E premte, 29.03.2024, 08:06 AM (GMT)

Mendime

Skënder Kapiti: Kush po e rehabiliton komunizmin

E shtune, 24.12.2016, 08:36 AM


Pse, çfarë dhe kush po e “rehabiliton” komunizmin  dhe Diktatorin në Shqipëri

Nga Skënder S. KAPITI

Politikanët e tranzicionit, ata të cilët e dominuan dhe vazhdojnë ta dominojnë politikën dhe pushtetin në Shqipëri në këto 26 vite janë pinjollët, ishshërbëtorët, llaxoret dhe servilët  më të mëdhenj të ishdiktaturës, të cilët e uzurpuan dhe privatizuan edhe demokracinë, edhe pluralizmin demokratik, edhe mediat, edhe shtetin e shoqërinë civile në Shqipëri pas vetërënies së komunizmit; këta janë metamorfozat degjenerative të njeriut të ri komunist të cilët kurrë nuk ishin dakord as për pajtim kombëtar, as për dialog real apo më sakt as për të realizuar një debat publik e historik real mbi komunizmin dhe diktaturën e tij.

Këta u bënë edhe përfituesit më të mëdhenj të paskomunizmit si në politikë, pushtet, me pasuri, me troje dhe me para; dhe po këta janë shkaktarët dhe autorët e degradimit të demokracisë dhe të ringjalljes së nostalgjisë për diktaturën në shenjë mirënjohje dhe respekti për Komunizmin dhe Diktatorin,  në oborret ku këta u edukuan, u rritën, vegjëtuan dhe u formësuan me botëkuptimin marksist-leninist, ateist, antihuman dhe amoral.

Këta përpiqen dhe punojnë djallëzisht që: sa më shumë të mërzitshme dhe të pakëndshme t’ua bëjnë jetën shqiptarëve aq më shumë synojnë dhe kanë rezultate me këtë përpjekje të tyre për evokimin e së shkuarës komuniste të kohës së tyre dhe të etërve biologjik e ideologjik të tyre, për të evokuar e kujtuar “të mirat” e socializmit enverist dhe për ta  rehabilituar atë; për të mosndëshkuar  e mosdënuar krimet e të kaluarës komuniste, traumat dhe tragjeditë e saj, dhe as personazhet më negativë të saj; në pëpjekje për ta riperceptuar edhe tani komunizmin dhe diktatorin si të mirë dhe pozitivist. Kjo e dallon dhe i shquan politikanët dhe politikën edhe të sotme akoma në tërësi.

Kësaj dhe këtij realiteti neokomunist libertarian i ka shërbyer mos hapja dhe loja me dosjet e ishsigurimit të shtetit deri më sot, gjë e cila verteton plotësisht faktin se loja politike me dosjet i dha lejen komunizmit që  të çngjyroset si i kuq dhe të bojatiset me ngjyra blu, rozë, laraman etj., dhe rrjedhimisht demokracia në Shqipërinë e këtij tranzicioni u sundua nga regjimi i neokomunistëve “liberalë”, “demokratë” që u shndërruan në kapitalistë.

Dhe prandaj gjëndja është kështu, ku shoqëria shqiptare është edhe bipolarizuar ekstremisht në një pakicë 10% të pasur, pa klasë të mesme dhe me një shumicë shumë të madhe të varfërish e të papunë duke i dhënë Shqipërisë një konfiguracion të kohës së kapitalizmit të egër paramodern dhe si rezultat i të cilit lindi atëhere  edhe  alternativa kundër tij, marksizmi politiko-ideologjik dhe revolucionar.

Dhe ky realitet në Shqipëri ka bërë të mundur që në një masë të konsiderueshme edhe kthimin  për nostalgjinë te komunizmi si një “ide e mirë” te afro gjysma e të anketuarve nga IDRA, anketim ky i bërë me mbështetjen e OSBE-së.

Kur demokracia degjeneron drejt anarkisë, shoqëria për të mos rënë në anarki e cila është shkalla më e ulët ku mund të bjerë ajo, atëhere shoqëria shkon për nga diktatura ose fillon ta kujtojë dhe ta kthejë e shprehë simpatinë për të, pasi më mirë është qoftë edhe një diktaturë e keqe se sa anarkia.

Anarkia sot në Shqipëri konsiston në faktin e mosfunksionimit të shtetit ligjor, apo më sakt të keqfunksionimit të tij  dhe të zbatimit në mënyrë tepër të korruptuar të ligjeve nga drejtësia, nga kjo drejtësi e padrejtësisë publike dhe  shërbëtore e interesave të veta personale dhe të politikës.

Në një gjëndje të tillë anarkie, pra paligjshmërie, anarkie edhe politike, ekonomike e sociale shoqëria është e coroditur dhe e asfiksuar, e kërcënuar dhe e prapambetur, dhe me një fjalë, ajo, pra shoqëria, funksionon keq.

Kur shoqëria dhe shteti funksionojnë keq kjo do të thotë se demokracia ka dështuar, dhe aty ambjenti politik dhe social shkon dhe rrezikon të bjerë në anarki.

Këtë e ka vertetuar edhe historia e freskët botërore, ku shkaku i lindjes së komunizmit dhe të fashizmit, i të dy formave diktatoriale të kohëve moderne, madje në shekullin e 20-të, ka qenë dështimi i demokracisë, e cila presupozon shtetin e drejtë dhe ligjor.

Nga një Anketë që ka zhvilluar Instituti për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi , IDRA, rezultoi që: pothuajse gjysma e të anketuarve deklaronin se komunizmi ishte ide e mirë, si dhe për  diktatorin E. Hoxha të kenë mendim pozitiv.

Kjo tregon faktin kryesor, atë se demokracia në Shqipëri e ka zhgënjyer jashtë mase shumë opinionin shqiptar deri në atë shkallë, sa gjysma e tij shprehet në favor të Komunizmit si një ide e mirë, dhe që të gëzojnë për Diktatorin mendim  pozitiv.

Këtu, ne nuk duhet të ndalemi e të habitemi e ta shprehim habinë, se përse është kështu, ky rezultati i kësaj Ankete të OSBE-së.

Kjo e vërtetë shqetesuese e shprehur nga opinioni tregon dështimin e politikës dhe të kastave të elites politike shqiptare.

Brezat me të vërtetë duhet të mësojnë nga e kaluara por ata nuk mbeten pengje të saj, pasi nuk ka se përse ata të vuajnë nga dështimet e së kaluarës dhe duke u krahasuar të tashmen me të shkuarën; nuk ka pse ata edhe ta pranojnë realitetin e rëndë dhe antisocial të sotëm duke mosreaguar kundër tij, madje duke e treguar revoltën e pakënaqësisë me simpati edhe për diktaturën.

Ky është kulmi i kësaj gjëndje të rëndë që i imponohet shoqërisë shqiptare nga korrupsioni, pandershmëria, krimi dhe nga papërgjegjshmëria e këtij regjimi pseudodemokratik të sotëm.

Sot shoqëria shqiptare ka nevojë për siguri të jetës, të pronës, për siguri ekonomike, për punë, për mirëqënie, për shkollim, për kujdes shëndetsor dhe nuk i intereson shumë për të kaluarën, për padrejtësitë dhe për vuajtjet e brezave të  së shkuarës por i intereson realiteti social, përmirësimi i tij sot.

Është krim i madh intelektual dhe kombëtar fakti që politika e pushtetit dhe e qeverisë u bën thirrje shqiptarëve dhe intelektualëve më profesionistë, më patriotë dhe më të aftë që plotësoni dokumentet se BE, Gjermania konkretisht dhe kryesisht ofron punë për Ju, duke bërë të mundur dhe realizuar një politikë  tjetër antikombëtare: atë të largimin të trurit dhe të inteligjencës së mirëfilltë kombëtare që ta braktisë atdheun, me qëllim që shtetin dhe shoqërinë  ta sundojnë lehtë dhe pa kokëçarje kjo politikë, ky pushtet dhe këta politikanë injorantë, të korruptuar dhe hajdutë, si dhe padrejtësia, krimi, trafikimi i qënieve njerëzore dhe droga. Atëhere shoqëria e kapur dhe e pamundësuar për të reaguar kundër kësaj gjëndje, ajo: në gjëndje ankthi, dëshpërimi e zhgënjimi edhe shprehet për komunizmin si ide e mirë, pasi dhe përderisa  ajo, realisht po vuan dhe po e pëson nga padrejtësia dhe mafia politike demokratike ashtu sic edhe e ka pësuar nga e shkuara komuniste, dhe prandaj Anketa e mbështetur nga OSBE-ja tregoi rezultatin afërsisht 50:50.

Jam dakord që sakrificat dhe vuajtjet e së shkuarës nuk duhet të harrohen; jam plotësisht dakord që patjetër duhen ndëshkuar shkaktarët e tyre; jam plotësisht shumë dakord për detyrimin që ka politika, shteti dhe shoqëria demokratike për kompensimin e dëmeve që e kaluara u ka shkaktuar shqiptarëve të persekutuar dhe të përndjekur, gjë e cila nuk është bërë akoma edhe pas një çerek shekulli.

Kjo nuk ka ndodhur akoma sepse demokracia paskomuniste në Shqipëri më së shumti apo tërësisht ka bërë vetëm zëvëndësim pushteti.

Demokracia në Shqipëri është zhvilluar  vetëm si një luftë e pandershme, e korruptuar dhe e dëmshme dhe si një mundësi e shans i madh për të rrëmbyer pushtetin për interesa të ngushta politike, pushteti, vjedhje, grabitje e pasurimi të politikës duke përdorur të gjitha mjetet dhe metodat më të pacipa dhe të paturpshme si korrupsionin, vjedhjen e shitblerjen e votave, krimin e çdo lloji, gënjeshtrat, mashtrimet, dhunën etj.

Si pasojë e kësaj sot Shqipëria është vëndi më i korruptuar, më i varfëri, më i papunë; një vënd ku padrejtësia dhe antiligji sundojnë dhe bëjnë kërdinë.

Shqiptarët, sidomos rinia shqiptare renditet e para në Botë që kërkon largimin nga atdheu pasi në Shqipëri nuk gjen punë.

Pra, këto janë edhe arsyet e rezultatit të publikuar nga IDRA, jo se shqiptarët e duan dhe kanë simpati për ishkomunizmin dhe Diktatorin, por si shprehje të pakënaqësisë së tyre ndaj kësaj gjendjeje të rëndë sociale të sotme dhe kundër kësaj elite politike aktuale shkaktare për këtë, e cila e pengon dhe e ka bllokuar sistemin dhe demokracinë, progresin dhe integrimin e vëndit; si shprehje e pakënaqësisë ndaj kësaj politike dhe të kësaj demokracie pa demokracitet, pa shtet ligjor dhe të  papërgjegjshme; sepse demokraci të vërtetë nuk ka akoma në Shqipëri, pasi demokracia: pa liri, pa demokracitet, pa sundim të ligjit barabar për të gjithë, pa shtetmodern ligjor dhe elektoral,  pa mirëqënie dhe siguri sociale, juridike dhe ekonomike nuk është demokraci.

Përderisa edhe në Kosovë kemi të njëjtën fizionomi dhe realitet të dështuar të  demokracisë si në Shqipëri, edhe atje them se është rritur simpatia për enverizmin komunist shqiptar sepse: korrupsioni i lartë dhe mosndërtimi i shtetit ligjor edhe atje, keqfunksionimi i shtetit, i shoqërisë dhe i drejtësisë edhe atje, i ka zhgënjyer shumë edhe qytetarët e Kosovës të cilët kujtojnë edhe ata pse jo faktin, se duke mos e njohur mirë sa dhe si  duhet regjimin komunist të Shqipërisë dhe përderisa edhe nuk e kanë pësuar prej tij, atëhere ata kujtojnë pse jo me nostalgji vetëm faktin, atë se të paktën, keq apo mirë në kohën e komunizmit shtetit shqiptar i vinte “era shtet”, pasi atëhere në Shqipëri sundonte të paktën ligji, i mirë apo i keq sido që të ketë qenë ai.

Demokracia e mirë e kuron dhe e shëron politikën, ndërsa sundimi i ligjit demokratik në demokraci e ruan atë nga degradimi dhe degjenerimi.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora