E marte, 10.12.2019, 09:04 PM (GMT)

Kulturë » Muzikë

Adriano Celentano

E shtune, 23.06.2007, 07:56 PM


Celentano, këngëtari mitik i 24.000 ‘puthjeve’       

Kantautori, aktori, drejtuesi televiziv italian që ka bërë famë ndërkombëtare, është cilësuar miti i historisë muzikore. Edhe në vendin tonë ka qenë një ndër idhujt e rinisë shqiptare (vazhdon të jetë edhe ditët e sotme) ku këngët e tij dëgjoheshin në fshehtësi. Shumë shpesh edhe autorë të ndryshëm, fal karrierës 50 vjeçare dhe sukseseve, e kanë konsideruar një shenjtor të muzikës italiane, duke mos harruar edhe faktin se quhej Elvis Presley italian. Ky artist është bërë një emblemë dhe ikonë e shoqërisë italiane të periudhës pas luftës së dytë.Është një ndër këngëtarët e pakët italianë, që ka arritur të shes rreth 100 milionë disqe në mbarë botën. Nuk duhet lënë mënjanë edhe temat që trajton në këngët e tij, ku së bashku me muzikën e mrekullueshme të magjepsin dhe të bëjnë të mendosh se këngë të tilla jo vetëm që nuk përsëriten kurrë në epokën muzikore, por edhe nuk fshihen lehtë nga pentagramet e saj. Një zë i ëmbël, një tingull melodioz, fjalët më magjepsëse që ekzistojnë në këtë botë bashkojnë epokat e ndryshme kohore dhe sjellin përmes mikrofonit të vetmin qëllim. Me pak fjalë mund të përshkruhet artist i paarrirë.

Biografia
Një ndër meritat që i akordohen, është fakti i të qenit i pari muzikant italian që arriti të kuptonte se diçka në botën e muzikës, po ndryshonte. Ishin vitet kur nga Amerika mbërrinte një tip i ri muzikor, i shfrenuar dhe me një mesazh të rëndësishëm sidomos për të rinjtë e atëhershëm: Celentano kuptoi se ajo ishte muzika e tij dhe nga viti 1955 filloi të njihte kontekstin rok duke ndjekur spektaklet e Ghigo Agosti. Me origjinë pulieze, filloi të interpretonte si komik dhe imitues në kabaretë milaneze, më pas debutoi zyrtarisht si këngëtar në pallatin e Ghiaccio në Milano në rrjedhën e Festivalit të parë të Rock And Roll. Më pas i mjaftuan vetëm tre ose katër xhiro për t’u transformuar në protagonistin më të adhuruar (dhe shpesh edhe më të kritikuar) të muzikës italiane. Tepër i njohur si "rocker", në vazhdimësi interpreton këngë, të cilat i shoqëronte me vallëzim (muzika soul, tango, vals, shimmy) dhe më pas me të njëjtin sukses i dedikohet edhe kinemasë, në fillim si regjisor (Super rapina a Milano), më pas edhe si interpretues (Serafino, 1968, të P. Germi), duke zbuluar përpara makinës së xhirimeve një dhunti komike.

Hapat e parë me Rock Boys
Adriano ka lindur në Milano, në rrugën numër 14 të Gluck. Origjina e prindërve të tij ishte pulieze, dhe u transferuan në veri për punë, në Milano. Adriano kaloi fëmijërinë dhe adoleshencën, duke u transferuar me familjen në vitin 1951 në rrugën Correnti; u largua nga shkolla për t’iu përkushtuar punëve të ndryshme, e fundit dhe më e adhuruara për të ishte orëndreqësi. Në të njëjtën periudhë filloi të interesohej për muzikën, në mënyrë të veçantë për rock'n'roll, si edhe shumë të rinj italian, filloi të njihte në 1955 me mbërritjen në Itali të filmit Blackboard Jungle, në kolonën zanore ndodhej një këngë e titulluar ‘Rock around the clock’, e kënduar nga një këngëtare e panjohur atë kohë në Itali, Bill Haley dhe që nga ai moment (si shumë të rinj të tjerë), Celentano dëshironte të bëhej edhe ai një këngëtar i rock'n'roll. Pas kësaj kohe formon grupin ‘Rock Boys’, i përbërë nga katër miqtë e tij, tre vëllezërit Ratti në bateri, bas dhe kitare si dhe Ico Cerruti në kitare të dytë, është një grup që pasi kishin përgatitur disa këngë të rock'n'roll amerikan (kur Celentano, nuk dinte anglishten, ndërronte fjalët) Rock Boys interpretojnë në vitin 1956 në Ancora, lokal i Milanos, duke u transferuar në vende të tjera në Milano. Ndër të tjera grupit Rock Boys iu shtua një pjesëtar i ri: Enzo Jannacci, Celentano njohu edhe balerinin Alberto Longoni, që interpretonte me emrin e artit të Torquato il Molleggiato (vitet pasuese u njoh me emrin Jack La Cayenne), dhe shpesh herë e merrte me vete gjatë interpretimeve, një ditë Longoni nuk u paraqit në spektakël, sepse ishte bllokuar nga policia, dhe Celentano vallëzoi në vend të tij, duke u bërë ai vet Molleggiato.

Festivali i parë italian i Rock and Roll
Koreografi dhe balerini Bruno Dossena kishte idenë e organizimit të një festivali italian rock and roll në Milano (e quajtën "Primo Festival", edhe pse në realitet ai ishte i vetmi edicion), u organizua në 18 maj 1957 në pallatin e Ghiaccio në rrguën Piranesi, ku morën pjesë shumë grupe, midis së cilëve Tony Renis, Betty Curtis, Tony Dallara dhe Rocky Mountains, Clem Sacco & i Califfi, Ghigo, Arrabbiati, Giorgio Gaber, Guidone e Little Tony and his brothers; secili prej tyre kishte disa minuta kohë në dispozicion për të prezantuar tre ose katër këngë nga repertori i tyre. Ishte Dossena, ai që ftoi Celentanon të merrte pjesë më grupin e tij. Por, viti 1957 është një vit i rëndësishëm për Celentano edhe për një tjetër arsye: njihet me Miki Del Prete, që me kalimin e viteve do të bëhet një ndër bashkëpunëtorët më të vlerësuar.

33 xhirot e para, shërbimi ushtarak dhe 24.000 ‘puthjet’
Në fund të marsit 1960, Guertler vendos të publikoj 33 xhirot e para të Celentanos, duke e titulluar Adriano Celentano me Giulio Libano dhe orkestrën e tij: disku përmban disa këngë të publikuara si ‘Il tuo bacio è come un rock’ si dhe ‘Personality’ dhe ‘Il mondo gira’. Të njëjtës periudhë i përket edhe disku i inicizuar me këngëtaren Anita Traversi, që interpretojnë këngën Piccola dhe Ritorna lo shimmy. Viti 1960 është edhe periudha kur morri pjesë në filmin ‘La dolce vita’ të Federico Fellini, që i kërkon Molleggiato të interpretojë një ndër këngët e tij në një skenë të ambientuar në një lokal romantik, Adriano, me Ribelli, këndon Ready teddy, dhe interpretimi i tij vlerësohet në mënyrë të veçantë nga regjisori. Në 30 nëntor publikohet Furore, albumi i dytë i Celentano. Pak javë pas daljes së këtij disku, Celentano duhej të nisej për shërbimin e detyruar ushtarak. Në shkurt të vitit '61 Celentano duhej të merrte pjesë në Festivalin e Sanremo, por që ishte ushtar, kishte nevojë për një leje speciale, që atëherë duhej të firmosej nga ministri i mbrojtjes, Giulio Andreotti. Në Festival Adriano takohet me mikun e tij të vjetër Little Tony, dhe është në duet me të kur prezanton Ventiquattromila baci (këngë që ishte shkruar nga Pietro Vivarelli dhe Lucio Fulci me muzikë të Celentano); Adriano skandalizon publikun duke i kthyer kurrizin dhe ndryshon qëndrim pasi orkestra ndryshon muzikë, por kënga e tij "Ventiquattromila baci" renditet e dyta dhe shitja e disqeve fal kësaj kënge arriti në miliona kopje. Një tjetër sukses i po këtij viti, është edhe kënga, ‘Nata per me’, ku Celentano largohet nga roku për t’iu bashkuar muzikës më melodike. Në të njëjtën kohë, në muajin maj ka fituar çmimin ‘La Stella d'Oro’, që duhej ta merrte së bashku me Claudio Villa, por pikërisht në këtë periudhë dënohet pesë ditë me burgim.

Njohja me bashkëshorten Claudia Mori
Emri i artit të Claudia Moroni, aktores dhe këngëtares që ka lindur në Romë në 12 shkurt të vitit 1944. Takohet me Celentanon gjatë xhirimeve të "Uno strano tipo" dhe që nga ai moment jetojnë së bashku. Në vitin 1964 martohen fshehurazi natën, në kishën e San Francesco në Grosseto. Nga kjo martesë lindin tre fëmijë: Rosita në 1965, Giacomo 1966, Rosalinda në 1968. Nga viti 1991 Claudia Mori është administratore e deleguar e shtëpisë diskografike të familjes, Clan Celentano srl. Kujtojmë disa nga sukseset diskografike si: Non succederà più, Stringimi a te, La coppia più bella del mondo (duet me Celentano), Non guardarmi, Quello che ti dico, 30 donne del West, Buona sera dottore, Un'altra volta chiudi la porta, Che scherzo mi fai. Do të marrë pjesë në filma të ndryshëm të bashkëshortit, por që nga viti 1994 i dedikohet tërësisht administrimit të Clan.

Vitet '80
Në 1982 publikon një libër autobiografik me bashkëpunimin e Maria Ripa të Meana: "Parajsa është një kalë i bardhë që nuk djersin kurrë". Celentano vazhdonte të ishte i përqendruar për të qenë gjithnjë i angazhuar me kinemanë. Realizon dy albume, "I miei americani..." dhe "I miei americani 2" ku ripropozon tekste italiane këngë ultra të famshme si Susanna, Questo vecchio pazzo mondo (Eye of distructions), Il contadino (Hold on i'm coming), Sei nel mio destino (You are my destiny) dhe shumë të tjera. Dy albumet arritën një sukses tepër të madh me rreth gjysmë milioni kopje të shitura. Filmi i paharrueshëm i këtyre viteve është Joan Lui, një muzikal i shkruar, drejtuar, montuar me muzikë, skenar dhe interpretim nga Adriano, që kushtoi rreth 20 milionë lira dhe ishte fryti i punës tetë muaj. Nuk arriti ndonjë sukses të madh në publik dhe u cilësua nga kritika, si një ndër realizimet më pak të arritura në kinemanë italiane, ndërsa në sallat italiane qëndroi për 2 javë, ku më pas u hoq nga vet Celentano. E kundërta ndodhi në Rusi, filmi ishte një kolosal i vërtetë. Madje Adriano arriti të mposhte frikën e tij historike për udhëtimin në avion dhe shkoi në Moskë për ta publikuar dhe më pas për t’u vlerësuar. Filmi ndoshta prezantohej si një vepër e tepërt në lidhje me kohën e atëhershme. Në televizion Celentano ishte protagonist i "Fantastico 8 ". Gjysma e dytë e viteve '80 është edhe periudha e krizës martesore për Celentanon me Claudia Mori. Për disa vite të dy jetuan të ndarë dhe flitej për divorc. Në vitin 1985 të dy shfaqen në serialin e Joan Lui dhe kriza mesa dukej i përkiste të kaluarës. Në fakt kështu, çifti vazhdon edhe ditët e sotme të jetojë i lumtur.

Vitet '90
Nga viti 1987 e deri 1990 ishte një periudhë pushimi për Adrianon, i cili nuk realizoi asnjë album. Në vitin 1991 kthehet me albumin e titulluar "Il re degli ignoranti" i shoqëruar nga libri me të njëjtin titull. Albumi rezultoi një sukses i vërtetë me 500.000 kopje të shitura, por nuk është një ndër më të kujtuarit për këngëtarin. Në vitin 1992 shfaqet tek Rai 3. Në vitin 1994 kthehet me një album tepër të veçantë: "Quel Punto". Teksti i këngës së njëjtë ka qenë tepër e kritikuar në lidhje me temën e trajtuar. Albumi hiqet nga tregu për probleme shtypshkrimi pak javë më pas dhe shet 100.000 kopje. Viti 1994 konsiderohet si viti i rikthimit të tij "live". Ndërmerr një turne evropian duke filluar nga Berlini dhe arrin një sukses të paparë, por edhe polemikat nuk mbeten pas. Për momentin do të jetë i vetmi turne i Celentanos. Në vitin 1996 realizon albumin "Arrivano gli uomini" të shoqëruar nga videoklipi që u transmetua tek Rai Uno. Albumi nuk arriti të shitej më tepër sesa 150.000 kopje. Kjo mënyrë e krijimit të muzikës së Celentano rezultoi artistikisht e vlefshme (si për melodinë, ashtu edhe për tekstet që preknin të gjitha temat e së përditshmes). Në vitin 1997 interpreton përpara Papa Giovanni Paolo II me rastin e koncertit për Meeting Eucaristico në Bolonja. Në vitin 1999 drejton një program televiziv me të cilin fiton çmimin televiziv ndërkombëtar të Montreux "Rose d’argent" në kategorinë "variete". Gjithsesi Celentano mbetet përgjithmonë një personazh kult, që ishte në gjendje të tërhiqte vëmendjen e miliona personave në ‘diskutimet’ e tij televizive, ku kurrë nuk arriti të hiqte dorë nga roli i tij të predikuesit.

Dueti me Minën
Në 1998, inçizoi një këngë me një tjetër këngëtare të madhe dhe mike të përjetshme, që thuajse së bashku me të hedh hapat e parë në muzikën e lehtë: Mina; disku nuk është shumë ekzaltues, u shprehën shumë kritikë, por arriti një sukses të paparë me shitjen e 1.600.000 kopjeve (në kopertinën e albumit Adriano dhe Mina shfaqen si rosak) që u transmetua tek RaiUno. Vitin pasues, me Mogol dhe Gianni Bella, realizoi ndër të tjera shitjen e (rreth 2.000.000 kopje) të albumit që u  konsiderua ai i ‘rilindjes’ artistike të Adrianos në publik. Albumi është një perlë e vërtetë. ‘Gelosia’, ‘L'emozione non ha voce’, ‘L'arcobaleno’ e shkruar nga Mogol dhe që i dedikohej Lucio Battistit si dhe ‘Senza amore’ nga i riu Carlo Mazzoni i dhanë këtij albumi për shumë kohë vendin e parë në listën e ‘hit parade’. Adriano e shoqëroi diskun me një show, që u transmetua tek RaiUno, "Francamente me ne infischio" pranë bukuroshes Francesca Neri. Shumë fansa mezi pritën të dëgjonin zërin e tij, që u rikthye pas 8 vitesh dhe u transmetua tek Svalutation (Rai pjesët 3, 2 ,1992), program i shoqëruar nga kritika të njohura. Data 10 nëntor 2006, e gjen Celentanon në një përmbledhje prej 42 këngësh që nga viti 1957 e deri në ditët e sotme. Këtu të spikatura kanë qenë këngët jo shumë të njohura si "Miseria nera" dhe "L'unica chance" por që u bënë të famshme për temat aktuale që trajtonin dhe bënin pjesë në repertorin e vjetër të tij. Në këtë përmbledhje i pranishëm ka qenë edhe dueti me Paul Anka në këngën e "Diana"...bëhet tani "Oh Diana" me tekstin në italisht të Mogol dhe të vet Celentanos. Përmbledhja nuk është shitur vetëm në supermarket dhe në dyqanet e specializuar për këngët, por edhe në zyrat postare. Në datën 2 dhjetor 2006 Adriano ftohet në Rai Tre në sallonin e Fabio Fazio dhe kësaj radha numri i dëgjuesve ishte tepër i lartë dhe suksesi i tij ishte i jashtëzakonshëm që vazhdon të mbështetet me suksesin e shitjes së diskut në publik, përmbledhja me këngë renditet në vendin e tretë të klasifikimit FIMI që në javën e parë për të vazhduar më pas renditjen në vend të parë të dhjetëshes më të mirë italiane. Sipas revistës Musica&Dischi nga periudha e 15 dhjetorit deri më 15 janar 2007 janë shitur rreth 350.000 kopje.

Rock Politik
Në 20 tetor 2005 fillon tek RaiUno transmetimi i show televiziv ‘Rockpolitik’. Celentano merr nga Rai "kartën e bardhë" në lidhje me tekstet dhe projektin në përgjithësi. Si zakonisht edhe ky program arriti një sukses të madh duke arritur një numër rekord dëgjuesish me një mesatare rreth 46% në katër pjesë. Por, gjatë shfaqjes së tij ai nuk ka cituar dhe ftuar asnjë nga rokerat. Maksimumi i shikuesve është shënuar në pjesën e dytë së bashku me Roberto Benigni, ku e kanë ndjekur rreth 16 milionë persona dhe në fund me Eros Ramazzotti me rreth 70%. Janë për të kujtuar edhe të ftuarit Gerard Depardieu, Valentino Rossi, Franco Battiato, Riccardo Cocciante, Patty Smith, Eurytmhics dhe Carlos Santana. Në 20 nëntor 2006 del në treg një libër i njëjtë i shkruar nga Celentano dhe Mariuccia Ciotta që tregon gjithë historinë (dhe ndonjë prapaskenë) të programit. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT