E enjte, 25.04.2024, 11:10 AM (GMT+1)

Kulturë

Pierre-Pandeli Simsia: Dhimbja!

E merkure, 04.01.2017, 07:33 PM


DHIMBJA!

Tregim nga Pierre-Pandeli Simsia

"Reagimi mospërfillës i Mirës më vrau shumë shpirtërisht. Dhimbja ishte e madhe, si atëhere para 30-të vitesh dhe, goditjen e grushtit të asaj dite të largët mbi stomakun tim, e ndjeva më të dhimbshëm"

Personazhin tim, po e quaj, Mira.

Pamja e saj, buzëqeshja, shkathtësia, shakatë e ndryshme që bënim në klasë, kur rrinim grup shokë e shoqe përpara oborit të shkollës dhe prisnim të dëgjonim tringëllimën e ziles për të hyrë në mësim, më kanë shoqëruar gjithmonë, madje si një objektiv filmi edhe më janë shfaqur përpara syve.

Në pamjen e jashtëme Mira nuk ishte shumë e bukur, por kishte ëmbëlsinë e femrës adoleshente; ishte tërheqëse, të bënte për vete.

Ishte nxënëse e mirë në mësime, por jo pretendente për të vazhduar shkollën e lartë.

Shoqëria jonë, si çdo shoqëri e asaj moshe vazhdoi deri në klasën e tetë; pastaj u ndërpre. Disa shokë klase filluan punëra në ndërmarjet e ndryshme të qytetit, disa të tjerë u doli e drejta e studimit në shkolla të ndryshme, madje edhe jashtë qytetit tonë.

Kur ktheheshim nga shkolla për në shtëpi, unë dhe një shoku im duhet të kalonim përpara shtëpisë së Mirës. Kjo ishte edhe arësyeja që, shoqëria midis ne të treve, sikur u forcua edhe më tepër nga shokët dhe shoqet e tjerë të klasës.

Por, Mira ishte e veçantë; në klasë, ajo ishte ajka e humorit, ëmbëlsia e bisedës.

Një ngjarje jo e këndshme na ndodhi pak muaj para se përfundonim klasën e tetë.

Ishte ditë e martë, stinë pranvere. Pemët kishin filluar lulëzimin e tyre.

Ora sapo kishte kaluar 5 e mbasdites. Dola nga shtëpia për të blerë diçka në një nga dyqanet në qendër të qytetit.

Rastësisht, në rrugë shkëmbehem me Mirën. Kur u afruam, Mira ndaloi hapin. Unë i buzëqesha si gjithmonë, ndërsa ajo, m'u duk shumë ndryshe nga herët e tjera.

Pa më pyetur se ku do shkoja, e frikësuar, me një frymëmarje të shpejtuar, më thotë:

- Të lutem shumë Bert! Të lutem, kthehu për atje ku je nisur. Më shoqëro deri në shtëpi. Duhet të shpejtojmë. - Fjalët mezi po i dilnin. Ishte hera e parë që e shikoja dhe e dëgjoja Mirën të më fliste aq dhimbshëm. Toni i zërit të saj nuk i përshtatej pamjes dhe tipit të Mirës. Ndjeva keqardhje të madhe!

- Ç'farë ka ndodhur, Mira? - e pyeta i trembur.

- Të lutem, shpejtojmë hapat; një djalë, një idjot, po më vjen nga pas, madje, jo vetëm që më ndjek, por, para pak minutave, guxoi dhe më ndaloi. Më erdhi nga prapa siç më vjen shpesh dhe, vetëm kur ndjeva mbi supin tim duart e tij të fuqishme. Me forcën e një mashkulli rrugaç dhe idjot, me duart e tij të fuqishme, ma ktheu trupin përpara vetes tij. - Pse nuk e pranon kërkesën time për të biseduar? Unë të dua, madje edhe do martohemi bashkë... - po më fliste Mira me me zë të përvajshëm; mjekra po i dridhej.

- Mira! - e ndërpreva unë. Nuk po mundja ta dëgjoja. Ndjeva një pikëllim të thellë. Në grykë më ishte bërë një nyje sikur më pengonte frymëmarrjen.

- Po më duket shumë e gjatë rruga për të mbërritur në shtëpi, Bert. - Vazhdoi Mira të flasë me zë të ngashëryer. Të lutem, të shpejtojmë. Nuk mund ta mendoj kurrë se ç'farë do më ndodhte me atë idjot djalë, mallkova veten që dola për të blerë... Oh, moj mami! - fliste ajo me zë të dridhur dhe  lëshoi një ofshamë.

Pikëllimi që po vazhdoja të ndjejanga ajo ç'po dëgjoja, m'u bë edhe më mbytës.

- E njeh atë djalin ti? Të ka ndaluar edhe herë të tjera? - vazhdova ta pyes përsëri duke e parë dhimbshëm.

- Është një idjot nga një lagje tjetër e qytetit tonë. Më ndjek shpesh nga pas, madje, njëherë në autobusin e linjës, shfrytëzoi rastin kur kishte shumë njerëz. Unë, isha e shoqëruar me mamin dhe motrën time më të vogël; më qendroi përballë dhe, në kohën kur po zbrisnim nga autobusi, dëgjova të më pëshpëriste në vesh: "Të dua shumë zemër e vogël! Fiksoje fytyrën time, sepse do më kesh gjithmonë pullë poste ngado që të shkosh..."

- Çudi! Ti ke edhe vëllanë një vit më të madh se vetja...

- Nuk dua ta ngatërojë vëllanë, Bert. - më ndërpreu. - Por, nëse do vazhdojë kështu, edhe vëllait do t'i them - m'u përgjigj Mira me zë të trembur.

Unë pohova me një lëvizje të lehtë të kokës.

Nuk e njihja atë djalë, por, me ç'po më tregonte Mira ndjeva një përçmim të madh ndaj tij.

- Mos u mërzit, - e ndërpeva unë. Po më dhimbsej shumë ndërsa e shihja në atë gjendje. - Pothuajse mbërritëm, nuk kemi edhe shumë rrugë për të bërë deri në shtëpinë tënde.

Më bënë veshët, sikur dëgjova hapa të shpejtuara prapa nesh. I frikësuar, ktheva kokën.

- Qendroni aty, se do bëj skandal - më foli djali që m'u shfaq prapa nesh me një rrezatim agresiv duke më vështruar rreptas. - Kur të mos kem njeri në shtëpi, më vdekshin që të gjithë njerëzit, do bëj skandal.

O, mamiiiii! - Bërtiti fort Mira dhe, instiktivisht më kapi mua nga krahu i majtë si të kërkonte ndihmën time, si të isha unë shpëtimtari i saj.

Qendruam të dy të frikësuar, frikë, që, sa herë e kujtoj, edhe pse kanë kaluar shumë vite, prapë e ndjej brenda qenies sime.

Djali, që nuk ishte më shumë se 20-të vjeç, më i gjatë se ne nga shtati, me një pamje të egërr dhe me një vështrim të rreptë, qendroi para nesh. Shikimi i tij i egërr u mbërthye mbi mua.

- Kush je ti? - më pyeti egërrsisht.

I frikësuar në kulm, m'u lidhën fjalët, nuk dija ç'përgjigje ti jepja. Një gulç m'u mblodh në grykë. Trupi filloi të më dridhej sa përnjëmend, mendova se do rrëzohesha përtokë. Po e shikoja përhumbshëm.

- Kush, kush... jam unë! - Nuk po dija si t'i përgjigjesha.

- Kush je ti, po të pyes, që shoqërohesh me këtë? - ndjeva dorën e tij të fuqishme mbi kraharorin tim. Më kishte kapur nga këmisha dhe po spërdridhte dorën sipër këmishës sime.

M'u errësuan sytë. Si nëpër ëndërr, zëri i Mirës më erdhi i shurdhët që vazhdonte të bërtiste duke qarë: Oh, mami! Ohhh! Jo, Joo!

Papritur, ndjeva një goditje therrëse në barkun tim, në pjesën e stomakut. Bota përreth m'u errësua; çdo gjë m'u shpërfytyrua. Mes dhimbjes së madhe që më kishte bllokuar edhe frymëmarjen, mbaj mend, që s'po mund të merrja frymë, kuptova se kisha rënë përtokë.

Nuk e di se sa kohë ndenjta përtokë gjysëm i shtrirë. U përpoqa të mbledh veten.  Me duart në pjesën e stomakut sikur doja të lehtësoja dhimbjen e madhe që më kishte kapluar, u çova me  ngadalë. Mira dhe djali i panjohur nuk ishin aty.

Me trupin gjysëm të përkulur, me hapa të ngadaltë edhe nga pesha e dhimbjes, u ktheva në rrugën drejt shtëpisë sime.

Nuk doja kurrsesi ta mësonin prindërit dhe pjesëtarët e tjerë të familjes sime ajo që kishte ndodhur me mua.

Nuk doja të më shikonin në atë gjendje që isha. Ndjeja vështirësi në frymëmarrje.

Nuk po mundja dot të vazhdoja ecjen. Për fatin tim, pranë shtëpisë sonë, ndodhet një si lulishte e vogël. Eca drejt saj. U ula në një stol dhe, me kurrizin gjysëm të përkulur, kush e di se sa shumë kohë do kem qendruar i ulur aty, derisa mendova se mund të ecja drejt shtëpisë.

Mes dhimbjes që po ndjeja, mendoja edhe për Mirën; ku do jetë, çfarë do ti ketë ndodhur edhe asaj...!

Atë mbasdite, me shumë vështirësi, në shtëpi, tek njerëzit e familjes sime, u mundova të mos e jepja veten; u shtira i lodhur. Doja vetëm të shtrihesha e të flija gjumë. Dhe ashtu bëra.

Të nesërmen në mëngjes, nuk ndjehesha i aftë të shkoja në shkollë, madje edhe nuk shkova. Më ndihmoi fati që, prindërit e mi iknin në punë në orët e para të mëngjesit.

Kisha shumë dhimbje në stomak. Nuk u shqetësova shumë për mungesën time të paarsyeshme që do merja në shkollë; shqetësimin e kisha më shumë tek Mira; doja të mësoja çfarë kishte ndodhur me të pas asaj që ndodhi me mua.

Atë ditë edhe Mira nuk kishte shkuar në shkollë. Mungesa ime dhe e Mirës, kishte lënë shumë dyshime tek shokët dhe shoqet e klasës sonë.

Mungesa jonë në shkollë interpretohej në forma dhe mendime të ndryshme. Unë dhe Mira atë ditë, ishim bërë objekti i bisedës.

Jashtë dëshirës sonë dhe realitetit që kishte ndodhur, pjesa më e madhe e shoqërisë sonë, ishin më se të bindur që, unë dhe Mira ishim dy të dashuruar. Atë dashuri, e vërtetonte më së miri mungesa jonë në mësim.

Shqetësimin që kishte pasur Mira atë ditë e kishte biseduar edhe me familjarët e saj.

Një ditë, vetë vëllai i Mirës, pas mbarimit të mësimit, po më priste në oborin e shkollës.

- Bert! Në emër të të gjithë familjarëve tanë, të falenderojmë shumë. Nuk do ta harrojmë kurrë. Më konsidero si byrazerin tënd...

Shtrënguam dorën me njëri tjetrin.

Pas asaj që na ndodhi, nuk donim më ta kujtonim. Unë nuk e pyeta Mirën, por as ajo nuk më foli më për atë djalë, vetëm më tha: - Ai, maskarai, do ta pësojë shumë më keq nëse e merr edhe njëherë mundimin, jo të më prekë me dorë, por as për të më ndjekur nga pas. Ndërsa ti Bert, je dhe do jesh gjithë jetën time shoku im më i mirë, vëlla dhe kaluar vëllait. Nuk kam për ta harruar kurrë, gjithë jetën time, nuk kam për ta harruar kurrë, sakrificën e madhe që bëre për mua, madje, të kërkoj shumë ndjesë, të lutem, Bert.

- Mira, ç'dokush që do ishte në vendin tim, ashtu si unë do vepronte, por, më beso, edhe mua më erdhi shumë keq për ty. Por, ajo që më shqetëson më shumë, është se: Pothuajse të gjithë shokët dhe shoqet e klasës, madje edhe të klasave të tjera, mungesën tonë në mësim atë ditë, e kanë keqkuptuar dhe keqinterpretuar...

- E di! - m'u përgjigj prerë, Mira. Fytyra i tregonte mërzitje dhe, menjëherë, i mori një shprehje pa formë që mua m'u duk sikur nuk donte vazhdimin e asaj bisede.

Edhe pak muaj dhe ne përfundonim klasën e tetë. Në ditët në vazhdim, Mira në bisedë e sipër, mes shakave të saja, e përmendte shpesh: Pas mbarimit të klasës së tetë, rrugët e jetës do na ndajnë, por, ti Bert mos harro, për mua kudo që do shkosh, do jesh gjithmonë vëllai im. Madje, e përmendte edhe mes nxënësve të tjerë të klasës si për të hequr dyshimin e tyre.

Dhe ashtu ndodhi vërtetë: Pasi mbaruam klasën e tetë, udhët e jetës sonë edhe na ndanë me shumë shokë e shoqe.

Unë, studimet e shkollës së mesme i ndoqa jashtë qytetit tim. Studimet e shkollës së lartë i përfundova në një qytet tjetër dhe, pas studimeve të larta, u emërova inxhinier në një qytet tjetër industrial ku edhe krijova familjen time dhe u bëra qytetar i atij qyteti.

Portreti i Mirës, emri i saj dhe i disa shokëve dhe shoqeve të klasës, buzëqeshja, shakatë e saja, më kanë shoqëruar gjithë kohën. Sa shumë e dëshiroja, sikur edhe vetëm njëherë ta shikoja në rrugë. Sigurisht, duhet të kishte krijuar familjen e saj. E ëndëroja shumë ta shikoja vetëm, me bashkëshortin e saj, me fëmijët. Kisha pyetur dhe më kishin thënë, se Mira ishte martuar në qytetin tonë të lindjes.

Sa herë shkoja në vendlindje, asnjëherë nuk më kishte rastisur ta shikoja.

Një ditë, me vajzën time të madhe, shkuam për një gëzim familjar në qytetlindje.

Në një dyqan pije freskuese, dallova një grua me pamje fisnike. Edhe pse vitet kishin kaluar dhe mosha, sigurisht, bën punën e saj, fisnikëria e asaj gruaje dallohej qartë në pamjen e saj. E njoha, Ishte mamaja e Mirës.

U gëzova shumë; iu prezantova si një ish shok klase me Mirën, madje e prezantova edhe vajzën time.

Ajo, sapo dëgjoi emrin tim, më pa fort në sy. Diçka po mendonte.

Nuk e kuptova dot, po ndjehej e hutuar, apo po mundohej ti kujtohej ai emër.

Me një buzëqeshje që i shkëlqeu në fytyrë, doli jashtë banakut, u afrua pranë nesh dhe, pasi shtrënguam duart, më përqafoi. -  Bert, të faltë Zoti! Sigurisht, qenke rritur dhe paske ndryshuar, Bert, por, janë disa tipare tek njerëzit që nuk ndryshojnë, sado që të rritet njeriu. Janë disa veprime, disa sakrifica në jetë që bën njeriu për shokun, për mikun dhe, ato nuk harrohen kurrë...

E përqafoi edhe vajzën time si ta kishte fëmijën e vet.

Po ndjehesha shumë i lumturuar. E pyeta edhe për Mirën.

Mësova disa gjëra rreth Mirës dhe familjen e saj të re. U gëzova shumë, pa harruar ti dërgoja përshëndetjen time Mirës.

* * *

Pothuajse, pas 30 vitesh, shkova përsëri në qytetlindje. isha i shoqëruar me bashkëshorten time dhe me vajzën.

Sigurisht, nuk mund të rrija pa shkuar edhe në dyqanin e pijeve freskuese ku punonte mamaja e Mirës.

Për çudinë dhe të papriturën time, shitëse nuk ishte gruaja që mendoja unë, por një grua tjetër, më e re në moshë se mamaja e Mirës.

Po e vështroja me imtësi. Nuk do ta kisha njohur, nëse nuk di t'i shikoja një nishan të vogël që e kishte në cepin e buzës së sipërme nga ana e majtë.

Pa u menduar shumë, me buzëqeshjen time që më karakterizon me të gjithë miqtë dhe shokët, i fola menjëherë:

- Mira! - dhe iu afrova; i zgjata dorën për ta takuar.

- Po! - m'u përgjigj dhe, në vend që edhe ajo ti përgjigjej zgjatjes së dorës së saj drejt meje, u largua një hap prapa.

- Mira! - Vazhdova unë të flasë; vërtetë, kanë kaluar shumë vite pa u parë dhe, sigurisht, edhe mosha jonë ndryshimi i pamjes sonë, ndikojnë, por, besoj se, nuk kam ndryshuar kaq shumë sa të mos më njohësh fare. Jam Berti, Mira, Berti F, ish shoku yt i klasës, madje, nganjëherë edhe shoku i bankës. Dhe, si për ta bërë edhe më miqësore bisedën, i prezantoj bashkëshorten dhe vajzën tonë.

Mira, shumë mospërfillëse, sikur unë të isha një njeri krejt i panjohur për të, sikur të mos e kishte dëgjuar kurrë emrin tim, sajoi një buzëqeshje të rremë dhe m'u përgjigj me indiferencë.

- Paske ndryshuar shumë. Nuk të njoha. Kanë kaluar shumë vite që nga ajo kohë e largët e viteve të shkollës tetvjeçare. Koha ndryshon...

I hutuar, i papërgatitur nga ajo e papritur, nuk po dija si të veproja, madje, për çudi edhe fjalët m'u lidhën.

Pas një heshtje të shkurtër, i fola:

- Sigurisht, koha ndryshon, por, nuk e mendoja se paskan ndryshuar shumë edhe njerëzit, Mira. Unë kam krijuar familjen time dhe familjarisht, prej shumë vitesh jetoj në shtetin fqinj. Jetën e kam ndërtuar me djersë dhe punë, madje jemi shumë të kënaqur me atë çfarë kemi arritur në familjen tonë dhe me fëmijët tanë.

Jashtë dëshirës sime, por i sinqert me atë që po bëja, pa më pyetuar ajo për shëndetin tim, i thash: - Besoj se të kujtohet, kur, atë mbasdite të largët, një djalë, më qelloi me grusht në stomak dhe, pasojat e asaj goditje po i ndjej edhe tani, madje edhe më të forta...

- Më vjen shumë keq për atë që ndodhi në atë kohë të largët. I kam fshirë nga kujtesa ime lodrat adoleshente, - ndërhyri Mira po me të njëjtën indiferencë duke ma ndërprerë bisedën, sikur unë të kisha qenë shkaktari dhe lojtari i keq i asaj lodre adoleshence, siç e quajti ajo.

Po më dukej vetja i tepërt në atë dyqan. Po ndjehesha i fyer edhe përpara bashkëshortes dhe vajzës sime që me sa shumë nostalgji u kisha folur unë për Mirën.

Qendrimi indiferent i Mirës ndaj meje që, nuk e kuptova pse-në dhe nuk dua ta di arësyen e atij qendrimi, ndikoi, jo vetëm tek unë, por edhe tek bashkëshortja dhe vajza jonë edhe pse ato nuk reaguan fare dhe nuk ma zunë në gojë asnjëherë.

Nuk kisha ç'të flisja më.

Mira, me qendrimin e saj, me bisedën dhe përgjigjet e saj të ftohta, po më godiste fort, jo me grusht, por me të gjithë forcën e qënies së saj.

Reagimi mospërfillës dhe fyes i Mirës, më vrau shumë shpirtërisht. Dhimbja ishte e madhe, si atëhere para 30-të vitesh dhe, goditjen e grushtit të asaj dite të largët mbi stomakun tim, e ndjeva më të dhimbshëm.



(Vota: 11 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora