E premte, 29.03.2024, 03:48 PM (GMT)

Mendime

Shefik Shkodra: Arsimi si diçka e dorës së dytë

E enjte, 15.12.2016, 07:57 PM


VETË E KEMI LËNË ARSIMIN SI DIÇKA TË DORËS SË DYTË

NGA SHEFIK SHKODRA

Në një konak, ku ishin të mbledhur për një ndejë njerëz të moshave dhe profileve të ndryshme e në mesin e tyre edhe një hoxhë me përvojë, nisin bisedën disa mësues që e mendonin vetën në atë kohë si njerëz të “pushtetit”, me siguri të Lidhjes Komuniste; e ngacmonin hoxhën herë pas here me disa pyetje jo aq normale. Pyetje pas pyetje, njeri prej tyre, e lëshoj edhe këtë: - hoxhë, allahile, a mund të na thuash, çka ka përtej xhenetit”? Hoxha iu përgjigj shkurt e pa u kujtua shumë: “- Përtej xhenetit, djem, ka veç stërnishtë!...” Edhe këta zyrtarët tanë nëpër institucione kanë kërkuar si duket, një parajsë tjetër prej asaj që është realitet në vendin tonë. Këta nuk e kanë kursye asnjë grimcë atomike që të përfitojnë, jo atdheu, por vetë ata me rrethin e tyre  familjar dhe partizanët. Këta ishin dhe mbeten njerëz të pangopshëm dhe shumë të ekzaltuar për një sistem të tillë. Rekrutimi i tyre ishte njëri pas tjetrit – njësoj.

Shumë kohë është bërë me këto prova për njeriun tonë të ri

Askush nuk duhet të jetë i kënaqur, kur dikush vjen dhe i teston nxënësit, arsimtarët dhe nëpërmes kësaj, krejt Ministrinë e Arsimit me notë shumë negative. Qe kaq vite nuk mund asnjëra qeveri e jonë ta lëvizë një segment prej vendi, veç mbrapshtë. Dhe këta janë të njëjtit njerëz prej pas lufte. Kam dëgjuar shpeshherë nga populli: - Turpin e ka ngrënë dikush me një copë bukë...! Dhe vërtet, asnjëri deri me tash që janë pa nëpër këto institucione, persona që është dashur të punojnë për vend, nuk kanë treguar potencial shkencor, as atë energji të tyre që ta shndërronin në diçka të mirë. Kur hyn në bisedë ndonjë zyrtar me të tjerët, arsyetohet në mënyrë demagogjike se, na jemi vend i ri, duhet kohë e gjatë. Kemi bërë këtë e atë (nuk mund të thuhet se nuk është bërë asgjë, por jo sa ka pasur mundësi dhe sa është dashur) dhe do ta bëjmë këtë e atë...kjo s’ndalet kurrë dhe puna vazhdon. Koha gjithashtu kalon dhe bashkë me te edhe jeta e njeriut.

Kuadrot jashtë konkursit dhe rregullave të parapara

Nuk ka punë pa zhvillim ekonomik. Pas përfundimit të studimeve të çfarëdo dege, duhet të konkurrohet në arsim. Drejtoritë komunale duken si biro për punësim. Arsimi duket profesioni i vetëm i mundshëm te ne për një vend pune. Dhe është i “lehtë” për zonja e zotërinj. Po arsimi ka disa kritere dhe aftësi të veçanta për mësimdhënësin, duke filluar nga aftësitë e tija psikike e fizike dhe dijes së përgjithshme. Të tjerat: Ai është pasqyra e të gjithë atyre të rinjve. Nga ai reflektojmë çdo gjë pozitive, por edhe ato negative. Prandaj, duhet ta pranojmë se, një mësues duhet të zgjidhet me sa më pak të meta. Jo të mos dihet normaliteti i tij psikik. Ka mjaft raste sot, nuk e dimë sa për qind është i aftë ndonjëri/ra si edukator dhe arsimtar me rininë. Çka është më e keqja, konkursi ka qenë në të shumtën e rasteve i ç’nderuar dhe i parespektuar.

Faji nuk është i barabartë – vërejtjet janë thënë

Disa prej mësuesve, të rrallë, thoshin menjëherë pas luftës, Arsimi është një bjeshkë e madhe. Atë nuk mund ta punojë secila dorë dhe krye në vete. Për atë mal të madh do të duhej angazhim i shumë kuadrove më me përvojë. Personalitete që kanë guxim dhe dije. Jo, unë mësues i mirë, njerëz të interesit e me lidhje, në kahe nepotizmi. Psh. të marrë në kurs për lëndën e tij sa më shumë nxënës, i lidhur me zyrtarë lokal apo të institucioneve qendrore. Këta ishin veç një sortë. Ndonjë servil punonte në dy-tre vende pune: këtu normën, atje normën; këtu mësimdhënës, diku tjetër drejtor. Këtu në shkollë profesionale, atje në vendin tjetër të përhershëm.

Në kohën time, kur isha nxënës i fillores, mësuesit qëlluan shumë të dobët për një vjet. Qe nga ora e parë, na hidhnin nga një top në oborr deri në fund të ndërrimit. Në malësi, larg qendrës administrative, nuk vinte kush t’i kontrollojë, ose u bënte dikush ndonjë drekë disa inspektorëve dhe këtu merrte fund. Edhe në këto kohë, disa herë e kemi vërejtur pas lufte se puna nuk shkon si duhet në arsim. Krejt këta politikanë që thuhet se kanë qenë dhe janë përgjegjës, kanë bërë prova pa asnjë njohuri e shumë larg prej  arsimit. Mund të jenë të njëjtit disa, nga ajo koha para luftës, kur arsimi mbeti në vullnetin e mësimdhënësve dhe qytetarëve. Thonë, nuk bën shkolla, mësuesit i kanë fajet. Po. Veç më parë fajet i  ka Ministri me gjithë taborin e vet. Nëse puna mbetet te mësimdhënësi lehtë do të ishte. Arsimtarët duhet të paguhen mirë, por duhet të kërkohet punë sipas rregullores dhe ligjit.

Arsimin parauniversitar duhet ta përcjellin profesionistët

Nëse ngec arsimi, të gjitha segmentet tjera do të mbesin të mangëta. Nuk ka disiplinë në shkolla, as në të mesmen e as në filloren. Nuk ka kriter pune nga ana e mësimdhënësve, me përjashtime, as nuk ka iniciativë për diç të tillë, edhe pse te disa të rinj, nuk mungon vullneti, por institucionet heshtin, sikur nuk e dëshirojnë këtë. Në orët mësimore duhet të inspektojnë njerëzit e caktuar nga entet pedagogjike, për ta mat dhe vlerësuar punën, në secilën lëndë. Edhe ata duhet të jenë të verifikuar prej dikujt për aftësitë dhe kujdesin e tyre, dhe jo të krekosen si komandantë ushtarak. Për dikë janë të nevojshme bisedat, këshillat dhe ndihmat tjera. Inspektorët duhet të thoshin, ky është punëtor i mirë për këto arsye, dhe ky/kjo nuk ka treguar arritjet në punën e vet me nxënësit. Punëtorët e mirë do të duhej të stimulohen në të gjitha mënyrat, ata të papunët të shpërblehen për aq sa e meritojnë, ose fare. Pasqyrë e suksesit të mësimdhënësit janë arritjet e atyre nxënësve. Mirëpo, këtu ka ndodhë diçka në mënyrë stihie. Duke filluar nga plan-programet, që pak kush merrte vesh se çka janë fare, për disa lëndë, e për disa të tjera fare nuk dihej se çka ishte përkthye në shqip. Nuk përcaktonin tekstin për lëndën e as kornizat që duhet të bëheshin për shkallën e arsimimit. Nuk konsultuan asnjë kuadër gjerësisht nëpër shkolla me përvojë dhe me cilësi e njohuri të lëndëve përkatëse. Fshin lëndë të nevojshme e aprovuan ato që fare nuk kanë ndonjë qëllim edukativo-arsimor. Kush e di kush për arsye thjesht private. Cilët ishin ata punëtorë zyrtarë në që punonin MA në  gjëra që do të duhej të ishin shumë precize. Kësaj stihie i jepej krah me recitime përditë në media se, ne do të bëjmë reformë dhe do të jemi njësoj si gjithë evropianët. Zunë vendet ministër, zëvendës-ministra, zyrtarë të tjerë, përkthyes e çka jo tjetër, militantë partiakë, por asnjë që do të punonte për arsimin, sepse me siguri një pjesë e tyre ishin pavetëdije se, për çfarë ishin në ato vende. Askush nuk ka ditur të japë përgjigje, po qe se ke pasur nevojë t’i pyesësh për diçka. Filluan testimet e maturave (shtetërore); janë verifikuar iks raste, kandidatët që është dashur ta përsërisin vitin (katër herë), kalonin në test, binin nga i njëjti, nxënësit e shkëlqyeshëm. Thyhej morali dhe energjia e të rinjve nga shkaku që nuk kishte kujdes shoqëria e qeverisur prej njerëzve tanë.

(Mos)disiplinën në disa shkolla e bëjnë kuadrot

Shkollat publike kanë rregullore që u përshtatet, të aprovuara në mënyrë të barabartë. Ato nuk janë të një patroni. Vetëqeverisen nga organet e brendshme. Ato vendosin për punën dhe jo punën, (mos)arritja e suksesit, por duke u mbështetur në ligjin për arsimim. Janë autonomi. Mësimin dhe rregullin në shkollat publike e përcjellin dhe intervenojnë, kur është e nevojshme entet pedagogjike. Ato përgjigjen edhe për verifikimin e gjendjes disiplinore, e mirë apo e keqe; regjistrojnë dhe marrin masa për cilindo ekses në marrëdhënie ndër njerëzore të institucionit, për marrëdhëniet nxënës – mësimdhënës. Përgjegjësitë si dhe të drejtat janë të parapara me ligj e rregullore. Ai që nuk i përmbahet rregullit të shtëpisë, largohet nga institucioni me argumente. Si mundet një nxënës të bartë me vete në shkollë thikë, pistoletë, etj. Këtu përgjegjës është familja, shkolla, por edhe ministria. Si mundet një nxënës të jetë, ndoshta anormal dhe t’i pengojë të tjerët dhe gjithsesi, sipas kësaj që vijon, të tolerohet. Nëse nxënësi bën mungesa përtej numrit me rregullore, nuk mund ta përjashtosh pa leje nga kuvendi komunal – kryetari. Pas një muaji shëtitje dhe “rekreacion” që do të bënte edhe në punë të pista, me atë rregullore mundet të kthehet në shkollë sërish. Pse të mësojë nxënësi, kur e ka një prind në ndonjë vend e me lidhje të fuqishme, vjen në fund të vitit pak ditë dhe iu kërcënohet mësimdhënësve, se fëmija i tij duhet të kalojë shkëlqyeshëm!? etj. anomali.

Arsimi universitar – si malli në Pazar

Diçka që është me shumicë, bëhet e pa kimet. Një kohë të jesh student ka qenë punë e madhe. Dua që sot të jetë një vlerë më e madhe. Por, besoni që vlera gjithmonë përcaktohet me dije. Të gjithë të rinjtë sa e kryejnë shkollimin e mesëm nuk janë të përgatitur për studime. Dhe kjo nuk është e domosdoshme. Kërkojmë falje prej atyre që janë serioz dhe e duan punën, që studiojnë për të mësuar dhe perfeksionuar informacionet e duhura. Po, si nuk ka kurrfarë turpi njeriu, i cili magjistron apo doktoron në shkenca të ndryshme dhe del fishek i zbrazur. (Nuk dua të flasë për plagjiaturat). Ulet në katedër të UP dhe i thotë veti ekspert. Sa kam pa (nuk ma zënë udhën mua personalisht) disa janë me dije minimale. Sa një nxënës i klasës së shtatë-tetë dikur, kur në këtë vend gjeneratat e mëparshme e kanë krye shkollimin fillor. Si nuk ka turp, kur atë që e thotë ai tipi, ka mundur ta dijë edhe një qytetar jashtë atij profesioni. Kështu i ke universitetet nëpër ara të Kosovës, vetëm “llugë e më llugë” le të bëhet! E po, si nuk i vjen turp atij ministri, deputeti, që përveç punës primare, merr edhe tri, katër e ndoshta pesë vende tjera. Çfarë vlere do të ketë puna dhe angazhimi i tij në vendin përgjegjës, që e ka pranuar dhe me te krenohet. Kështu e kanë menduar “patriotët” tanë politikanë të këtij dheu. Pastaj, dikush do të thoshte, mos ndillni keq e mos flisni veç zi! Kjo parullë e fundit ka shkaktuar dëmin më të madh dhe te një pjesë e intelektualëve, nëse mund të thuhet kështu, e kanë ngrënë “mollën” me mësimet e djallit. Me dyfytyrësi dalin si faqja e zezë (ata e mendojnë vetën si më mirë) dhe flasin se krejt në rregull është puna në arsim. Ose, ndonjë tip tjetër hipokrit na këshillon: - Këqyre punën tënde! Askush nuk mund ta rregullojë këtë punë! Dhe heshtje...

Qeveritë tona – Ministria e Arsimit

Të kapluar nga një eufori, se, qe na e morëm pushtetin në dorë, të rrëmbyer edhe ata amatorët, e madje injorantët se, qe na e ndërtojmë shumë lehtë arsimin e bashkë me këtë edhe shtetin, kjo doli krejtësisht në “stërnishtë”. Të verbuar pas shkallëve të pushtetit, pas interesit dhe për të rrëmbyer që sa më shumë të materializohen; e të mos lënë anash as kënaqësitë ditore të tyre, lanë interesin e përgjithshëm kombëtar dhe shtetëror. Lanë askund arsimin, burimin kryesor për zhvillimin e vendit. Vetëm grumbuj parazitësh në ministri.

– Do ta bëjmë parajsë! Do t’i digjitalizojmë krejt shkollat, do të bëhemi vendi i arsimit, etj. Kemi thënë, disa shkolla të reja që janë ndërtuar kohëve të fundit kanë qenë të përgjysmuara...Kush i këqyrë këto punë? Nuk i di Ministria e Arsimit se cilat fshatra kanë mbetur pa shkolla?! – Nejse, le të bëhet diçka diku, e le të duket se po punojmë! Kaq. Ata para opinionit publik përpiqeshin të përdorin ndonjë fjalë e fjali si definicion për çështjen përkatëse. E arsyetonin këtë reformë e tjetrën, duke na u shitur se, ne kemi mësuar e studiuar këtu e atje në botën e jashtme. Se ky filani i di mirë dhe ka njohuri për Sistemin e Bolonjës, vjen tjetri në atë mënyrë...Fatkeqësisht, dikush nga qytetarët e ka ditur, por çka të thuash? kujt t’i thuash? Ata dërgonin zyrtar të partisë, si në kohën e monizmit, me dekret të pa shkruar, se ky, ai, ajo duhet ta udhëheqin fatin e institucionit arsimor. Sa një bari për dije! (të mos e ofendojmë bariun) madje shumë të korruptuar. Kanë marrë dhe e kanë vendosur, me privilegj njeriun pa dokumente valide, pa shkallë të kryer të arsimimit, apo diplomë të blerë, natyrisht, jo të gjithë. Këto qeveri kanë qenë të interesuara të krijojnë klientelë kudo e edhe në arsim dhe të sigurojnë vota për partinë e vet, por jo ta udhëheqin arsimin në rrugë të drejtë. Shpeshherë kanë futur urrejtje në mes njerëzve, deri te dyluftimi. Vetëm në UP e kemi pa se çfarë maskarade është bërë. Vetë e kanë dërguar njeriun, vetë e kanë larguar, duke ia ndërsyer studentët se, ky është falsifikator. Po nuk është tjetri falsifikator se punon ashtu sikur i thonë...

E, mirë, ku merr vesh një rrugaç se çka është arsimi, pa kurrfarë ndjesie për këtë resor publik, kur ai vinte apo vjen nga profesione të tjera, e ndoshta edhe nga rruga. Ku e di ai çfarë dëmi do t’i sjellë shoqërisë dhe vendit. Sa është përgjegjës para opinionit publik, që për këto lëshime të këtyre kohëve, do kalojë kohë e gjatë që të riparohet gjendja. Ne kemi dëgjuar dhe dëgjojmë se çfarë përgatitje kanë pasur dhe kanë një pjesë e mirë e këtyre kuadrove dhe zyrtarëve të Ministrisë së Arsimit dhe jo veç të arsimit. Por, gjithnjë duke e lodhë publikun me krekosje e frazeologjitë e tyre boshe.

Partitë e pa reformuara – keqpërdorimet edhe në arsim

Zhvillimi kombëtar e ndërtimi shtetëror, nuk është i mundur pa arsimim të mirë. Po reformë në arsim pa reformë ekonomike nuk bëhet. Krejt dobësitë kanë rrjedhë nga partitë që e kanë qeverisur këtë vend. Rregullisht, ata i kanë bërë gabimet si me qëllim. Ne dikur kemi thënë, si do të ikim prej monizmit, këta e forcuan atë monizëm...atëherë ankoheshim prej të huajit. Tash duhej të mbyllim sytë e veshët e edhe gojën, për të mos folur diç kundër kuadrove tona, sepse do të na akuzojnë të tjerët: “Ej, ju nuk jeni në mend! Tash i keni njerëzit e juaj! Çka jeni kundër tyre ju?!” Krejt kjo me qëllim nga të jashtmit, që t’ua mbyllim gojën me një donacion, gjëja e kemi kryer punën në Kosovë, dhe tjetra, dyshimi im: t’ua shkatërrojmë arsimin se, pastaj lehtë bëhet ashtu sikur dëshiron dikush. Dhe këto koalicione që u gjetën në pushtet, bënë ashtu si ditën vet, ad hoc, pa ndonjë skicim të ndonjë plani kombëtar. Dhe kushdo që ka ardhur në këtë vend, e ka ndërruar formën dhe esencën e arsimit, pa i matur rrethanat e vendit. Të gjithë këta zyrtarët tanë kanë qenë unanim, veç në pushtet të jenë. – Mos i paguani mësuesit më tepër!...- Mirë. Nuk i paguajmë! – Na i sjellim me gjimnaz në vende të juaja...! – Mirë e ka, thoshin zyrtarët tanë, kështu do t’ia bëjmë. Ndëshkoni atë që nuk ju dëgjon! – Po...! ashtu do të veprojmë. Mos e paguani...! Po! Merreni një me shkollë të mesme, me shkollë të lartë në vend të atij me fakultet, largojeni atë se shumë po flet! – Ashtu do të jetë! – A jemi ne pushtet, a jo? Çka themi ne bëhet. – Poooo! Ne po na ndihmon bota, çka flet ai pa kurrfarë njohurish?! – Ejani sonte në darkë se, u fton partia – sallamadia, u shtron do kompira e ndonjë asht, prej filan fistekut, përkatësisht shefit të partisë. Duhet krejt ta votoni, s’ka më i mirë e më zoti se ai. Ai krejt i ka bërë dhe i bën! (Pikë!). Këta të mjerët, tuba-tuba, duke u lëpirë dhe duke i duartrokitur për pallavra të dukës. Është për humor e satirë. Është tragjedi e pashkruar për miletin tonë – intelektualë! Është turp i historisë shqiptare! Është dramatizim – komedi për njerëzit e jashtëm. Sollën një liberalizëm tej mase, marrëdhënie nxënës – mësimdhënës; në mesin e klasën ndodhën bijtë e bijat e atyre që ndjehen të fuqishëm; ata nuk dëshirojnë të mësojnë, ata të tjerët i pengojnë; arsimtari nuk e merr seriozisht punën e vet më. Ata prindër vijnë e u thonë arsimtarëve, veç shkëlqyeshëm shkruani notat e fëmijës tim. Nxënësit bëjnë mungesa, në klasë sjellin armë gjithfarësh, vriten nxënësit – s’ka kontroll. Për çfarë reforme flitet? Njëri thotë, po disa nxënës në shkollat perëndimore i kemi pa para dere duke bërë seks, askush nuk u fliste. Konsumojnë drogë, por s’ka gjë, janë shkolla të përparuara. Eh, bash të përparuara! Kështu ka marrë hov edhe te ne. Por hallin e kemi shumë të ligshtë. Kurrfarë Ekonomie. Ekonomia i pranon kuadrot. Pse duhet të gjithë t’i kryejnë studimet? Të gjithë nuk janë për studime. Evropianët nuk e përdorin këtë metodë. Çka janë këto universitete në çdo arë të Kosovës? Studimet nuk janë “ilaç” për diagnozë sëmundjeje. Ato i bëjnë ata që janë punëtorë dhe ata që kanë bazë arsimore me kohë. Të gjitha ligësitë vijnë nga shkolla fillore. Çka ka rëndësi kjo, shkolla fillore e mesme e ulët, shkolla fillore e mesme e lartë...? Ministria me zyrtarët “specialistë”, mirë është puna jonë thotë.

Përgjegjës të (jo)gjithë

Po, pse dikush ka mundur ta sjellë në punë gruan, vajzën, renë dhe cilindo prej familjes në shkollë si punëtor arsimi, ndonjëherë edhe pa konkurs! Pse, këta “patriotë” dje ankoheshin prej regjimit të huaj për të njëjtat anomali shoqërore, sot krejt familjen e ka të inkuadruar në institucione shoqërore. Po, këta patriotë janë hakmarrës, asnjë nga lagja e tyre, ose shumë pak janë të inkuadruar nëpër punë, pos familjeve të tyre, që të gjithë.

Po, pse mundet në mënyrë verigore, të luajnë me arsimin: të sjellin probleme edhe në mesin e shkollave, vetëm e vetëm, që të kenë sa më shumë klientë të vet për vota. Po, pse këta zyrtarë, misionarë shkonin nëpër komuna si “ekspertë” dhe inauguronin çka dëshiron shefi i tyre, jo arsyeja.

Këtu është ‘lëmë e dreqit’. Kush hyn e kush del, nuk dihet. Qëllimet janë politike, gjithnjë me synime që të zbatohet kërkesa e Serbisë. Nuk ka rëndësi si zhvillohet Kosova. Vetëm për ta pështjelluar gjendjen para opinionit publik. Dikush tha, qe edhe Gjermania, njëherë s’i kishte punët mirë! Po. Edhe ndonjë prokuror thotë: çdo kund ka korrupsion!...A mundet Kosova të krahasohet me ndonjë vend tjetër dhe do të ketë mundësi?

Të papërgjegjshme janë edhe mediet

Mjetet e informimit janë gjurmuesit apo hulumtuesit e aferave dhe fenomeneve shoqërore. Ato janë edhe parandaluese të rreziqeve. Por jo. Kjo nuk ndodh te ne kështu. Nuk kanë hapësirë për debate. Janë të partive, ose anojnë nga institucionet qeveritare. Disa gazeta janë gardistë për të gjetur gabimet politike në kundërshtime partitë në mes veti. Asnjë vlerë, as kulturore e as dialog politik të mirëfilltë. Gazeta të mëhallëve. As opinione të mirëfillta, veç spica njëri-tjetrit. RTV-të, gjithashtu, pak herë interpretojnë realitet të njësojtë. Ato ushtrojnë analiza pas aktit të kryer. I gjykojnë fort, vetëm atëherë kur diçka është krejt publike. Kur ka marr fund e keqja. Madje, ka edhe të tillë, kur edhe të metat përpiqen t’i arsyetojnë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora