjendjes së shqiptarëve në IRJM.

Fakti që në parlamentin e IRJM-së deputetët shqiptarë mund të flasin shqip gjatë seancave plenare, apo që në Strugë, Tetovë, Gostivar, Dibër të Madhe e Kërçovë, shqipja është gjuhë zyrtare dhe flamuri kombëtar shqiptar mund të valëvitet anës rrugëve e nëpër institucione, ose që dokumentet e identifikimit jepen edhe në shqip, përbën padyshim një përparim të pamohueshëm.

Ndër të tjera, edhe në qytetet ku shqiptarët nuk përbëjnë shumicën e popullatës, shqipja, së paku zyrtarisht, njihet si gjuhë zyrtare, nëse flitet nga mbi 20% e banorëve të qytetit përkatës, përfshirë këtu edhe kryeqytetin Shkup gjithaq, por nëse gjërat shihen më “de profundis”, atëherë realiteti do të dukej tepër më i zymtë.

15 vite e gjysëm pas Marrëveshjes së Ohrit, pushteti real, politik dhe ekonomik mbetet fuqishëm në duart e pjesës sllave të popullatës dhe skamja, mënjanimi i anashkalimi i zonave me shumicë banorësh shqiptarë, përbën evidencën më të qartë të mosbarazisë dhe çekuilibrimit të pushtetit në IRJM mes shqiptarëve dhe maqedonasve sllavë.

Dhe nëse pushteti faktik politik dhe ekonomik mbetet në dorë të palës sllave, ndërsa shqiptarët “mjaftohen” me kontrollin mbi feudet e tyre në Maqedoninë Perëndimore, atëherë si rrjedhojë, nga një anë ndodhin ngjarje të njëpasnjëshme si Monstra apo përballja e armatosur te Lagja e Trimave në Kumanovë, ku gjithnjë viktima të preferuara të propagandës shtetërore shoviniste janë shqiptarët dhe kur burgjet mbushen përherë veç me ta, si dhe njëkohësisht projekte miliardere si Shkupi 2014, jetësohen me investime marramendëse në anën sllave të Shkupit, duke e rindërtuar dhe riformësuar fizionominë e kësaj ane të qytetit, ndërsa anës shqiptare të Shkupit, i mbeten nja 2 statuja e gjysëm, si dhe i ngrati Skënderbe, që rri me shpatë ngrehur majë kalit, mes asgjësë së plotë pezmatuese, si dëshmi e vetme e pamundësisë dhe paaftësisë së politikës shqiptare për t’iu imponuar partnerëve qeveritarë sllavë.

Kjo kohë duhej të ikte njëherë e përgjithmonë pra, dhe vota e mençur e shqiptarëve më 11 dhjetor shërbeu pikërisht për këtë qëllim.

Urohet që partitë shqiptare ta kenë marrë mesazhin e rëndësishëm të votuesve të tyre dhe ta kenë kuptuar se pakësimi i dukshëm i deputetëve shqiptarë, mund të thellohet herë tjetër, nëse vijon tradhëtia ndaj vullnetit të elektoratit shqiptar dhe strategjive e objektivave të mbështetësve të shqiptarëve në Perëndim.

Sot shqiptarët, përmes 20 deputetëve të bashkuar nën një platformë kushtëzuese ndaj secilit koalicion maqedonas, janë në gjendje të realizojnë shumë objektiva shekullore në IRJM.

Është një platformë e plotë, gjithëpërfshirëse dhe konkrete në kërkesat kushtëzuese që pritet t’i parashtrohen VMRO-së apo LSDM-së, Gruevskit ose Zaevit.

Elektorati shqiptar me votën e tij në këto zgjedhje, bëri të mundur që njëkohësisht t’i ndëshkojë përfaqësuesit e vet politikë, të thyejë barrierat etnike dhe mendësore (të parët në Ballkan që e bëjnë këtë gjë janë pikërisht shqiptarët) duke votuar LSDM-në e majtë maqedonase, dhe t’ia heqë mundësinë për një mandat tjetër filorusit dhe antishqiptarit të shquar Nikolla Gruevski, si dhe ithtarëve të tij shovinistë.

Një pragmatizëm i këtillë politik, do pranuar që për shumëkënd ishte tejet befasues, brenda dhe jashtë IRJ Maqedonisë, duke shkaktuar edhe reagime të momentit krejt të pamatura, që flisnin fillimisht për tradhëtira apo shitje kolektive të shqiptarëve te armiku, si dhe për një defaktorizim masiv të politikës shqiptare në IRJM, si pasojë e humbjes së 9 deputetëve nga shqiptarët në këto zgjedhje.

Por, meqënëse qysh prej natës së kohëve, politika shquhet për ndryshueshmërinë, paparashikueshmërinë dhe makiavelizmin e saj tipik, sot gjendemi para një situate krejt të ndryshme nga ajo që u pat hamendësuar në panik e sipër, pas ditës së zgjedhjeve.

Politika shqiptare në IRJM, pavarësisht minus 9 deputetëve dhe përçarjes në katër parti e koalicione (tepër të nevojshme faktikisht, për ta tejkaluar binomin e ndryshkuar pozitë-opozitë, BDI-PDSH, që në qëndrimin ndaj Gruevskit, ishte në një vijë nënshtrimi për vite të tëra), sot është e aftë që përmes përbashkimit rreth një plaftforme kombëtare, ta kushtëzojë pashmangshëm, “sine qua non” palën sllave, për shkak të numrave në parlament, dhe politika siç dihet, mënjanë që çështje idesh, është thelbësisht çështje numrash.

Si VMRO-ja, ashtu edhe LSDM-ja, me 51 dhe 49 deputetët e tyre, do të jenë të detyruara të flasin hapur, ta ulin shpesh kokën dhe pavarësisht ndjesisë së vjetër të superioritetit ndaj shqiptarëve të IRJM-së, të ngulitur nga 72 vite dominimi në këtë shtet, qysh nga krijimi i Republikës Socialiste Federative të Maqedonisë së ASNOM-it në 1944-ën, tashmë sllavët e Maqedonisë, qofshin nacionalistë shovinistë të VMRO-së, apo majtistë ish komunistë të LSDM-së, do jenë të detyruar që shumë pika të kësaj platforme t’i pranojnë, e për mjaft të tjera të diskutojnë megjithë mëdyshjet apo paragjykimet e tyre ndaj shqiptarëve.

Nuk është pak si arritje!

Gjuha shqipe do të zyrtarizohet krah asaj maqedonase minimalisht dhe shqiptarët me shumë gjasa do të negociojnë si të barabartë me sllavët, jo më në statusin e bujkrobërve të VMRO-së apo LSDM-së.

Malet ndoshta nuk janë akoma me blerim mbuluar, por diçka po ndryshon!



(Vota: 8 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora