E enjte, 25.04.2024, 07:00 PM (GMT+1)

Kulturë

S’jemi klasikë!

E hene, 25.08.2008, 09:00 PM


Kompozitori i pare ''klasik'' At Martin Gjoka (1890 – 1940)
Tregu shqiptar dhe muzika klasike. Sa e kërkojnë shqiptarët muzikën klasike në tregun muzikor? Dhe sa i përmbush ky treg dëshirat e adhuruesve klasikë? Gjatë një vëzhgimi të kryer në videotekat më të mëdha, të rrugëve më kryesore të kryeqytetit, është evidentuar se disqet e kësaj lloj muzike pothuajse nuk figurojnë, madje as në magazina. Në mënyrë kategorike mungojnë disqet e muzikës klasike shqiptare. Asnjë prej shfaqjeve apo koncerteve të ndryshme, që i përkasin kësaj lloj muzike, nuk shitet në treg. Që të gjithë shitësit e dyqaneve argumentonin me një fjali të vetme: “Nuk shesim disqe me muzikë klasike, sepse nuk kërkohet nga njerëzit”

Nga Suela Furriku

Shqiptarët nuk e dëgjojnë muzikën klasike. Kështu të paktën mendojnë shitësit në videotekat shqiptare. Shitësit e disqeve thonë se më shumë njerëzit kërkojnë muzikën e sajuar mes popullores dhe hip-hopit “Made in Albania”.

Ka të paktën 4 televizione dhe po kaq radio që e promovojnë këtë formë të të kënduarit komercial dhe dhjetëra studio regjistrimi, ndërsa muzika klasike dhe format e tjera të këtij arti pak gjejnë vend në TV dhe aq më pak në videotekat e Tiranës. “I kemi vendosur këtu sipër, në pjesët më të larta të rafteve sepse e dimë që nuk kërkohen shumë, kështu nuk vuajmë për t’i shkëputur shpesh herë”, - shprehet Dritan Vreto, djali që shërbente në njërën prej videotekave më të mëdha në bulevardin “Zhan D’Ark”.

Gjatë një koncerti operistik, janë të pakët njerëzit që kalojnë një mbrëmje nën ritmin e një shfaqjeje të caktuar në hollet e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Këtë indiferentizëm ndaj këtyre aktiviteteve e kanë pohuar si vetë qytetarët, ashtu edhe artistët, të cilët janë pjesë këtij institucioni kulturor.

“Gjatë premierave zakonisht, të paktën kohët e fundit, ka pasur shumë publik, por në shfaqjet e mëtejshme spektatori sa vjen e “dobësohet””, - është shprehur baritoni Ylber Gjini, një prej anëtarëve të Teatrit Kombëtarë të Operës dhe Baletit. I pyetur se cilat janë shtresat që interesohen më shumë për shfaqjet klasike, ai ka shtuar se zakonisht salla frekuentohet më shumë nga njerëz të elitës. Por më shumë baritoni Gjini e vë theksin tek individë të huaj dhe jo shqiptarë si fanatikët e këtij zhanri, që për paradoks i kemi parë të ulur dimrit në karriget e Operës, mbështjellë me batanije nga të ftohtit.

“Të vetmit “besnikë” gati të përhershëm që vizitojnë shfaqjet tona klasike janë shtresat e larta. Këtu përfshihen shqiptarët, por edhe të huajt. Me pak fjalë nuk janë njerëz të thjeshtë. Këtu përfshihen ambasadorët, trupat diplomatik apo të tjerë”. Një tjetër punonjëse e këtij institucioni tregon, se numri i pakët i shfaqjeve ndikon në indiferentizmin e publikut. Violionistja soliste dhe koncert-maestro e Orkestrës Simfonike të TOKB prej tetë vjetësh, Suela Piciri shprehet se “rrethi artistik muzikor është shumë i interesuar, pasi këtu janë shumë të rralla koncertet solistike, instrumentale nga muzikantët shqiptarë. Kjo, jo vetëm për faktin që publiku i thjeshtë nuk është i kultivuar për të marrë pjesë në kënaqësinë që të japin këto lloj koncertesh”. Ndërkohë që të gjithë njerëzit e pyetur për këtë çështje pranojnë se muzika në vetvete është një art subjektiv. Pra, nuk mund të gjesh kritere në bazë të cilave mund të krahasosh muzikën. Disa mendojnë se të “ulërasësh” mbi skenë është muzikë, është diçka e pranueshme. Edhe pse të gjithë kanë opinione dhe shije të ndryshme muzikore, të gjithë pranojnë bukurinë dhe madhështinë e muzikës klasike. Por a e kërkojë shqiptarët muzikën klasike në tregun muzikor? Dhe sa i përmbush ky treg dëshirat e adhuruesve klasikë?

Gjatë një vëzhgimi të kryer në videotekat më të mëdha të rrugëve më kryesore të kryeqytetit, është evidentuar se disqet e kësaj lloj muzike pothuajse nuk figurojnë, madje as në magazina. Ajo çfarë binte më shumë në sy në këtë rast, ishte mungesa në mënyrë kategorike e disqeve të muzikës klasike shqiptare. Asnjë prej shfaqjeve apo koncerteve të ndryshme, që i përkasin kësaj lloj muzike, nuk shitej në treg. Që të gjithë shitësit e dyqaneve argumentonin me një fjali të vetme: “Nuk shesim disqe me muzikë klasike sepse nuk kërkohet nga njerëzit”. Ndërkohë që në videoteka, në shitje gjendeshin disqe të muzikës klasike, por dominonte vetëm ajo e huaj. Pronarët dhe shitësit tregonin se edhe këto lloj CD-ish nuk kanë ndonjë shitje të konsiderueshme në raport me rrymat e tjera muzikore. Edhe ato disqet të pakta që ekzistonin bliheshin shumë pak. Ata shprehen se kryesisht merren nga të huajt që punojnë në Shqipëri dhe njerëzit që merren me këtë lloj arti. “Në bazë të eksperiencës sime në shitjen e disqeve muzikore, kam vënë re që kjo lloj muzike nuk pëlqehet nga masa në përgjithësi. Por edhe nga ato që kemi, janë vetëm të ardhurit nga jashtë kufijve, që shpenzojnë për të blerë një CD me muzike klasike”, - tregon një shitëse në një videotekë përgjatë “Rrugës së Durrësit”. Përfundimin e saj e mbështesin edhe shitës në dyqan të tjera muzikore, duke shtuar se vetëm persona të caktuar që merren me fushën e artit dhe muzikën klasike janë ata që konsumojnë këtë muzikë. Fati i tyre është vetëm në varësi të preferencave të klientëve, dhe jo të çmimit që shiten. Kjo sepse kostoja e një disku më muzikën e “lashtë” klasike është i barabartë me një përmbledhje me këngë të rrymave të tjera muzikore. Një CD kushton vetëm 500 lekë të reja, ndërsa një DVD e këtij zhanri muzikor, nuk mundëm ta gjenim në asnjë dyqan. Kjo jo vetëm nga shijet e “kufizuara” kundrejt klasikëve, por edhe për shkak të çmimit të tyre. Në një tjetër videotekë në rrugën e “ish-Bllokut”, një shitëse tregon se para disa kohësh në dyqanin e saj ishte mbartëse e tyre. Por, për shkak se ata nuk ishin të pëlqyeshme nga masa, dhe si rrjedhim nuk shiteshin, ata janë detyruar të mos ofrojnë më të tilla produksione në tregun muzikor. “Jo vetëm që nuk janë të pëlqyeshme, por DVD-të kanë edhe një çmim shumë të lartë. Një përmbledhje muzikore me muzikë klasike apo edhe koncerte të ndryshme ndërkombëtare, kushton 20 mijë lekë të vjetra. Kjo është edhe një prej arsyeve më të forta, që ata nuk blihen nga njerëzit”, - ka theksuar ajo.

Tenori: Nuk na duan edhe shtëpitë diskografike

Kostoja e lartë e një produksioni të tillë në raport me pagën vjetore që ofron Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit është një prej arsyeve që japin disa prej pjesëtarëve të këtij institucioni. Këta të fundit shtojnë edhe shijen e publikut, e prirur për rryma të tjera muzikore, bashkë me hezitimin e shtëpive diskografike për të ftuar tenorë apo solistë të ndryshëm për një produksion të caktuar në fushën klasike. “Paga ime vjetore është 6 milionë lekë të vjetra në vit, ndërsa një CD e vetme e kompletuar me dhjetë këngë, ka një kosto prej 3 milionë lekësh të vjetra. Duke u nisur nga të ardhurat e mia vjetore për mua nuk do të ishte aspak e mjaftueshme për të hedhur një CD me muzikë klasike në tregun muzikorë”, - ka theksuar baritoni Ylber Gjini. Veç kësaj, Ylberi shton se përveç anës ekonomike e cila nuk është aspak premtuese, edhe shtëpitë diskografike nuk u bëjnë oferta për të realizuar një prodhim me muzikë klasike sepse tregu është “lakuriq”. Kjo edhe për faktin se njerëzit priren të blejnë më shumë muzikën folk, rok e të tjera të kësaj natyre.

Klasikët që shiten

Edhe pse adhuruesit e muzikës klasike janë të pakët, do të jenë përmbledhjet instrumentale ato që kërkohen më shumë nga njerëzit, në krahasim me një përmbledhje të caktuar të një artisti klasik. Do të nevojiteshin pak sekonda për të fshirë shtresën e pluhurit dhe një palë shkallë të larta për t’i arritur aty në majë të rafteve dhe disi më të mënjanuara me CD-të tjera, teksa shitësja duhet të na tregonte “klasikët më të kërkuar”. Shtatë volumet e përmbledhjes së muzikës klasike “Fisa Hit”, përfaqësuesit e videotekave i kanë cilësuar si më kërkuarat. Një përmbledhje përmban në total 53 deri në 60 minuta me muzikë instrumentale. Këngë që renditen në brendësi të tyre janë “Fly” me Vanzel Jento (Ronalli-Maffi-Poma), Maxi Fox Trat, 2 min e 40, (Ronalli-Maffi-Poma), Il Merlo, Mozurko, 2 min e 50 sek (Ronalli-Maffi-Poma), Besame Much-Beguine 3 min e 29 (Velasquez) e shumë të tjera. Por nuk mund të lëmë pa përmendur edhe përmbledhjet muzikore të Luçiano Pavarotit me albumin “Ti Adoro”, Dovorak me simfoninë “From the new World”, Tchaikovsky me simfoninë numër 6 “Pathetichue”, Schubert me simfoninë numër 8 “Unfinished’, dhe simfoninë numër 9 “The Great”, “Golden Classic in the last 300 years”, në të cilën gjendeshin 18 këngë të tilla si: “Spring from the four season” - Vivaldi, “Morning” nga “Pergynt”, Grieg, “Air” nga “Suite” nr 3, BWV 1068 Bach, e shumë të tjera. Gjatë vëzhgimit mësuam se gati vetëm pesë CD të tilla të huaja mund të shiten në një muaj. Ndërsa ato shqiptare nuk ekzistojnë në treg. Para disa kohësh qëndronte një përmbledhje të këngëve më të mira të sopranos Inva Mula, por sot nuk gjendej më dhe Kastriot Tusha, i cili identifikohej me një përmbledhje me serenata. Gjithashtu, veç këtij albumi, sipas shitëseve, kërkohet edhe “Koncerti i Vjenës”, të cilin nuk arritëm ta shihnim në asnjë videotekë.

Për muzikën klasike

“Gusto muzikore, ashtu si dhe të tjerat fillojnë duke u bazuar në kopjen e atyre të rrethit më të ngushtë, dhe në fëmijëri është familja. Më tej zgjerohen me shoqërinë dhe shpesh edhe mohohet fare gustoja e mëparshme, e kopjuar nga prindërit ose vëllezërit dhe motrat. Kur individi arrin pjekurinë e duhur, atëherë mendoj se gustoja e tij muzikore i përmbledh të gjitha këto faza të jetës së tij. Nëse në këto faza të jetës ky individ nuk ka hasur asnjëherë muzikën klasike e nuk ka njohur asnjë person që ta bëjë të shijojë atë lloj muzike, atëherë ka shume më pak mundësi që ky individ të pëlqejë atë muzikë. Muzika klasike mendoj se shihet nga shqiptarët në përgjithësi si një muzikë e vjetër dhe që i ka ikur koha, pra nuk është moderne, ndaj dhe nuk pëlqehet. Megjithatë, kam besimin se përqindja e personave që u pëlqen muzika klasike (qoftë edhe në dozë të vogël) është më e ulet se ç’mendohet”, - është shprehur Armida Shukulli një qytetare. “Muzika që dëgjoj unë vetë, - ka shtuar më tej ajo, - dhe e shikoj shpesh në DVD-të e pakta, është muzika e operës "Martesa e Figaros" nga Mozarti. Unë kam një koleksion DVD-sh nga operat e Mozartit si p.sh.: "Marriage of Figaro", "Cosi fan Tutte", "Don Giovanni" dhe "Die Zuaberflote".

Historiku

Muzika klasike shqiptare nisi hapat e para të saj drejt profesionalizmit gjatë dekadës së dytë të shek. XX. Iniciatori kryesor i saj ishte prifti françeskan Martin Gjoka (1890 – 1940). Ai ishte i pari që kompozoi muzikë klasike në Shqipëri në zhanre të ndryshme. Duke ndjekur traditën e kompozitoreve si Bach dhe Handel, Gjoka kompozoi muzikë polifonike dhe korale, si dhe la të papërfunduar një simfoni. Për shkak të mungesës së institucioneve muzikore apo një sistemi profesional për muzikën klasike, veprat e tij mbetën të izoluara. Ato u luajtën vetëm nga instrumentistë amatorë dhe u dëgjuan në rrethe të ngushta shoqërore. Megjithatë, falë punës se Gjokës dhe muzikantëve të tjerë të asaj kohe, Shkodra u bë qendra më e rëndësishme e jetës muzikore në Shqipëri, gjatë periudhës midis dy luftërave botërore e sidomos pas luftës së dytë. Aty u formua orkestra e parë dhe grupet korale. Këto veprimtari më vonë u përhapën dhe në qytete të tjera si, Korça. Si rrjedhim, Shkodra u bë qendra e edukimit të disa prej përfaqësuesve më të shquar të  të gjeneratës së parë të kompozitorëve për periudhën e dytë të 1900-s.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora