E premte, 29.03.2024, 01:13 PM (GMT)

Mendime

Idriz Zeqiraj: Demarkacioni, një sfidë konspirative

E marte, 03.01.2017, 08:39 PM


DEMARKACIONI, NJË SFIDË KONSPIRATIVE

SHKRUAN IDRIZ ZEQIRAJ

Është rrjedhë logjike rrumbullaksimi i bilancit, sukseseve dhe dështimeve, në fund të një viti kalendarik. Bërja e këtij bilanci, analiza, është në shërbim të luftimit të dobësive, devijimeve, për shmangien e pengesave, me qëllim të rrugëtimit shpengueshëm drejt progresit. Sepse plagët nuk shërohen duke i mbuluar, duke i heshtur. Përkundrazi, në rastin e Kosovës, ndërhyrja me bisturi, thikë operuese, është domosdoshmëri e kohës.

Përgjatë këtij moti lamtumirës, Kosova u përballë me një serë problemësh e sfidash, të trashëguara dhe të reja, kryesisht, me bilanc e sens negativ. Përjashtim bën ligji për Trepçën. Por, objekt i këtij shkrimi do të jetë ngjarja që ka dominuar jetën politike, parlamentare dhe mediale të Kosovës, zgjidhja e së cilës nuk jep shpresë për një kohë të afërt.

Bisedimet konspirative shkelën Rezolutën: integriteti territorial dhe rregullimi i brendshëm

Demarkacioni, shënimi i vijës kufitare me Malin e Zi, përgjatë këtij viti, ka qenë dhe mbeti kryetemë në Kosovë. Pavarësisht Rezolutës të Kuvendit, që përcaktoi vijat e kuqe të dialogut Kosovë - Serbi, si: 1) Çështja e integritetit territorial të Kosovës dhe 2) Rregullimi i brendshëm, të mos jenë asnjëherë temë e bisedimeve.

Çuditërisht, të dyja këto çështje u bënë temë, madje kryetemë e bisedimeve. Dhe, betimet, përgjërimet e Hashim kryeministrit dhe lëvriçkës së tij, Edita Tahiri, me lakejtë e tyre, dolën mashtrime e gënjeshtra të pista. Dhe, bisedimet rezultuan fatale, për Kosovën dhe popullin e saj. Sepse, bisedimet pasuan me dy marrëveshje, secila më e zezë se tjetra: Bashkësia e Komunave Serbe - brenda territorit të Kosovës. Dhe, kjo e bënë Serbinë hisedare, në rregullimin e brendshëm të Kosovës, pra, hisedare në sundimin në Kosovë!

Demarkacioni, shënimi i vijës kufitare me Malin e Zi, zbritja, hyrja e kësaj vije kufitare për pesë e gjashtë kilometra, në brendësi të Kosovës, cenon integritetin territorial të Kosovës, të shprehur në sipërfaqe, 8 deri 10 mijë hektarë.

Dhe, pavarësisht nënshkrimeve të fshehura, nga Hashim kryeministri, Kuvendi, si aprovues të një Rezolute, e cila siguronte "mosprekjen e integritetit territorial dhe mos ndërhyrjen në rregullimin e brendshëm", jo vetëm që nuk kërkoi llogari, për këto akte tradhtie, në të kundërtën, e shprëbleu Hashimin, duke e kontrabanduar në krye të shtetit!!!

Pas nënshkrimit fillestar, konspirativ, të fshehur nga Hashim Thaçi, marrëveshjen e firmos edhe pasuesi, në postin e kryeministrit, Isa Mustafa. Papërgjegjësia e tyre është e skajshme. Një guxim tej logjikës njerëzore, ku toka shtetërore, pasuria e brezave shqiptarë, falet lehtësisht, sikur të ishte pronë e babës, pronë private.

Pazaret e pista: Hashimi - Isa, datojnë herët

Pazaret e Hashimit dhe të Isës kanë qenë sa të shumta, aq edhe të pista. Këto pazare, gjithnjë konspirative, kanë filluar në fillim lufte, me dhënien e parave pa asnjë kriter e mbulesë, kur dihet se LPK-ja ishte dhe mbeti një grup rrugaçësh dhe vrastarësh, që sabotuan luftën dhe përgjakën bijtë e përzgjedhur, veprimtarët dhe luftëtarët më të guximshëm të Kosovës.

Ne, që jemi lindur dhe rritur, në brezin kufitar me Malin e Zi, që e kemi shfrytëzuar atë tokë. "utrinë shtetërore", "tokë me re", "tokë pashnjak", pa kadastrim e pronësi private, por, tokë shtetërore, pasuri e brezave shqiptarë, të cilën po rrezikojmë ta humbasim, tani, në paqe!

Shpërfillja e popullsisë denbabadene kufitare;  një hall i madh dhe dyshues i pushtetarëve

Sipas Hashimit, Kadri Veselit, Isa Mustafës, Murat Mehës dhe lukunisë së tyre, kjo tokë, deri sa nuk është në tapinë, kadastrën private, është "tokë utrinë, tokë e askujt" dhe nuk bëhet qameti nëse " po humbim një tokë, që nuk është e askujt",- siç deklaroj, së fundi, një deputet i Isa Mustafët! Bazuar në moshën, afër 7 dekada të mbamendjes, si dhe të tjerët para nesh, duke e shtrirë kujtesën në tej një shekulli, kurrë nuk ka pasur qasje Mali i Zi, as me kullotë dhe as me prerje pyjesh, në hapësirat e kontestuara aktuale.

Në vitin 1974, një komision, i përbërë nga 4 serbë dhe 3 malazezë, ka ndërhyrë në dokumentacionin e kufinjve dhe ka devijuar kilometrat, që sot kontestohen, në llogari të Malit të Zi, në fshehtësi të shqiptarëve.

Do të mjaftonte ky fakt, super sinjifikativ, domëthënës, për t`ua vënë në dorë miqve tanë amerikanë dhe evropianë. Bota e emancipuar demokratike, është e ndjeshme për tokën, kufinjtë dhe krejt tjetër qasje do të kishin. Por, ata që nuk e kanë dorëzuar një dosje-akuzë, për krimet e Serbisë, të bëra në Kosovë, jam i bindur se as këtë nuk e kanë bërë dhe nuk do ta bëjnë as në të ardhmen.

Ndjeshmëria e shteteve ligjore për tokën

Ndjeshmërinë e botës demokratike, e shteteve ligjore, po e ilustrojmë me një fakt të kohëve të fundit: Finlanda i kërkoi Norvegjisë fqinjë t`i japë vetëm 18 (tetëmbëdhjetë) metra tokë në një maje mali kufitar. Kërkesa u shtrua në Parlament, por nuk arriti ta zgjidhë çështjen. Kërkesa i kaloi Gjykatës Kushtetuese, por rezultoi negative. Sepse Kushtetuta ndalonte shitjen apo faljen e territorit të Norvegjisë, si pasuri e brezave norvegjez.

Novegjia ka një sipërfaqe tokësore sa tri herë Gjermania dhe 4 (katër) milion e gjysmë banorë. Megjithatë, i kursen 18 metra tokë bjeshkore. Krahaso hapësirën tokësore të Kosovës me atë të Norvegjisë!! Sa dorëlirë pushtetarët tanë, që kanë ngulfatur këtë popull mjeranë! Jo 18 metra, por 10.000 hektarë tokë ia falin shtetit fqinjë! Dikujt ia ka "zënë dera bishtin!"

Bisedimet dhe nënshkrimet konspirative, pykojnë pushtetarët monstrumë

Është për habi, angazhimi, madje, me tepri, i kryeministrit Mustafa, për vijën kufitare aktuale, fatale për Kosovën. Si duket ka vendosur ta bëjë edhe një sakrificë, për ta shpëtuar Hashimin nga akti i tradhtisë, i nënshkrimit fillestar të marrëveshjes. Prej atij që i ngriti në kupolën e legjislativit dhe të shtetit, dy të akuzuarit e parë në Kosovë, për llahtarinë e krimeve, nuk mund të pritet asgjë e mirë.

Marrëveshja fillestare, e bërë nga Hashimi me ndërkombëtarët, duhet zbatuar. Milovan Dekun, kryetar i Komisionit Parlamentar Evropian thotë: "Nuk ndryshohet marrëveshja e nënshkruar". Zhvlerësimi i këtij nënshkrimi mund të bëhet vetëm: a) me aktin e vetëvrasjes të Hashimit, në shenjë pendese; b) me prangosjen nën akuzën e tradhtisë dhe, krejt e fundit, c) shpallja e tij të çmendur, duke e izoluar me qendrim të përjetshëm, në institucionin shndetësor të psikiatrisë.

Mbrojtja e tokës, është kauzë e shenjtë gjithëpopullore

Është cinike. madje profane, broçkullat për rimatjen e tokës të Kosovës. E tillë është edhe tryeza me partitë e opozitës. Bisedën e duhur, me shfrytëzuesit e kësaj toke, përtej shekullit, denbabaden, e ka bërë dhe ka marrë përgjigjen e prerë dhe meritore kryeministri i vendit. Irritueshëm i janë përgjigjur rugovasit, deklarimeve paushalle dhe foshnjore të kryeministrit, për "kauzën e rrejshme!" Dhe, pas asaj bisede, proverbialisht të çiltër, një kryeministër i dinjitetshëm, duhej të tërhiqej, të mos e thellonte marrëzinë.

I jep të drejtë kryeministrit, kur akuzon një kryetar partie, se duhet të jetë i fundit, në mbrojtje të tokave kufitare, kur dihet se ai ka grabitur, pushtuar, me privatizim e dallavere, qindra hektarë të tokave, të cilat, deri tani i ka shfrytëzuar komuniteti vendorë; ka pushtuar troje në kryeqytet, pa shpërblim fare; ka ngritur pallate-vila, me para skajmërisht të dyshimta; ka dhënë me qira pallatin, sepse ka hapësirë me tepri; ka bërë plot të liga dhe të këqija të tjera, të cilat kanë qenë dhe mbetën objekt përfoljesh prej afro dy dekadash.

Por, adresimi i "kauzës të rrejshme", është një gabim i qëllimshëm. Kauza e mbrojtjes të tokave tona, nuk është kauzë e rrejshme, por kauzë e shenjtë, për të cilën flijimi është detyrë dhe jo sakrificë; kjo nuk është vetëm kauzë opozitare e partiake, por është kauzë gjithëpopullore.

Pamundësia argumentuese e "kauzës të rrejshme" nga pushtetarët, ka pasuar me deklarimin se " Demarkacioni nuk zgjidhet me shkencë, por me mjete politike!" Dhe, kjo vetë-demanton pushtetarët dhe komisionin qeveritar. Andaj, turpi qoftë me ju dhe të gjithë ata që ju mbështesin ju, pushtetarë të papërgjegjshëm, të dhunshëm!

LDK-e dhe deputetët e saj: Mos shkelni amanetin e Presidentit Rugova!

Presidenti Historik, Dr.Ibrahim Rugova, në bisedë me një delegacion të banorëve të Rugovës, për çështjen e brezit kufitar, u ka premtuar se: "Vija kufitare me Malin e Zi dhe Serbinë, nuk do të zbresë poshtë Qafës të Çakorrit, Kullës të Zhlepit, Maleve të Moknës, Qafës të Dasmorëve dhe më tutje, për maje-maleve. Sepse ky është kufiri natyral, i njohur mirë dhe gjithmonë aty ka qenë. Përtej këtij kufiri, edhe pse janë toka shqiptare, tani nuk mund t`i marrim, por mbetet çështje e hapur për të ardhmen!"

Disa po zhurmojnë kundër amanetit të Presidentit Rugova!

Ky premtim, dhënë rugovasëve, në gjallje të Dr.Rugovës, pas amëshimit të Tij, kthehet në amanet për partinë e Tij, Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK). Për ata që nuk kanë qenë ndonjëherë anëtarë të LDK-së, kanë ardhur tani, për parime apo përfitime, lë të mbetët në ndërgjegjën e tyre. E themi këtë, se po zhurmojnë shumë kundër amanetit të Presidentit Rugova, pikërisht, disa nga kuadrot e vonshëm të LDK-së. Por edhe për ata që janë të vonshëm në këtë subjekt, përjashto rininë, kryerja dhe mbrojtja e këtij amaneti, mbetet fakultative, jo i obligueshëm, ndoshta, as moralisht.

Deputetët e LDK-së, në veçanti, që i kanë qendruar besik parimeve dhe vizionit rugovian, duhet të mendojnë seriozisht për amanetin shenjtë të Presidentit Rugova, dhënë rugovasëve të Tij. Në të kundërtën, do të jenë, përjetësisht, të anatemuar, të mallkuar, të marruar, si shkelës të amanetit të shtetbërësit të Kosovës, hyjnorit Rugovë.

"Kufinjtë ekzistues" - Çakorr, Kullë, Mokna.., pavarësia pa kushtëzime tjera

Është rrenë e kulluar se Pavarësia e Kosovës është shpallur mbi bazën e vijës aktuale kufitare, e cila është në përputhje me Planin e Ahtisarit. E vërteta është se Pavarësia e Kosovës shpallet në kufinjtë ekzistues të Kosovës. Dhe, me shprehjen - kufinjtë ekzistues - , kuptohet në kufinjtë e njohur, edhe zyrtarisht, por, sidomos nga ata, popullësia e brezit kufitar, ku i jetojnë shekujt dhe i kanë shfrytëzuar gjithmonë. Sepse vija e ndryshuar në letra, në kushtet e pushtimit shekullor, nuk mund të besohet apriori. Pikërisht, kjo vijë kufitare, për të cilën ngulmojnë banorët vendorë të Rugovës dhe të brezit kufitar, në vijimësi, përputhet edhe me përcaktimin e saktë që bënë Presidenti Ibrahim Rugova.

Krimi i organizuar dhe korrupsioni - barrierë e vizave, demarkacioni - stisje artificiale

Kryeministri Mustafa po e vënë në pozita të palakmueshme edhe LDK-në, madje gjithnjë e më shumë po bëhet i pambrojtshëm, me falsifikimet që u bënë deklaratave të ndërkombëtarëve. "Kemi përmbushur të gjitha kriteret e kushtet për liberalizimin e vizave madje edhe ato të luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit!" Absolutisht e pasaktë. Janë shumë qindra vrasje të krimit të organizuar, të cilat nuk janë zbuluar dhe as që mund të zbulohen, për derisa kryekriminelët janë në krye të shtetit dhe të pushtetit.

Edhe luftimi i korrupsionit nuk është hiç për "marshallah". Mjafton një raport, ku potencohet se nga 16 milion euro të sekuestruara, vetëm 1 milion kanë hyrë në arkën shtetërore. Atëherë, pyesim, çfarë pozitiviteti e suksesi ka luftimi i korrupsionit në Kosovë?!

Ne e kemi përkrahur Isa Mustafën si kryeministër, sepse është më profesional, se sa të gjithë pararendësit e tij, marrë së bashku. Prandaj, nuk duhet të bie në nivelin e deklarimeve të papërgjegjshme, siç bëjnë Edvin skizofreni e Hashim dallaverja. E mbi të gjitha duhet ta harrojë Demarkacionin, problem që e krijoi, artificialisht, Hashimi, por e dramatizoi edhe më shumë Isa. Vija aktuale kufitare, nuk është fare natyrale, madje as logjike dhe hiç kombëtare.

Edvin drogaxhiu dhe Hashim krimineli, fajet e veta ia faturojnë Evropës!

E turpshme edhe kjo: Edvin Rama e Hashim Thaçi e akuzojnë Evropën me akuzën e turpit të izolimit të Kosovës dhe bllokimin e Shqipërisë drejt Evropës. Këta dy horrakë duhet të turpërohen për rrugaçërinë, poshtërsitë dhe krimet e tyre.

I pari, ka droguar tokën e Shqipërisë dhe helmon, me skafët e drogës, rininë evropiane. Pastaj, ka ringjallur lugatin-kriminel, Enver Hoxha, duke provokuar shqiptarët e sakatosur, për afro gjysmë shekulli me radhë. Statistikat dëshmojnë se më shumë shqiptarë ka vrarë banda komuniste e diktatorit Hoxha, në paqe, se sa që janë vrarë shqiptarë, në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore, marrë së bashku.

I dyti, ka përgjakur Kosovën me SHIK-un e tij kriminal, duke e konkuruar edhe Millosheviçin, në vrasjen e shqiptarëve të pafajshëm; duke lënë mijëra fëmijë jetimër; duke i veshur në zi shumë qindra familje dhe disa mijëra familje të tjera, që i lidhë gjaku dhe miqësia.

Vërtet, Evropa duhet të turpërohet pse lejon pushtëtarët halabakë, korruptivë e kriminelë të Shqipërisë dhe të Kosovës, të bredhin e ndotin Evropën, me paratë e popullit varfanjakë të këtyre dy shteteve, Shqipërisë dhe Kosovës?! Vetëm ndalimi, vija e kuqe, stop-i, për zyrtarët e lartë, do të ishte i drejtë dhe logjik. Atëherë Evropa do ta përcillte mesazhin e duhur: "Ngrihuni ju, skllevërit e kohës të Internetit dhe i shporrni nga pushteti, këta mafiozë e sundimtarë të pacipshëm.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora