E shtune, 20.04.2024, 09:39 AM (GMT+1)

Kulturë

Kadare: Shqiptarët nuk do të lëkundin orientimin euroatlantik

E merkure, 04.01.2017, 07:41 PM


Nga Kaltrina Ibishi, Paris

Në një intervistë ekskluzive për “Zërin”, shkrimtari Ismail Kadare ka thënë se ekstremizmi fetar është diçka që bie ndesh me moralin historik shqiptar, bie ndesh me një nga shkaqet e mbijetesës së këtij kombi nëpër shekuj. Ndonëse mendon se mund të ketë prirje për të lëkundur themelet e orientimit euroatlantik të shqiptarëve, Kadare nuk beson se kjo do të ndodhë.

Ismail Kadare, beson se shumica e kosovarëve janë kundër ekstremizmit fetar dhe se kjo dukuri nuk do të zhvendosë orientimin e shtetit më të ri evropian pro perëndimit. Në një intervistë ekskluzive për “Zërin”, shkrimtari i madh Ismail Kadare ka thënë se ekstremizmi fetar është diçka që bie ndesh me moralin historik shqiptar, bie ndesh me një nga shkaqet e mbijetesës së këtij kombi nëpër shekuj.

“Pra harmonia fetare, që shpjegon mosrrëzimin e tij, dhe nuk ka asnjë arsye sot që papritur të ketë një drejtim të kundërt. Unë kam besim se nuk do të ecë kjo mënyrë negative e të trajtuarit të problemin fetar në Kosovë”, ka thënë mes tjerash për “Zërin”, Kadare. Ndonëse mendon se mund të ketë prirje për të lëkundur themelet e orientimit euroatlantik të shqiptarëve, Kadare nuk beson se kjo do të ndodhë. Ai ka folur edhe për pozicionim të Kosovës në raport me bashkësinë ndërkombëtare. Sipas Kadaresë, Kosova do të ekzistojë natyrshëm në këtë botë të re të saj, brenda Evropës.

“Zhvillimi kulturor, ekonomik, afirmativ, kombëtar, do të zhvillohet përmes Evropës, nëpërmjet miqësisë me Evropën, nëpërmjet integrimit në Evropë”, ka thënë mes tjerash ai. Sa i përket themelimit të Gjykatës Speciale, ai nuk mendon se do ta errësojë luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK).

Zëri: Kosova, ashtu si Shqipëria, njihet për Islamin tradicional (të moderuar), por kohët e fundit kemi shfaqjen e ekstremizmit, dhe largimin e shumë të rinjve drejt Sirisë. Si do t’i shihni ju shkaqet e kësaj dukurie?

Ismail Kadare: Unë nuk besoj se mund të ketë shkaqe fort të besueshme. Kam parë që qëndrimi ndaj kësaj dukurie është diskutuar në Kosovë, dhe unë jam me mendimin konstruktiv dhe pozitiv të shumicës së kosovarëve që nuk janë dakord me këtë (ekstremizëm), që është diçka që bie ndesh me moralin historik shqiptar, bie ndesh me një nga shkaqet e mbijetesës së këtij kombi nëpër shekuj, pra harmonia fetare, që shpjegon mosrrëzimin e tij, dhe nuk ka asnjë arsye sot që papritur të ketë një drejtim të kundërt. Unë kam besim se nuk do të ecë kjo mënyrë negative e të trajtuarit të problemin fetar në Kosovë.

Zëri: Në një intervistë që unë kam zhvilluar me Bernard Kouchnerin në Shqipëri, për diferencat e jetës në Kosovë dhe Bosnje, ai më tha që kur pa se si vishen gratë në Kosovë, mendoi se ky vend ka një të ardhme. Si do ta komentonit ju këtë vëzhgim të tijin?

Ismail Kadare: Unë mendoj se e ardhmja e Kosovës afirmohet nga disa shfaqje, dhe jo vetëm nga kjo. Por kjo dukuri mbetet, aq më tepër sipas tij, një dashamirës francez. Unë e njoh shumë mirë Kouchnerin dhe ia di mendimet që ka, dhe tingëllojnë shumë pozitive. Por nuk është vetëm kjo që tregon arsyen e së ardhmes së Kosovës.

Zëri: Ka individë që janë kritikë për rolin ndërkombëtar në Kosovë, madje disa prej tyre kanë studiuar edhe këtu në Paris. Pra ata pretendojnë sovranitet në vend të rolit të madh ndërkombëtar. Cili është gjykimi juaj për këtë?

Ismail Kadare: Unë jam për mendimin, dhe ndoshta këtu ndahen njerëzit, që sot nuk mund të krijohet një ngërç dhe kundërshtim midis idesë së sovranitetit dhe aderimit, miqësisë ndërkombëtare të Kosovës. Kosova do të ekzistojë natyrshëm në këtë botë të re të saj, brenda Evropës, dhe ky shqetësim më duket i pavend, sepse këtu do të fitojë pikërisht sovraniteti, nënkuptohet pikërisht sovraniteti, pikërisht e ardhmja e saj. Zhvillimi kulturor, ekonomik, afirmativ, kombëtar, do të zhvillohet përmes Evropës, nëpërmjet miqësisë me Evropën, nëpërmjet integrimit në Evropë.

Zëri: Pritet të fillojë punë Gjykata Speciale që do të gjykojë të ashtuquajturat krimet e luftës nga disa pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Si e gjykoni ju, a e errëson ajo luftën tonë çlirimtare?

Ismail Kadare: Jo, nuk besoj se e errëson.

Zëri: A po lëkunden themelet e orientimit euroatlantik të shqiptarëve?

Ismail Kadare: Jo, nuk e besoj. Mund të ketë prirje për t’i lëkundur, por unë vetë nuk e besoj që do të ndodhë.

Zëri: Si e shihni shtrirjen e influencës së Erdoganit në Ballkan?

Ismail Kadare: Nuk i përgjigjem kësaj pyetjeje, sepse unë nuk e pranoj këtë pyetje.

Zëri: Universiteti i Prishtinës u pranua në Agjencinë Universitare të Frankofonisë në cilësinë e anëtarit të asociuar. Mendoni ju që ky asociim hap mundësi të reja të bashkëpunimit ndërkombëtar, në veçanti me botën akademike frankofone?

Ismail Kadare: Pa asnjë mëdyshje, e pranoj këtë gjë dhe kështu do të ndodhë.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora