E premte, 19.04.2024, 07:59 AM (GMT+1)

Mendime

Fran Kamshi: Përballë keqbërjes dhe vetingut

E hene, 09.01.2017, 02:04 PM


Skaneri i një shoqërie përballë keqbërjes dhe vetingut

Nga Fran Kamshi

Shoqëria shqiptare, pas nisjes së proceseve të hapjes së saj të madhe, në fillim të viteve 90, do të ballafaqohej me një sërë problematikash të ngjeshura etë mprehta, ku një nga më kulmoret, mbetet raporti i njeriut të lirë shqiptar me grupet e keqbërjes dhe krimit, që kërkojnë të mbajnë peng atë dhe krejt këtë shoqëri peng të tyre.

Periudha tranzitive në Shqipëri, përveç zgjimit të energjive dhe resurseve të fjetura, të ndrydhura apo të keqpërdorura dikur të individit shqiptar, riaktivizoi të gjitha negativitetet e traditës, që iu kanë shërbyer dhe iu shërbejnë grupimeve të caktuara sociale dhe klaneve të aferave të ndryshme, për të mbijetuar në errësirën e botës së krimit dhe të devijimeve të tjera të arketipit social. Starti i lirisë në Shqipëri u projektua dhe funksionoi si start i më të "fortëve", jashtë të gjitha skemave, formulimeve dhe rregullave institucionale, kodeve morale dhe atyre shpirtërore, që kanë në themel demokracinë e brendshme të individit dhe të shoqërisë, të vetëdijshëm për atë se çfarë kërkojnë të bëjnë në një stad të caktuar të mbijetesës së tyre. Një nga kodet më të keqpërdorura të kësaj tradite është kanuni, simbolika konstitucionale e të cilit, e vlefshme në kohën kur mungonte shteti, po shndërrohet në një mjet ndëshkimi në luftën e egër të bandave të armatosura dhe elementëve të vetëpenalizuar në zeje kriminale, edhe tani, në kushtet e funksionimit të shtetit dhe të luftës së tij për të bllokuar botën e krimit. Në zonat ku kanuni ka vepruar si një rregullator i brendshëm i jetës së fisit, veçanërisht në Veri të vendit dhe në disa zona rurale të tjera, po shfaqet dukuria e shndërrimit të tij, në mjaft raste, në një selektiv të përgjakur të dimensionit kriminal të shoqërisë shqiptare. Por jo vetëm në këto zona. Ai po shndërrohet me përdhunë, në këto raste, në një keqinterpret të "së drejtës", e cila shtegton nga njëra palë kriminale te tjetra, duke lënë prapa saga tragjike vrasjesh në errësirë që i etiketohen kanunit. Kështu, me anë të një kanuni të ri, lahen hesapet dhe qërohen llogaritë midis grupeve e bandave rivale, midis familjeve e fiseve mafioze, për interesa jashtëkanunore, që lidhen me aspekte të errëta të botës së trafiqeve, drogës, vrasjeve seriale, etj. Elementi shoqërisht i rrezikshëm në Shqipëri e ka përshtatur kështu kostumin kanunor të traditës, këtë relike që ka vetëm vlera muzeale, - dhe shteti me tërë energjinë e ligjit dhe të së drejtës lypset ta bllokojë funksionimin e kanunit me çdo kusht, - sipas qepjes së re të mafies. Vrasjet në seri, që po mbajnë peng familje të tëra, individë të implikuar në zejet e krimit të të gjitha spektreve e ngjyrave, por edhe njerëz të pafajshëm, që ndëshkohen vetëm për lidhjet e gjakut me të inkriminuarit, duke e zhytur atë në pellgun e ndotur të instikteve barbare, po shndërrohen në një normalitet të sëmurë në këtë vend, amullisë dhe katrahurës së të cilit, nuk po i duket fundi askund. Është më tepër se e dhimbshme, gati një fatalitet, të dëgjosh përditë lajme të trishta për familje të tëra që po shkojnë drejt shuarjes, për viktimat e radhës që mbushin kronikat e zeza nën okelion " larje hesapesh". Bie fjala, në rrethin e Tropojës, janë me qindra të vrarët në emër të këtij kanuni të ri, absurd, ku mpleksen të gjitha fijet e krimit të rëndomtë dhe atij të organizuar, me të gjitha prapavijat e hapura dhe të fshehta të segmenteve dhe klaneve mafioze, që menaxhojnë me "duar të pastra" këtë "rreth fatal". Po kështu, në këtë "rreth fatal" të kësaj psikoze të re kanunore, janë shenjuar qindra viktima në Fushë Krujë, Mat, Vlorë, Fier, Berat, etj duke na kujtuar çdo ditë, se jetojmë në një vend ku jeta e njeriut vlen pak, shumë pak, aq sa ç´vlen një fjalë e lëshuar qesim ose një biletë e prerë për në parajsën e bardhë të drogës e të skemave të tjera mafioze. Dimensioni linçues i këtij pseudokanuni ka vepruar e vazhdon të veprojë edhe mbi femrën, në kundërshtim me kanunin tradicional të shqiptarëve, qoftë Kanuni i Skënderbeut, qoftë ai i Lekë Dukagjinit, që përjashtojnë në mënyrë kategorike ushtrimin e hakmarrjes, ndëshkimit dhe gjakmarrjes mbi gruan. Rrekja për t´ua përshtatur Kodin e të Drejtës Zakonore Shqiptare instikteve të ulëta të një race që kërkon të mbijetojë me anë të eliminimit të gjithkujt që iu bie ndesh interesave të saj kriminale, sipas parimit mafioz se "e drejtë eshtë gjithçka që më shëben mua", kryhet me një precizion të lartë, nga një dorë e stërvitur, që i intereson t´ia faturojë kanunit të gjitha faturat e krimit ordiner dhe atij të organizuar në Shqipëri. Kjo është dora dhe koka e mafies. Ky është mekanizmi që ka përdorur ajo kudo ku është shafqur, qysh në fillimet e veta matanë brigjeve tona e deri larg, në kontinentin e ri. Në këtë mënyrë, krimi pajiset me një alibi të fortë dhe vepron si një strukturë e pavaruar, duke paralizuar shtetin në luftën e tij për të siguruar normalitetin dhe shenjtërinë e lirive dhe të të drejtave të banorëve të këtij vendi. Nuk themi ndonjë gjë të re kur themi se në vendin tonë tanimë është ulur këmbëkryq mafia. Barra e Kanunit bie dhe mbi gratë e fëmijët, në kundërshtim me ligjet e këtij kanuni dhe frymën e tij shumëshekullore, duke shpallur ngujim, hakmarrje e gjakmarrje, sa herë që kontigjentet e krimit mbeten zbuluar përballë qytetarëve të lirë. Më datë 10 nëntor 2015, 16 vjeçari Elvis Hata, nga fshati Shumbat Dibër, në kohën kur po kthehej nga qyteti i Peshkopisë për në fshatin e tij, bëhet padashje dëshmitar i një tentative për vrasje, ku mbeti i plagosur rëndë shtetasi F. A., 20 vjeç, tentativë vrasje e ndërmarrë nga vrasësit me pagesë B. L., e L. XH., dhe V. C., të cilët u kapën në flagrancë nga ana e Specialistëve të Sektorit për Krimet e Rënda, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë, Dibër. Pas kësaj ngjarje, i riu pësoi një goditje psikike dhe i tramautizuar, si dëshmitar i ngjarjes,  nën presionin e familjarëve të vrasësve me pagesë që shpallen hakmarrjen ndaj tij dhe familjes së tij, detyrohet të largohet nga shtëpia e prindërve në drejtim të paditur.

Asnjë Kushtetutë, në asnjë vend në botë, nuk ka patur atë fuqi dhe shenjtërim, sa ç´ka patur kanuni historikisht për shqiptarët, pork y lloj Kanuni që penalizon fëmijët dhe sido që të jetë koha e Kanunit ka ikur dhe nuk vlen më as relike. Kanuni është kthyer në një strukturë psikike të shqiptarëve, kështuqë, duke u përshtatur nga mafia dhe krimi i organizuar, përgjatë akteve të tyre me prapavija të fuqishme politike, synon të identifikojë botën e krimit me një nga konstitucionet më të thella të vetëdijes juridike të botës shqiptare. Në këtë mënyrë, protagonistët mafiozë, që janë në krye të kupolës së krimit në Shqipëri, të lidhur me mafien rajonale dhe më gjërë, ndihen të pajisur me një alibi të fortë. Ata mund të veprojnë në hije, duke ia përcjellë, siç thamë, shumë prej faturave të krimit të gjithëfarshëm, veçanërisht atij të organizuar, Kryedokumentit të së Drejtës Shqiptare. Përdorimi i Kanunit si një ombrellë për merimangën e krimit dhe mafian në Shqipëri ka hyrë në një fazë të pakthyeshme. Kjo psikozë mban peng familje e fise të tëra, që janë përfshirë në skema antishoqërore dhe që luftojnë dhëmb për dhëmb, në një luftë për jetë a vdekje me njëra - tjetrën, për të menaxhuar "resurset" e antiligjit, tërë zejet antihumane dhe antisociale të një tranzicioni unikal. Tejkalimi i funksionit social të Kanunit dhe shndërrimi i këtij funksioni në një xhungël pasionesh të errëta nën skllavërinë e egos kriminale, pra shndërrimi i kanunit nga një mjet për kufizimin e vrasjeve në një mjet për t´i dhënë "okejn" çdo akti të përgjakur për llogari të donë-ve të fshehtë, shënon fillimin e një barbarie moderne në emër të traditës zakonore shqiptare. Shoqëria shqiptare asnjëherë nuk ka qënë më e zbuluar ndaj krimit të organizuar dhe mafies, të cilat duke i ofruar botës së krimit "dorashkat" e një mbështetje të këtij soj, i kanë hedhur asaj në fyt një lak të egër. Kështu, dalëngadalë, por në mënyrë simetrike, po krijohet një përligjje kolektive ndaj krimeve mafioze të motivuara në emër të këtij pseudokanuni dhe alibitë e përdorura në këto raste, për fat të keq, po fitojnë terren dhe qytetari.

Ky është një farë skaneri i shoqërisë shqiptare, në një realitet të mprehtë kriminal, ku kanuni shërben për të larë hesapet në arat e mbjella me kanabis, duke u përdorur nga bandat e krimit për llogari të interesave të tyre keqbërëse.

Lypset të ridimensionohet dhe të plotësohet spektri ligjor, të zhdërvjellësohen institucionet e antikrimit. Lypset që të nis sa më shpejt vetingu, që do të cojë në një efikasitet real të oraganeve të drejtësisë, për të goditur në front të gjërë botën e krimit, që nga krimi i organizuar e mafia, gjer tek krimi ordiner dhe keqbërja. Lypset që të unifikohet qëndrimi i spektreve politike kundër mekanizmave kriminalë të shoqërisë shqiptare, një unifikim real dhe jo fasadë, që mund ta ngushtonte rëndshëm rrethin e veprimit të këtyre mekanizmave. Shoqëria shqiptare jeton periudhën e një krize vertikale, ku janë mpleksur të gjitha rrethanat e disfavorshme të një tranzicioni të çuditshëm, që po shtyhet në kalendat mitike të fqinjëve tanë të Jugut, por dhe shansin e fundit për të dalë nga tuneli i errët, ku duan ta mbajnë të mbërthyer vendin mafia dhe protagonistët me "jaka të bardha".



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora