E merkure, 24.04.2024, 08:05 PM (GMT+1)

Kulturë

Bedri Tahiri: Vargje përjetësie për Rugovën

E marte, 10.01.2017, 06:08 PM


Botime të reja

Recension

Vargje përjetësie për Rugovën kreshnike

(Xhemail Ali Peci, RUGOVA-SHAMIBARDHA JOTE SHQIPËRI”, Prishtinë, 2016)

Nga Bedri TAHIRI

mëtosh të flasësh për krijuesin erudit, mendjehollin Xhemail Peci, dhe krijimtarinë e tij brilante, është kënaqësi dhe rast i veçantë. Këtë e them me përgjegjësi të plotë, ngase, ai nuk shkruan dosido e vetëm sa për të thënë diçka, por, vargjet e tij, përherë, burojnë nga gjirmë e shpirtit. Ato janë përjetime të thella e mendime të kristalizuara, për tema e probleme madhore kombëtare.

Xhemail Peci tashmë ka formuar profilin e vet krijues, me një stil specifik individual. Kredoja e tij ka taban të shëndoshë e të palëkundshëm kombëtar. Dhe, kjo e përligj mendimin e teorikut frëng, Byfon, kur thoshte: Stili është vetë njeriu!

Pena e tij e stërholluar, hesht kur duhet heshtur e shpërthen kur duhet shpërthyer. Nga leximi i shumtë e i kujdesshëm, ka fituar dije dhe kulturë, që t’ia kemi lakmi. Nga kjo del edhe një e vërtetë tjetër që dëshmon se njerëzit e mëdhenj, zakonisht, merren me tema madhore. Kështu, madhështia e tyre, lartësohet edhe më shumë dhe shembëllen në orakuj ndjellamirë. I tillë është edhe Xhemail Peci, i cili këtë fundvit na dhuroi librin “Rugova-shamibardha jote Shqipëri”, që lajtmotiv ka palcën kurrizore të atdheut: Rugovën kreshnike dhe rugovasit sypatrembur.

Vargjet margaritarë të Xhemail Pecit, janë të latuara ngeshëm me daltën e artistit, të liruara nga të gjitha klishetë e demoduara e rregullat e ngurtësuara, përplot me ngjyrime e figurshmëri poetike, me refleksione magjike e me imagjinatë të bujshme, saqë, të marra veç e veç, ngjasojnë me sentenca profetike. Ato, nuk ngulfatën nga rimat prozadike, ngase harmonizohen mrekullueshëm dhe me rimën e brendshme, krijojnë një muzikalitet polifonik, duke lënë mbresa të pashlyera tek lexuesit kureshtarë.

Në rrafshin përmbajtjesor, thelbin e librit “Rugova- shamibardha jote Shqipëri”, e përbëjnë dy poemat e Xhemail Pecit: “Kah len dielli e praron hana” dhe “Poemë për dëshmorin Besnik Lajçi”. E para i kushtohet viganit e kreshnikut të Rugovës, trimit Zhujë Selmani, i cili, si Oso Kuka, ra në fushë të mejdanit, më 1875, duke mbrojtur për dhjetë vite kufirin në Kullë të Sheremetit, ndërkaq e dyta, dëshmorit të UÇK-së, luftëtarit Besnik Lajçi, i cili ra në Altarin e lirisë, më 19 prill 1999. Poemave u paraprinë një shkrim eseistik e programatik i autorit, titullin e të cilit e mori edhe gjithë vepra: “Rugova-shamibardha jote Shqipëri”.

Mirëpo, që ky mozaik të dalë edhe më i larmishëm, në fillim të librit janë përfshirë edhe tre fragmente shkrimesh të autorëve të tjerë që rrahin të njëjtën tematikë: Rugovën dhe të bëmat e saj lavdiplote. Pra, kemi: Ramiz Kelmendi: ”Dasmë të madhe ka sot Rugova”, Zymer Ujkan Neziri: ”Zhuj Selmani-Dëshmor i shquar i kombit” dhe Serafina Lajçi: ”Do të kthehem prapë”.

Nuk është rastësi pse autori ka përfshi këta tre emra. I pari, Ramiz Kelmendi, siç e ka thënë Xhemail Peci në përurimin e monografisë në VI vëllime kushtuar shkrimtarit Ramiz Kelmendi (më 20 dhjetor 2014 në Pejë), gjithë frymëzimin e krijimtarisë së tij letrate e ka të lidhur me ato anë. Në këtë prizëm, Peci ka kujtuar Kafkën: Kafka është Praga dhe Praga është Kafka. Njësoj ka ndodhur edhe me Ramiz Kelmendin, Rugovën dhe Pejën e tij.

I dyti, Zymer Ujkan Neziri, gjithashtu është frymëzuar nga të bëmat e përjetësuara epike, nga historia dhe qëndresa legjendare e rugovasve në luftën për liri. Zymer Neziri është ai që autorit ia ka shpalosur mendimin aq domethënë se: Rugova është magje e gjakut. Doemos se një thënie kaq kuptimplote nuk ka mbetur jashtë konsideratave të përfshirjes dhe të mirënjohjes së veçantë.

Ndërkaq, emri i tretë, Serafina Lajçi, është përfshirë gjithashtu si një lidhje e natyrshme e brezave. Magjistre e letërsisë si dhe asistente e letërsisë në Fakultetin Filologjik të Prishtinës, ajo është vetë motra e dëshmorit Besnik Lajçi. Madje, në sprovën estetike të Pecit, të titulluar “Nga Serafina Topia tek Serafina Lajçi” (të botuar në disa fragmente- në portale elektronike në prill të vitit 2015), kjo e fundit del si një emër simbolik, emër i cili e përshkon letërsinë shqipe që nga Jeronim De Rada e deri tek Ramiz Kelmendi, sepse siç thotë autori Xhemail Peci, si në një rastësi mitesh dhe legjendash, do të ishte pikërisht ky emër që do të shfaqej e rishfaqej në përurimet e monografisë kushtuar Ramiz Kelmendit, në Prishtinë, nëntor (2014) dhe në Pejë, dhjetor (2014), duke e paraqitur monografinë studimore në rolin e moderatores, dhe duke folur me pietet të veçantë për shkrimtarin Ramiz Kelmendi.

Duke përfshirë tre emra, autori ka projektuar kështu një urë me tri harqe: Qëndisma e Ramiz Kelmendit si një emblemë në gjoksin e Rugovës kreshnike, thënia e Zymer Ujkan Nezirit si një tingëllim lahutash për kohët epike, dhe së fundi thënia e Serafina Lajçit si një profeci se heroi epik një ditë: do të kthehet.

Rugova dhe dy trimat e saj; Zhuj Selmani e Besnik Lajçi, vërtet janë rreze drite që kanë bulbëruar ende pa shkrirë mirë dëbora në Kreshtëbardhën e Rugovës. Për koinçidencë, edhe vetë autori i librit vjen nga një Kreshtëbardhë tjetër ilire, nga Kreshtëbardha e Albanikut.

Shkrimi paraprijës i poemave, hartuar nga Xhemail Pecit, është aq i stërholluar e lakonik, saqë nuk lë shumë hapësirë për komentime. Kështu, vetëm në një paragraf konçiz është përmbledhur gjithë plotënia e Rugovës:

Rugova është logu i burrave e logu i zanave, logu i luftës e logu i mendjes. Aty është gatuar ndjenja e lirisë, aty është pjekur buka dhe aty ka jehuar kënga dhe vallja”.

Dhe, që të mos zgjatemi më shumë, po e veçojmë  sinoniminë e të gjitha epiteteve, nga doli edhe emri i librit: Rugova kreshnike është shamibardha jote Shqipëri.

Heroi Zhuj Selmani në poemën e Xhemail Pecit “Kah len dielli e praron hana” del më shumë se një hero. Ai është vigan, është kreshnik, është suferinë me shqotë që vdekjen e shikon në sy e i thotë: Plaç! Pse, a nuk janë të gjithë rugovasit të tillë?! Ata, siç thotë Kadareja ynë i madh, në shokë mbajnë vdekjen e tjetrit e në kokë vdekjen e vet. Por, Zhuji ishte i veçantë. Piskama e tij mbi majat e shkëmbinjve të thepisur e të mbuluar me borë, përherë na fanitet si një kambanare e kushtrim lirie. Ajo u dëgjua edhe më 5 mars 1998 nga zëri i Hamzë Kreshnikut, kur me gjoks ndali gjylën e topit e para mustakut të përdredhur e  kërcëllitjes së dhëmbëve të Adem Legjendarit,  ngriu tanku serb.

Duke nisur narracionin për kapedanin Zhuj Selmani, që në libër është cilësuar si meteor, autori ka shpjeguar se emri i tij ka kapërcyer  fazat e metempsikozës dhe ka marrë përmasat e universit kombëtar. Ai, tashmë, është bërë Rugovë, është bërë Atdhe):

Të gjithë shekujt e veshin pelerinën e gjakut tënd mbi supe,

të gjithë shekujt e shkrujanë emrin tënd mbi djepa e me lule,

të gjitha fushat e malet, edhe lahutat me rrëketë e ujëvarave,

të gjitha votrat e sofrat, të gjitha gurrat e rrjedhat e krojeve!

Të gjithë gurët e kufirit dhe shkëmbinjtë larë n’rreze t’diellit,

shkëmbinjtë që kokat e tyre kryengritëse ngrejnë drejt qiellit,

e dinë emrin tënd, dhe emrin tënd e thërrasin kur bëjnë benë,

sepse në shkronjat e emrit tënd epik shqiponjat e kanë folenë...

Paralelizmi figurativ dhe krahasimet e qëlluara me heronjtë mitikë si: Ante e Promethe, me kreshnikët si, Gjergj Elez Alinë, e sidomos me trimin e Vraninës, Oso Kukën, i shkojnë për shtati Zhuj Selmanit, sepse i tillë ishte edhe vetë, që, sa e sa herë, ua preu udhën e ua ndali hovin cubave të Malit të Zi e të Mark Milanit. Dhe, është i padiskutueshëm konstatimi e krijuesit Xhemail Peci, kur thotë se populli me dyvargëshin e epopesë heroike të protagonistit përjetësoi këtë heroizëm të pashoq:

Kah le dielli e praro hana,

Zhuj Selman nuk ban ma nana!

Ndërkaq, poema e dytë, siç thamë edhe në fillim, i kushtohet dëshmorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, luftëtarit, Besnik Musë Lajçit.

Poeti Xhemail Peci, i shkrirë e i inkarnuar plotësisht në heroin epik të luftëtarit të paepur të lirisë, dëshmorin Besnik Lajçi, është lëshuar vençe në një kuvendim zemrash me Nënëloken Rugovë, duke na shpalosur kujdesshëm e me akribi fanatiku të gjitha virtytet e kësaj hallemadheje krenare: burrërinë, mençurinë, bujarinë, zemërgjerësinë, atdhedashurinë e mbi të gjitha trimërinë, që kurrë nuk e largoi nga kryevatra.

Në fillim, në një si ekspoze, fare qartë, shpërfaqen mrekullitë e Atdheut (Rugovës), duke iu drejtuar:

Gjithmonë të kam dashur

për horizontet e tua atdhe,

për plisat si kreshtat e bardha,

për nënat shamibardha.

Gjithmonë të kam dashur Rugovë,

për bjeshkët e larta, për këngët tek vatra,

për të bardhën e shallit bartur mbi kokë,

për betimin e burrave me moshë të thyer:

Pasha qiell e pasha tokë!

Dhe, duke shpalosur më tej faqet e ndritura të historisë, logu i mejdanit mbushet me trima e trimëresha të këtyre bjeshkëve kësulëbardha, që kurrë nuk u nënshtruan, por gjithmonë përmes grykëhollës zbardhën fytyrën e Rugovës e të mbarë shqiptarisë.

Me një aftësi të rrallë krijuese, poeti zbret thellë në gurrën e pashtershme të filozofisë popullore, duke depërtuar në botën e brendshme të protagonistit luftëtar e të Shamibardhës, që janë besatuar për ta bërë vdekje si me le. Ky kuvendim biblik e metaforik, ngërthen në vete amanetin e brezave dhe na rikthen në kohët e mugëta të lashtësisë, kur kreshnikët tanë, në bashkëveprim me Zanat e Shtojzovallet, u përballonin bajlozëve e kralëve sojzinj e ziliçarë.

Djaloshi sypatrembur me emrin e bukur BESNIK ishte betuar që të ecte gjurmëve të gjakut te Shamibardhës-Rugovës, sepse:

...kam dashur të përshëndes si ushtar në radhë të parë,

gjithmonë prej zemrës të kam thënë se të kam nënë,

dhe se gjithmonë nga zemra më kë thënë të kam djalë,

pastaj të kam puthur në sy dhe më ke puthur në ballë,

sepse gjithmonë eshkën e mbajtur e ke ndezur si strall,

sepse gjithmonë bjeshkët i kemi pasur cak e hequr mall...

Dhe, fjala-fjalë e besa-besë. Trimi ra për të mos vdekur kurrë. Edhe Rugova qëndroi si përherë, e patundur e me kokën tej në qiell. Askush nuk ia pa lotin e ngrirë në qepallë. As së ëmës, Nënë Rabës, nuk ia po kush lotin. Jo, ore, jo. Nuk kishin lotuar as Hasoja, nëna e Çerçiz Topullit e as Nëna Ajshe. E po kështu na mësonte edhe Mitrush Kuteli ynë mendjendritur kur thoshte; Gjaku është liri e loti robëri! Kështu qe nanurisur edhe vetë Komandant “SOKOLI”:

Në gurrë të frymëzimit gjithmonë kam dashur të ta falë lavdinë,

sepse e kam ditur se në rrasë të harresës ka dhe asi që ta kanë zilinë,

kam dashur të të thurja vargje me rima i pasionuar pas letërsisë,

e në vend të tyre ta fala gjakun, unë biri yt Besnik, dëshmor i lirisë.

Në përmbyllje, mund të konstatojmë se, libri Rugova- shamibardha jote Shqipëri” i krijuesit Xhemail Peci, do të pritet mirë  nga lexuesit shqiptarë, në përgjithësi. Thellësia meditative, refleksive e narrative e këtyre psalmeve, paraqet një unikat të llojit të vet, që edhe penat më të arrira do ta lakmonin. Gjuha e figurshme e stili i fuqishëm, me një rrjedhë të logjikshme, janë rezultat e një talenti dhe i një pune përkushtuese.

Nuk ka dyshim se ndërthurja e poemave me vargje të epikës popullore, si dhe lartësimi i historisë së Rugovës si dhe bukurive të saj të pafund, shpreh vetvetiu dashurinë e veçantë që ka autori për Rugovën dhe rugovasit, veshja kreshnike dhe ecja krenare e të cilëve, siç e thotë vetë, ia kujton ecjen gjithë art, me të cilën rugovasit kanë sfiduar amfiteatrin tragjik që ua imponuan të tjerët padrejtësisht.

Dhe, fare në fund, autorit Xhemail Peci, i urojmë shëndet të mirë e krijimtari të begatë, ndërkaq librit jetëgjatësi në bibliotekat tona.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora