E premte, 29.03.2024, 10:48 AM (GMT)

Editorial » Zejneli

Xhelal Zejneli: Teatër asurd beketian

E diele, 18.12.2016, 07:05 PM


SKENA POLITIKE SHQIPTARE – TEATËR ABSURD BEKETIAN

NGA XHELAL ZEJNELI

Në zgjedhjet e 11 dhjetorit të vitit 2016, BDI-ja doli humbëse. Prej 19 deputetëve që i kishte më parë, tani mori vetëm dhjetë.

Duhet konstatuar se:

- pjesëmarrja në votim në njësinë zgjedhore 6, ishte jo më shumë se 50%;

- oponentët e BDI-së – Lëvizja Besa (Rilindja me Besë), LR-PDSH-ja (Aleanca për Shqiptarët) dhe PDSH-ja kanë rreth 37.300 vota më tepër se BDI-ja;

- sikur opozita politike shqiptare të ishte e bashkuar, BDI-ja do të kishte marrë shumë më pak se dhjetë deputetë;

- opozita politike shqiptare, në qytetin e Tetovës ka marrë rreth 20 mijë vota, ndërsa BDI-ja rreth 11 mijë sosh;

- në vendvotime të caktuara në të cilat votuesit kanë qenë kryesisht shqiptarë, BDI-ja ka marrë më pak vota se LSDM-ja;

- thuhet se rreth 50 mijë shqiptarë kanë votuar për LSDM-në (sipas disa të dhënave, ky numër arrin madje deri në 70 mijë);

- populli shqiptar në këto zgjedhje ka marrë 6-7 deputetë më pak se që i ka pasur dikur.

* * *

BDI-ja dhe PDSH-ja, por sidomos kjo e para, janë fajtorë dhe përgjegjës që një pjesë e elektoratit shqiptar kanë votuar për Zaevin. Dy partitë e vjetra shqiptare janë fajtore dhe përgjegjëse për defaktorizimin e faktorit politik shqiptar.

Në hapësirën politike shqiptare, nuk çon peshë politike, as ideologjike asnjë subjekt politik shqiptar. Me fjalë të tjera, nuk çojnë peshë politike apo ideologjike, as partitë e vjetruara – BDI-ja dhe PDSH-ja, e as ato të rejat – Lëvizja Besa (Rilindja me Besë) apo LR-PDSH-ja (Aleanca për Shqiptarët).

Njehsimet matematikore që ndërlidhen me krijimin e qeverisë dhe me mundësinë që faktori politik shqiptar t’i kushtëzojë partitë sllavo-maqedonase, nuk dëshmojnë për vlerën politike apo ideologjike të faktorit politik shqiptar.

Me një fjalë, në hapësirën politike shqiptare në Maqedoni, nuk ka as pozitë politike e ideologjike dhe as opozitë politike dhe ideologjike. Nuk mund të kesh pesë deputetë, tre deputetë apo dy sish dhe të thuash: unë jam opozitë.

BDI-ja nuk mund të pretendojë të jetë në pozitë, për arsye se është e rrënuar,  e kompromentuar, e diskredituar dhe pa kredibilitet. Deri më tani, ajo i ka fituar zgjedhjet vetëm për shkak se nuk ka pasur oponent politik serioz.

PDSH-ja, përfundimisht shkon në histori. Ajo e përjetoi sindromën e PPD-së. Kreu i kësaj partie duhej të reformohej qysh në kongresin e partisë. Sikur të reformohej me kohë, nuk do të kishte lindur fraksioni LR-PDSH. Partitë politike nuk janë pronë private e individëve apo e liderit partiak. Partia politike që shndërrohet në pronë të liderit partiak apo të një grupi të ngushtë individësh, rënien e ka të pashmangshme.

Hapësira politike shqiptare në Maqedoni nuk ka nevojë për katër subjekte politike. Mjaftojnë vetëm dy të tillë.

* * *

BDI-ja dhe PDSH-ja, e sidomos kjo e para, duhet ta dinë se politika kombëtare moderne nuk bëhet me patriotizëm folklorik. Dikur mitingjet dhe tubime e partive të vjetra shqiptare shoqëroheshin me këngë patriotike. Por, çerek shekulli pluralizëm politik, kërkon veprim politik bashkëkohor. Rinia shqiptare kërkon vizion politik, platformë politike, projekte ekonomike dhe program social. Këngët e Ilir Shaqirit, të Shkurte Fejzës apo të Violeta Kukaj – ka ku këndohen. Në asnjë vend demokratik, fushata parazgjedhore nuk bëhet me retorikë të stilit: “Qerpiku nuk na dridhet; Kemi shembur perandori; kemi krijuar tri ushtri, UÇK, UÇK…”. Në fushata parazgjedhore promovohen dhe afirmohen programe politike, ekonomike dhe sociale konkrete dhe jo retorika e sipërthënë.

BDI-ja, dhe jo partitë e reja (Lëvizja Besa dhe LR-PDSH-ja), është fajtore:

- për shkapërderdhjen e votës shqiptare; dhe

- për votimin e LSDM-së nga një pjesë e elektoratit shqiptar;

Një pjesë e elektoratit shqiptar votuan për LSDM-në, për dy arsye:

- e para, u zhgënjyen me politikën e deritashme të BDI-së dhe të PDSH-së, e sidomos të BDI-së;

- e dyta, programi politik, ekonomik dhe social i LSDM-së, për një pjesë të elektoratit shqiptar ka qenë i pranueshëm.

BDI-ja mban përgjegjësi ngase:

- që nga themelimi i saj, deri më sot, nuk u reformua;

- në të mbizotërojnë individë me njohuri politike dhe ekonomike të kufizuara;

- në të mungojnë njerëz me potencial intelektual të duhur;

- në të mungojnë njerëz me njohuri të duhur nga historia;

- në të sundojnë njerëz që nuk i njohin sa duhet problemet sociale të shoqërisë shqiptare;

- në të nuk përfillen sa duhet individët që kanë ide dhe ideale;

- në të mungojnë idealistët.

Faktori politik shqiptar, i mbyllur për inteligjencien dhe për të rinjtë e arsimuar, kaloi në vetizolim. I izoluar, ai e shpërfilli me arrogancë dhe megalomani kritikën politike, madje edhe atë konstruktive.

Injorantët dhe mendjet mediokre kanë synim vetëm pushtetin, për ta përdorur atë për interesa personalë dhe meskinë. Të tillët nuk kanë vizione politike, ekonomike, as sociale. Programet politike, ekonomike dhe sociale nuk krijohen dhjetë ditë para zgjedhjeve. Pa dituri dhe pa idealistë, nuk është zgjidhur asnjë çështje kombëtare në histori. Idealizëm nuk janë veturat e shtrenjta, udhëtimet nëpër botë, drekat dhe darkat, shtëpitë luksoze dhe ndërtesat shumëkatëshe – të gjitha këto, në kurriz të këtij populli.

Shqiptarët në Maqedoni kanë vetëdije kombëtare. Kanë dhe kulturë politike.

Atë që BDI-ja e premtoi gjatë fushatës parazgjedhore, duhej ta kishte realizuar qysh në vitin 2004. Që atëherë kanë kaluar 12 vjet. Kjo paraqet një vonim historik të pafalshëm. Shqiptarëve, edhe pas çerekshekulli u duhet të merren me zyrtarizimin e gjuhës. Kjo është absurde. PPD-ja, PDSH-ja dhe BDI-ja, e sidomos BDI-ja duke e shndërruar skenën politike shqiptare në teatër beketian, i kanë vënë shqiptarët në pritje të pafund të Godosë.

Ka qenë strategji e faktorit politik sllavo-maqedonas që të punojnë e të veprojnë për komprometimin dhe diskreditimin e faktorit politik shqiptar. Kësisoj veproi Gligorovi ndaj PPD-së dhe e nxori nga skena politike. Të njëjtën u përpoq ta bënte edhe VMRO-ja ndaj BDI-së, d.m.th. ta zhveshë nga ideologjia kombëtare, ta komprometojë dhe ta diskreditojë para shqiptarëve, për ta nxjerrë më në fund nga skena politike, madje edhe nga historia.

Rënia e BDI-së, është pozitive për të. Kjo i mundëson asaj të riorganizohet dhe të reformohet. Reformimin nuk mund ta bëjnë klanet e harxhuara të saj. Shkaktarët e krizës -  oportunistët, konformistët, poltronët, tregtarët e flamujve dhe demagogët, nuk mund të jenë pjesë e zgjidhjes së krizës.

BDI-ja nuk duhet të habitet me votimin e LSDM-së nga një pjesë e elektoratit shqiptar. Në kohën kur u themelua, ajo e promovonte konceptin qytetar të organizimit dhe të veprimit politik, duke themeluar degë dhe nëndegë partiake në pjesën lindore të Maqedonisë. Konceptin qytetar të shtetit, në dëm të konceptit etnik, e promovonin edhe disa nga funksionarët më të lartë të BDI-së.

Në vend të votës, partitë e vjetra duhej t’u kërkonin falje shqiptarëve. Dhe të mbanin përgjegjësi. Sot, pas çerekshekulli të pluralizmit politik, shqiptarët duhej të kishin industri, ekonomi, financa, infrastrukturë, rrugë moderne, perspektivë për të rinjtë.

Punësimet që i ka bërë BDI-ja nuk paraqesin zgjidhje të duhur për çështjen shqiptare. Çështja shqiptare, në radhë të parë është kauzë politike dhe jo çështje sociale. Dimensioni social i kësaj kauze është pasojë e moszgjidhjes së çështjes në dimensionin e saj politik. Partia që merret me punësime, shndërrohet në ent për punësim. Ajo atëherë zhvishet nga roli politik i saj. Të gjitha investimet e viteve të fundit, shkuan në Maqedoninë lindore, ndërkaq qytetet shqiptare u varfëruan.

Të kesh me vete 20 deputetë dhe të jesh inferiorë ndaj VMRO-së, është e pashpjegueshme. Kjo mbështetje pothuajse plebishitare e popullit shqiptar për BDI-në, nënkuptonte, jo privilegje, por përgjegjësi. Madje përgjegjësi historike.

Mëkati më i madh i BDI-së dhe i PDSH-së ka qenë koalicionimi i verbët me VMRO-në apo me VMRO-të. Kjo parti ka qenë dhe mbetet antishqiptare dhe ksenofobike, retrograde, anakronike dhe antihistorike, e vonuar dhe romantike, irracionale dhe destruktive. Janë këta që kërkonin vdekje për shqiptarët, dhoma gazi për shqiptarët. I quajtën edhe indianë. Edhe sot, në rrugët e Shkupit, përdorin ndaj shqiptarëve fjalë fyese, ofenduese dhe pezhorative. Çerek shekulli të pluralizmit politik dhe të demokracisë, VMRO-istët përdorin ndaj shqiptarëve gjuhën e urrejtjes, nuk njohin kurrfarë bashkëjetese me shqiptarët. Këta pandehin se ndodhemi në shekullin XIX.

Çerek shekulli, Uashingtoni dhe Brukseli kanë investuar në Maqedoni për përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike, për krijimin e një Maqedonie multietnike, por, ngjarjet e fundit flasin për të kundërtën. Antishqiptarizmi vjen nga nivelet më të larta të VMRO-së. Atëherë, për çfarë bashkëjetese mund të flitet në këtë mes?! Për çfarë bashkëqeverisjeje?! Populizmi i VMRO-së përjashton çdo bashkëjetesë me shqiptarët.

BDI-ja, duke e toleruar këtë vjellje vreri ndaj shqiptarëve, vë në dyshim:

- luftën e 2001-shit;

- Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare; dhe

- Marrëveshjen e Ohrit.

Askush nuk ka të drejtë, e aq më pak BDI-ja, ta zhvlerësojë luftën e 2001-shit dhe Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare.

Maqedonia sot është në krizë të thellë politike, sa ishte dhe dje. Në thelbin e kësaj krize qëndrojnë:

- shteti; dhe

- çështja shqiptare.

Midis shtetit dhe çështjes shqiptare, Uashingtoni dhe Brukseli anojnë nga shteti. Me fjalë të tjera, faktori ndërkombëtar, në radhë të parë synon konsolidimin dhe stabilizimin e shtetit. Kjo s’bëhet dot me politikë të vjetruar. Politika e vjetruar vë në dyshim edhe sovranitetin e shtetit dhe shpie në destabilizimin e rajonit.

Zgjidhjen e kërkesave të shqiptarëve ndërkaq, Uashingtoni dhe Brukseli e shohin në këtë çast, jo si një agjendë e veçantë, por si pjesë përbërëse e konsolidimit dhe e stabilizimit të shtetit, të zhytur në krizë. Mostejkalimi i krizës shpie në hon, në humnerë, në greminë. Kjo paraqet vonim historik për Maqedoninë.

Çështja shqiptare në Maqedoni nuk është çështje e kushtëzimit të partive sllavo-maqedonase – VMRO-së apo LSDM-së. Kauza shqiptare është çështje e marrëveshjes historike parimore midis dy popujve – shqiptarëve dhe sllavo-maqedonasve, midis faktorit politik shqiptar, në një anë dhe faktorit politik sllavo-maqedonas, në anën tjetër.

Forcat antihistorike në Maqedoni të kryesuara nga VMRO-ja dhe lideri i saj Nikolla Gruevski, trimërohen nga Moska dhe nga Putini.

Politika e BDI-së dhe e PDSH-së, sidomos e BDI-së, ka kohë që shënon devijim. Çështja shqiptare nuk është arritje interesash konjukturale, por sendërtim i interesit të përgjithshëm. Këtë devijim të faktorit politik shqiptar në Maqedoni, nuk janë angazhuar ta parandalojnë as qendrat politike shqiptare të vendosjes – Tirana dhe Prishtina.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora