Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Berisha: Revistë që forcon urat letrare dhe kombëtare

| E diele, 18.12.2016, 07:04 PM |


Doli nga shtypi numri III-të i Revistës Letrare Periodike “Urat” në botim të Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve Tropojë

Sejdi BERISHA:

REVISTË QË VËRTETË FORCON URAT LETRARE KRIJUESE DHE KOMBËTARE

Këto ditë doli nga shtypi numri i tretë i Revistës Letrare Periodike “Urat”, që e boton Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve Tropojë, e të cilën e drejton kryetari i Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve Tropojë, krijuesi dhe kryeredaktori, Lulzim Logu nga Bajram Curri, ndërsa, materialisht e mbështet Komuna e Gjakovës.

___________

Nëse i referohemi një shkrimi me peshë të krijuesit të palodhshëm, Ramiz Lushajt, se:”Këta pesë krijues të njohur janë  (nuk po i cek emrat e tyre-vërejtje e autorit) nder ata, veprimtarët ma kryesorë, që e kanë "thye" Kufinin Kosovë-Shqipëri, pasi në dy dekadat e fundit kanë krijue "urat" e komunikimit kulturor me veprimtari të përbashkëta letrare, si me: Antologji poetike, "Ora e poezisë" (Tropojë), "Mitingu i Poezisë" (Gjakovë), revista "Ura" (Gjakovë-Tropojë), promovime veprash në Tropojë, Gjakovë, Pejë, etj.,etj.”, atëherë, numri i tretë me radhë i revistës “Ura” vërteton dhe çimenton mendimin e z. Ramiz Lushajt, se në fushën e forcimit të urave dhe të bashkëpunimit e të shkrirjeve të vlerave krijuese, letrare dhe kulturore tanimë kanë arritur nivelin dhe vlerat, që janë bërë pjesë e historisë më të re të kulturës kombëtare.

Këtë e dëshmon edhe materiali i përfshirë në këtë revistë, i cili është si një pikturë me reliev gjithëkombëtar, sepse, këtu janë prezantuar shumë krijues, qoftë nga Tropoja, qoftë nga Malësia e Gjakovës, qoftë nga Tirana, qoftë nga Kosova, etj. Andaj, kjo është ajo ura e bashkëpunimit dhe formula e shëndosh e bashkimit dhe shkrirjes së vlerave letrare,shpirtërore dhe kulturore kombëtare në një të vetëm dhe vetë në një!

Krijimtaria letrare e prezantuar, si një gjerdan i rrallë i ndijimeve të krijuesve gjithandej tokës arbërore...

Në fillim, revista “Ura” prezanton njëzetë e gjashtë krijues më poezitë e tyre, të cilët kanë marrë pjesë në konkursin letrar, në kuadër të organizimit të “Ora e Poezisë 2016” të edicionit të VII-të, që reflekton se Shoqata e Klubit të Krijuesve dhe Artistëve Tropojë, tanimë kanë marrë vetën dhe po shënojnë suksese në shumë forma të realizimit dhe të afirmimit krijues dhe letrar. Ndërsa, në pjesëmarrjen e këtij konkursi janë përfshirë poetë pothuaj se nga të gjitha trojet shqiptare, që është dëshmi e fortë e shkrirjes së “kufirit” dhe te të gjitha barrierave të çfarëdo natyre qofshin ato.

Andaj, poezitë e prezantuara janë si një gjerdan i rrallë i ndijimeve të ndryshme të poetëve gjithandej tokës arbërore: Pranvera Gjoni, Martin Lleshi, Maxhun Osmanaj, Nuradin Ymeraj, Zyra Ahmetaj, Zeqir Lushaj, Rushit Ramabaja, Xhane Ramaj, Xheladin Mjeku, Jahe Fida, Tyran Prizren Spahiu, Mevlyde Saraçi, Pozaet Qose, Beqir Binishi,, Zog Hysenaj, Nikolla Undreaj, Isa Ponari, Lola Musliaj Aga, Zenun Hysenukaj, Azem Baliaj, Izet Avdyli, Hasan Selimi, Artan Ballgjini, Abaz Cengu, Nebi Bunjaku, dhe Besart Tafaj.

Në vazhdim, në këtë revistë, me një kritikë letrare prezantohet krijuesja dhe poetja e veprimtarja, znj. Mevlyde Mezini Saraçi, kushtuar librit “Loti det dhembjesh” të autorit, Lan H. Qyqalla. Ndërsa, Albert Habazaj, prezantohet me një vështrim letrar përkitazi me librin “Etern-Ars” të krijueses së mirënjohur, znj. Migena Arllati.

Revistën, ndoshta e bën edhe më joshëse radhitja e shkrimeve pa ndonjë rregull shabllon që shpesh e kanë gazetat dhe revistat. Andaj, pas këtij shkrimi, me një cikël poezish, prezantohet krijuesja e re, zinjsh. Bora Arllati, të cilit cikël i paraprinë një biografi e shkurtër e saj.

Ndërkaq, pason proza “Vdekja e plakut ose currili i shiut...!” të shkrimtarit dhe publicistit, Sejdi BERISHA, për të vazhduar pastaj me një fragment nga romani “Shtrati 13” i romansierit të veçantë, Petrit Palushi.

Në pjesën tjetër të revistës “Urat”, me një cikël poezish prezantohet poeti, Ramdan Musliu. Pastaj, krijuesi, Jaho Margjeka me prozën “Tren Ekspres”, ndërsa, krijuesi Lulzim Logu, i cili është edhe kryetar i Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve Tropojë dhe kryeredaktor i revistës “Urat”, opinionit lexues i prezantohet me një vështrim analitik përkitazi me romanin “Shtrati 13” të autorit Petrit Palushi.

Krijuesi i frytshëm dhe i palodhshëm, Ramiz Lushaj, në këtë numër të revistës “Urat” prezantohet me një shkrim interesant, që titullohet, “Zenun Hysenukaj, zëri poetik i gështenjave Alpine”.

Sajuesit e kësaj reviste, kanë qenë të kujdesshëm që brenda saj të përfshijnë material sa më interesant dhe të fushave të ndryshme, që josh dhe zgjon interesim tek lexuesit me larushinë përmbajtjesore. Kështu, në kuadër të afirmimit të aktiviteteve letrare dhe të promovimeve të librave të rinj, kanë prezantuar edhe promovime librash, si ato të Besnik Musaj: “Çelësi i shpirtit, “Do të vij pas të shtunës” dhe “Bija e natës së errët”. Në vazhdim, me cikël poezish prezantohet krijuesi dhe piktori akademik, Idriz Berisha. Me poezi në këtë pjesë të revistës, prezantohen edhe Nikoll Loka, Xhane Ymeraj, Azem Baliaj, Gjon Gjergjaj, Valbona Hykaj, Elida Buçpapaj, Elida Rrusta, Qazim Shehu, Manjolla Brahaj, Tahir Bezhani, Muharrem Kurti, Nikoll Undreaj, Shaban Zenelaj, Haki Zllami dhe Gjon Neçaj.

Ndërsa, me shkrimin histori-dokument, me titull “Bajram Curr, o Bajram Curr, emri yt s’harrohet kurrë!...”, lexuesve u prezantohet, Murat Gecaj, i cili jeton dhe vepron në Tiranë.

Vlen për të theksuar se me angazhimin e pandërprerë të Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve Tropojë, por edhe me botimin kohë pas kohe të revistës me titull shumë simbolik “Urat”, gjithnjë e më shumë po kontribuon në afirmimin e vlerave krijuese në shkallë gjithëkombëtare, duke përfshirë këtu të gjitha trojet shqiptare. Në këtë aspekt, respektivisht, në mbështetjen morale po ndikon shumë edhe Dr. Mahmut Lila, i cili edhe është drejtor i revistës “Urat”. Edhe pse jeton dhe vepron në Gjakovë, ai gjithnjë u ka qëndruar karshi dhe i ka mbështetur të gjitha aktivitetet letrare të këtushme e me theks të veçantë në afirmimin e vlerave krijuese dhe shpirtërore të Malësisë së Gjakovës.

Po ashtu, kjo revistë do të kishte vështirësi të mëdha serioze për t’u botuar, sikur materialisht mos ta mbështeste Komuna e Gjakovës.